Vlerat tona dhe çerdhja jonë

Home » Albanian (Shqip) » Veprat » Ideali për të jetësuar » Vlerat tona dhe çerdhja jonë

Vlerat tona dhe çerdhja jonë

Pyetje: Vërejmë se institucioni ynë i familjes tradicionale, i ngritur
mbi vlera kombëtare e shpirtërore të trashëguara prej së shkuarës, ka
nisur të tronditet qysh prej periudhës së Reformave të Tanzimatit. Në
cilat hollësi duhet bërë sot kujdes për ringjalljen e institucionit të
familjes, që mbart një rëndësi jetike për shoqërinë?

Përgjigje: Fermani i Tanzimatit ishte përpjekja e elitës sonë të
arsimuar e më së shumti të ushqyer me kulturën franceze, që t’i
organizonte sipas asaj kulture jetën, sendet dhe ngjarjet në vendin
tonë. Në këtë ferman-reformë, të hartuar nga Mustafa Reshit Pasha, duke
marrë si bazë kriteret e Perëndimit, fatkeqësisht, vlerat e ngjizura e
të prejardhura prej shpirtit dhe thelbit tonë nuk u morën parasysh.
Është e vërtetë se Dokumenti Sulltanor i Gylhanes përmbante, ndoshta,
përpjekjen për ta shpëtuar Shtetin e Lartë. Nëse Mustafa Reshit Pasha,
që u përzie në këtë punë, ishte i sinqertë apo jo, nuk e di. Atë vetëm
Allahu e di. Gjithsesi, mund të themi se brenda kësaj përfshiheshin
edhe shumë njerëz të sinqertë. Mirëpo ja që rruga apo metoda që ata
ndoqën nuk ishte e drejtë. U synua diçka, dëshirohej të mbërrihej diku;
ndoshta ëndërrohej sërish epoka e një Ligjvënësi apo e një
Ngadhënjimtari si Mehmeti II, por një mendim i tillë, që meriton të
duartrokitet, nuk mund të gjente zbatim duke shkuar rrugëve të gabuara.
Sepse me sistemin edukativ, me rregullsitë sociologjike e konceptet
pedagogjike të Perëndimit, nuk mund të viheshin në jetë ato mendime e
projekte të synuara, që na përkisnin neve. E pra, pikërisht në këtë
pikë gaboheshin njerëzit e Tanzimatit. Sepse edhe rrugët e ndjekura
duhet të jenë të drejta në masën e qëllimit, të mendimit dhe të
drejtësisë së horizontit. Nëse pikësynimi juaj është që të mbërrini të
sigurt e të shëndetshëm në Stamboll, atje nuk mund të mbërrini përmes
shtigjesh dhish, por vetëm përmes autostradash. Nëse niseni nëpër
shtigje, ato rrugë mund t’ju sjellin vërdallë, përpara mund t’ju
shfaqen male; dhe kështu, ju mund të mbeteni rrugëve, pa mbërritur
asnjëherë në destinacion.

Ndërkohë, më duhet të pohoj se në të vërtetë, shpërbërja te ne kishte
nisur në një periudhë shumë më të hershme se Tanzimati. Tanzimati është
vetëm emri i periudhës, në të cilën kjo punë u bë e dukshme. Është e
gabuar që çështjen ta lidhim vetëm me Mustafa Reshit Pashën dhe me
vitet e para të shekullit XIX. Ndoshta ajo çështje shkon gjer në kohët
kur jeniçerët ngrinin krye, kur sulmoheshin sarajet, kur përmes atyre
sulmeve bëheshin përpjekje që të hiqeshin e të viheshin sundimtarë;
gjer në kohët e Osmanit të Ri dhe të Muratit IV. Që prej atyre kohëve,
trazirat, mosmarrëveshjet dhe ngatërresat na gërryenin e na
karbonizonin së brendshmi. Për këtë arsye, mund të thuhet se në vitet
që u shpall Fermani i Tanzimatit, filozofia jonë e shtetit dhe e
administrimit, koncepti ynë për të drejtën dhe drejtësinë ishin rrënuar
krejt. Këto fjalë të të ndjerit Mehmet Akif Pejani duken sikur
përshkruajnë atë periudhë:

“Koka pa mend, zemra pa ndjenjë, shpirtra me ndryshk;

Ditë shkuar punës në robëtim, netëve që s’presin agim,

Qaja së ikuri në largim; qaja së ndenjuri n’vajtim.

S’dëgjon e s’bëzan kush, i brita mëmëdheut në rrënim.”

Ndërsa në vitet e mëpasme kjo gjendje u thellua edhe më, dhembjet u
shtuan akoma më tej. Vlerat tona themelore, në tërësinë e tyre, siç
shprehet Mjeshtër Nexhip Fazëlli, u rrëzuan njëra pas tjetrës.
Ndërkohë, edhe vatra familjare u shkatërrua; sikurse edhe filozofia
jonë e jetës, e ngritur mbi themele të fuqishme në marrëdhënien mes
bashkëshortëve, në lidhjen e ngrohtë e të sinqertë mes prindërve dhe
fëmijëve.

Por megjithatë, përballë kësaj tabloje të dhimbshme e të zymtë, në vend
që të biem në mungesë të shpresës, secili prej nesh duhet të bëjë
përpjekjet që kemi në dorë për ta ringjallur sërish institucionin e
familjes. Dhe nuk duhet harruar as fakti se familja është e lidhur me
një shoqëri të tërë, ndaj edhe përmirësimi dhe ringjallja e saj në
kuptimin më të plotë ka lidhje edhe me përmirësimin dhe me ringjalljen
e të gjitha institucioneve të shoqërisë. Mirëpo nëse rruga nuk e dhuron
atë frymë e atë domethënie, atëherë çështjet që ju u jepni zgjidhje jua
rrëmben sërish rruga dhe i bën ato sërish të ngjashme me të. Në të
njëjtën mënyrë, nëse faltorja nuk i bëhet mbështetje në këtë kuptim
vatrës familjare, nëse shkolla nuk është pranë saj, atëherë ato tipare
të bukura që iu i sillni familjes bëhen sërish të padobishme e të kota
dhe ju ikin nga duart. Për këtë arsye, asnjëherë nuk duhet harruar se
rilindja e institucionit të familjes është e lidhur me rilindjen e
gjithë shoqërisë.

Qëndrimi serioz krahas frymës revolucionare

Për t’u kthyer sërish në thelbin e çështjes sonë, pasi gjithçka u
rrënua e na iku duarsh, besoj se tani ka ardhur koha e kthimit sërish
në vlerat tona. Në këtë pikë, çështja që duhet pasur kujdes është që në
daljen për zot ndaj vlerave tona duhet të shpërfaqim qëndrimin më
serioz të mundshëm. Emri i kësaj nuk është as kthim pas, as
prapambetje, as reaksion. Sepse ne, krahas përpjekjes për t’u dalë për
zot vlerave tona, besojmë edhe se duhet ta lexojmë botën drejt e sipas
kohës në të cilën jetojmë dhe se në këtë çështje duhet të ushqejmë një
frymë shndërruese. Në të vërtetë, kjo gjendje për besimtarin përbën një
dilemë dhe një kundërthënie prej së cilës është e vështirë të çlirohet;
por ai pa tjetër duhet të ketë vullnetin për ta jetësuar gjithë këtë.
Domethënë, nga njëra anë duhet t’u dalë për zot vlerave të tij aq sa të
mos pranojë të heqë dorë për tyre edhe nëse i premtohet një botë e
tërë, duke thënë: “Sikur njëmijë shpirtra të kisha, të gjithë u qofshin
falë atyre vlerave!”; dhe nga ana tjetër, nuk do të lërë pas dore
tefsirin e kohës si më i madhi komentues, si dhe të bërit kujdes që
erën e atij tefsiri ta mbajë kurdoherë pas vetes. Përndryshe, vijnë
njerëz që i interpretojnë më mirë kohën dhe ligjësitë e natyrës; dhe të
tillët, duke ushtruar trysni mbi ju, nisin t’ju sundojnë. Pas kësaj,
siç ndodh në ditët tona, detyroheni të hyni nën tutelën e tyre dhe jeni
të dënuar të shtypeni. E pra, në këtë drejtim, gjithsecili prej nesh
duhet të përpiqet të jetë revolucionarizues dhe i përkushtuar në
vazhdimësi ndaj zhvillimit të aftësive. Duke qenë se stanjacioni në
mendim, në meditim, në hulumtim, në leximin e kohës në mënyrën e duhur,
na ve në gjendje robërie, duhet që sendet dhe ngjarjet t’i shtjellojmë
në vazhdimësi siç shpështillen pambuku a leshi prej furke.

Në një kohë të caktuar, në lidhje me një çështje, ju mund të keni
arritur më të mirën e më të përsosurën. Cila është ajo, më e përsosura
që keni arritur? Për shembull, zbërthimi dhe kuptimi më i qëlluar që
mund të arrini në lidhje me një çështje duke lexuar shumë mirë Kuranin
dhe Sunetin e Kulluar. Por, në njëfarë mënyre, edhe pas kësaj që keni
arritur nuk duhet të qëndroni të lidhur e të mjaftoheni me aq, por
sipas kohës dhe rrethanave në të cilat ndodheni, duhet ta rilexoni
situatën dhe të rishikoni nëse ajo çka ishte gjykimi më i goditur është
vërtet i tillë. Të mos keqkuptohemi, kuptimi i kësaj kurrsesi nuk mund
të jetë që të hyhet në reforma e ndryshime sipas kohës në çështje të
ritit e të ibadetit. Në fakt, e kemi fjalën për t’i lexuar siç duhet
urdhëresat hyjnore, për t’i parë jetën dhe edukimin shoqëror nga
këndvështrimi i këtyre urdhëresave dhe krahas asaj që do t’u japim të
tjerëve, edhe ne, duke kalibruar gjithçka saktësisht dhe me kushtin që
të mos biem në kundërshtim me vlerat tona themelore, të marrim dhe të
përfitojmë prej të tjerëve. Të gjitha këto janë pjesë e nevojës së të
qenit bij të kohës në të cilën jetojmë.

Për këtë arsye, nga ky këndvështrim, duhet t’u drejtohemi edhe një herë
vlerave tona dhe pasi t’i rishikojmë, t’ia paraqesim ato mendimit të
përgjithshëm të njerëzve. E pra, atëherë, dituria, faltorja, familja do
të çlirohen prej tëhuajëzimit; dhe pasi të çlirohen, do ta ngrenë
sërish mbi vlerat e veta përmendoren e shpirtit. Natyrisht, këto nuk
janë punë që kryhen në një çast, me një lëvizje e me një frymë.
Shikoni, Zëtoria ynë, i Dërguari Fisnik (alejhissalatu vesselam), që
kishte në biseda dhe në praninë e vet një bashkësi me një dëlirësi të
thellë që atë dëlirësi e përfaqësonte në mënyrën më të drejtë në
mjedisin shoqëror, është përpjekur në mënyrë të jashtëzakonshme për
njëzet e tri vite që gjithçka të zërë vendin e vet dhe morali i
Ibrahimit të përhapet sërish.

Ç’dashuri për të Drejtën është kjo, për hir të Zotit!

Dhe tani, nëse dëshironi, le të njihemi me disa fragmente të zgjidhjes
së problemeve familjare nga jeta e Atij Shembullori të çdo Kohe, që na
tregon rrugën e zgjidhjes së të gjitha problemeve që do të na ndodhin
gjer në Ditën e Gjykimit: fakti se Zotëria ynë, i Dërguari Fisnik
(s.a.s.), i trajtonte pjesëtarët e familjes së vet në paqe të plotë e
pa kurrfarë të mete, është shprehje e një urtësie shumë të madhe që ai
zotëronte. Edhe sikur i Dërguari i Allahut (alejhis’salatu ues’selam),
si argumentim të profetësisë së vet, të mos kishte shfaqur mrekulli si
të buruarit e ujit prej gishtërinjve,
[118]
ndarja e hënës duke i bërë një shenjë të vetme me gisht,
[119]
të ngopurit e njëmijë njerëzve me mishin e një keci
[120]
etj., trajtimi i njëkohshëm pa sherre e pa zhurmë i nëntë nënave tona
të bekuara do të mjaftonte plotësisht për të mbështetur e argumentuar
profetësinë e Tij. Veç kësaj, bashkëshortet e tij të dëlira ishin gra
që sapo kishin dalë prej errësirës injorante të kohës. Por ja që ato
Nënat tonat të bekuara, që mbartnin ende mbi vete disa tipare
karakteristike të asaj periudhe, sapo hynin në vatrën e lume,
ndryshonin sa hap e mbyll sytë. Thuajse dilnin prej njerëzores për të
arritur engjëlloren. Nisur nga të qenët qenie njerëzore, pa dyshim që
edhe ato kishin një numër ndjesish të caktuara; por ato, të gjendura në
prani të Joshjes së Bekuar, i kapërcyen ato ndjesi dhe krijuan një
atmosferë paqeje. Zotëria i Zotërinjve (alejhis’salatu ues’selam) i
trajtoi ato pa i dhënë mundësi lindjes së kurrfarë problemi serioz. Po,
po! Ia vlen ta përsërisim se edhe sikur Zotëria ynë, Nderi i
Gjithësisë, të mos kishte shpërfaqur asnjë mrekulli, do të mjaftonte
trajtimi i nëntë bashkëshorteve me të cilat lidhi jetën, si një
mrekulli e plotë, si një argument i qartë dhe si një provë e padyshimtë
e profetësisë së Tij. U bëftë shpirti ynë fli edhe për Të, edhe për
bashkëshortet e Tij të dëlira! Secila prej tyre e ka vendin mbi kryet
tona.

Tani, se si ia doli me sukses kësaj Zotëria ynë, i Dërguari Fisnik
(alejhi elfu elfi salatin ues’selam), se çfarë rruge ndoqi për këtë,
është një çështje e rëndësishme, tek e cila duhet të ndalemi. Para së
gjithash, duhet thënë se Ai, mes bashkëshorteve të tij të bekuara,
ruajti gjithmonë ekuilibrin dhe mishëroi drejtësinë. Kështu, në një
hadith që na transmeton Nëna jonë, Aisha (r.a.), mësojmë se shkonte një
muaj, më pas një tjetër e më pas një tjetër muaj dhe në vatrën e
lumturisë nuk ndizej zjarr në oxhak.
[121]
Kjo është diçka shumë e rëndë, sepse Ai, prej nevojës së misionit
profetik, e jetonte jetën e Tij në varfëri të detyruar dhe nuk krijonte
asnjë mundësi që në mendjen e njerëzve ta njolloste qoftë edhe dyshimi
i vogël për misionin e tij profetik. Po, po! Ai jetonte i lidhur
fuqishëm pas së vërtetës: “Sepse unë as që pres shpërblim prej jush!
Shpërblimi im është vetëm tek Allahu.”
[122]
Ai ishte mishëruesi i gjallë i së vërtetës: “Ndiqni ata që nuk kërkojnë
shpërblim prej jush për ftesën në besim dhe që janë të udhëzuar!”
[123]
Kur shpirti i Tij shkoi drejt horizontit të shumëpritur, siç e dini,
mburojën e kishte lënë peng te një hebre.
[124]
Për të siguruar jetesën e familjes, nuk kishte gjetur të holla dhe
kishte marrë borxh te një hebre, të cilit i kishte lënë mburojën si
peng. Vetë flinte në një dysheme të fortë e të thatë.
[125]
Madje një sahab që, me rastin e “Ngjarjes së propozimit të divorcit”,
quajtur ndryshe “Ngjarja e ila-së”, pati shkuar në praninë e
Tij, duke rrëfyer për pamjen që pa, na bën të ditur se Ai qëndronte i
shtrirë në një dalëz mbi një hasër dhe hasra ishte aq e ashpër, saqë i
kishte lënë gjurmë mbi trup.
[126]
Dhe teksa shihnin se Ai, bashkë me bashkëshortet e tij të bekuara,
jetonte në një thjeshtësi të tillë, askush nuk kishte mundësi të
thoshte asnjë gjysmë fjale për Të. Pra, brenda asaj familjeje kishte
një ekuilibër e drejtësi të tillë që askujt nuk i lindte e drejta të
protestonte për asgjë ndaj Tij.

Nga ana tjetër, edhe në njohjen dhe në respektimin e të drejtave të
familjes, ai tregonte një ndjeshmëri shumë të lartë. Po ashtu, e dimë
mirë se çfarë përmallimi e ndezullie shfaqte Tabloja e Krenarisë
Njerëzore në marrëdhënie me adhurimin dhe me nënshtrimin ndaj Zotit.
Për shembull, në një hadith, Ai urdhëron e thotë: “Mua më janë bërë të
dashura (tri gjëra): Gratë, aroma e këndshme; ndërsa namazin e kam
dritën e vërtetë të syve.”
[127]
Ndërsa tjetërkund thotë kështu: “Epshi im është që të fal namaz
netëve.”
[128]
Kuptimi i kësaj është kështu: kënaqësinë që ju përpiqeni ta shijoni
prej të ngrënit, të pirit e prej plot dëshirash të tjera trupore, unë e
marr prej kryerjes së adhurimeve ndaj Zotit. Mirëpo pavarësisht gjithë
kësaj, vërejmë se Profeti ynë (s.a.s.), para se të ngrihej nga shtarti
për të kryer ibadet gjatë natës, i kërkonte leje Aishes fisnike (r.a.).
Po, po! Ai, edhe kur ngrihej nga shtrati për të kryer ibadetin e natës,
thoshte: “O Aishe! A më jep leje që këtë natë t’i bëj ibadet Zotit
tim?” Kundrejt kësaj, Nëna jonë, Aishja e nderuar (r.a.), i jepte këtë
përgjigje: “Më pëlqen të jem me Ty, por më pëlqen edhe gjithçka që do
të të pëlqente Ty.”
[129]
O Zot! Ç’përkushtim ndaj të Drejtës! Sepse në atë kohë është fjala për
të drejtën e nuses së tij të bekuar; në atë kohë duhet të jetë bashkë
me të. Por nga ana tjetër, ka një ndezulli e dëshirë të thellë për t’i
kryer adhurime Zotit të vet. Siç shihet, Zotëria ynë, Profeti (s.a.s.)
e kapërcen këtë kundërthënie duke kërkuar leje prej bashkëshortes.

Delikatesa, brishtësia dhe besnikëria

E pra, në marrëdhëniet mes bashkëshortëve, një delikatesë, brishtësi e
mirësjellje e tillë është e një rëndësie të veçantë. Të tregosh një
lidhje e afri të këtyre përmasave ndaj zonjës së nderuar… Në të
vërtetë, shoqëria jonë e tillë ka qenë. Nëse më lejoni, dëshiroj t’ju
tregoj disa gjëra që i kam parë në rreth të ngushtë, brenda familjes
sime. Ata, megjithëse ishin mbetje e një shoqërie që në një masë të
madhe u prish e u degjenerua, mbeteshin sërish një familje që ende
jetonin shumëçka prej asaj çka kishte mbetur prej shoqërisë osmane. I
ndjeri gjyshi im ishte një burrë aq i ashpër, saqë kur dilte nga
shtëpia për të shkuar në xhami, nuk mbetej njeri pa u ngritur, që të
qëndronte drejt në shenjë mirësjelljeje. Kur thuhej se po vjen Shamil
agai, i zinte frika. Ndërsa gjyshja ime, Muniseja, ishte një njeri me
një natyrë krejt tjetër. Ajo ishte një grua me zemër të butë, që nëse
përmendnit një herë Allahun në prani të saj, qante njëzet e katër orë.
Kur unë arrita moshën njëmbëdhjetë apo dymbëdhjetë vjeç, ata të dy
ishin ende gjallë. E pra, atë burrë të sertë e të rëndë nuk e pashë
qoftë edhe një herë të vetme që t’i ngryste vetullat së shoqes.

Ajo grua zemërmirë e sypërlotur, në fund të jetës së vet, u paralizua e
zuri shtratin. Ime më, çdo ditë te koka e krevatit, e ndihmonte që të
merrte tejemum dhe të falte namazin. Nëna thoshte: “Në natën e së
premtes para ndarjes nga jeta, më kërkoi që t’i mundësoja të merrte
abdest. E ndihmova. Pas kësaj ia dha një të qeshure dhe tha kështu:
‘Kurrgjë s’paskemi fituar prej kësaj bote. Xhenazja e ne të dyve do të
falet këtë natë në shtëpi.’ Në fakt, gjysh Shamili nuk kishte asnjë
shqetësim. E megjithatë, në çastin që gjyshja ndërroi jetë dhe ra mbi
jastëk porsi një pupël, teksa unë i mbyllja sytë, në dhomën tjetër u
dëgjua grahma e gjyshit që gjithashtu ndërroi jetë.” E pra, një lidhje
e tillë ekzistonte mes atyre të dyve.

I ndjeri im atë ndërroi jetë në vitin 1974. Në atë kohë unë isha
tridhjetë e pesë, tridhjetë e gjashtë vjeç. I ndjeri baba, gjatë gjithë
jetës, veç një herë mbaj mend t’i ketë ngrysur kërcënueshëm vetullat
sime mëje. Në atë çastë, gjyshja ime ndërhyri menjëherë e i tha:
“Ramiz! Nëse i bën gjë asaj, t’i bëj haram qumështin dhe mundimet që
kam hequr për të të rritur.” E pra, struktura e familjes sonë, të
mbetur prej shoqërisë tashmë të prishur osmane, ishte ende në këto
nivele.

Një tjetër shembull dëshiroj ta jap prej xhaxhait të tim eti. Se ç’jetë
kishte me të shoqen, nuk e di fort mirë. Por pasi i ndërroi jetë e
shoqja, ai çdo javë i hipte karrocës në Erzurum, shkonte të vizitonte
varrin e saj në fshat dhe qante gjysmë ore në krye të varrit. Pastaj, i
hipte sërish karrocës dhe kthehej në Erzurum. Madje një herë, më erdhi
motra e m’u lut: “Sikur t’i jepje ndonjë këshillë xhaxhait! A është
mirë që të qajë kaq fort pas një të vdekuri?” Të gjitha familjet që kam
njohur në një rreth të ngushtë ishin kështu. Po, po! Edhe struktura e
familjes sonë, që ishte cenuar e kishte pësuar shformime aty këtu,
ishte e tillë.

Nuk e kam hallin këtu që të rrëfej as për Shamil aganë, as për zonjën
Munise, as për tjetërkënd. Me këto shembuj, dua të tërheq vëmendjen në
një çështje: besnikërisë i duhet përgjigjur me besnikëri. Nëse ju nuk
tregoheni të besës në ato përmasa, as të tjerët nuk do të sillen me
besë ndaj jush. E pra, nëse pas aq shumë goditjeve që kanë ndodhur në
shoqërinë tonë, mes bashkëshortëve ka ende kaq shumë besnikëri, për mua
kjo më duket shumë e rëndësishme.

Shkurt, ju duhet t’i frymëzoni siguri e garanci palës tjetër dhe duhet
ta bëni të besojë që edhe ajo të mund t’ju besojë. Duhet të jeni të
besës që tjetri të sillet me besë ndaj jush. Duhet që tjetrin ta ndiqni
e ta shikoni që edhe ai t’ju shohë e t’ju ndjekë. Kjo gjendje, në atë
që mund t’i themi strukturë molekulare siç është jeta familjare, duhet
të jetë brenda kësaj kornize edhe në përmasat e fshatit, të qytetit, të
shtetit. Besës i përgjigjemi me besë, buzëqeshjes me buzëqeshje,
vështrimit me vështrim, ndershmërisë me ndershmëri. Në të vërtetë, ajo
që bënte Profeti ynë (s.a.s. ) ishte pikërisht kjo. Ai, në Hutben e
Lamtumirës, ka urdhëruar e thënë: “Ato janë amanet për ju dhe ju jeni
amanet për to.”
[130]
Nëse e shihni çështjen nga këndvështrimi i këshillave të Tij, do të
vëreni se ata që mbrojnë sot të drejtat e grave kanë mbetur pas edhe në
krahasim me të prapambeturit. Mijëra përshëndetje e selame të Allahut
qofshin mbi Të! Dhe Allahu qoftë i kënaqur në përjetësi prej kujtdo që
i beson Atij me drejtësi, që e pranon Atë me drejtësi dhe që e ndjek
Atë në drejtësi!


[118] Shih: Buhari, Menakib 25, Megazi 35, Eshribe 31; Muslim, Fedail 6,
45.

[119] Shih: Kamer, 54/1; Tirmidhi, Tefsiru sure (54) 1, 2, 5; Ahmed ibn
Hanbel, El-Musned 3/165, 4/81.

[120] Buhari, Megazi 29; Muslim, Eshribe 141.

[121] Buhari, Hibe 1, Rikak 17; Muslim, Zuhd 26, 28.

[122] Junus, 10/72.

[123] Ja Sin, 36/21.

[124] Buhari, Xhihad 89; Tirmidhi, Buju’ 7; Ibn Maxhe, Ruhun 1.

[125] Buhari, Rikak 17; Muslim, Libas 37.

[126] Buhari, Mezalim 25 Tefsiru sure (66) 2, Nikah 83, Libas 31; Muslim,
Talak 30, 31.

[127] Nesai, Ishretu’n-nisa 1; Ahmed ibn Hanbel, El-Musned 3/128, 199,
285.

[128] Et-Taberani, El-Mu’xhemu’l-kebir 12/84.

[129] Ibn Hibban, Es-Sahih 2/386; Ibn Kethir, Tefsiru’l-Kur’an 1/441.

[130] Ebu Davud, Menasik 56; Ibn Maxhe, Menasik 84.

Share:

More Posts

DIALOGU DHE SAKRIFICA

Pyetje: Transmetohet se imam Sharani i nderuar ka thënë: “Nëse qëndroj për një kohë të shkurtër pranë një njeriu që nuk fal namaz, nuk e ndiej namazin tim për dyzet ditë.” Mirëpo, për shkak të përgjegjësive tona shoqërore, ndodh shpesh që ne të jemi bashkë me njerëz nga më të ndryshmit. A ka ndikime negative…

Përmendja e Allahut dhe lutja

Miqtë e Zotit i kushtojnë shumë rëndësi përmendjes me uirde e dhikre të Allahut. (Lexojnë Kuran dhe lutje, përmendin Allahun) Ata thonë se leximi çdo ditë i një mase Kuran dhe përgjërimi Allahut me lutje janë tejet të rëndësishme për sa i përket lidhjes e marrëdhënies sonë me Allahun. “Çdo individ duhet të përcaktojë diçka…

Lutja

Të besosh te lutja
 
Te lutja thelbësore është të besosh te pranimi i saj dhe të kesh besim. Njeriu nuk duhet thjesht të hapë vetëm duart, por ai duhet të hapë edhe zemrën. Fjalitë që thuhen në lutjet që bëhen pas namazit të sabahut dhe atij të ikindisë janë të pranishme në Mexhmuatu’l-Ahdhab;[1] vetëm se janë…

Shpirti i vetëdedikimit

Sinqeriteti dhe vetëdedikimi
 
Ndryshe është mirësia e Allahut ndaj sinqeritetit. Njeriu duhet ta kalojë zemrën e tij në thjerrë çdo ditë, mandej t’u vihet punëve që ka për të bërë. Nuk duhet të përfshijë në punët e bëra për hir të kënaqësisë së Allahut asnjë punë tjetër, edhe në qoftë se ajo është e lejuar.
As të…

Brezi i Kuranit

Pyetje: Për kë është fjala, kur qëndrohet te ‘brezi i Kuranit’, që ndalemi herë-herë gjatë bisedave? Cilat janë detyrat e këtij brezi?
Brezi i Kuranit
Përgjigje: Brez të Kuranit quajmë atë brez që e ka kthyer dëshirën hyjnore mbi rruzullin tokësor në qëllim të vetëm, përfaqëson ashtu siç duhet çdo të vërtetë të Kuranit, i Cili do…

Detyra e arkitektëve të rizgjimit

Pas shumë prej problemeve të Islamit në ditët e sotme qëndrojnë myslimanët e formës, të cilët nuk e kanë fituar dot brenda vetes Islamin e vërtetë dhe nuk janë shkrirë dot me vetëdijen e sinqeritetit dhe mirësisë (ihsan[1]). Sjelljet e tyre, që bien ndesh me kriteret e vëna në pah nga Islami, mosnjohja e kufijve…

Ajo çfarë do Zoti është themelore

Njeriu që ka besim tek Allahu, përqafon fort vullnetin dhe bëhet njësh me urtësinë, nuk ka dyshim që në fund do të dalë medoemos fitimtar. Nëmos sot, nesër, nëse jo këtu, do të dalë fitimtar matanë. Mirëpo, ja që njeriu ka një natyrë të prirur nga ngutja dhe do që të gjitha gjërat e bukura…

Rruga e dobësisë dhe varfërisë

Si njerëz ne kemi punë dhe ngarkesa nga më të ndryshmet në përditshmërinë e jetës së tyre, bëjmë zgjedhje nga më të ndryshmet dhe nuk mund ta dimë nëse e kemi apo jo pëlqimin e Allahut të Madhërishëm në ato zgjedhje që bëjmë. Ndoshta, pa vetëdije ne mund të përfshijmë edhe egoizëm në mesin e…

Mesazhi i Fethullah Gylenit për fatkeqësinë e tërmetit në Turqi

Me shumë dhimbje mësova se shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë gjenden nën rrënoja, në pritje të shpëtimit, si pasojë e tërmetit me epiqendër në Kahramanmarash i shkallës 7.7 që ka prekur edhe qytetet tona të Hatajit, Adanasë, Gaziantepit, Mallatias, Kilisit, Adijamanit, Dijarbakërit, Shanllëurfas dhe Osmanijes, si dhe disa zona të Sirisë.  
 
U…

Llogaridhënia dhe kërkimi i faljes

Krenaria e Njerëzimit (s.a.s) thotë në një hadith të Tij: “Çdo njëri prej jush është bari dhe përgjegjës për të gjithë ata që ka nën kujdesin e tij.”[1] Sipas fjalëve të këtij hadithi, çdokush ka një hapësirë në të cilën është përgjegjës dhe do të japë llogari për përgjegjësitë e tij. Për shembull, ai që…

Send Us A Message