Kush nuk ka një qëllim të epërm, nuk ka as rrugë në të cilën të përparojë,
as energji me të cilën të mund ta vërë veten në lëvizje, e aq më pak një
synim për të arritur. Ai, qysh prej kohës kur e ka lëshuar veten në
plogështi, duke u kthyer si në një nga ato gjallesat e pajeta që nuk mund
të lëvizin prej shushatjes e topitjes, e duke lidhur qaforen e fatkeqësisë
së dëshirave të tyre trupore, është transformuar në një njeri që i ndien
këmbët të prangosura. E kjo sjell për pasojë të zënët erë, kalbjen, deri
edhe në dekompozimin e brendshëm. Në fakt, në themel të maktheve të
njëpasnjëshme që kemi përjetuar prej shekujsh në jetën tonë individuale,
familjare, ekonomike dhe politike, qëndron pikërisht kjo jetë e pamotivuar
prej mendimesh sublime dhe qëllimesh të epërme.
Andaj, e mira më e madhe që mund t’u bëhet brezave të sotshëm është
mundësia e ritakimit të tyre me një mendim qëllimi epëran, që do t’i mësojë
atyre rrugën që të çon nga potenciali njerëzor i njeriut në njeriun e
vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës “njeri”. Po, një qëllim i këtillë i
epërm ka për të kryer detyrën e një himni që do t’i vërë në lëvizje këta
breza; rolin e një dinamoje që do të ushqejë energjinë e tyre të
pashtershme, e të një burimi të kulluar pasionesh dhe emocioni. Mendoni
njëherë, në një kohë kur njerëzimi sillet kuturu mes një errësire të
kahdoshme, burimi kryesor i forcës për udhëtarët e qëllimit të epërm, i
cili lindi në gjirin e shkretëtirës për t’u kthyer në frymim jete për
tërësej tri kontinente, ishte besimi, dhe me atë besim ushqenin idealet e
mbushjes së zemrave të të tjerëve me frymëzimin që u vlonte thellë brenda
kraharorëve të tyre. Edhe në mesin e ëndrrës osmane, e cila bëri të mundur
të ngrihej një qytetërim prej njerëzish, të cilët u nisën prej stepave të
Azisë në drejtim të Anadollit, për të themeluar e ngritur mandej një
perandori, më të madhen e të gjitha kohërave përgjatë historisë, të njëjtat
dinamika viheshin në veprim; patjetër, që, në fakt, edhe në mendjet e
heronjve që ia dolën mbanë Përpjekjes Kombëtare, ishin pikërisht po ato.
Nga ky këndvështrim, mund të thuhet, më shumë se sa për këtë gjë, apo atë,
ne kemi nevojë për heronj të tillë qëllimesh të epërme, të cilët derdhen
rrugëve për të ngjallur dëshirën e jetës së të tjerëve në vend të të
jetuarit për vete, me ndërgjegjet të thella dhe trimëri të pashembullt.
Këta heronj, me lejen dhe ndihmesën e Allahut, pa u ndalur asfare, në çdo
frymëmarrje të tyre, në fillim për popullin e tyre, e mandej do të
ngarendin për tërë një njerëzim, me ndjenjën më të thellë të mëshirës, dhe
kur t’ia ngrenë duart Zotit, për t’iu lutur, në fillim nuk do të mendojnë
veten e tyre, por të tjerët. Nganjëherë si toka, do ta shtrijnë veten e
tyre, me gjithë fatin e të ardhmen, për t’u sjellë lumturinë të tjerëve, e
nganjëherë do ta përplasin veten sa andej këndej, e si në ujin e një lumi
në vërshim, do të dinë si të pastrohen prej çdo vuajtjeje a fatkeqësie, për
të ditur se si të rrjedhin si jetë për mbarë të tjerët. Po, ndonjëherë do
të thonë: “ O Zot, sakrifikomë mua, vetëm mbaje lart krenarinë e popullit tim
”, duke i dhënë zë kësisoj një qëllimi të epërm kombëtar; kurse një tjetër
herë, me fjalët: “
Sikur ta shoh besimin e popullit tim të shëndoshë, jam i kënaqur edhe
sikur të digjem në flakët e ferrit.
”, do të rendin drejt një tjetër përtej qëllimi të epërm; nganjëherë,
pavarësisht vuajtjeve a përndjekjeve që mund t’u vijë prej popullit me të
njëjtën shprehje universale të mëshirës njerëzore, duke thënë: “ O Zot, fali këta njerëz, sepse nuk më njohin”
[1]
, për të vënë në jetë qëllimin e lartë, që rrotullohet rreth orbitës së
mëshirës dhe përgjegjësisë.
Pikërisht, kur ta shqyrtoni me kujdes këtë vepër që po mbani në duar, të
titulluar “Udhëtim qëllimi të epërm”, do të dëshmoni sa e sa
këshilla, nxitje, ndriçime, meditime, mësime, paralajmërime dhe kritika, të
cilat janë shtyllat kryesore që mund të bëjnë të mundur lindjen ndër zemra,
mëkëmbjen dhe ruajtjen përherë të gjallëruar të një qëllimi të tillë të
epërm.
Për shembull, në pjesën e titulluar “ Arkitektët e shpirtit trimëror” do të shihni se mendimtari M. F.
Gylen shprehet:
“Një prej faktorëve më të rëndësishëm të trimërisë është edhe zotërimi
i shpirtit të përkushtimit. Domethënë, përkushtimi i vetvetes ndaj
idealit tënd, duke i nxjerrë mënjanë të gjitha mendimet që nuk kanë të
bëjnë me atë. Një shpirt i përkushtuar duhet të thotë: “Detyra ime
parësore, është që sido që të jetë situata, të përhap gjithkah emrin e
patëshoq dhe patëmetë.” Ashtu siç është shprehur edhe herë të tjera, në
lidhje me disa çështje po të tjera, Emri i Patëshoq dhe Patëmetë është
vetvetiu i lartë.
[2]
Mirëpo, që ai të njihet dhe prej të tjerëve, duhet treguar një
përpjekje e pareshtur. Një njeri që i është përkushtuar idealit të vet,
të gjitha ndjenjat, mendimet, lëvizjet dhe reagimet e tij duhet të
rendin veç pas këtij synimi, dhe herë pas here t’i lutet Allahut
falënderueshëm pse Ai ia ka bërë të mundur që të gjendet në këtë rrugë.
Asisoj, që ky njeri të jetë i mbushur prej dëshirës për të jetësuar,
derisa të fillojë të harrojë edhe rrugën e shtëpisë, apo fytyrat e
familjarëve dhe fëmijëve të tij.”
Ndërsa në ligjëratën “Llojet e sprovimeve”, na tregon se në
përpjesëtim me madhështinë e qëllimit të epërm që e udhëheq, edhe sprovimet
me të cilat do të përballet çdokush do të jenë të ndryshme:
“Meqë edhe vështirësia apo vuajtja qenkan po aq të rëndësishme sa edhe
shpërblimi dhe mirësitë, edhe sprovimi i një personi që kërkon të
ngjitet majave më të larta, poaq i vështirë ka për të qenë, gjithnjë në
raport me vlerën dhe madhështinë e synimit. Për shembull, të biesh
dëshmor duke fluturuar drejt një tjetër horizonti jete, është një
arritje shumë e madhe. Mirëpo, një arritje e tillë është e lidhur me
luftimin, plagosjen, e nganjëherë edhe me sakrifikimin e jetës në
rrugën e Allahut. Kështu që, një njeri që i ka vendosur vetes një synim
të këtillë, duke u përpjekur që t’i realizojë një më një të gjitha
kërkesat që të parashtron kjo lloj rruge, cilatdo qofshin fatkeqësitë
apo vuajtjet që mund t’i dalin përballë, ai duhet të dijë si të durojë;
të mund të jetojë pavarësisht vetvetes.”
Në fakt, një udhëtim qëllimi të epërm për të mund të fituar
kënaqësinë e Allahut (xh.xh.), është një rrugëtim i përjetshëm kah
pafundësia. E nga ky këndvështrim, është njëherazi plot fryte
kënaqësish shpirtërore dhe burim shprese të vazhdueshme. Megjithëse,
njëkohësisht, kjo rrugë ka poaq ulje-ngritje, po aq të përpjeta;
lumenj, kodra, e sa e sa kurthe që mund ta ngacmojnë njeriun, si e si
që ta tërheqin të kthehet pas. Prandaj, udhëtari i këtij rrugëtimi
duhet të jetë vazhdimisht në një përpjekje të pashtershme, duke e
zotëruar egon e tij, i zotëruar vetëm prej të vërtetës, i painteresuar
asfare për famë a pozitë të kësibotshme, dhe i pajisur me një
botëkuptim, që secilën prej famës, grykësisë, dëshirave trupore apo
prirjes për rehati i sheh si helm për jetën e tij. Në vetëllogarinë që
na ka ofruar nëpërmjet shkrimit “Mundësitë materiale dhe kriteri në planifikimin e të ardhmes”
, autori na ofron kriterin thelbësor me anë të të cilit mund të bëhet
planifikimi i një jete me bosht “qëllimin më të epërm”, i cili mbyllet
me fjalët:
“Besimtari asnjëherë nuk duhet të veprojë apo të bëjë punë vetëm
për të fituar simpatinë dhe vlerësimet e të tjerëve, apo të veprojë
vetëm për llogari të kësaj bote. Ai duhet të ngarendë përherë për
të çuar edhe në zemrat e të tjerëve ato vlera universale të cilat
burojnë që prej thellësive të tij të shpirtit, madje duke u
përpjekur që të jetë një mekanizëm kyç në ekuilibrin e vlerave në
rruzull. Për hir të këtij qëllimi, ai herë-herë përballet me
vështirësi nga më të ndryshmet, përjeton dhimbje pas dhimbjeje,
derisa bëhet dysh prej vuajtjes. Mirëpo ai e di më së miri, se një
njeri që jeton brenda një rrethi të tillë qëllimi, të gjitha
vuajtjet dhe dhimbjet që përjeton, kanë për t’i përftuar një
shpërblim të atillë që, nuk mund të arrihet as me rrugëtimin
soditës të shpirtit.”
As që mund të pritet, që njerëzit që e kanë lidhur jetën e tyre me një
qëllim të thjeshtë që vërtitet rreth trinomit “të hash-të pish-të rrish” ta
kuptojnë këtë qëllim të lartë dhe epërm, e aq më pak t’i perceptojnë dot
udhëtarët e kësaj rruge. Prandaj, egoistët dhe grykësit që nuk e dinë se
ç’është sakrifica, me dyshimin se aman mund t’u preken interesat e tyre,
nganjëherë mund të përpiqen që t’ua kthejnë atyre botën në një birucë, duke
iu gjendur vazhdimisht me akuza, sulme dhe përgojime të ulëta, t’u thurin
intriga sipas parimit “lufta ka edhe hile!”, po, po, mund të ngarendin nga
komploti në komplot, mund të përpiqen t’i mashtrojnë njerëzit, të cilët i
kanë quajtur armiq dhe rivalë, madje po të jetë nevoja, edhe duke përdorur
rrugët më çnjerëzore karshi njeriut, siç janë gënjeshtra, përgojimi dhe
shpifja. Ndaj, përballë gjithë këtyre, detyra që u takon të kryejnë
rrugëtarët e qëllimit të epërm është të thonë “Neve na mjafton Allahu!”, dhe duke u mbrojtur në
fuqinë dhe mbështetjen e Tij të pashoqe, të mund të vazhdojnë të ecin në
rrugën e tyre që dinë, pavarësisht rreziqeve apo kërcënimeve, pa ia vënë
veshin sulmeve apo shpifjeve të qenieve që janë të identifikuara me
shpifjen, pasi ata kështu e kanë nisur këtë rrugë, duke e ditur mire se
ç’mund t’i priste. Pavarësisht, ata i qëndrojnë fjalës së dhënë që në
fillim:
“Vetëm do të ecim, dhe prej njeriut të sotëm që ka mbetur në
stanjacion, duke u kthyer në një shoqëri masë amorfe, për të nxjerrë
breza të artë, që do të premtojnë veç gjëra të reja… pa përfolur a
përgojuar kënd; më shumë duke ia përshtatur mendimet tona veprimit, dhe
duke i organizuar veprimet tona si polumbarët që përpiqen të shpëtojnë
jetë njerëzish… për të mund të treguar se mund të realizohet edhe
nëpërmjet rrugësh pa gjak e pa limfë, pa mllef e pa urrejtje, por vetëm
duke ecur pa u kapur pas rrugës, apo pas pafatësive që mund të ndeshim
gjatë saj…”
Thelbi i fjalës; “udhëtimi i qëllimit të epërm” është një rrugë
plot dhimbje e vuajtje, me kthesa e me kodra, që zgjat gjer në përjetësi,
megjithatë, njëkohësisht ajo është një profesion ndërgjegjeje të thellë,
lumturie dhe kënaqësie shpirtërore, që synon gjetjen e lumturisë pikërisht
në lumturinë e të tjerëve. Duke besuar, se ky libër që keni tanimë në duar,
të mund t’ju bëhet udhërrëfyes në udhëtimin tuaj të lumturisë së
përjetshme, lus Zotin që t’ju bëjë të mundur kryerjen e falënderimit ndaj
autorit, duke e lexuar dhe diskutuar sa më shumë mes vedi.
Hamdi İşcan