Jeta fetare në kurthin e formalizmit, ose myslimanizmi kulturor

Home » Albanian (Shqip) » Veprat » Ideali për të jetësuar » Jeta fetare në kurthin e formalizmit, ose myslimanizmi kulturor

Jeta fetare në kurthin e formalizmit, ose myslimanizmi kulturor

Pyetje: Është shprehur pohimi se një ndër rreziqet më të mëdha me të
cilat mund të përballet njeriu në botën e besimit e të dijes është
kufizimi në informacionet teorike dhe trajtimi i veprave dhe i
adhurimeve në formën e një kulture. Cilat janë hollësitë që duhen pasur
kujdes për t’u mbrojtur prej një rreziku e fatkeqësie të tillë?

Përgjigje: Një njeri, qoftë në hollësitë e nevojshme për t’u besuar,
qoftë në përkushtimin që ka të bëjë me vënien në jetë të atyre
hollësive, fillimisht mund ta ketë të nevojshme që të ketë njohuri
teorike. Në fund të fundit, informacioni i një fillestari, në
përgjithësi, nuk i kapërcen njohuritë teorike. Dhe kjo nuk është një
çështje për t’u marrë lehtë. Por nëse ai informacion teorik nuk
mbështetet e nuk vendoset fuqishëm mbi argumente e themele të forta të
mendimit, të logjikës, të arsyes e të përpjekjeve, nëse ato hollësi tek
të cilat besohet nuk përvetësohen gjer në njësim me ndërgjegjen,
atëherë njeriu mbetet gjithmonë brenda gjerdheve të njohurisë teorike,
e kalon gjithë jetën në imitim dhe për këtë arsye, nuk e ndien kurrë
plotësisht, në gjithë gjerësinë e thellësinë e vet, të qenët mysliman,
nuk e përkap dhe nuk e jeton dot atë.

Shumë prej këtyre njerëzve që nuk janë çliruar prej imitimit dhe nuk e
kanë mbërritur pjekurinë e besimit kritik, për arsye të rritjes brenda
kufijve të një xhamie apo të një bashkësie njerëzish besimtarë, kanë
mundur të hyjnë nën hijen e një arritjeje siç është të qenët mysliman.
Nga ky këndvështrim, nëse do të mund të bënim një hamendje gjer në të
pamundurën, këta njerëz, nëse do të rriteshin në mjedisin e një kishe
apo të një sinagoge, ka mundësi që të bëheshin të krishterë ose judenj.
Ose, sipas vendit ku do të rriteshin, ka të ngjarë ta shkonin jetën si
brahmanistë, shintoistë, budistë apo sionistë.

Arsyeja më e rëndësishme e një tabloje të tillë pikëlluese është lënia
pasdore e anës praktike të Islamit. Nëse lihen pas dore veprat dhe
praktika, atëherë besimi tek Allahu, e vërteta e Qenies Hyjnore, që
janë baza kryesore e parimeve themelore të besimit, – nëse mund të
shprehemi kështu – nuk janë njohur në përshtatje me karakterin e së
Vërtetës. (Kur përdor këtë shprehje, nuk lë pasdore që të them “nëse
mund të shprehemi kështu”, sepse Qenia Hyjnore është e lirë dhe e dlirë
prej tipareve sasiore e cilësore në mënyrën që ne i dimë e i kuptojmë.
Po ja që, për arsye se nuk dimë tjetër fjalë për të përdorur dhe për
shkak të kufizimit të shprehjeve, detyrohemi të përdorim shprehje të
tilla të mangëta.)

Sikurse kemi mangësi e kufizime në konceptimin e Qenies Hyjnore, edhe
në të kuptuarit e profetëve, të engjëjve, të Ditës së Fundit e të
Gjyqit të Fundit, kemi mangësi e kufizime serioze. Kështu, në ditët e
sotme jemi dëshmitarë të disa vlerësimeve që nuk mund të shpjegohen
assesi me besimin e me Islamin, si për shembull mospranimi i kaderit.
Madje disa, në fushën teologjike, nxjerrin disa risi, që kur një njeri
has në to e i dëgjon, habitet e shastiset aq sa të thotë: “Edhe kaq
jo!”

Feja i duhet ngarkuar natyrës së njeriut me përkushtim

Për këtë arsye, le ta shprehim edhe një herë se duke depërtuar në
thellësi të çështjeve të lidhura me besimin, mbështetja e tyre mbi një
themel të sigurt dhe më pas vijueshmëria dhe këmbëngulja në to janë të
lidhura me përkushtimin. Po, po. Shndërrimi i teorikes në njëfarë
mënyre në realitet, siç është shprehur Kanti në “Kritikën e arsyes së
kulluar” – është i mundur përmes veprës. Për ta shprehur ndryshe,
mbërritja në të vërtetën e çështjeve të besuara dhe zhvillimi i
mëtejshëm i tyre është i realizueshëm nëpërmjet veprës. Nuk duhet
harruar, se nëse njeriu i derdh në vepra çështjet në të cilat beson
teorikisht dhe bën përpjekje për t’u thelluar në ato çështje, atëherë
edhe Allahu (xh.xh.) i krijon atij njeriu mundësinë që të ecë në
shtigje të sigurta dhe e bekon duke i hapur rrugët e depërtimit drejt
thellësisë. Përndryshe, nëse njeriu mbetet i kufizuar vetëm në planin
teorik dhe nëse nuk e bën përpjekje për të dalë në planin praktik, që
është ftuesi më i madh për në mirësinë hyjnore, pra, nëse nuk e
kurorëzon fenë e tij me kurorën e përkushtimit, atëherë ai është i
dënuar të mbetet gjithmonë i cekët. Kjo do të thotë, gjithashtu, që një
njeri i tillë në çështjen e njohjes së Allahut, gjendet në një pikë në
të cilën mund të gënjehet e të mashtrohet.

Sikur të kishte qenë e mundur që në shtëpitë tona, siç u përshtatim
foshnjave tona ushqimin sipas muajve, javëve, madje edhe sipas ditëve,
të kishim mundësitë e aftësitë që t’u përgatisnim atyre edhe dozën e
njohurive që u duhen dhënë brezave në drejtim të dijes e të njohjes!
Sepse për prindërit është një detyrë e përgjegjësi absolute që t’u
japin fëmijëve njohuri të mjaftueshme në lidhje me besimin sipas moshës
përkatëse. Por duhet të pranojmë realitetin se, fatkeqësisht, në një
shumicë të madhe, në shtëpitë tona mungon një mendësi e tillë.
Përjashtimet nuk e prishin rregullën. Po, po. Në shoqërinë tonë, në
shumicën e rasteve, prindërit nuk janë të pajisur me pjekurinë dhe
aftësinë që t’i drejtohen mendjes së çdo niveli.

Për më tepër, edhe nëse prindërit do të angazhoheshin në shtëpi e në
vatrën familjare me edukimin e fëmijëve në nivelin e duhur, vetëm kjo
nuk është e mjaftueshme për një dije e besim të plotë. Sepse nëse
oksigjenin që fëmija merr në shtëpi dikush ia kthen rrugëve në dioksid
karboni, edukimi që ju përpiqeni t’i jepni në familje do të ketë një
ndikim në një masë të caktuar dhe ndoshta me kalimin e kohës ai ndikim
do të fshihet e do të zhduket. Nga ky këndvështrim, është e nevojshme
që edhe rruga të arrijë një atmosferë besimi e sigurie. Krahas rrugës,
edhe shkolla duhet të jetë një institucion mbrojtës i njohurive teorike
dhe njëkohësisht, sipas moshës dhe rrethanave, të mund t’i shtojë ato
njohuri duke i ndarë e zhveshur sendet e ngjarjet. Nëse shkolla nuk ka
një qëllim e pikësynim të tillë, nëse nuk ka një program sipas atij
qëllimi e pikësynimi, atëherë ato çka fëmija fiton në shtëpi, edhe në
mos paçin shkrirë në rrugë, shkrijnë e zhduken në shkollë.

Ndër këto institucione që i përkasin shoqërisë, ajo që mbetet është
faltorja. Nëse çështjet e fesë atje gjejnë zbatim brenda një formati,
formaliteti folklorik, pra, nëse nuk ka një pasion e emocion, nëse, për
shembull, teksa imami ligjëron e këshillon në ligjëratë, nuk përjetohen
drithërima, nuk ka rrëqethje, nëse fjalët nuk i shoqërojnë lot që dalin
prej zemre e që, pavarësisht përpjekjeve, nuk vihen dot nën kontroll,
atëherë kjo do të thotë se ato që vihen në zbatim aty mund të kthehen
në një veprimtari veçse formale. Në këtë pikë, më lejoni të sqaroj
diçka: prej këtyre që po them, nuk duhet çuar nëpër mend se këto vepra
të zhveshura prej ndjenjës e prej emocionit, prej dashurisë e pasionit,
nuk shprehin asgjë dhe se ata që i kryejnë këto vepra janë krejt në
humbje. Ne këtu po ndalemi në atë se si kjo njohuri teorike mund të
thellohet në njohuri praktike, se si mund të arrijë një pjekuri me
rritjen e me moshën, se si mund ta mbartë njeriun njohja në horizontin
e dijes dhe kështu, si mund të kthehet e gjithë kjo në një kulturë të
zemrës. Dhe kultura e zemrës është diçka e ndryshme nga doket, zakonet
e kultura e trashëguar prej të parëve tanë, siç e përjetojmë nëpër
dasma e nëpër organizime të tjera.

Po. Kur njohuria kalon nëpër shkallët njohje nëpërmjet dëgjimit, njohje
empirike dhe njohje e provuar dhe teksa kalon nëpër këto shkallë, në
cilëndo pikë që të ndalet, nëse aty ndihet zëri “ La ilahe il’lall’llah”, këtë nivel ne e quajmë njohje apo
mjeshtëri. Një dashuri e tillë për dijen jep rezultate. Edhe
Bediuzamani, duke bërë shenjë tek kjo çështje, tërheq vëmendjen tek kjo
renditje: “Ta dish se, pa dyshim, pikësynimi më i madh i krijesave dhe
përfundimi më i lartë i natyrshmërisë është besimi në Allahun. E
shkalla më e lartë e humanizmit dhe pozita më madhështore e
personalitetit është njohja e Allahut, e gjendur brenda besimit në
Allahun. Lumturia më e shkëlqyer dhe bekimi më i ëmbël për xhindin dhe
për njeriun është dashuria për Allahun, e cila fshihet brenda njohjes
së Tij.”
[220]

Kështu, kjo çështje, që të parët tanë të mirë, e shihnin si kulturë të
njohjes e të ndërgjegjjes, fatkeqësisht, në ditë tona u është lënë si
amanet disa formateve të caktuara. Për shembull, nëse në një natë të
mirë të lindjes së Krenarisë së Njerëzimit, njerëzit këndojnë mevlud në
tonalitete të ndryshme, kjo përbën një praktikë të bukur. Por në një
natë të tillë, thelbësore është që marrëdhënia me Shpirtin e Kreut të
Krijimit, Ahmedit të Lëvduar, të Zgjedhurit Muhamed (s.a.s.), të
shpërfaqet në një gjallëri të caktuar, që të gjithëve t’u lotojnë sytë
e t’u rrahin zemrat, sa në kraharorët e gjithsecilit të ndizet e të
mbretërojë një zjarr dashurie të dëlirë. Ashtu që në një program të
tillë, tek të gjithë të zgjohet ndjenja për të shpëtuar një orë e më
parë nga kjo botë e vjetër, për t’u ulur pranë e pranë në sofrën
qiellore me Zotërinë e Zotërinjve, për të qenë ballë për ballë me Të.
Nëse në mevludin e kënduar nuk zgjohet një ndjenjë e tillë, nëse nuk
gjendet brenda tij një frymë e një shpirt i tillë, atëherë – sipas
shprehjes së të ndjerit Nurettin Topçu – vetëm sa i bëhet temena
gurmazit, që do të thotë se çështja trajtohet thjesht si një veçanti
kulturore. Prej këtyre fjalëve që po them, të mos mendohet se jam
kundër mevludit apo natës së mirë të mevludit. Unë dua vetëm të
shprehem kundër mungesës së dashurisë, të emocionit, të ndjenjës, të
pasionit.

Në fillim u mashtruam…

Së paku të mos mashtrohemi në fund!

Po, po. Fjala është për një rrezik të tillë, që ajo njohuri teorike në
fillim të punës, në vend që të na shërbejë si shkallë për të arritur te
një bekim e mirësi, të na kthehet në një të keqe e të na lidhet si
zinxhir, të na kapë e të na shtjerë në dorë dhe ne të ngushëllohemi me
këto formate të zbrazura e të thata. Duke parë tablonë aktuale, mund të
thuhet se krah për krah me njerëzit që e jetojnë Islamin me pastërti,
që thellohen në dëgjimin e gjërave që duhen dëgjuar, që gjithmonë
gufojnë e gurgullojnë porsi gurra pasioni e dashurie, shumë prej nesh
jemi porsi robër e pengje të asaj njohjeje teorike të fillimit. Fakti
që, pavarësisht moshës sonë të thyer dhe përvetësimit të aq shumë
njohurive teorike, ne ngushëllohemi ende me forma e formate të
ndryshme, a nuk është një tregues i qartë i kësaj? Shikoni, copëza kohe
të bekuara si netët e Regaibit, të Beraetit, të Kadrit, të Mevludit,
që, në thelb, janë afruese kah Allahu dhe përbëjnë nganjë rast të artë
për ta ndier veten sikur të kemi ardhur rishtazi në botë. Por ne, në më
të shumtën e rasteve, duke biseduar për cilësinë e të recituarit e të
të kënduarit në mekamet përkatëse, mjaftohemi vetëm me ngushëllimin e
të kaluarit të një nate të këndshme. Ndërkohë që në këto copëza të
bekuara kohe, nëse në marrëdhënien me Allahun dhe në nënshtrimin ndaj
Tij nuk arrin në një horizont njerëzor më të thellë se çdo thellësi,
atëherë njeriu vetëm sa vetëmashtrohet.

Të mashtrohesh në fillim është një gjë, e të mashtrohesh në fund është
tjetër gjë. Thelbi i çështjes është që, siç shprehet i Përnderuari Imam
Rabani, duke shkuar përtej e përtej e përtej, të vijojmë paprerë
përpara me mendimin e pamjaftueshmërisë, dhe duke thënë, “A s’ka edhe më, a s’ka edhe më, a s’ka edhe më?…”, të
ndizemi e të trazohemi prej një pasioni e dashurie të zjarrtë. E pra,
nëse nuk kapet një nivel i këtij lloji, atëherë është tejet e vështirë
të flitet për vazhdimësi e këmbëngulje. Natyrisht, nuk kemi të drejtë
që, duke thënë se “gjithçka rrjedh në zbrazëti” e shkon kot, të thyejmë
forcën shpirtërore të kurrkujt. Sepse mëshira e Allahut është shumë e
gjerë. Ai ka premtuar se madje edhe ata që vetëm sa kanë thënë ” La ilahe il’lallah Muhamedun Resulullah” do t’i çojë në
Parajsë.
[221]
Por kjo është një tjetër çështje; ajo çka është e nevojshme të bëhet,
është e drejtë e Tij, ndërsa detyra jonë, që të mos harrojmë dhe
kështu, të mos biem në mungesë respekti ndaj Tij, është një tjetër
çështje.

Kjo panoramë që na paraqitet, tregon se të gjithë ne, në një masë të
caktuar, kemi nevojë për riaftësim. Tabloja e Krenarisë Njerëzore, në
një hadith, urdhëron e thotë: “Ripërtërijeni besimin tuaj!” Sahabët e
nderuar e pyetën: “Si ta ripërtërijmë besimin tonë?” Ai urdhëroi e tha:
“Thuajeni shpesh fjalën La ilahe il’lallah!”
[222]

Po ashtu, besimin tonë mund ta ripërtërijmë me përsëritjen e këtyre të
vërtetave që janë shprehje e të njëjtit kuptim:

“Nuk ka tjetër të Synueshëm (Maksud) e tjetër të kërkuar (matlub).”

“Nuk ka tjetër të Dashur (mahbub) veç Allahut” “Nuk ka tjetër të Dashur
(mahbub) veç Allahut.”

Nga ana tjetër, Kurani Fisnik urdhëron e thotë “O ju që besuat,
ripërtërijeni besimin tuaj”:
[223]
Këtu, Zoti i Madhëruar, thotë duke iu drejtuar besimtarëve: “O ju që
besuat!” Siç shihet, shprehja është përdorur në kohën e shkuar. Dhe te
foljet, ripërtëritja është thelbësore. Nga ky këndvështrim, këtë
thirrje drejtuar besimtarëve duhat ta kuptojmë kështu: “O ju njerëz që
besoni duke përtërirë besimin tuaj!” Por krahas kësaj, Zoti i Madhëruar
vijon sërish me dhe urdhëron e thotë: “Sërish, besoni!”. Domethënë,
duhet që njeriu ta kontrollojë vazhdimisht besimin e vet, të kërkojë në
vazhdimësi nga vetja në lidhje me dijen dhe me dashurinë.

Tani, për mendimin tim, besimtarit nuk i shkon e nuk i ka hije që, edhe
pse itinerari i rrugës kërkon diçka, ai të gjejë ngushëllim në të tjera
gjëra dhe kështu, të bjerë kësodore në apati e në inerci. Ndërkohë,
Allahu (xh.xh.) na ka krijuar të gjallë dhe na ka pajisur me aftësi e
mundësi për të ruajtur gjithmonë gjallërinë tonë. Ndaj edhe ne, në
mirënjohje ndaj të gjitha këtyre mirësive, duhet të mbetemi gjithnjë të
gjallë, të bëjmë përpjekje serioze për të ruajtur gjallërinë dhe t’i
robërohemi Zotit tonë përherë me një shpirt të dëlirë e fisnik.


[220] Bediuzaman, Letrat f. 253-254. (Letra e Njëzetë, Hyrje).

[221] Shih: Buhari, Xhenaiz 1, Bed’u’l-halk 6, Libas 24; Muslim, Iman
153.

[222] Ahmed ibn Hanbel, El-Musned 2/359; Abd ibn Humejd, El-Musned f.
417.

[223] Nisa, 4/136.

Share:

More Posts

DIALOGU DHE SAKRIFICA

Pyetje: Transmetohet se imam Sharani i nderuar ka thënë: “Nëse qëndroj për një kohë të shkurtër pranë një njeriu që nuk fal namaz, nuk e ndiej namazin tim për dyzet ditë.” Mirëpo, për shkak të përgjegjësive tona shoqërore, ndodh shpesh që ne të jemi bashkë me njerëz nga më të ndryshmit. A ka ndikime negative…

Përmendja e Allahut dhe lutja

Miqtë e Zotit i kushtojnë shumë rëndësi përmendjes me uirde e dhikre të Allahut. (Lexojnë Kuran dhe lutje, përmendin Allahun) Ata thonë se leximi çdo ditë i një mase Kuran dhe përgjërimi Allahut me lutje janë tejet të rëndësishme për sa i përket lidhjes e marrëdhënies sonë me Allahun. “Çdo individ duhet të përcaktojë diçka…

Lutja

Të besosh te lutja
 
Te lutja thelbësore është të besosh te pranimi i saj dhe të kesh besim. Njeriu nuk duhet thjesht të hapë vetëm duart, por ai duhet të hapë edhe zemrën. Fjalitë që thuhen në lutjet që bëhen pas namazit të sabahut dhe atij të ikindisë janë të pranishme në Mexhmuatu’l-Ahdhab;[1] vetëm se janë…

Shpirti i vetëdedikimit

Sinqeriteti dhe vetëdedikimi
 
Ndryshe është mirësia e Allahut ndaj sinqeritetit. Njeriu duhet ta kalojë zemrën e tij në thjerrë çdo ditë, mandej t’u vihet punëve që ka për të bërë. Nuk duhet të përfshijë në punët e bëra për hir të kënaqësisë së Allahut asnjë punë tjetër, edhe në qoftë se ajo është e lejuar.
As të…

Brezi i Kuranit

Pyetje: Për kë është fjala, kur qëndrohet te ‘brezi i Kuranit’, që ndalemi herë-herë gjatë bisedave? Cilat janë detyrat e këtij brezi?
Brezi i Kuranit
Përgjigje: Brez të Kuranit quajmë atë brez që e ka kthyer dëshirën hyjnore mbi rruzullin tokësor në qëllim të vetëm, përfaqëson ashtu siç duhet çdo të vërtetë të Kuranit, i Cili do…

Detyra e arkitektëve të rizgjimit

Pas shumë prej problemeve të Islamit në ditët e sotme qëndrojnë myslimanët e formës, të cilët nuk e kanë fituar dot brenda vetes Islamin e vërtetë dhe nuk janë shkrirë dot me vetëdijen e sinqeritetit dhe mirësisë (ihsan[1]). Sjelljet e tyre, që bien ndesh me kriteret e vëna në pah nga Islami, mosnjohja e kufijve…

Ajo çfarë do Zoti është themelore

Njeriu që ka besim tek Allahu, përqafon fort vullnetin dhe bëhet njësh me urtësinë, nuk ka dyshim që në fund do të dalë medoemos fitimtar. Nëmos sot, nesër, nëse jo këtu, do të dalë fitimtar matanë. Mirëpo, ja që njeriu ka një natyrë të prirur nga ngutja dhe do që të gjitha gjërat e bukura…

Rruga e dobësisë dhe varfërisë

Si njerëz ne kemi punë dhe ngarkesa nga më të ndryshmet në përditshmërinë e jetës së tyre, bëjmë zgjedhje nga më të ndryshmet dhe nuk mund ta dimë nëse e kemi apo jo pëlqimin e Allahut të Madhërishëm në ato zgjedhje që bëjmë. Ndoshta, pa vetëdije ne mund të përfshijmë edhe egoizëm në mesin e…

Mesazhi i Fethullah Gylenit për fatkeqësinë e tërmetit në Turqi

Me shumë dhimbje mësova se shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë gjenden nën rrënoja, në pritje të shpëtimit, si pasojë e tërmetit me epiqendër në Kahramanmarash i shkallës 7.7 që ka prekur edhe qytetet tona të Hatajit, Adanasë, Gaziantepit, Mallatias, Kilisit, Adijamanit, Dijarbakërit, Shanllëurfas dhe Osmanijes, si dhe disa zona të Sirisë.  
 
U…

Llogaridhënia dhe kërkimi i faljes

Krenaria e Njerëzimit (s.a.s) thotë në një hadith të Tij: “Çdo njëri prej jush është bari dhe përgjegjës për të gjithë ata që ka nën kujdesin e tij.”[1] Sipas fjalëve të këtij hadithi, çdokush ka një hapësirë në të cilën është përgjegjës dhe do të japë llogari për përgjegjësitë e tij. Për shembull, ai që…

Send Us A Message