
Pyetje: Ç’është qëndrueshmëria në fe dhe si duhet manifestuar ajo?
Përgjigje: Fjalën “salabet” apo qëndrueshmëri nuk është e
drejtë që ta kuptojmë si ngurtësi, rreptësi dhe ashpërsi. Për
ngurtësinë, ne përdorim më shumë konceptet e fanatizmit e të zellit të
tepruar në kuptimin e këmbënguljes në mendimin vetjak qorrazi, pa
argument e pa u mbështetur kurrkund, si dhe në sjelljen jotolerante e
refuzuese kundrejt mendimeve të tjera. Nga ky këndvështrim,
qëndrueshmëria në fe shpreh vendosmëri, ngulmim dhe përqafim të
fuqishëm. Ky kuptim, në suren “Bekare”, gjen shprehje kështu: “Nuk ka
detyrim në fe; e vërteta është dalluar prej së kotës dhe është bërë
krejt e dukshme. Tashmë kushdo që i kundërvihet tagutit dhe beson tek
Allahu, ai është kapur në mbajtësen më të sigurt.”
[116]
Zotëria ynë, Profeti (s.a.s.), duke na lënë amanet fenë e qartë të
Islamit, atë dritë të përhershme, ka urdhëruar e thënë: “Ndiqni rrugën
time dhe rrugën e Kalifëve të Drejtë në udhën e drejtë. Kapuni fort me
dhëmballë pas kësaj rruge.”
[117]
Shprehja “kapuni me dhëmballë”, e përdorur në hadith, në gjuhën arabe
është një idiomë, një mënyrë të shprehuri. Ndaj edhe përtej kuptimit të
fjalëpërfjalshëm, duhet kuptuar ajo çka arabët synojnë të thonë me një
shprehje të tillë. E parë nga ky këndvështrim, shprehjen “Kapuni me
dhëmballë” mund ta marrim në kuptimin: “Ruajeni fuqishëm fenë e mos e
braktisni atë kurrë, duke u mbajtur pas saj thuajse siç kapet dara pas
diçkaje.” E pra, siç kuptohet prej teksteve të shenjta të përmendura,
qëndrueshmëri në fe do të thotë që të jesh i qëndrueshëm në vlerat e
larta si besimi, morali, nderi… të mos tregosh lëkundje dhe të mos e
lëshosh veten në marrëdhënie me to. Ndërsa të tregohesh i ashpër e të
imponohesh për të shtrënguar njerëzit në pranimin e fesë, siç e thamë
që në fillim, nuk është qëndrueshmëri në fe, por një lloj fanatizmi dhe
zelli i tepruar.
Të largosh prej fesë duke menduar se po i shërben fesë
Nëse një individ e kupton imponimin, fanatizmin dhe ashpërsinë si
qëndrueshmëri në fe dhe nëse mendon se me këtë mendësi po i bën apo do
t’i bëjë shërbim fesë, ai është në një vetëmashtrim të madh. Të tilla
qëndrime bëhen shkak për reagim dhe në përfundim jo vetëm që nuk
mundësojnë që njerëzit të pranojnë fenë, por i hapin rrugën neverisë
dhe largimit të tyre prej fesë. Prandaj edhe mund të thuhet me siguri
se nëse njerëzve nuk u shpjegoni thelbin e fesë, thellësinë e saj të
brendshme, përmbajtjen që do të kishte kuptim për ta dhe mirësitë e
bukuritë që do t’u falte atyre besimi, nëse me sihariqin që feja u
paraqet atyre nuk zgjoni në zemra një zell e dëshirë kundrejt fesë,
atëherë ndryshe nga ajo çka synoni, do të merrni një shuplakë, do të
përballeni me reagime të papritura dhe teksa thoni se po i shërbeni
fesë, në të vërtetë, do t’i largoni njerëzit prej saj. Po, po! Një
mesazh i paraqitur me mendësi të fanatizmit e të kryeneçësisë, më shumë
sesa përfitm, sjell humbje.
Në të vërtetë, të gjithë e dinë se ç’përfundim patën gjatë shekullit XX
një numër “-izmash” që ushtruan dhunë, imponim e trysni për t’i
detyruar njerëzit që të pranojnë sistemet e tyre. Siç e dini, në emër
të kësaj, në një vend u vranë dyzet-pesëdhjetë milionë njerëz dhe
sistemi u përpoq të ngrihet pothuajse mbi eshtrat e atyre të vrarëve.
Por ajo çka la pas kjo mizori, trysni e dhunë e egër nuk qe asgjë
tjetër veç urrejtjes dhe neverisë. Pra, pavarësisht prej gjithë asaj
dhune, mizorie e shtypjeje, pasi kaluan pesëdhjetë-gjashtëdhjetë vjet,
ai sistem qe i detyruar të shthuret e të shpërbëhet. Ndërsa njerëzit që
i qenë nënshtruar shtypjes u rikthyen aty ku kishin qëndruar në të
shkuarën dhe nisën t’i drejtohen sërish asaj që kishin besuar dikur.
Përmasa e vërtetë e besnikërisë ndaj fesë
Prandaj, një besimtar që zotëron qëndrueshmëri në fe nuk duhet të
lëshohet pas ndjesive dhe nuk duhet të bjerë kurrsesi në gabimin e të
shpallurit të çështjeve me thirrma e bërtitje. Një mënyrë e tillë
sjelljeje vetëm sa do të vërë në lëvizje ndjenjat e neverisë te
bashkëbiseduesit dhe do të shkaktojë që ata të mbyllen më shumë në
guaskën e tyre e të ashpërsojnë qëndrimet. Më vonë, një gjendje e tillë
shpirtërore mund të kthehet edhe në reagim e madje në agresivitet e
armiqësi. Për të mos u hapur rrugë të gjitha këtyre përfundimeve
negative e ndërlikimeve, duhet të veprojmë mbi bazë të sjelljes
pozitive, të mbahemi fort pas vlerave tona, të përqendrohemi në to, të
bëhemi shprehës të tyre dhe njëkohësisht të përpiqemi që me gjuhën e
zemrës, me mënyrën e sjelljes, t’i shpërfaqim ato vlera në formën më të
hijshme. Për shembull, në ditët tona, kur përparësi kanë dituria dhe të
shprehurit, kur epërsia qytetëruese realizohet përmes rrugës së
bindjes, ajo që duhet të bëjë një njeri i lidhur me fenë e tij, që
zotëron qëndrueshmëri në këtë fe, është, që para së gjithash, t’i
mësojë shumë mirë vlerat e veta dhe pasi t’i mësojë, të përpiqet t’i
përvetësojë ato në natyrën e vet. Nëse për këtë, për shembull, i duhet
të lexojë njëqind libra, një njeri që dëshiron t’i shërbejë fesë së vet
duhet t’i sigurojë ato libra dhe në dy-tri vite duhet t’i kushtohet të
lexuarit dhe të kuptuarit të tyre. Nëse është nevoja, duhet t’i
konspektojë, t’i analizojë e t’i klasifikojë ato çka lexon, madje dhe
kuptimet e përmbajtjen që nxjerr e përfiton prej tyre duhet të përpiqet
t’i përvetësojë e t’i bëjë pjesë të individualitetit të vet. Krahas
gjithë këtyre, nuk duhet ta lërë asnjëherë pas dore edhe dimensionin
shpirtëror të çështjes. Në qoftë nevoja, me qëndrueshmëri e vendosmëri,
edhe dyzet vite rresht duhet të ngrihet netëve, të falë namaz nate, të
vërë ballin përdhe në namaz të haxhetit e të lutet e të përgjërohet me
fjalët: “O Allahu im, të lutem veç Ty! Zbuti zemrat e këtyre njerëzve
ndaj fesë e besimit!”
Nëse të lexosh e të mësosh vlerat e tua dhe pasi t’i kesh mësuar, t’i
përvetësosh e t’i bësh ato pjesë të natyrës tënde, kërkon kaq shumë
vullnet, përpjekje e vendosmëri, atëherë në atë masë do të lexosh, në
atë masë do t’ia kushtosh veten kësaj pune. Njëkohësisht, duke qenë se
kjo çështje nuk është individuale, nuk do të mjaftohesh me lexime
individuale, por do të ulesh e do të konsultohesh me shokët e tu, do
t’i testosh mendimet në arsyen e përbashkët dhe kështu, duke tërhequr
pas vetes forcën shpirtërore të arsyetimit dhe të të menduarit të
përbashkët, do të vihesh në udhë. Dhe nuk do të mjaftohesh me kaq, por
në mënyrë që të sigurosh mbështetjen e Zotit të Gjithëfuqishëm, do të
bësh përpjekje të vazhdueshme për ta mbajtur të fuqishme marrëdhënien
me Zotin tënd dhe gjithmonë do të mundohesh të jesh një shërbëtor i
mirë i Tij. Kështu, edhe Allahu (xh.xh.) do t’i mbështesë këto
përpjekje të sinqerta dhe fjalëve të tua do t’u mundësojë që të
dëgjohen. Ashtu që fjalët që dalin prej gojës sate të frymëzojnë
ringjallje në shpirtra dhe të zgjojnë emocion në zemrën e
bashkëbiseduesit. Siç shihet, çështja në fillim nuk i duhet lënë
ndjesisë, por logjikës e gjykimit dhe më pas, gjithashtu, duhet ecur
nën udhërrëfimin e tyre. Në fund të fundit, a nuk është kjo rruga e
Zotërisë së Zotërinjve (s.a.s.)? Brenda atyre njëzet e tri viteve, ai
gjithmonë ua paraqiti mesazhin bashkëbiseduesve në mënyrën që ata mund
ta pranonin, veproi me mendjen dhe me logjikën e Kuranit dhe pa zgjuar
reagim tek askush, ua bëri të ditur zemrave zbulesën hyjnore.
Në të kundërt, veçanërisht në ditët tona, duke qenë se njerëzit ndjekin
në një masë të caktuar arsyen, i kushtojnë rëndësi mendimit dhe i
trajtojnë çështjet brenda kornizës së të kuptuarit, nëse mbështeteni te
forca, duke thirrur e bërtitur dhe duke u treguar i ashpër, nuk mund
t’i shpjegoni kurrkujt asgjë dhe nuk mund t’i zgjidhni problemet. Po,
po! Nëse do të keni mendimin e të shërbyerit ndaj fesë deri në
gatishmërinë për vetëflijim, atëherë duhet të zotëroni një nivel të
lartë në çështje të fesë, si dhe në pajisjen mendore e shpirtërore, të
ruani marrëdhënie të fortë me Allahun dhe vazhdimisht të meditoni e të
mendoni thellë. Dhe veçanërisht në botën tonë, që sa vjen e zvogëlohet
gjithnjë e më tepër, në të cilën përfaqësimi i Islamit është kthyer në
një çështje gjithnjë e më të përgjithshme, në një vend ku është fjala
për të drejtat e të gjithëve, askush, assesi nuk duhet të hidhet në
qëndrime e sjellje individuale. Sepse të tilla sjellje individuale mund
të bëhen shkak për gabime që mund t’i turpërojnë të gjithë besimtarët.
Për shembull, nëse në emër të mbrojtjes së Islamit vriten njerëz të
pafajshëm përmes bombash të gjalla e sulmesh vetëvrasëse, kjo paraqet
një tablo sterrë të zezë të Islamit, aq sa të gjithë myslimanët në faqe
të dheut e kanë të vështirë ta shpjegojnë atë dhe mbeten në një gjendje
shumë të vështirë. Edhe pala e kundërt pohon se “ata që i bëjnë këto
janë myslimanë, pasi veshja dhe pamja e tyre e jashtme tregon që ata
janë myslimanë”, duke përpjekur në këtë mënyrë që një fe përfaqësuese
të së mirës, të së drejtës e të dhembshurisë, ta paraqesë në një pol
krejt të kundërt dhe t’i vërë nën dyshim të gjithë njerëzit. E pra, një
shkelje kaq e rëndë, që prek të drejtat e të gjithë besimtarëve, buron
prej të moskuptuarit të shpirtit të fesë, prej mungesës së vetëdijes
për idenë e rrugës së drejtë, prej lënies mënjanë të arsyes e të
logjikës së Kuranit.
Dinamika e emocionit që shndërrohet prej mendjes dhe arsyes
Nga këto që thashë, nuk duhet kuptuar që unë duartrokas mungesën e
rëndësisë së ndjenjës. Nuk ka dyshim që ndjesia është një faktor shumë
i rëndësishëm në të shpjeguarit dhe të mbrojturit e fesë së pastër të
Islamit. Njeriu, për t’ua bërë të njohura shpirtrave vlerat në të cilat
beson, duhet të jetë plot emocion dhe kundrejt çdo të keqeje që mund
t’i vijë fesë, duhet të shqetësohet aq shumë sa të jetë thuajse në
gjendje për të vdekur. Por bashkë me këto, ai gjithmonë duhet, që
përmes mendjes dhe arsyes, të mund ta shndërrojë atë dinamikë të
emocionit, ta orientojë atë në rrugën e duhur dhe të dijë të përfitojë
prej saj në mënyrën më të bukur.
Po përpiqem ta shpjegoj me një shembull atë që dua të them: mendoni,
për shembull, për një vendbanim që ndodhet nën male të larta. Në këtë
vend, çdo vit, me shkrirjen e borës, pason rreziku i përmbytjes prej
një rrjedhe shumë të fuqishme që merr me vete gjithçka porsi ashklat.
Tani këtu, punë e logjikshme dhe me mend është që të ndërtohet një
digë, të vihet nën kontroll ai ujë i harbuar, pastaj të hapen kanale
dhe të ujiten me të tokat e thata. Në mënyrë të njëllojtë, edhe te një
besimtar duhet të ketë emocion. Ashtu që kur të shfaqet një situatë
negative për fenë, ai të vuajë e të shqetësohet tej mase, të ndiejë
dhimbje, të mos e zërë gjumi netëve dhe të ngrihet e të vijë si i
çmendur rrotull nëpër dhomë. Por gjithsesi, ai nuk duhet ta shpërdorojë
e ta çojë kot këtë emocion në britma e thirrje që nuk sjellin kurrfarë
dobie. Kundruall një situate të tillë, ai duhet të përpiqet që të bëjë
ç’të jetë e logjikshme e me mend dhe në këtë mënyrë, atë emocion të
harbuar të mund ta kthejë në lëvizje pozitive, në punë e në veprim të
dobishëm. Dhe ndërsa e bën këtë, kurrsesi nuk duhet të hyjë në veprime
individuale, emocionale e impulsive. Sepse sado që emocioni të jetë një
ndjenjë që meriton të lëvdohet, edhe përpjekja për ta vënë emocionin
nën kontroll dhe për ta bërë atë të dobishëm brenda rrjedhave të
mendjes e të arsyes është po aq e lavdërueshme. Sot, gjendja e
dhembshme në të cilën ndodhet e gjithë bota islame, dhe madje mbarë
njerëzimi, duhet të na bëjë të gjithëve të vuajmë e të ndiejmë dhembje
të thellë dhe të na mbushë me emocion në gjithë qenien tonë. Por nëse
një njeri vepron vetëm sipas këtij emocioni, nëse rrëzon e thyen ç’ka
rreth e rrotull, ai zgjon ndjenja urrejtjeje te njerëzit e tjerë dhe në
përfundim, bën që përballë tij të shfaqet një front agresiv dhe
shkatërrues. Pra, nëse ndjenja dhe emocioni nuk i nënshtrohen dot
provës së mendjes dhe të logjikës, nëse nuk vlerësohen dot brenda
kanaleve të përcaktuara prej gjykmit e mendimit dhe nëse nuk i
dorëzohen arsyes, atëherë ajo ndjenjë dhe ai emocion kthehen në një
përmbytje që i sjell mjaft dëme mjedisit përreth.
Në këtë pikë, a është e mundur të mos sillet ndërmend ai qëndrim i
jashtëzakonshëm e i drejtë, të cilin e tregon Bediuzaman Said Nursiu?
Siç e dini, ai ishte një njeri i mbushur plot me dashuri e me emocion.
Mund të thuhet se në shekullin që jetoi nuk ka pasur tjetër njeri më
emotiv se ai. Por në të njëjtën kohë, mund të thuhet edhe se nuk ka
pasur njeri që të ketë vepruar më me kujdes e më me maturi se ai. Po,
po! Pavarësisht se një jetë të tërë punoi paprerë për përparimin
material e shpirtëror të kombit, gjë për të cilën meritonte që të
vlerësohej shumë lart, edhe mosha shtatëdhjetepesë apo
tetëdhjetëvjeçare e gjeti burgjeve, madje herë herë të hedhur në vende
si nevojtore, pa i parë syri një ditë të bardhë. Por pavarësisht të
gjitha këtyre, ai kurrë nuk u hodh në veprime emotive e impulsive.
Madje ai personalitet i jashtëzakonshëm, krahas vetëkontrollit, ia
dilte të frenonte edhe njerëzit e tjerë pranë vetes që të mos vepronin
me emocionalitet, duke mos treguar asnjë mangësi në këtë drejtim,
megjithëse rreth vetes kishte plot njerëz trima, të guximshëm e plot
emocion, të cilët përpëliteshin rrotull në vuajtje e dhembje. Mirëpo
Mësuesi i nderuar, me botën e tij të dëlirë të ndjenjave, duke e ditur
se përmes lëvizjesh e veprimesh reaguese nuk do të mbërrihej kurrkund,
atë potencial të emocionit e orientonte në kanale të ndryshme me arsyen
dhe logjikën e Kuranit, duke e vlerësuar në një mënyrë të tillë që në
ditët e sotme nuk është e mundur më të mos vihet re ai ndikim i
fuqishëm i tij në rritjen dhe zhvillimin e mjedisit tonë në drejtim të
dijes, të mësimit e të besimit.
Në përfundim, mund të themi se ndjenja dhe emocioni përbëjnë një
dinamikë të nevojshme e shumë të rëndësihme për përhapjen e fesë në
zemrat e njerëzve dhe për mbrojtjen e saj kundrejt sulmeve që i bëhen.
Por kjo dinamikë pa dyshim që duhet të kontrollohet përmes dijes,
mendjes së shëndoshë, logjikës, gjykimit, këshillimit, diskutimit dhe
gjykimit të përbashkët; dhe duke u vënë nën kontroll, të bëhet e
dobishme dhe të sjellë rendiment.
[116] Bekare, 2/256.
[117] Tirmidhi, Ilim 16; Ebu Davud, Sunnet 5; Ibn Maxhe, Mukaddime 6.