Palaçollëku, bufonëria, serioziteti dhe dinjiteti
Pyetje: Cilat janë hollësitë që duhen mbajtur parasysh për të qëndruar larg
paturpësisë e karagjozllëkut dhe për të zotëruar seriozitet e dinjitet? A
mund të na i shpjegoni?
Përgjigje: Palaçollëku apo, siç quhet në gjuhën e tasavufit,bufonëria,
ndryshon sipas horizontit të besimit e të dijes dhe të nivelit të lidhjes
së individit me Allahun. Te disa, nëse u vjen në mendje diçka e lidhur me
mosbesimin dhe me çudhëzim , edhe në qoftë një çast i vetëm sa një
vetëtimë, kjo gjendje ata i tmerron e i trondit rëndë. Ndërsa fillestarët
si ne, vetëm në raste shprehjesh të përdorura në lidhje me Qenien Hyjnore
apo me profetësinë, mbartin shqetësimin: “Mos vallë kam rënë në femohim e
në humbje?”
Për ta shprehur ndryshe, kufijtë e palaçollëkut e të karagjozllëkut janë
shumë të gjerë. Për shembull, ka karagjozllëqe e fjalë të pahijshme që
nënkuptojnë mungesë respekti ndaj Allahut dhe këto bien erë mohim. Në
përfundim të të tilla fjalëve të pahijshme, njeriu, pa e kuptuar as vetë,
mund të rrëshqasë në mohim. Nga ky këndvështrim, edhe në qoftë nivel
fillestar, njeriu duhet të përpiqet ta ndiejë në ndërgjegjen e vet të
vërtetën se Zoti i Madhëruar di e sheh gjithçka dhe këtë ndjesi duhet ta
pasqyrojë në sjelljen e tij. Nga ana tjetër, kam njohur njerëz të tillë që
s’i kam parë kurrë të mos e kontrollojnë gojën. Këta njerëz, gjatë gjithë
jetës së tyre, ecnin përherë me kryet ulur. Janë vështrimi i thellë dhe
serioziteti i tyre ato çka kanë ushtruar një ndikim shumë serioz në zemra.
Jetë shpirtërore e zbehur me gajasje
Nuk ka kurrfarë dyshimi se jo gjithkush mund të bëhet pjesë e këtij
horizonti. Për shembull, nisur nga mjedisi ku kemi lindur, ne jemi si
barinjtë në shkretëtirë. Nuk kemi horizont, zemra nuk na është zgjeruar,
truri dhe mendimet tona kanë mbetur të dobëta. Por pavarësisht gjithë
kësaj, sërish njeriu duhet të përpiqet përmes konceptimit të vet. Tani,
nisur nga pajimet, aftësia dhe horizonti, mund të duket sikur për ne është
paracaktuar që të ndalemi në një vend para derës së haremit. Por njeriu
kurrsesi nuk duhet të kënaqet me kaq. Përkundrazi, ashtu sikurse ai udhëtar
i së vërtetës që përmendet në Ajetin Madhështor, “A s’ka edhe më?”
duhet të thotë përherë.
[316]
Madje edhe nëse futet në vendin e haremit, sërish aty duhet të kërkojë më
tutje duke thënë me vete: “Si mundem, vallë, ta forcoj edhe më marrëdhënien
time me Atë?” Dhe gjithmonë të rendë pas lutjes: “A s’ka edhe më?” Po, po.
Besimtari, që nga çasti që, me “La ilahe il-lall-llah”, hedh hapin në
brendi, gjithmonë duhet të kërkojë horizontin më të largët. Pra, cilido
qoftë ai horizont që e lë gojëhapur, që e bën të zbehet krejt, që e mbush
me frikë e respekt dhe e bën t’i drithërohet zemra, pikërisht atë horizont
duhet të përpiqet që të arrijë. Ndoshta edhe në iu shfaqtë në buzë vende
vende një buzëqeshje me burim prej shprese, pa kaluar shumë, ai duhet të
mblidhet në një atmosferë të frikës e të respektit dhe ta mbështjellë unin
e vet me ndjenjën e tutës e të drojës. E pra, këta janë heronjtë e vërtetë
të migrimit. Sepse pavarësisht se me pamjen e tij të bekuar e plot nur,
Zotëria ynë, Nderi i Gjithësisë (s.a.s.), gjithmonë rrezatonte shpresë me
buzëqeshjen e tij të përhershme, është regjistruar vetëm tri herë që ai të
ketë qeshur.
[317]
Edhe mes sahabëve të nderuar dhe tabiinëve të mëdhenj ka sa e sa njerëz të
lartësuar në këtë gjendje. Madje disa dalloheshin e njiheshin prej këtyre
cilësive. Ahere njeriu, në thelb, duhet të vendosë distancë me palaçollëkun
dhe duke u ushtruar vazhdimisht, të përpiqet për seriozitet e
vetëpërmbajtje. Nëse kjo realizohet, me kalimin e kohës, një gjendje e
tillë përcillet në të gjithë sjelljen e tij.
Çfarë kuptoni ju me fjalët e Mevlana Xhamit, që Bediuzamani i nderuar i
citon në Fjalën e Shtatëmbëdhjetë:
“Vetëm Njërin të duash, vetëm Njërin të thërrasësh, vetëm Njërin të
kërkosh, vetëm Njërin të shohësh, vetëm Njërin të dish, vetëm Njërin të
thuash.”
[318]
E pra, njeriu njeriu zbret në thellësinë e këtyre të vërtetave, nëse i
përvetëson ato, nëse gjithmonë vepron me dëshirën e dashurinë për ta parë
Atë, për ta njohur Atë, për ta thirrur Atë dhe për ta kërkuar Atë, me
kalimin e kohës, kjo gjendje kthehet në pjesë të natyrës e të karakterit të
tij.
Siç u shpreh pak më parë, për ne fillestarët, një gjendje e tillë mund të
duket e largët. Por edhe ne, së paku, duhet të qëndrojmë larg gajasjeve të
pahijshme vend e pavend, në qëndrimet e në sjelljet tona nuk duhet të
tregohemi joseriozë. Sidomos nëse gjendemi në një pozitë në përfaqësim të
fesë, çështja fiton ndjeshmëri shumë më të lartë. Sepse njerëzit në rrethin
tuaj presin prej jush një gjendje e qëndrim të tillë. Meqë jeni besimtarë,
ahere në këtë çështje duhet të keni një dallim nga të tjerët, duhet të
tregoni një ndryshim, ashtu që njerëzit, duke ju parë ju, të shohin me
lakmi fenë dhe vlerat tuaja fetare. Nëse edhe ju silleni si të tjerët,
veproni si të tjerët, flisni si të tjerët, gajaseni e argaliseni si të
tjerët, atëherë bashkëbiseduesit tuaja nuk janë në gjendje t’i shikojnë
besimin dhe bukuritë e besimit brenda jush. Për ndryshim, mbeten veç ca
informacione teorike, të cilat nuk se tregojnë për besimin e vërtetë. Po,
po. Të dhënat teorike kanë një funksion si prerja e rrugës së femohimit,
por nuk duhet harruar se vendosja e imanit në zemrën e njeriut bëhet me
vepra.
Vetëdija e mirësisë që përqafon jetën
Një njeri që ka mbërritur në një pikë në përfundim të rrugëtimit të tij
shpirtëror, aty duhet ta përgatisë veten për vetëpërmbajtje e syçeltësi. Te
një udhëtar i tillë i së vërtetës, edhe në qoftë ai në një gjendje të
dehjes hyjnore e të përsosjes, gjithmonë vërehen shenjat e syçeltësisë e të
kthjelltësisë. Ai, duke thënë “Ka Zot!”, u shmanget veprimeve të pamenduara
dhe mbushet në çdo sjellje me frymëmarrjen e vetëpërmbajtjes. Madje edhe në
kryerje të nevojave personale, ai skuqet e ndihet i turpëruar, sepse edhe
pse engjëjt nuk janë të pranishëm në këso rastesh, gjithmonë njeriu duhet
të jetë në ndërgjegjen e të qenin nën shikimin e Zotit).
[319]
Ndaj edhe ky mendim, e gjithë kjo gjendje, prek qëndrimet dhe sjelljet e
tij.
Jua kam treguar edhe më parë. Kur Imami i Allvarit u shpërngul për në jetën
tjetër, isha ende gjashtëmbëdhjetë vjeç. Për këtë arsye, nuk mund të them
se i kuptoja fjalët e thella e plot kuptim, që dilnin prej gojës së tij.
Por ulur a ngritur qoftë, në çdo qëndrim e veprim, ai kishte një ndikim të
tillë, që e kapërcente ligjërimin me fjalë. Pavarësisht se kishte mbërritur
të nëntëdhjetat, qëndronte tetë orë i ulur në gjunjë. Nuk e di në i
mpiheshin këmbët apo jo. Veç kësaj, kishte edhe shqetësime nga prostata.
Pavarësisht kësaj, nuk e ndryshonte kurrë sjelljen. Edhe sikur kurrgjë të
mos thoshte, por veç të shqiptonte një herë “Allah!” në praninë tënde, të
bënte të të drithërohej zemra. Nganjëherë dridhej në çast sikur ta kishte
zënë korrenti. E pra, ajo gjendje, ai qëndrim e ajo sjellje plot thellësi,
seriozitet e mirësi, vështrimet dhe rrudhat e fytyrës, të gjitha
pasqyroheshin në shpirtin e të pranishmëve.
Një tjetër prej atyre njerëzve që, me gjendjen e me qëndrimet e tyre, me
uljet e me ngritjet e tyre, ndikonin te njerëzit, ishte edhe Salih Efendiu.
Kurrë nuk e pashë të gajasej me dhëmbë jashtë. Në kohën që e njoha, isha në
moshën e më të voglit prej fëmijëve të tij. Por pavarësisht kësaj, kur
vinte për vizitë, nuk e ulja dot në ndonjë divan. Gjithmonë ulej në gjunjë.
E pra, në këtë masë ishte ai njeri i kujdesshëm e i vetëpërmbajtur. Besoj
se sikur një njeri të tillë ta merrnit e ta çonin në prani të Allahut dhe
ai të dëgjonte drejtpërdrejt, pa sa e si, fjalën e Zotit të Madhëruar e të
merrte urdhra prej Tij, sërish ai njeri do të thoshte: “O Zot! Mos vallë
këto janë gjëra që burojnë prej nefsit tim? Në qofshin kështu, mbështetem
në mbrojtjen Tënde. Ti je i madh. Një rob mëkatar, rebel e i vogël si unë
nuk mund ta ketë të merituar një mirësi të tillë. Ahere ç’është kjo
gjendje, o Allahu im?” E pra, një njeri me një mendësi të tillë, për shkak
se është i mësuar me vetëpërmbajtjen, frymëmerr me vetëpërmbajtje, vepron
me vetëpërmbajtje, ulet e ngrihet me vetëpërmbajtje, dhe kurrë nuk e
ndërron sjelljen e vet. Ndaj edhe prej një njeriu të tillë nuk shfaqet
kurrë sjellje prej karagjozi.
Nga ana tjetër, disa njerëz që kanë vënë pak kamje prej disa dhuratave që u
janë dhënë apo nëse u janë hapur qoftë edhe pakëz rrugët e të ardhurave,
gëzojnë si magrebasi që ka rënë në mall dhe e humbasin toruan. Vetëm
personalitete si Shah Gejlani, Muhammed Bahaudin Nakshibendi apo Imam
Rabbaniu, as edhe për një çast nuk i janë ndarë vetëpërmbajtjes. Imam
Rabbani, në veprën me titull “Letrat”, përdor shprehje me përmbajtjen:
“Gjendem në një pikë të tillë, që nuk e kuptoj nëse më prek apo nuk më prek
këmba në tokë.” Por pavarësisht se ndodhet në këto shkallë, ai thekson me
këmbënguljen rrugën e gjerë të Sunnetit të Lartë dhe rrugën e sahabëve të
nderuar dhe në çfarëdolloj niveli qoftë, këshillon milimetër më milimetër
për sheriatin e jashtëm.
[320]
Por për ne, si myslimanë të ditëve të sotme, njëra prej mangësive më
serioze është se nuk e besojmë me zemër të qenët e Allahut në çdo çast e në
çdo vend pranë nesh. Informacioni ynë në lidhje me këtë çështje është më së
shumti i përbërë prej njohjes teorike. Dhe kur informacioni teorik nuk
bëhet jetë me jetën, prej gjendjes e prej sjelljeve tona derdhet palaçollëk
dhe mungesë serioziteti. Po, po. Fatkeqësisht, sjellja jonë nuk është prej
besimtari; për këtë arsye, nuk depërtojmë dot në shpirtra. Ndërkohë që unë,
brenda këtij rrethi, ata të parë të mirë i kam parë gjithmonë seriozë dhe
të dinjitetshëm. Ata e dinin se ku kishin ndalur. Ata e jetonin jetën sikur
të ishin duke qëndruar përballë haremit, në këmbë, në respekt e nderim të
thellë. Kështu, duhet ta dimë se palaçollëku, mungesa e seriozitetit dhe
bufonëria nuk kanë vend në vokacionin tonë. Një orë e më parë, ndaj kësaj
cilësie duhet të mbajmë qëndrim, duhet të ruajmë largësi prej saj dhe të
mos i lejojmë që të mos bëhet pjesë as edhe në ëndrrat tona.
Ndërsa për sa i përket largimit prej palaçollëkut dhe arritjes së
vetëpërmbajtjes në jetën tonë të adhurimit, mund të thuhet, se nëse
besimtari e kërkon seriozitetin në gjithë jetën e vet, edhe në adhurime e
në rituale do ta kapë atë me të njëjtën lehtësi. Për këtë arsye,
vetëpërmbajtja dhe dinjiteti duhet të bëhen pjesë e gjithë jetës së
besimtarit. Kreu i Qenieve të Krijuara (alejhi elfu elfi salatin ue selam)
edhe kur ishte i shtrirë në shtrat, vendoste dorën e djathtë nën krye, i
tërhiqte këmbët në kraharor, mblidhej dhe ashtu pushonte. Nëse do të shohim
historinë profetike, do të vërejmë se në çdo pikë e në çdo centimetër të
jetës së Tij të bekuar ka një vetëpërmbajtje e një kujdes të tillë.
Nëse edhe ju përpiqeni të arrini një seriozitet të tillë në të gjitha faqet
e jetës suaj, duke qëndruar larg karagjozllëqeve edhe në namaz e në ritet e
tjera, atëherë mund ta arrini vetëpërmbajtjen, përvuajtjen dhe respektin.
Po, po. Nëse edhe ju përpiqeni që në çdo vend, me sa të keni në dorë, të
veproni me ndërgjegjen e të gjendurit në prani të Tij dhe t’i planifikoni
sjelljet tuaja sipas kësaj, pa rënë në artificialitete dhe në sjellje të
panatyrshme, prej gjendjes dhe sjelljeve tuaja do të pikojë thjeshtësi,
ndrojtje e respekt. Mos e harroni se nëse bini në artificialitet, njerëzit
do ta kuptojnë që sjelljet tuaja janë të pavërteta dhe do të shprehin
mospëlqimin e tyre. Kështu, ndahen modestët e natyrshëm prej modestëve të
stisur e artificialë. E njëjta gjendje vlen edhe për njerëzit e
vetëpërmbajtur dhe ata që hiqen si të tillë, për ata që janë seriozë dhe
ata që hiqen si të tillë. Njeriu që në një mjedis hiqet sikur qëndron larg
palaçollëkut dhe sikur është serioz, kur largohet që andej, gjendet në
veprime aq të papërshtatshme, bie në shkërbime e palaçollëqe aq vulgare,
shpreh fjalë aq të pahijshme, saqë kur i shihni me sytë tuaj këtë gjendje,
këto veprime e këto fjalë të tij, skuqeni gjer te veshët. Sepse serioziteti
ende nuk është bërë pjesë e natyrës së tij. E pra, që të mos biem në një
dyzim të tillë, duhet t’i shtrijmë në praktikë në çdo pikë të jetës vlerat
të cilave u besojmë dhe kështu, t’i kthejmë ato në një thellësi të
karakterit tonë.
“Të lutem, o Allahu im! Shpallja praninë dhe madhëstinë Tënde unit tim!”
Prej Zotit të Madhëruar duhet kërkuar që të jemi seriozë. Nuk është e
drejtë të mendohet: “E dëshiroj, por nuk e bëj dot pjesë të thellësisë së
natyrës sime. Sërish jam joserioz, sërish jam karagjoz, sërish jam i
pavëmendshëm kundrejt Allahut.” Për atë Zot, për të rregulluar gjendjen
tonë plot dobësi, sa net të javës jemi ngritur dhe jemi përgjëruar me
gjithë zemër: “Të lutem, o Allahu im! Shpallja praninë dhe madhështinë
Tënde unit tim!” Sa herë ia kemi kërkuar këtë Atij e Ai s’na e paskësh
dhënë! Jo, nëse mëtojmë diçka të tillë, veç bëhemi gënjeshtarë. Nëse Ai nuk
na e dhuron këtë dhe ne ende ndodhemi në gjendjen ku jemi, atëherë do të
thotë se kësaj çështjeje me rëndësi jetike për jetën tonë të zemrës e të
shpirtit nuk i kemi dhënë dhe nuk i japim rëndësinë e duhur.
Libri ynë i lartë, Kurani i Shenjtë, me një stil më shumë se serioz, është
një bekim qiellor e tokësor që i erdhi njeriut më serioz në faqe të dheut,
për të institucionalizuar në tokë pikërisht seriozitetin. Përndryshe,
Kurani, siç shprehet edhe në ajetin e shenjtë, وَمَا هُوَ بِالْهَزْلِ “Ai
nuk është shaka”
[321]
, nuk është një lojë e dëfrim.
Për ta rifituar seriozitetin që e kemi humbur, duhet ta këshillojmë
njëri-tjetrin vazhdimisht. Për këtë, si në një marrëveshje shoqërore, duhet
t’i japim njëri-tjetrit fjalën dhe autoritetin e nevojshëm. Për shembull,
kur të shohim ndonjë vëlla tonin që ka rënë në mungesë serioziteti, duhet
të mund ta paralajmërojmë: “Ç’është kjo gjendje, o vëllai im! A mos vallë
të erdhi sihariqi i jetës së amshuar? A mos u përgëzove me Xhenetin?” Të
mos themi, pastaj, se edhe një njeri që do të ishte përgëzuar me Parajsën,
gjer në çastin që do të hidhte hapin aty brenda, do të duhej të ruante
seriozitetin. Sepse gjer në çastin që do të hyjmë aty, askush nuk është nën
garanci. Nëse Nderi i Gjithësisë, Zotëria ynë (alejhis’salatu ues’selam),
për të na dhënë mësim vetëpërmbajtjeje, urdhëron e thotë: “As unë nuk hyj
dot në Parajsë me veprën time!”
[322]
, atëherë a nuk duhet që gjithkush ta vërë kryet në duar e të meditojë?
Nëse edhe Zotëria i Zotërinjve (s.a.s.), që në një rekat të namazit
recitonte suret madhështore “Bekare”, “Ali Imran”, “Maide” dhe “Nisa”,
urdhëron e shprehet se nuk do të mund të hynte në Xhenet me veprën e vet,
atëherë a nuk është për t’u pyetur njeriu: “Për çfarë gajasesh e bën ende
palaçollëqe?”
Zgjidhja për të mos rënë në lodhjen e rrugës: Përpjekja për ripërtëritje
Pyetje: Cilat janë çështjet për të cilat udhëtarët e idealit duhet të bëjnë
kujdes që, me kalimin e kohës, të mos mposhten prej vendnumërosë, rutinës
dhe mpirjes? A mund të keni mirësinë të na e shpjegoni?
Përgjigje: Para së gjithash, duhet ditur se nuk është një punë e lehtë që
njeriu t’i ruajë për një jetë të tërë përfitimet, gjallërinë dhe hijeshinë
shpirtërore që i ka shtënë në dorë në një periudhë të caktuar; madje kjo
është edhe më e vështirë sesa shtënia e tyre në dorë herën e parë. Po,
është e vërtetë se që të ruash gjatë gjithë jetës fjalët dhe ngjarjet,
ndjesitë e dëlira, tensionin metafizik që shkaktojnë drithërima në shpirtra
dhe prodhojnë ndikim shokues kur përjetohen për herë të parë, është një
çështje më e vështirë se çdo vështirësi. Ndaj edhe në çdo fillim të ri,
njerëzit që kanë përbërë safin e parë, edhe në paçin qenë shumë dinamikë,
në periudhat e mëpasme nuk e kanë vijuar dot të njëjtën gjallëri. Ashtu që
edhe në rishtarët që, fillimisht, me plot vrull e dëshirë, kanë shpërfaqur
heroizëm për hir të vlerave në të cilat kanë besuar, me kalimin e kohës,
kanë nisur të vërehen shenjat e konsumimit e të lodhjes. Edhe nëse koha, që
përbën një mirësi të madhe që Zoti i Lartësuar i ka dhuruar njeriut, në
vetvete nuk konsumohet, kur nuk i njihen pesha e vlera, kur, për pasojë,
nuk vlerësohet siç duhet për të ruajtur gjallërinë e freskinë, në çdo ditë
që kalon, freskia, ëmbëlsia, gjallëria e joshja në ndjenja e në mendime i
nënshtrohen një konsumi e shpërbërjeje në një masë të caktuar. Për
shembull, në namazet që falen, shpirtrat në të cilat që kanë mbetur larg
ndërgjegjes së të qenit në praninë e Allahut, janë përmalluar për emocionet
e drithërimat e brendshme. Po kështu, agjërimet që pritet ta fusin njeriun
në portën e Rejjanës dhe ta bëjnë të fitojë gjendjet shpirtërore të të të
ecurit nëpër korridoret e Xhenetit,
[323]
janë kthyer në një gjendje të urisë në pritje të konsumimit të darkës. Për
këtë arsye, po e pohoj edhe një herë se ruajtja e përfitimeve të marra në
fillim, bashkë me vlerën e përpjekjes, me thellësinë e me hijeshinë, me
përmasat joshëse, është më e vështirë sesa marrja e tyre në fillim.
Përpjekja e paprerë për ripërtëritje
Ajo çfarë duhet bërë kundrejt një gjendjeje që duket si e pashmangshme për
çdo individ dhe shoqëri është që njeriu të gjendet vazhdimisht në një
mundim e përpjekje për përtëritje, ta thurë jetën me këtë vetëdije. Sepse
syri dhe zemra juaj, në një periudhë të caktuar, mund t’u jenë hapur
bukurive të caktuara dhe ju mund t’i keni përqafuar me sinqeritet e me
shpirt ato bukuri. Por më pas, në mënyrë që ato bukuri të mos zbehen, të
mos vriten dhe të mos ndryshken në botën tuaj të mendimit, por të ruhen me
gjithë shkëlqimin e tyre, kërkohen një mundim e përpjekje shumë serioze.
Këtë gjendje mund ta sqarojmë me një shëmbëlltyrë të tillë: Një njeri, duke
u mbajtur pas litarit, me këmbët të lidhur me kanxhë, me duart të veshura
me dorashka dhe duke u munduar në rrugë të ngjashme, mund ta gjejë një
rrugë e të ngjitet në majë. Por më pas, që të mund të qëndrojë në këtë
majë, që ta vazhdojë ekzistencën e tij atje, që t’u përshtatet kushteve,
atmosferës së asaj maje dhe njëkohësisht, ta përvetësojë atë vend, ta
përngjasojë vetveten me të, është një punë më e vështirë nga ç’ishte
arritja në majë. Për këtë arsye, puna është që të qëndrosh në majë, të mos
i humbasësh ato që ke fituar dhe veç kësaj, t’i shumëfishosh ato. Dhe kjo
është e mundshme vetëm me një përpjekje të vazhdueshme për ripërtëritje.
Siç thuhet në një hadith, I Dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve
sel-lem) i këshillon sahabët fisnikë kështu: “Ripërtërijeni besimin tuaj!”
Pas kësaj, kur e pyesin: “O i Dërguari i Allahtu! Si ta ripërtërijmë
besimin?”, Tabloja e Krenarisë Njerëzore (alejhissalatu vesselam) urdhëron
e thotë: “Fjalën “La ilahe il-lall-llah” (me mendje, me zemër, me gjuhë)
përkujtojeni së shumti.”
[324]
Atëherë edhe ju, duke shtuar vazhdimisht diçka në basenin e njohurive
tuaja, duhet të përpiqeni ta ripërtërini mendimin tuaj mbi Islamin e ihsanin. Kështu, informacione të shumëfishta krahasuar me dijet që
në botën tuaj të zemrës kanë avulluar e i keni humbur, do të vërshojnë
sërish nga kanale të ndryshme; dhe kështu, ju do ta mbushni sërish
zbrazëtinë e krijuar. Do të analizoni urdhëresat hyjnore, do të endeni në
luginat e meditimit, do të krahasoni dijet tuaja të shkuara me të sotmet
dhe do të mbërrini vazhdimisht në analiza e sinteza të reja, do të
hulumtoni e do të arrini përfundime dhe kështu, me dijet që do të përfitoni
çdo ditë, do ta ripërtërini edhe një herë besimin tuaj.
Në trupin e njeriut gjithmonë shfaqen ndryshime dhe tjetërsime. Të gjitha
qelizat e trupit, të gjitha atomet në qeliza, të gjitha elektronet në to u
nënshtrohen ndryshimeve. Atëherë njeriu, që ka një trup që vazhdimisht
tjetërsohet e zhvillohet, duhet t’i shtjerë prapë në dorë pajimet e vërteta
që do t’ia zhvillojnë e ripërtërijnë sërish besimin. Nëse njeriu vepron
kështu, do ta shfaqë e provojë edhe një herë veten si një kryengritës që i
ka shpallur luftë stanjacionit e rutinës.
Eliksiri i jetës: biseda për të Dashurin
Krahas mendimit, meditimit dhe përkujtimit individual, një tjetër mjet që
siguron vazhdimin rrugës së qëndrimit në majë dhe të ruajtjes së asaj çka
është fituar, është edhe biseda për të Dashurin e zemrës. Kjo është një
dashuri, një pasion e një ndezulli e jashtëzakonshme dhe një mik i së
vërtetës, me shprehjet e tij plot emocion, i jep zë kështu kësaj ndjesie:
“Sikur Atë që dua unë ta donte bota mbarë!
E për kurrkënd tjetër të mos flitej një fjalë…!”
(Tashllëxhallë Jahja)
Po. Edhe njerëzit që ua rrëmben zemrën një qenie kalimtare, qoftë edhe ata
që zemra u lidhet pas një dashurie simbolike, nuk shohin e nuk njohin më
kurrkënd tjetër veç së dashurës. Ndërsa ajo që ne duam, që ndiejmë pasion e
jemi të dashuruar është Allahu, është i Dërguari i Allahut. Prandaj edhe
kemi dëshirë që e gjithë bota t’ua falë zemrën këtyre të vërtetave.
Gjithkush ta përmendë emrin e Allahut tim; të kujtojë emrin e madh të
Zotërisë sim (alejhi elfu elfi salatin ue selam).
Nga ky këndvështrim, ne, teksa mblidhemi e rrimë së bashku, ngado që ta
vërtisim e ta vërtisim bisedën, patjetër duhet ta sjellim fjalën tek i
Dashuri e të flasim për të. Nëse ndieni një lidhje të thellë të zemrës me
Allahun, nëse keni dëshirë që Atë ta njohë gjithkush dhe në çdo përkujtim
të Tij të këndelleni sikur freskoheni me një enë ujë që e nxirrni prej një
burimi parajsor, atëherë vërtitini bisedat tuaja rreth së vërtetës “La
ilahe il‘lallah Muhamedun Resulullah”.
Njeriu, në kohën e rinisë, bën një jetë të gjallë e energjike. Ndërsa në
periudhën e pjekurisë, gjithçka nis e zë vendin e vet dhe logjika e gjykimi
nisin të mbizotërojnë në jetën e njerëzve. Por vjen edhe një periudhë, që
ndjenjat dhe mendimet nisin të zbehen, të fiken e të ndryshken. Kjo nuk do
të thotë që pjekuria është stanjacion në shpirt. Në të kundërt, kjo gjendje
do të jetë zbehje e zbardhje e linjave që më herët kanë pasur domethënie të
madhe për ju. E pra, në një gjendje të tillë, në bisedat për të dashurin e
zemrës, në mendim, meditim e përkujtim, duhet të zgjoheni edhe një herë në
çadrën e oksigjenit, të ecni edhe një herë drejt ringjalljes dhe kështu, ta
nderoni, ta thelloni e ta kurorëzoni pjesën e mbetur të jetës duke
përmendur Atë. Duhet të dihet se kthimi i një përpjekjeje e mundimi të
tillë për ripërtëritje do të jetë shumë i ndryshëm në jetën e amshuar.
Vullnetet e gjalla dhe Shteti Osman
Njëri prej shteteve më jetëgjata në botë është Devleti Alije apo Shteti
Osman. Nëse shohim themelin e Shtetit Osman, që u ngrit mbi baza më të
sigurta sesa shteti i emevive dhe ai i abasidëve, do të vërejmë se thelbi
dhe përmbajtja e tij janë besimi në Allahun, njohja e Allahut, dashuria për
Allahun dhe kënaqësia shpirtërore. Nëse doni të dini se çfarë ndjenjash e
mendimesh zotëronte së pari ky shtet, duhet të shihni se si gjykonte Murat
Hydavendigjari para se të binte dëshmor në Luftën e Fushë-Kosovës. Në
mbrëmjen para betejës, Murat Hydavendigjari u tërhoq në çadrën e vet dhe
pasi e kaloi natën zgjuar, në rite e adhurim ndaj Allahut, para se të
ngrihej prej sixhades, ngriti duart kah qielli dhe iu lut Zotit të
Madhëruar kështu: “O Zoti im! Në qoftë shfaqur kjo furtunë prej mëkateve të
këtij robit tënd të varfër, Muratit, mos i ndëshko ushtarët e mi të
pafajshëm. Fali ata! O Allahu im! Ata, gjer këtu, kanë ardhur vetëm për të
lartësuar emrin Tënd dhe për t’i bërë njerëzit që ta dëgjojnë fenë e
Islamit. Largoje fatkeqësinë e kësaj furtune prej kokave të tyre. Bëji të
arrijnë një fitore që t’i shkojë për shtat Famës Tënde, ashtu që të gjithë
myslimanët të festojnë. Ndihmoji e dhuroju fitore myslimanëve! Dhe nëse ke
dëshirë, në atë ditë të festës, ky robi yt, Murati, u bëftë kurban për ty!
Së pari më bëre mua luftëtar, paskëtaj më bëj dëshmor!” Dhe ç’gojë paskësh
qenë ajo që e bëri këtë dua! Pasi dëshira e tij u përmbush shpejt dhe ai i
arriti shkallët e flijimit e ra dëshmor.
Allahu, këtyre njerëzve, që kanë dhënë shpirtin e kanë vepruar vetëm për
hir të Allahut dhe brenda sferës së kënaqësisë së Tij, ua ka shndërruar
sekondat e jetës në rend të viteve. Kjo këmbëngulje dhe ky përfaqësim i
Islamit në vlera të larta nga ana e tyre ka vazhduar për një kohë të gjatë.
Sepse ata i kishin sytë vazhdimisht në front e në përhapjen e fjalës së
Allahut. Jahja Kemali, në poezinë e tij “Ezan”, thotë kështu për Jauz
Sulltan Selimin:
“Sulltan Selimit fundi sa pa i mbërritur,
Duhej që botën ta pushtonte famë e Muhamedit.
Qielli kridhet në dritë prej qindra mijëra minaresh,
Flatrat teksa çelte frymë e Muhamedit.”
Këta njerëz, duke e kaluar jetën e tyre si të dashuruar pas kësaj, i
thellonin dashurinë dhe emocionet e tyre dhe kështu, e parandalonin
zbehjen, fikjen e ndryshkjen, dhe, me leje të Allahut, patën jetë të gjatë.
Përndryshe, siç thonë historianët shoqërorë dhe filozofikë, njëlloj si
individët, edhe shoqëritë lindin, kalojnë rininë, përjetojnë një periudhë
të pjekurisë, më pas plaken dhe së fundi rrokullisen e përfunojnë në gropë.
Për shoqëritë, kjo gjendje është e pashmangshme. Domethënë, për çdo komb,
është e vlefshme e vërteta: “Gjithçka në faqe të dheut është zhdukur; dhe
mbetet veç Fytyra e Zotit tënd të Madhëruar e të Lartësuar.”
[325]
Në daçi, nisur nga e vërteta se “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen”
[326]
, mund të thoni edhe se “Çdo komb do ta shijojë vdekjen.” Po, po. Kombet,
njëlloj si individët, lindin, rriten dhe vdesin. Por për ta ruajtur
qëndrueshmërinë që gëzojnë, në përfundim të disa përpjekjeve të bëra, me
lejen dhe mirësinë e Allahut, ndoshta në reanimacion, ndoshta në karrige me
rrota, ndoshta në çadrën e oksigjenit, mund të gjejnë një rrugë e ta
zgjasin jetën tyre; mund ta zgjasin dhe të bëhen shkak për të mundësuar
plot e plot shërbime të dobishme. E pra, ajo që na mbetet neve, është që,
pavarësisht gjithçkaje, të mbetemi të gjallë në shpirt e në qenie; të
ruajmë gjallërinë dhe të ushtrojmë qëndresë ndaj mungesës së emocionit,
ndaj stanjacionit e dobësimit.
[305] Shih: Ebu Davud, Edeb 35; El-Bezzar, El-Musned 4/93; Abdurrezzak,
El-Musannef 11/176.
[306] Et-Taberani, El-Mu’xhemu’l-eusat 6/348; El-Bejhaki, Shuabu’l-iman
5/306.
[307] Shih: Bediuzaman, Fjalët f. 371 (Fjala e Njëzetekatërt, Dega e
tretë).
[308] Ibn Kudame, El-Kafi 4/159; Ibn Abidin, Hashije 4/232.
[309] Shih: Et-Taberani, El-Mu’xhemu’l-evsat 6/348; El-Bejhaki,
Shuabu’l-iman 5/306.
[310] Huxhurat, 49/12.
[311] Shih: Bediuzaman, Letrat f. 312-313 (Letra e Njëzetedytë,
Përfundim).
[312] Humeze, 104/1.
[313] Ahmed ibn Hanbel, El-Musned 6/136, 206; El-Bejhaki, Shuabu’l-iman
5/303.
[314] Muslim, Birr 70; Tirmidhi, Birr 23; Ebu Davud, Edeb 35.
[315] Shih: Buhari, Xhenaiz 89; Muslim, Taharet 111.
[316] Shih: Bediüzzaman, Rrezatimet f. 101 (Rrezatimi i Shtatë, Rrezja e
parë).
[317] Buhari, Tefsiru sure (39) 2, Tevhid 19, 36, Rikak 44, 51; Muslim,
Iman 308-310, Sifatu’l-munafikin 19, 30.
[318] Bediüzzaman, Fjalët f. 231 (Fjala e Shtatëmbëdhjetë, Mekami i
dytë).
[319] Shih: Buhari, Iman 37, Tefsiru sure (31) 2; Muslim, Iman 1.
[320] Shih: Imam Rabbani, El-Mektubat 1/15 (Letra 9), 1/34 (Letra 25),
1/134 (Letra 255)…
[321] Tarik, 86/14.
[322] Buhari, Merda 19, Rikak 18 ; Muslim, Sifatu’l-munafikin 71-78.
[323] Shih: Buhari, Saum 4; Muslim, Zekat 85.
[324] Ahmed ibn Hanbel, El-Musned 2/359; Abd ibn Humejd, El-Musned f.
417.
[325] Rahman, 55/26-27.
[326] Ali İmran, 3/185; Enbija, 21/35; Ankebut, 29/57.
