
Pyetje: Mes njerëzve me mundësi të njëjta, që punojnë në një
institucion apo në një firmë, ka nga ata që përpiqen t’i shërbejnë
besimit me pasurinë e me shpirtin e tyre dhe në këtë kuadër, mundohen
të vënë pasuri, të fitojnë të ardhura, truall, shtëpi. Këto investime
vetjake mund të vënë në mendime njerëzit që nuk kanë pasur apo nuk kanë
mundur të kenë fitime të ngjashme. Cilat janë hollësitë në të cilat
duhet bërë kujdes për të mos lejuar cenimin e vëllazërisë prej
paragjykimesh e mendimesh të këqija?
Përgjigje: Para së gjithash, duhet pranuar se natyra dhe karakteri i
ndryshëm i gjithsecilit është një realitet. Po. Gjatë historisë së
njerëzimit, ajo larmi e shumëllojshmëri që shpreh pyetja e ngritur,
përbën një dukuri që lexohet në natyrën e në tiparet e e njerëzve, si
dhe në jetën e tyre. Madje edhe mes njerëzve që kanë qenë më afër
profetëve, në çështjen e pronës, të mallit e të pasurisë ka pasur
njerëz në gjendje të ndryshme. Dikush e kalon gjithë jetën në asketizëm
dhe nuk bën gjë prej gjëje për të vënë pasuri në këtë botë; dikush
tjetër, mundësitë e krijuara prej Allahut (xh.xh.) i shfrytëzon në
rrugë të Tij dhe kështu, ka siguruar Xhenetin; ndërsa një pjesë
fatkeqësi, duke u dhënë e spitulluar pas mallit e pasurisë, janë bërë
mendjemëdhenj e kanë përfunduar në humbje e rrënim. Për shembull,
sikurse pranë Zotërisë sonë, Musait (a.s.), gjendej një hero i ri si
Jusha ibn Nuni, shembullor në bujari, ka edhe njerëz si Karuni që, siç
kuptohet nga shprehja: “Karuni, ishte prej fisit të Musait”,
[224]
gëzonte fatin e të gjendurit pranë Musait (a.s.), por që gjithsesi nuk
ia dha dot hakun kësaj pozite, dhe përfunimi i të tillëve janë rrëzimi
e rrënimi.
Karuni dhe samirinjtë, që nga rrethi i afërt u flakën larg
Musai (a.s.) është një ndër profetët e mëdhenj e të lartësuar.
[225]
Ai është nderuar me cilësimin “Kelimullah” (njeriu,
me të cilin ka folur Allahu).
[226]
Zoti i Madhëruar, kur dërgoi Musain (a.s.) për te Faraoni, e shoqëroi
atë edhe me një gojëtar si Haruni (a.s.), që ishte në gjendje t’i
magjepste njerëzit me fjalën e vet, dhe kështu, duke ia shndërruar
ndjesitë thuajse në një gjendje korale, i krijoi mundësinë që t’u japë
zë më së miri ndjenjave.
[227]
Mirëpo ja që edhe prej fisit të një profeti të madh si Musai (a.s.)
dolën Karunë
[228]
dhe samirinj.
[229]
Kush e di, në fisin e tij, veç këtyre, mund të ketë pasur sa e sa
njerëz që, edhe pse kanë jetuar në brezin e të fituarve, kanë dalë të
humbur. Sepse brenda asaj shoqërie, ka njerëz të tillë që, pasi kaluan
detin bashkë me të nderuarin Musa, ishin në gjendje të thoshin: “Na
bëni edhe neve një hyjni që ta adhurojmë.”
[230]
Pra, edhe menjëherë pas mrekullive të jashtëzakonshme si çarja e detit
në mes dhe mbytja në të e ushtrisë së Faraonit, mrekulli që trokasin në
portën e mendjes dhe i mundësojnë njeriut të takohet me besimin, kishte
në atë mes njerëz që, sapo hasën në dikë që i falej një idhulli,
kërkuan edhe ata një idhull që ta adhuronin.
[231]
Edhe kur shqyrtojmë kohën e Zotërisë sonë, të Dërguarit Fisnik
(s.a.s.), vërejmë natyra e karaktere të ndryshme. Për shembull, pranë
Krenarisë së Njerëzimit (s.a.s.), kishte personalitete si Ebu Bekri
(r.a.) që e ngriti e çoi përpara flamurin e çështjes së Islamit; si
Omeri (r.a.), që qëndronte një hap pas Ebu Bekrit të nderuar, por që
mund të thuhet se nuk mbetej pas tij dhe që, për nga veprat e kryera,
kalëronte kokë më kokë me të. Kështu, Kreu i Dashur i Krijimit (alejhi
elfu elfi salatin ue selam), në një hadith, duke tërhequr vëmendjen te
vlerat e mëdha të këtyre sahabëve, urdhëron e thotë kështu: “Në të
vërtetë, prej tokësorëve unë kam dy mëkëmbës dhe prej qiellorëve kam,
gjithashtu, dy mëkëmbës. Dy mëkëmbësit e mi prej tokësorëve janë Ebu
Bekri (radijallahu anh) dhe Omeri (radijallahu anh), ndërsa dy
mëkëmbësit e mi prej qiellorëve janë Xhibrili (alejhis’selam) dhe
Mikaili (alejhis’selam).”
[232]
Mirëpo pranë këtyre njerëzve, që rendin kokë më kokë me Xhibrilin dhe
Mikailin, shihni edhe njerëz që janë trazuar në ngjarjet e braktisjes
së fesë. Për shembull, një ditë, një sahab që erdhi pranë Omerit të
nderuar (r.a.), e gjeti atë duke qarë. Kur pyeti për arsyen, mësoi se
ai kishte humbur në luftë të vëllanë, Zehdin, i cili kishte rënë
dëshmor. Atëherë ai i tha Omerit të nderuar: “O i Besuari i
besimtarëve! Yt vëlla ra dëshmor në rrugë të Allahut. Kurse im vëlla
ishte në ushtrinë e Musejlemes. Ti hesht e të qaj unë!”
[233]
Prandaj, duke qenë se edhe në atë periudhë janë përjetuar zikzake të
tilla, para së gjithash, kjo gjendje duhet pranuar si një realitet. Po,
po. Siç ndodhte në ato ditë, edhe sot, mes një bashkësie që i shërben
fesë mund të dalin njerëz që sillen gabim. Për shembull, dikush hiqet
sikur po rend në shërbim të kombit, por në të vërtetë bën një numër
llogarish të brendshme dhe ushqehen shpresa të tjera. Ai individ, duke
u gjendur brenda një lëvizjeje të tillë, mund të shkojë pas disa
qëllimesh të kësaj bote. Por nëse nuk ka ndonjë anë negative që ta
shfaqë për së jashtmi, duke qenë se ne nuk jemi në gjendje ta njohim
botën e tij të brendshme, nuk mund të mendojmë keq për të e ta
paragjykojmë. Nëse kemi gjë në dorë, mund të përpiqemi që atë njeri që
ka devijuar e ka rënë në të shtrembrën, duke marrë parasysh edhe
ndjenjat e tij të brendshme, ta shpëtojmë nga bataku në të cilin është
zhytur.
Përfitimet tokësore brenda kornizës së të lejuarës
Një tjetër anë e çështjes është edhe kjo: disa jepen vërtet me mish e
me shpirt pas shërbimit ndaj fesë. Por njëkohësisht, i kuptojnë shumë
mirë edhe punët e kësaj bote. Po. Disa njerëz, pa e lënë pas dore
shërbimin dhe krahas rendjes plot zell në rrugë të Allahut, mund të
jenë të pajisur edhe me aftësi për t’u marrë siç duhet me punët e kësaj
bote. Për shembull, në kohën e Shekullit të Lumturisë, Zoti i Madhëruar
i zbriti porsi shi i begatë mundësitë e të mirat tokësore mbi
personalitete madhështore si zotërinjtë tanë sahabë Abdurrahman ibni
Aufi dhe Osmani (radijallahu anhuma). Në përfundim, edhe ata u bënë
njerëz të kamur e plot pasuri.
E njëjta gjendje është jetuar e do të jetohet edhe në periudhat e
mëpasme. Në këtë pikë, çështja që nuk duhet harruar është që këta
njerëz, në zotërim të mundësive e të pasurive të shumta, me sukseset e
tyre, me mendimet e qëllimet e tyre të brendshme, do të dalin para
Allahut. Nga ky këndvështrim, kundrejt këtyre gjendjeve, mendimi i
besimtarit duhet të jetë ky: “Me sa kemi parë e me sa dimë, këta
vëllezër, kur i kanë hyrë kësaj rruge, nuk kanë pasur ndonjë mendim a
pritshmëri egoiste. Përkundrazi, kanë qenë njerëz të mençur e të aftë.
Duket se ata i hynë një sipërmarrjeje dhe Allahu (xh.xh.) ua mundësoi
atyre këto mirësi.”
Duke lexuar në tekstet e historisë islame, vërejmë se Osmani i nderuar
(r.a.) ka dhuruar 500 deve bashkë me ngarkesën.
[234]
Secila prej këtyre deveve mjafton për të vënë në dukje shkallën e lartë
të përsosmërisë njerëzore të një njeriu si Osmani (r.a.). Por në të
njëjtën kohë, mësojmë edhe se si ai flinte mbi truall ranor në Xhaminë
e Profetit, se si i Dërguari i Allahut (alejshis’salatu ues’selam)
shtrihej të pushonte e të flinte mbi hasër.
[235]
E pra, kur e vështrojmë në tërësi jetën e zotërisë sonë, Osmanit
(r.a.), shihet qartë se pavarësisht gjithë atyre mundësive e pasurive
të mëdha, ai zgjidhte të bënte një jetë të thjeshtë e pa kurrfarë
luksi, ndërsa ato mundësi që kishte, i përdorte në rrugë të Allahut, pa
rënë kurrsesi në shpërdorim.
Por për nevoja të jetës njerëzore, edhe mes njerëzve që i janë kushtuar
shërbimit ndaj së vërtetës, mund të dalin disa që kanë dëshirë të
përfitojnë prej disa mundësive tokësore. Sikurse në rastin e asaj
shmangieje të pjesshme që u vërejt gjatë luftës së Uhudit, kjo është si
të thuash: “Meqë të tjerët po përfitojnë plaçkë lufte, të shkojmë të
marrim edhe ne!”
[236]
Por nga ana tjetër, pati disa njerëz si Amr ibnu’l-Asi, që kur do t’u
jepej plaçkë lufte, do të thoshin: “O i Dërguar i Allahut! Unë nuk u
bëra mysliman për plaçkë!”
[237]
Në të njëjtën mënyrë, kur Krenaria e Njerëzimit (alejhis’salatu
ues’selam) deshi t’i japë një sahabi që nuk ia dimë emrin pjesën e vet
prej plaçkës së luftës, ai burrë i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë
këtë nuk mund ta pranoj. Unë u bëra mysliman që të më godasë një heshtë
këtu (dhe tregoi grykën) e të bie dëshmor.” E në fund, siç dëshiroi, ra
dëshmor, duke rendur drejt përjetësisë.
[238]
E pra, ka sa e sa heronj të tillë.
Edhe rreth aureolës së Krenarisë së Njerëzimit, i cili përfaqësonte
Islamin në thelbin e vet dhe me ngjyrimin e tij shpirtëror rrëzëllente
mbi këdo e i linte pas madje edhe engjëjt, kishte njerëz që nga
pikëpamja materiale ishin në gjendje të ndryshme krahasuar me
njëri-tjetrin dhe është normale që të tilla ngjarje të përjetohen edhe
sot. Për shembull, dalin disa njerëz që ia kushtojnë krejt qenien e
tyre shërbimit ndaj fesë, dhe një jetë të tërë as që u shkon mendja të
vënë pasuri. Mirësitë që i vijnë në njërën dorë, ata i dhurojnë me
dorën tjetër dhe e kalojnë jetën gjithnjë me të njëjtin asketizëm. Pra,
krahas kësaj, ka edhe disa që, përveç kryerjes së detyrës që u bie mbi
shpatulla, nuk ngurrojnë edhe të fitojnë brenda kornizës së të
lejuarës. E pra, këtu është e rëndësishme që të mjaftohen me të
lejueshmen, të mos dalin prej kufirit të saj as edhe me një gjysmë
hapi, të mos bien në spekulime dhe njëkohësisht, ato që fitojnë t’i
përdorin në rrugë të së Vërtetës, si dhe të mundësojnë që edhe të
tjerët të kenë dobi e të përfitojnë prej tyre.
Rreziku i vërtetë është njollosja e nijetit
Këtu dua të tërheq vëmendjen edhe te një çështje e veçantë: Vendi i
njerëzve besimtarë, që atë çka besojnë duan t’ua përçojnë edhe zemrave
të të tjerëve, duhet të jetë në një nivel ekonomik për t’u pasur zili,
madje duhet të kthehet në një vend, në të cilin, në njëfarë mënyre, të
gjithë të vrapojnë për të investuar. Sepse këto përbëjnë një argument
shumë të rëndësishëm në shpjegimin e Islamit. Nëse të tjerët ju shohin
të dobët e të vegjël në fushat e shkencës e të ekonomisë, nëse ju
vlerësojnë si njerëz që i shtrini dorën botës e që qaheni në derë të
FMN-së e të Bankës Botërore, mos harroni se ata edhe fenë tuaj do ta
shohin me po këtë sy. Nga ky këndvështrim, për mendimin tim, pjesëtarët
e një feje të lartë duhet të jenë të lartë e në epërsi në çdo fushë.
Nëse edhe çështjen e të fituarit të pasurisë e shohim me këtë sy,
atëherë besoj se bëhet e qartë që ajo nuk është diçka për t’u hedhur
poshtë.
Po. Në të fituarit e pasurisë, ajo çka është e rrezikshme është
njollosja e nijetit dhe përzierja në të e disa llogarive të brendshme.
Nëse dikush vepron me mendimin, “Vallë ç’mund të kap prej kësaj
lëvizjeje, nëse bëhem pjesë e saj?” dhe nëse do të gjendet prapa në
shërbim dhe përpara në shpërblim, atëherë ekziston shqetësimi që ai të
gjendet në një dyfytyrësi e hipokrizi. Ndërkohë, në lidhje me këtë
çështje, duhet marrë për bazë standardi i vendosur prej Bediuzaman Said
Nursiut, sipas të cilit duhet të gjendemi përpara në shërbim dhe prapa
në shpërblim.
[239]
Po, po. Një njeri që ka besuar, edhe duke marrë parasysh çmimin e
humbjes së jetës e të pasurisë, duhet të rendë përpara në shërbime,
ndërsa kur të vijë puna te pagesa e shpërblimi, duhet të tërhiqet
prapa, sa më prapa, duke mos hyrë në kurrfarë pritshmërie për mundimin
dhe përpjekjen e vet. Zoti i Madhëruar, kundrejt një qëndrimi të tillë,
e shpreh kënaqësinë dhe dashamirësinë e Vet duke mundësuar prej
mirësisë së Tij hyjnore një bekim e bereqet të tillë, që si shpërblim
në jetën e përjetshme, individi në fjalë të mund të gjendet, ndoshta,
gju më gju e në një sofër me Zotërinë tonë, Nderin e Gjithësisë (alejhi
salauatullahi ue selamuh), apo me Kalifët e Drejtë. Për mendimin tim,
sikur gjithçka të bëhet për të përfituar prej një fati të tillë të
bardhë, ia vlen.
Për një fat të tillë të bukur, jam i mendimit se duhet të përballemi
shpesh me nijetet tona e me botën tonë të brendshme, t’i shqyrtojmë të
gjitha këto e të kontrollojmë vetveten. Po, po. Që prej të kënduarit të
ezanit e deri tek recitimi i ikametit, që prej të drejtuarit e namazit
e deri te thirrja për të vërtetën, në çdo çështje, nuk duhet të heqim
kurrsesi nga mendja hetimin e vetvetes me pyetjen e brendshme: “Vallë,
a mos egoja ime po përfiton diçka këtu? A mos po i ndaj vetes diç prej
plaçkës?” Sepse ne, në punët e mira, sa më shumë që ta mbajmë jashtë
vetveten, aq më shumë bëhemi pjesë e atyre punëve. Por sa më shumë që
të marrim e të përfitojmë në brendi të atyre punëve, edhe e vërteta e
sinqeriteti mbeten aq më shumë jashtë tyre.
Në këtë çështje, ruajtja e drejtpeshimit është që njeriu të
rehabilitojë vazhdimisht vetveten, të këshillohet paprerë për çështjet
fetare, të përpiqet që të mbajë mbi shpatulla përgjegjësinë ndaj një
shoqërie a një bashkësie dhe ta vërë në jetë me frymë të përkushtimit e
të këmbënguljes detyrimin ndaj asaj përgjegjësie. Zoti ynë na bëftë
prej atyre që e kalojnë jetën në këtë linjë!
[224] Kasas, 28/76.
[225] Shih: Ahzab, 33/7; Shuura, 42/13; Ahkaf, 46/35.
[226] Shih: Buhari, Teuhid 36; Muslim. Iman 322.
[227] Taha, 20/42-43; Shuara, 26/15-16.
[228] Shih: Kasas, 28/76.
[229] Shih: Taha, 20/95-97.
[230] Shih: Isra, 17/138.
[231] Shih: Bekare, 2/50; Araf, 7/137; Junus, 10/90.
[232] Tirmidhi, Menakib 16; el-Hâkim, El-Mustedrek 2/290.
[233] Ibn Sa’d, Et-Tabakatu’l-kubra 3/377-378.
[234] Et-Taberani, El-Mu’xhemu’l-kebir 18/231; İbn Asâkir, Tarihu Dimashk
39/63.
[235] Shih: Buhari, Tefsiru sure (66) 2; Muslim, Talak 31.
[236] Shih: Buhari, Xhihad 164; Ebu Davud, Xhihad 116; Ahmed ibn Hanbel,
El-Musned 4/293.
[237] Ahmed ibn Hanbel, El-Musned 4/197, 202; Ibn ebi Shejbe, El-Musannef
4/467; Ebu Ja’la, El-Musned 13/321.
[238] Nesai, Xhenaiz 61; Abdur’rezzak, El-Musannef 7/271; Et-Taberani,
El-Mu’xhemu’l-kebir 2/271.
[239] Shih: Bediuzaman, Fjalët f. 519 (Fjala e Njëzetegjashtë, Shtojcë).