
Pyetje: Zhvillimi i lëvizjeve dhe i veprimeve sipas një planifikimi
paraprak përmendet si një disiplinë e rëndësishme. Nga ana tjetër,
bëhet fjalë edhe për ekzistencën e një mendimi që i jep përparësi
veprimit. Kundrejt këtyre hollësive, si duhet kuptuar dhe zbatuar një
mendim që i jep përparësi veprimit?
Përgjigje: Çdo individ që do të prodhojë një veprim tokësor a
shpirtëror afatgjatë, të sigurt e të qëndrueshëm, që t’u sigurojë
njerëzve dobi, duhet ta bëjë këtë duke u mbështetur në një plan e
program të caktuar. Për një njeri që beson, kriteret për këtë janë ato
që i quajmë argumentet thelbësore, si Libri, Suneti, njëmendja e umetit
dhe analogjia e fakihëve (interpretuesve të ligjit).
[113]
Krahas kësaj, janë edhe ato që mund t’i quajmë argumente dytësore apo
të përkohshme , të lidhra me punët, pëlqimet dhe zakonet e përditshme.
[114]
Në lidhje me këto, ka mendime të lira dhe interpretime. Por nuk duhet
harruar se të gjitha këto mendime të lira e interpretime realizohen
duke vlerësuar pikat lidhëse në burimet thelbësore. Edhe zotërinjtë
tanë, muxhtehidë të nderuar, nuk kanë nxjerrë gjykime të pabazuara e si
t’u thotë mendja, “min indi enfusihim”. Nëse do të shpreheshim me një
term nga metodologjia e fikhut, ata, duke u mbështetur në një
përngjasim, kanë shkuar drejt një analogjie apo kanë shprehur një
gjykim të tyrin. Veç kësaj, duhet të pohojmë edhe se këtë punë me peshë
e shumë të vështirë, ata njerëz të mëdhenj e kanë kryer me një
përkujdesje të jashtëzakonshme gjer në hollësitë më të imëta.
Plani i përgjithshëm
Duke iu kthyer temës kryesore, paraprakisht duhet bërë një plan brenda
kriteresh të caktuara. Por unë i varfri gjithmonë e shoh atë plan me
një vështrim të përgjithshëm. Ashtu sikurse edhe njeriu, kur pranon të
besojë, më së pari hyn në kufijtë e besimit me një dije të
përgjithshme. Pra, në fillim, ai e pranon çështjen me anë të një
njohurie të përgjithshme, duke thënë: “Allahu ekziston, Ai është
Krijues Madhështor, Krijues i botës.” Por me kalimin e kohës, sipas
nivelit, moshës dhe aftësive mendore, duke pranuar e përvetësuar edhe
interpretimin e ligjësive të natyrës, shkon përmes rrugësh të tjera
argumentimi edhe në sqarime të hollësishme, madje përpiqet të thellohet
në çështjet përkatëse. Po kështu, njeriu, para se të vërë në jetë një
veprim apo veprimtari, paraprakisht duhet të zotërojë një plan e
program të përgjithshëm për çështjen dhe që këtej duhet të nisë rrugën
e tij.
Por çfarë nënkuptojmë me cilësimin “i përgjithshëm”? Për shembull, një
besimtar ka një numër vlerash themelore që i ka besuar e përvetësuar.
Ai, duke dëshiruar që këto vlera e bukuri t’i njohë gjithkush, thotë në
çdo çast: “Sikur atë që unë dua, ta donte mbarë njerëzia / E të mos
bëhej fjalë për tjetër veçse për të..!” Tani, kjo gjendje tregon se ai
besimtar, në mënyrë që të gjitha zemrave, të gjithë njerëzimit t’ia
paraqesë e t’ia bëjë të ditura këto vlera e këto hijeshi, ka një mendim
e një plan paraprak. Mirëpo në çdo gjeografi bëhet fjalë për kushte,
mjedis kulturor, tradita e zakone të veçanta dhe të mbash qëndrim duke
i llogaritur të gjitha këto, është e lidhur me një mendim të
hollësishëm, me një plan e program të hollësishëm. E pra, ajo që e
quajmë “mendimi që i jep përparësi veprimit”, në thelb, është ky. Pra,
mbartja dhe vënia në jetë e njohurisë, e planit dhe e programit të
përgjithshëm duhet kthyer në veprim energjik. Dhe si përfundim, kjo do
të thotë se veprimi duhet t’i shërbejë si udhërrëfyes planit dhe
mendimit të hollësishëm, duhet të gjendet para tij.
“Këta janë trashëgimtarët e Tij”
Nëse dëshironi, nisur nga shembulli i dhënë, mund të përpiqemi që temën
ta zgjerojmë disi edhe më tej. Le të themi se atij sistemi vlerash
hyjnore, që i ka ardhur njerëzimit si dhuratë nga përtej qiejve ju i
besoni nga thellësia e shpirtit dhe ndieni me të vërtetë se ato kanë
zënë vend thellë në kraharorin tuaj. Natyrshëm, rezultati i një imani
të tillë është që ju, si të pushtuar prej një dashurie të marrë, keni
dëshirë që atë sistem vlerash t’ia bëni të ditur gjithë botës. Duke
bërë këtë, nuk është fjala as për ndonjë qëllim si të bërit propagandë,
as për veprimtari misionare dhe as për t’u imponuar të tjerëve besimin
e për të futur botën në fenë tuaj, sepse nëse fenë që ju i besoni nuk e
paraqisni me ngjyrat dhe tablonë e vet, puna që bëni nuk do t’ju sjellë
tjetër përfundim përveçse do t’ju bëjë të gënjeni veten! Për këtë arsye
juve ju thuhet që t’i lini shpjegimet tuaja dhe të lejoni që sjelljet
tuaja të flasin vetë. Përsosmëria në sjelljet tuaja le të ushtrojë
ndikim në zemrën e palës përballë jush. Atyre që ju shohin, që
dëshmojnë veprimet e sjelljet tuaja, vajtjet e ardhjet tuaja, shikimi e
fjalët tuaja, bëjini që ato le t’u sjellin përherë ndërmend Allahun e
le t’u thonë gjithmonë “Allah”; t’u thonë e t’i bëjnë që në zemrat e
bashkëbiseduesve tuaj të mbruhet mendimi: “Diç duhet të ketë pas këtyre
njerëzve, këta nuk i hedhin më kot hapat e tyre.” E pra, gjërat që u
lihen amanet të tilla rregullave e të tillë qëndrese, edhe në u
përballshin me një tërmet dhjetë ballë të shkallës Rihter, me lejen dhe
mirësinë e Allahut, nuk lëkunden. Por një ftesë në besim, që mbështetet
edhe në fjalët më të bukura e në shprehjet e retorikës më të lartë,
nëse nuk thellohet në përfaqësim të mirë, mund të rrënohet edhe me tri
ballë tronditje. Prandaj, mund të thuhet se fjala nuk ka shumë rëndësi.
Fjala fiton një vlerë relative vetëm si shprehje e sjelljeve dhe e
veprimeve. Vetëm ai përfaqësim që është bërë pjesë e natyrës, që është
rrënjosur në thellësinë e saj, zgjon një interes të madh dhe ushtron
ndikim tek të tjerët. Për shembull, nëse ju nuk e çoni dorën tek e
ndaluara as edhe sa për një kokërr elbi. Madje edhe në paçi një nevojë
shumë të madhe, tregoni vullnetin tuaj dhe shpërfaqni të njëjtën
sjellje. Nëse kjo ndodh një herë, dy, tri… dhe më në fund, kjo
gjendje juaja do të ftojë shikimin e kujdesshëm të të tjerëve. Nëse ju
kujtohet, kur Bediuzaman Said Nursiu kalonte bashkë me Sejid Tahanë dhe
Haxhi Iljasin në Gjirin e Bosforit, ai ulte kryet dhe i mbante sytë
gjithnjë poshtë. Kundrejt kësaj, Sejid Tahai dhe Haxhi Iljasi i
shprehën habinë e tyre Mësuesit të nderuar, ai u dha atyre këtë
përgjigje: “Përfundimi i kënaqësive të padobishme, kalimtare e mëkatare
janë veç dhembje e shqetësime, ndaj s’dua që t’i kem.”
[115]
E pra, që gjatë gjithë jetës të tregosh një qëndrim e një sjellje të
tillë, është shumë e rëndësishme. Po, po! Pasi për dyzet vite ta
ndjekin në heshtje sjelljen tuaj, njerëzit duhet të mund të thonë:
“Lavdi Allahut! Këta janë njerëz me sjellje si prej profeti. Gëzojnë
cilësi prej profeti si jeta e pamëkatshme, besnikëria, siguria (mbajtja
e fjalës dhe amanetit), komunikimi, zgjuarsia dhe mendja e hapur. Duke
qenë se pas Vulës së Profetëve, Muhamed Mustafasë (s.a.s. ), nuk do të
vijë profet tjetër, do të thotë se këta janë trashëgimtarët e Tij.” E
pra, duhet të përpiqeni që të arrini atë pjekuri e të prekni atë
horizont që t’i bëjë bashkëbiseduesit tuaj të thonë të tilla fjalë.
Aq më tepër sot, që bëhen përpjekje për ta nxirë fytyrën e ndritur të
Islamit, në mënyrë që të korrigjoni e të rregulloni një numër gabimesh,
në përfaqësimin e drejtë të vlerave që ju përkasin, ju duhet të bëni
një mundim e përpjekje përtej të zakonshmes. Për shembull, kundrejt
atentateve vetëvrasëse aq të patolerueshme, kundrejt shpalljeve të
luftës që disa i lëshojnë me mendje të vet si t’u shkrepet, kundrejt
hedhjes së papërgjegjshme të dy-tri raketave sa andej këndej në kushtet
kur për baraspeshë forcash as që mund të bëhet fjalë dhe me ato dy-tri
raketa shkaktohen mijëra të vdekur të pafajshëm duke u bërë shkak për
lëshimin e qindra raketave të tjera, ju duhet t’i shpjegoni gjithkujt e
kudo, se këto sjellje nuk pajtohen assesi me të qenët mysliman. Sepse
Islami nuk ka lënë të zbrazur asnjë fushë të jetës. Ai e ka sqaruar në
mënyrë krejt të qartë se si duhet të mbrohemi brenda kufijve të
legjitimes përkundër dhunës e padrejtësive. Për shembull, siç ndodhi në
Luftën e Pavarësisë, përfaqësuesit e kombit mblidhen e krijojnë një
komision, ku edhe vendosin shpalljen e luftës. Individët, më pas, e
pranojnë këtë vendim dhe e zbatojnë atë në të katër anët e vendit duke
nisur një betejë brenda kufijve të së lejueshmes.
E pra, për t’i treguar botës fytyrën e ndritur e të dëlirë të Islamit,
që disa e kanë përlyer, duhet të kemi një plan të përgjithshëm. Për të
ardhur, më pas, te zbatimi i tij hollësishëm, duhet të shpërndahemi në
të katër anët e botës dhe duke e përfaqësuar Islamin drejt, duhet të
mund t’i bëjmë njerëzit të thonë: “Paskësh edhe myslimanë të tillë!” Pa
dyshim që nëse do të nxisnim që të thuhen fjalë të tilla për veten
tonë, kjo do të ishte përpjekje për t’u dukur e për të rënë në sy
(rija), por nëse fjala është për t’i bërë njerëzit që të flasin mirë
për Islamin, atëherë kjo është detyrë. Domethënë, e kemi për borxh që
atë Islam që na e kanë lënë amanet Tabloja e Krenarisë Njerëzore dhe
Kalifët e Drejtë – shpirti ynë u flijoftë për shpirtrat e tyre – t’ia
bëjmë të njohur krejt botës në identitetin e tij të vërtetë. Po, po!
Njeriu i shekullit tonë duhet ta pastrojë imazhin e avullt, të
mjegullt, të oksiduar të Islamit dhe ne, me thellësinë e duhur të të
vërtetave të brendshme, të nxjerrim në pah fytyrën e vërtetë e plot
dritë të identitetit të vërtetë mysliman.
Për shembull, duke hapur në të katër anët e botës shkolla e qendra
kulturore, duke i parë ata nxënës e prindër në ato institucione si një
urë e mundësi komunikimi, duke shkuar në shtëpitë e tyre, duke
vlerësuar edhe ditë të veçanta, duke gatuar herë hallvë, herë hashure,
herë byrek, herë kadaif, dhe duke treguar se “këto janë produkte të
rëndësishme të kulturës sonë, me këto gostitim fqinjët”, mund të
vendosni ura me njerëz të kulturave nga më të ndryshme, mund të
afroheni me ta dhe mund të përpiqeni të mbyllni ato hendeqe që janë
krijuar më herët prej mendimesh të gabuara. Kështu, duke ngritur ura
mbi rrjedha, duke vendosur shtigje mes malesh, duke mbërritur edhe një
herë në zemra për t’i larguar pengesat mes zemrave dhe Allahut, mund të
përpiqemi edhe një herë për të siguruar natyrshëm afrimin e njerëzve me
Allahun.
Mendime dhe projekte alternative
Po, po. Njerëzit në vendet ku shkoni, pavarësisht nëse ju e vini apo
nuk e vini re, ju vëzhgojnë dhe jua masin pulsin pesëdhjetë herë. Për
shembull, kur disa njerëz qëllimkëqij ju kanë ndjekur e përgjuar jashtë
vendit, përgjigjja që kanë marrë është kjo: “Kemi dhjetë vjet që i
dëgjojmë këta njerëz. Asgjë nga këto që thoni ju s’e kemi vënë re tek
ata. Nuk kemi rastisur në kurrfarë aritmie. Pulsi u rreh po njëlloj.”
Siç shihet, me këto fjalë, ata u kthyen thuajse në mbrojtësit tuaj.
Nëse duke vështruar në disa vende është vërejtur ndonjë bllokim,
arsyeja e kësaj është sepse ne nuk kemi qenë në gjendje ta tregojmë
vetveten siç duhet dhe kemi pasur ndonjë mangësi në të shprehurit tonë.
Në këtë pikë, mund të tërheqim vëmendjen edhe tek kjo hollësi: në
mënyrë që negativitetet që shfaqen të mund t’i kthejmë në pozitivitete,
që negatives të mund t’i shtojmë pozitiven, gjithmonë duhet të kemi
plan dhe programe alternative.
Pra, përkundrejt rrethanave që ndryshojnë, në mënyrë që ta vlerësojmë
edhe një herë gjendjen ekzistuese, duhet të ndërtohen plane dhe
projekte alternative sipas atyre rrethanave të reja, çka mund ta quajmë
plan të hollësishëm. Njëkohësisht, kjo do të thotë edhe mendim që ka si
përparësi veprimin. E pra, nga njëra anë duhet të keni një plan të
përgjithshëm dhe një numër të dhënash kryesore, në mënyrë që punët e
veprimtaritë tuaja t’i ndërtoni mbi to. Por krahas kësaj, duhet të
ruani edhe një numër fijesh të lira për t’ia lënë kohës dhe të ndërtoni
plane e projekte alternative për t’i vënë në zbatim sipas rrethanave.
Duke marrë parasysh kulturat e ndryshme, duke i njohur njerëzit nga
këndvështrimi i gjuhëve, i besimeve, i botëkuptimeve, i sendeve e i
dukurive të ndryshme, brenda veprimit tuaj, duhet të jeni në gjendje të
thoni: “Këtu mund të ndodhë diçka e tillë, aty mund të ndodhë diçka
tjetër.” Dhe kështu, sipas kushteve të vendit ku keni shkuar, duhet të
prodhoni alternativa të ndryshme dhe me ndihmën dhe mirësinë e Allahut,
duhet të jeni në gjendje të zhvilloni disa sisteme të reja të të
menduarit.
Shkurt, një njeri që në fillim mendon thjesht dhe drejtpërdrejt, në
përfundim do të mendojë më gjerë e më thellë. Nëse do të shpreheshim me
fjalët e përdorura prej poetit Zija Gëkalp në lidhje me padijen, kush
mendon thjesht në nisje, duke shkuar drejt fundit do të fillojë të
mendojë në mënyrë të ndërlikuar – për çka ju mund të përdorni edhe
shprehjen “të shumëfishuar” – e në shumë shtresa. Pra, duke menduar, do
ta marrë në shqyrtim çështjen përmes alternativash, duke thënë: “Mund
të ndodhë kjo, mund të ndodhë ajo, por mund të ndodhë edhe diçka
tjetër”; dhe kështu, do të vihet në zotërim të një gjerësie horizonti
që do ta shtyjë të fusë në llogari të gjitha alternativat. E pra, të
gjitha këto, në njëfarë kuptimi, janë hollësitë në të cilat duhet
ndaluar në kuadrin e mendimit të hollësishëm, të planit të hollësishëm,
të projektit të hollësishëm.
[113] Shih: El-Pezdevi, El-Usul 1/221; Es-Serahsi, El-Usul 1/279.
[114] Shih: Mehmed Sej’jid, Medhal f. 323.
[115] Bediuzaman, Jetëshkrimi f. 504-505 (Periudha e Emirdağ-ut).