Horizonti i profetëve në përballjen me veten – 2

Home » Albanian (Shqip) » Veprat » Shtamba e Thyer » Horizonti i profetëve në përballjen me veten – 2

Horizonti i Profetit në përballjen me veten - 2

Edhe në jetën e të Kulluarit të Allahut (xh.xh.), Ademit (alejhis’selam),
si për nga koha, ashtu edhe për nga ekzistenca e tij, përballja e ashpër
përbrenda me veten dhe lidhja e fortë me Krijuesin janë të pandara nga
njëra-tjetra: të jetuarit përherë i drejtuar nga Allahu, duke i parë edhe
rrëshqitjet më të vogla si humbjen më të madhe, vajtimet e pareshtura,
shfaqja përherë e Tij përmes portave që i hapte Krijuesi në sytë e tij
largpamës dhe gjuha i thoshte veç Hu!..

Profeti Adem, barku i mbarë shpirtit njerëzor, që u krijua prej një “balte
të ardhur dhe një droçke lëngu” si përmbledhje e mbarë librit të universit,
i nderuar me privilegjin e të qenit kible për të gjithë engjëjt dhe
engjëllorët, u krijua nga bashkimi i materies, por si një krijesë e
ndërgjegjshme, dhe ishte babai fisnik dhe i lartësuar i mbarë botës
njerëzore, duke u nderuar edhe me titullin i Kulluari i Allahut… Fara e
gjithë brezares së profetëve që do t’i vinin me radhë, njëri pas tjetrit,
njerëzimit… bërthamë e gatshme për të dhënë fryte të mrekullueshme, ai
ishte një pasqyrë e shkëlqimi hyjnor, duke u krijuar si një krijesë e
krijuar në më të mirën e trajtjave, aq sa për t’ua kaluar edhe engjëjve.
Por, përveç se ishte pasqyra gjithëpërfshirëse në njëfarë dimensioni, me
strukturën e vet të brendshme dhe të jashtme ai ishte pasqyrë e shndritshme
e Zotëruesit të dijes së pafillimtë, Fuqisë së pashtershme dhe që nuk
buronte nga asfarë fuqie tjetër dhe Vullnetit vendimtar, ai ishte edhe
çelësi i thesareve të fshehta e të mistershme të Krijuesit të gjithësisë.
Vetëm me leximin mirë të anatomisë fizike dhe shpirtërore të tij do të mund
të bëheshin analiza për ta vënë përpara syve të njerëzve mrekullinë e
veprave, emrave, cilësive, gjendjeve dhe portave të Allahut, që është vëtë
Qashtërsia. Shpirtrat e përkushtuara që do ta lexonin dhe vlerësonin kështu
atë do të ecnin në një rrugë të gjerë e të drejtë që zgjatej gjer tek vetë
Allahu (xh.sh.), më i Drejti, pa ndjerë as lodhjen më të vogël, me qëllimin
e përhershëm të njohjes e dashurisë për Allahun dhe kënaqësinë shpirtërore
në kërkimin e Qenies së pashembullt. Ndërsa një varg të gjorësh për nga
fati, me zemrat të hapura ndaj çdo sinjali djallëzor, do të pengoheshin
rrugëve e nuk do të bënin dot përpara, e kështu ndodhi përgjatë gjithë
historisë.

Të gjithë bijtë e Ademit, nganjëherë do t’i rrihnin flatrat, duke e
përdorur vullnetin e tyre, për të shkuar drejt më të mirës së shkallëve,
saqë do t’i bënin edhe engjëjt që t’i kishin zili, e nganjëherë do të
zilepsnin djallin në rrokullisjen e rënies së thepisur më poshtë edhe se
kafshët. Te të mëdhenjtë kjo do të shfaqej si një rrëzim dhe ndotje e
vogël; zemrat do t’u kishin ngelur të hapura, sadopak, ndaj djallit dhe
rëniet e tyre do të kumbonin si heshtje të forta për njerëzit që gjendeshin
poshtë tyre. Dhe kështu ndodhi. Të mëdha apo të vogla, rrëzimet kanë qenë
pjesë e fatit njerëzor që prej atyre ditëve e gjer më sot; poende, edhe
këndej e tutje do të ketë njerëz të privuar nga zemra.

E thënë me fjalët e Mehmet Akifit, “

Natyra e tij ishte më e lartë edhe se e engjëjve; tek ai gjendej e
shprehur më së miri edhe gjendja jonë, të përfshira në të ishin mbarë
botët,”

mirëpo edhe atij do t’i ndodhte që të përballej me pengesa që donin t’ia
ndotnin zemrën. Por duke qenë se gabimi i tij ishte thjesht një belbëzim në
gjykim, thjesht i zbriste shpërblimi nga dy në një. Ishte sërish për t’u
shpërblyer. Në fakt, edhe shkaku pse ai u prir për t’ia zgjatur dorën atyre
gjërave të mallkuara, ishte se nuk e përcaktoi dot kohën e duhur të çeljes
së atij iftari; e për këtë Zoti e qortoi atë ashtu siç qortohen ata që ke
më pranë vetes. Ndërsa, nga ana tjetër, nga shndërrimet e forta që i
ndodhën brenda shpirtit, ai nuk e kuptoi se po shtyhej për të dhënë sa e sa
fryte të tjera aq të bekuara. Siç e thoshte imami i Allvarit: “ Urtësia e pemës së vërtetë, ishte Muhamedi që do të vinte!” Por
këto nuk ishte edhe aq e lehtë që t’i shpjegoheshin Ademit. Kësisoj Ai e
përjetoi shumë fort këtë rrëzim, ndaj edhe vajtoi gjatë gjithë jetës me
ndjenjën se kishte kundërshtuar Krijuesin e tij, që e donte aq shumë.

Po, kjo zemër kaq e afërt me Allahun, vuajti aq shumë nga një ndjenjë e
thellë dhe e fortë frike dhe ndrojtjeje karshi Allahut, saqë do të bëhej e
pamundur për zemrën që ta duronte. Gjatë gjithë jetës jetoi me kokën të
përkulur përpara; nga ndjenja e turpit që e kish kapluar nuk e ngrinte
kokën dot drejt qiellit, mirëpo zemra i thoshte veç: “

Zoti ynë! Ne i bëmë padrejtësi vetes sonë; nëse nuk na pranon në
thellësitë e dëshirës Sate për të falur, e të na pastrosh me bujarinë
Tënde, ne do të jemi ndër të humburit.”

[1]


Shihni se ç’ndjeshmëri e fortë dhe e thellë për t’u përballur me vetveten
dhe për të ruajtur lidhjen me Allahun (xh.xh.)! Ç’është kjo gjendje
shpirtërore, me këtë maturi dhe gatishmëri kaq të thellë përballë Allahut
(xh.xh.)!..

Mirëpo ka edhe diçka tjetër që na transmetohet nga disa burime të dobëta,
që ia qetësonte pak plagët e zemrës: Një ditë prej ditësh, ai i ngriti
duart dhe filloi t’i lutej Allahut (xh.xh.): “

O Zot! Falmë mua për hir të të Dashurit Tënd të Mirë, Muhamedit të
nderuar!

” Dhe për këtë, nga shkallët më të larta qiellore i pati ardhur një zë
frymëzues në shpirt, që i thosh: “Nga e njeh ti Atë?”, ndërsa
përgjigja e të Qashtrit të Allahut pati qenë: “

Kur më nxorën nga Xheneti, unë u ktheva dhe e pashë portën nga dola;
mbi të ish mbishkruar “Lailahe il’lallah Muhammedun Resulullah”; duke
parë se ky emër qëndronte i pandarë prej emrit të Allahut, mendova se
Ai duhet të ketë një vend shumë të veçantë pranë Jush, ndaj edhe
gjykova që ta përdor emrin e Tij si ndërmjetës për gjendjen ku kam
rënë, që Ju të më falni.

” Sulejman Çelebiu, ia thotë kështu, në mënyrë poetike, kësaj situate, në
poemën e tij “Ku bashkohet mundësia me domosdoshmërinë”: “Të bëra pasqyrë
të vetes Sime/emrin pranë emrit Tënd ta shkrova.” Zaten do të falej; por me
këtë përpëlitje të fundit, po e siguronte përfundimisht.

Ja, kështu është përballur me veten babai i krejt njerëzimit, duke vajtuar
përherë me fjalët: “O Zot, ne i bëmë padrejtësi vetes!”. Nuk e di, a na
thonë ndonjë gjë neve kjo sjellje, kjo maturi dhe kjo gatishmëri për t’u
përballur me veten?!. Nëse jo, atëherë kjo do të jetë ashiqare se ne jemi
kthyer në disa qenie të pandërgjegjshme, të cilat kanë mbetur nën rrënojat
e trupit…

Një tjetër fytyrë e rrallë e brezares së smeraldtë të profetëve është edhe
Nuhu (alejhis’selam), ai që e kalonte çdo çast të jetës në lutje Allahut
(xh.xh.). Ky personalitet madhështor, për vite e vite me radhë vrapoi gjatë
gjithë jetës me një frymë vetëm e vetëm që populli i tij të afrohej me
Allahun (xh.xh.) dhe t’i besonin Atij. Për këtë nuk mbeti fyerje pa u
hedhur në emrin e tij, mori sa e sa kërcënime, mirëpo ai nuk u bezdis dhe
nuk u ndrydh për asnjë çast, por vazhdoi që të thoshte veç “Allahu”. Mirëpo
as fanatikët e mohimit nuk qëndronin duarbosh; e bënin në çdo rast objekt
talljeje atë dhe një grusht njerëzish që qëndronin pranë tij. Përpiqeshin
që t’i largonin njerëzit prej tij. Mirëpo asnjë prej këtyre sjelljeve të
ndyra nuk e largonte atë nga thirrja e shpirtit; krejt e kundërta, atë e
kaplonte një ekzaltim metafizik edhe më i thellë, që ta kryente
përgjegjësinë e profetësisë që i ishte ngarkuar në një dimension edhe më
gjithëpërfshirës, me një vendosmëri edhe më të fortë, duke ia treguar çdo
gjë që ndiente Allahut, sepse donte që t’ia bënte edhe Atij të ditur
gjithçka që ndodhte. Dhe, përveç se për këtë flitet gjerësisht në shumë
sure të Kuranit Famëlartë, kjo jetë e veçantë është rrëfyer e përmbledhur
më gjerësisht dhe më qartë në suren e madhe Nuh.

Zëri i tij ishte përherë i vuajtur… por nuk kishte as pritmërinë më të
vogël për ato që bënte, duke shfaqur një shpirt të rrallë të dedikuar
Allahut (xh.xh.). Dhe ja se si na e paraqet Kurani ndjenjën e tij: “

Unë nuk dua asnjë shpërblim për këtë shërbim që u bëj njerëzve, se
shpërblimi im është Zoti i botëve.



[2]

Ja, këto fjalë thoshte dhe shfaqi një sjellje aq të pastër të sinqeritetit
dhe të mospritmërisë, saqë kjo mbeti një veti e padiskutueshme dhe kusht
parësor për të gjithë ata që duan të ecin në udhën e çelur prej profetëve.

Po, i Dedikuari Allahut, e përdori gjithë përgatitjen shpirtërore të tij,
atë mençurinë e tij të thellë dhe zgjuarsinë që i karakterizon profetët nga
njerëzit e tjerë si argumentin më të fortë për t’i thirrur njerëzit drejt
Allahut, më të Drejtit, duke mos pasur as pritshmërinë më të vogël përveç
të qenit i dashur prej Allahut (xh.sh.); nuk pati, por u përball edhe me
gjithfarë fyerjesh e përndjekjesh nga njerëzit; nuk u lëkund asnjëherë edhe
përballë sjelljeve më të ulëta. Mendjen, gjuhën dhe buzët i kishte gjatë
gjithë kohës të zëna me dëshirën për t’u mësuar diçka njerëzve, e në të
njëjtën kohë, zemra i përpëlitej nga ndrojtja dhe frika prej Allahut
(xh.xh.), se mos bënte diçka të pahijshme që do të dëmtonte marrëdhënien e
tij me Të. Kur e pa se as vuajtjet e as vajtimet nuk i sillnin ndonjë dobi
në ato çfarë donte të arrinte me njerëzit, ia la ato Allahut (xh.xh.) që
t’i gjykonte dhe tha “le ta gjejnë prej Zotit atë që kërkojnë”, ndërsa
vetë, me urdhrin e Allahut vendosi të ndërtonte një varkë. Sa e sa fyerje e
tallje që nuk u gjehej dot as filli e as fundi; nëpërkëmbje të pareshtura.

Derisa, një ditë, erdhi çasti i paralajmëruar dhe fatkeqësia trokiti në
dyert e atij populli… çdo anë u përmbyt nga ujërat që rridhnin litar prej
qiellit dhe dilnin me revan nga të çarat e tokës… nuk mbeti asgjë pa u
mbytur, madje mes tyre qe edhe djali i tij. Por edhe në atë kohë, me zemrën
e një babai, ai u lut: “O Zot! Edhe ai ishte nga të mitë dhe ishte premtimi yt!”

[3]


Ndërsa Allahu (xh.xh.) i iu përgjigj:

“O Nuh, ai nuk ishte nga familja jote, sepse ai nuk deshi që të ishte
një ndër të drejtët; andaj mos më kërko diçka për të cilën nuk zotëron
dije të mjaftueshme; po të këshilloj, që të mos jesh nga ata që nuk e
dinë.”

[4]


Dhe i Dedikuari Allahut, ashtu siç i kish hije atij, iu përgjigj: “

O Zot! Unë veç te Ti mund të kërkoj ndihmë nëse të kërkoj diçka për të
cilën nuk di asjgë; nëse nuk tregohesh Ti i mëshirshëm me mua e të më
falësh, unë do të jem nga të humburit.



[5]

Ja pra se si i qe drejtuar Allahut (xh.xh.), edhe njëherë, për t’u
përballur edhe me veten me ndihmën e Allahut, pavarësisht se bëhej fjalë
për të birin.

Kështu kanë vepruar gjithnjë robërit besnikë dhe përmendoret e njerëzimit
që e kanë kthyer në pjesë të natyrës së tyre bindjen ndaj urdhrit hyjnor
dhe dorëzimin e plotë karshi tij, kanë frymuar menjëherë drejtimin Allahut
në ndjenjat dhe mendimet e tyre për çdo gabim që mund të kenë bërë në
gjykim, duke bërë një jetë edhe më të përkorë për ato gjëra që i kanë
menduar apo kanë bërë dhe kanë menduar se nuk shkojnë me horizontin kah i
cili kanë parë. Ah sikur të gjendej edhe te ne një e njëmijëta e këtij
mendimi kaq të epërm dhe e kësaj përballjeje me veten!..

Ma merr mendja, se po të na e hapë Zoti pak largpamësinë e të na falë me
mirësinë e Tij një ndjenjë më të thellë për t’u përballur me vetveten, do
ta shohim se sa larg janë gjërat që themi nga ato që bëjmë dhe do të na
përkulen trupat më dysh nga turpi. Por ç’e do! I kemi të mbyllura portat e
zemrës për ta kuptuar këtë vetëdije dhe këtë botëkuptim! I kemi të mbyllura
dhe të parët vetëm të vetes na pengon që t’i shohim ato gjëra që janë për
t’u parë! Ja, edhe tani kushedi se ç’na duket vetja, se ditkemi disa gjëra.
Madje ka edhe ca të tjerë që pandehein se dinë gjithçka dhe shesin mend nga
mëngjesi deri në muzg me këtë, por që nuk dinë asgjë prej gjërave që janë
për t’u ditur, e shohin botën nga lart, mbyten vetë dhe përpiqen që t’i
mbysin edhe masat e pavetëdijshme. Allahu (xh.sh.) u faltë këtyre
mbeturinave njerëzore largpamësinë e nevojshme për të dalë prej injorancës
së shumëfishtë në të cilën rropaten më kotë, që të largohen nga kafshërorja
që i ka mbërthyer, të dalin nga kontrolli i plotë i trupores dhe t’i
drejtohen jetës së zemrës dhe shpirtit. Amin!..


Ky artikull botohet këtu i rimarrë prej shkrimit hapës të revistës
“Çağlayan”, numri i muajit mars. Tema e tij është vijimësi e shkrimit hapës
për numrin e muajit shkurt të kësaj reviste, të cilin mund ta gjeni të
botuar në gjuhën shqipe përmes lidhjes:
Horizonti i profetëve në përballjen me veten – 1




[1]

Araf, 7/23.


[2]

Shuara, 26/109.


[3]

Hud, 11/45.


[4]

Po aty, 11/46.


[5]

Po aty, 11/47.

Share:

More Posts

DIALOGU DHE SAKRIFICA

Pyetje: Transmetohet se imam Sharani i nderuar ka thënë: “Nëse qëndroj për një kohë të shkurtër pranë një njeriu që nuk fal namaz, nuk e ndiej namazin tim për dyzet ditë.” Mirëpo, për shkak të përgjegjësive tona shoqërore, ndodh shpesh që ne të jemi bashkë me njerëz nga më të ndryshmit. A ka ndikime negative…

Përmendja e Allahut dhe lutja

Miqtë e Zotit i kushtojnë shumë rëndësi përmendjes me uirde e dhikre të Allahut. (Lexojnë Kuran dhe lutje, përmendin Allahun) Ata thonë se leximi çdo ditë i një mase Kuran dhe përgjërimi Allahut me lutje janë tejet të rëndësishme për sa i përket lidhjes e marrëdhënies sonë me Allahun. “Çdo individ duhet të përcaktojë diçka…

Lutja

Të besosh te lutja
 
Te lutja thelbësore është të besosh te pranimi i saj dhe të kesh besim. Njeriu nuk duhet thjesht të hapë vetëm duart, por ai duhet të hapë edhe zemrën. Fjalitë që thuhen në lutjet që bëhen pas namazit të sabahut dhe atij të ikindisë janë të pranishme në Mexhmuatu’l-Ahdhab;[1] vetëm se janë…

Shpirti i vetëdedikimit

Sinqeriteti dhe vetëdedikimi
 
Ndryshe është mirësia e Allahut ndaj sinqeritetit. Njeriu duhet ta kalojë zemrën e tij në thjerrë çdo ditë, mandej t’u vihet punëve që ka për të bërë. Nuk duhet të përfshijë në punët e bëra për hir të kënaqësisë së Allahut asnjë punë tjetër, edhe në qoftë se ajo është e lejuar.
As të…

Brezi i Kuranit

Pyetje: Për kë është fjala, kur qëndrohet te ‘brezi i Kuranit’, që ndalemi herë-herë gjatë bisedave? Cilat janë detyrat e këtij brezi?
Brezi i Kuranit
Përgjigje: Brez të Kuranit quajmë atë brez që e ka kthyer dëshirën hyjnore mbi rruzullin tokësor në qëllim të vetëm, përfaqëson ashtu siç duhet çdo të vërtetë të Kuranit, i Cili do…

Detyra e arkitektëve të rizgjimit

Pas shumë prej problemeve të Islamit në ditët e sotme qëndrojnë myslimanët e formës, të cilët nuk e kanë fituar dot brenda vetes Islamin e vërtetë dhe nuk janë shkrirë dot me vetëdijen e sinqeritetit dhe mirësisë (ihsan[1]). Sjelljet e tyre, që bien ndesh me kriteret e vëna në pah nga Islami, mosnjohja e kufijve…

Ajo çfarë do Zoti është themelore

Njeriu që ka besim tek Allahu, përqafon fort vullnetin dhe bëhet njësh me urtësinë, nuk ka dyshim që në fund do të dalë medoemos fitimtar. Nëmos sot, nesër, nëse jo këtu, do të dalë fitimtar matanë. Mirëpo, ja që njeriu ka një natyrë të prirur nga ngutja dhe do që të gjitha gjërat e bukura…

Rruga e dobësisë dhe varfërisë

Si njerëz ne kemi punë dhe ngarkesa nga më të ndryshmet në përditshmërinë e jetës së tyre, bëjmë zgjedhje nga më të ndryshmet dhe nuk mund ta dimë nëse e kemi apo jo pëlqimin e Allahut të Madhërishëm në ato zgjedhje që bëjmë. Ndoshta, pa vetëdije ne mund të përfshijmë edhe egoizëm në mesin e…

Mesazhi i Fethullah Gylenit për fatkeqësinë e tërmetit në Turqi

Me shumë dhimbje mësova se shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë gjenden nën rrënoja, në pritje të shpëtimit, si pasojë e tërmetit me epiqendër në Kahramanmarash i shkallës 7.7 që ka prekur edhe qytetet tona të Hatajit, Adanasë, Gaziantepit, Mallatias, Kilisit, Adijamanit, Dijarbakërit, Shanllëurfas dhe Osmanijes, si dhe disa zona të Sirisë.  
 
U…

Llogaridhënia dhe kërkimi i faljes

Krenaria e Njerëzimit (s.a.s) thotë në një hadith të Tij: “Çdo njëri prej jush është bari dhe përgjegjës për të gjithë ata që ka nën kujdesin e tij.”[1] Sipas fjalëve të këtij hadithi, çdokush ka një hapësirë në të cilën është përgjegjës dhe do të japë llogari për përgjegjësitë e tij. Për shembull, ai që…

Send Us A Message