Horizonti i Profetit në përballjen me veten – 1

Home » Albanian (Shqip) » Veprat » Shtamba e Thyer » Horizonti i Profetit në përballjen me veten – 1

Horizonti i Profetit në përballjen me veten - 1

E kapërcen horizontin tonë përballja e tyre me Allahun… përballja me
veten… dhe përgjërimi i tyre plot maturi përballë portës së Allahut,
pavarësisht pafajësisë së tyre të pastër. Nuk ka hapësirë që ta nxërë
thellësinë e tyre madhështore… ndjenja e tyre e përgjegjësisë dhe
frikës… lutjet e tyre gjithë zjarr të brendshëm drejtuar largësive të
afërme dhe melodia e qashtër e zemrave të tyre. Me fjalët tona, të cilat
janë veç pikla të një oqeani dhe grimca të thërrmuara të çastit të parë të
agimit, është shumë e vështirë që të mund të paraqesim dhe të vlerësojmë se
si ngarendnin të pastruarit nga çdo e metë, se cili ishte mendimi që i
vinte në lëvizje, për të vrapuar nga njëri shteg i pastrimit në tjetrit,
përmes pendesës, shpresës dhe pritjes së çlirimit vetëmse prej Allahut
(xh.sh.), përveçse duke pasur si mbështetje kryesore dorën e mëshirës
hyjnore. Por, prapëseprapë, nëse duhet që ne t’i shohim ata dhe të vijmë
vetë në vete, edhe pse do të ishte paksa e guximshme, besoj se është e
domosdoshme që t’i themi disa fjalë për horizontin e tyre. Ma merr mendja
se do të bënim gjënë më të duhur nëse do ta mbyllnim këtë paragraf me
dëshirën që “Allahu (xh.sh.) të na falë edhe neve qoftë edhe një pikël prej
ndjeshmërisë së tyre madhështore!”

Mes atij brezi të smeraldtë prekja dhe përgjërimi i parë i zemrës, ai që
saherë kujtohet veç me ngazëllim, ishte rrjedhojë e padiskutueshme e
caktimit të një çasti të çeljes së iftarit. Veçanërisht nuk po e quaj
gabim, sepse do t’i vijë edhe kësaj koha, që të ndalemi e të përpiqemi ta
kuptojmë – inshaallah. Edhe pse fjalët që Krijuesi mund të përdorë për
robërit e Tij mund të jenë shkas për respekt të ndërsjellë mes Zotit dhe
robit të Tij, neve na takon që të flasim dhe të mendojmë veç me respekt dhe
me maturi për ata “shpirtra të zgjedhura”.

Kësisoj, në krye të të gjithë atyre vjen Ai që erdhi në fund por ishte në
krye të të gjithëve, dua që ta nis, duke thënë “Edhe njëherë Bismil’lah”,
me Zbuluesin e të fshehtës së urtësisë së ekzistencës së botës, që
ekzistonte përpara çdo gjëje tjetër në planin e dijes hyjnore, kurora e
gjithë banorëve të tokës dhe të qiellit, i cili, me mesazhet e Tij
universale u bë udhërrëfyes i mbarë njerëzimit… krenaria e banorëve të
krejt hapësirës, Ai që vështirë t’ia gjesh shokun dhe që të gjithë, për
breza me radhë, e thërrisnin si Mbret i profetëve… Ai që të gjithë e
shihnin si më i dallueshmi në mes të krijesave të krijuara prej
Krijuesit… rrezet e dritës dhe ndikimi i të Cilit gjente çdoherë,
medoemos, hapësirë për të ndjellë besim ndër zemrat e hapura… të Ciin të
gjithë e përkujtonin me cilësinë e të qenit maja më e lartë e botës fizike
dhe shpirtërore… para të Cilit nuk mund të gjeje dot një njeri tjetër që
t’i bartte aq denjësisht sa ai cilsitë e qashtërsisë, ndershmërisë,
besnikërisë, besimit, zgjuarsisë dhe aftësisë për t’i udhëzuar njerëzit
drejt së drejtës… që me fjalët e një miku të së drejtës, nderohej me të
tilla fjalë:


“Pasqyrë është kjo botë, ku çdo gjë prej Allahut ekziston,

Ndaj veç Allahun prej pasqyrës së Muhamedit shikon.”

Atë që të gjithë, pa përjashtim dhe pa kurrfarë paragjykimi ishte zbuluesi
i vetëm i të vërtetave të Allahut që është një i Vetëm dhe që nuk ka nevojë
për asgjë tjetër, ashtu siç çdo gjë ka nevojë për Të, si rrjedhojë e
cilësive qiellore të rrugës në të cilën ecte Ai… dhe të Atij që çdokush e
lavdëronte se ishte gjuha më e kuptueshme e “të Vërtetës së të
vërtetave”… por që prapëseprapë vijonte të ecte nëpër rrugën e natyrshme
të Tij, atë të thjeshtësisë dhe ndrojtjes përballë Allahut (xh.sh.)… një
hero i zgjedhjes së të tjerëve përpara vetes, që i dha lamtumirën e
përkohshme edhe takimit më të madh për një njeri, vetëm e vetëm për ta
përhapur në çdo zemër të vërtetën e Allahut (xh.xh.)… duke ia kaluar edhe
engjëjve; një natyrë e pazakontë, përmendore e pashembullt.

Pavarësisht gjithë këtyre virtyteve dhe kësaj thellësie shpirtërore, mendja
ta kërkon që të mendosh, “pse, përse?”, kur shikon shqetësimin, lutjet dhe
përgjërimet që Ai i bënte Krijuesit të Tij, por Ai e pati jetuar çdo çast
të jetës vetëmse i lidhur fort pas Zotit të Tij dhe me një vetëdije shumë
të fortë të të qenit nën vështrimin e Allahut, duke shpërfaqur tablonë më
të madhe të të ndierit të vetes aq thellësisht rob të Tij. Tani, edhe pse
përmbledhtazi, do të doja që të thoshim disa fjalë për Të.

Edhe pse arsyeja e pastër e kërkon që këtë temë ta nisim që prej Ademit
(a.s.), i cili quhej ndryshe edhe si “Safij’jullah” – I Pastri i Allahut –
zemra na thotë që të themi “edhe njëherë bismil’lah” me Atë që ishte edhe
arsyeja e krijimit të gjithësisë, sikur të ishim duke kërkuar edhe njëherë
shpëtim. Sepse, para së gjithash, edhe pse Ai erdhi në fund të të gjithëve,
Ai ishte përherë në krye dhe prijës. E gjithë grada e profetësisë për Të qe
krijuar dhe kompozuar, edhe pse e patën vendosur që të vinte i fundit, si
përmbyllje, si një rimë në fundin e asaj melodie madhështore. Me të i qe
vënë pika këtij misioni kaq të qenësishëm.

Po, në një kuptim Ai ishte i pari, ndrësa në një tjetër Ai ishte i fundmi.
Para së gjithash, me trupin e vet të shndritshëm, Ai ishte drita: “Gjëja e
parë që krijoi Allahu ka qenë nuri im.” Ja ky ishte nderimi që i bënte
Allahu Atij.Dhe ja se si do të thoshte vetë një ditë: “Edhe kur Ademi
(a.s.) ishte një përfaqësues i Allahut në tokë dhe kudo, unë isha Profet!”
Kështu do të thoshte dhe do t’i vinte pikën misterit të të qenit i pari dhe
i fundit njëkohësisht.

Andaj edhe, të nisur nga ky privilegj i mistershëm, duam që t’ia nisim
kësaj brezareje të smeraldtë me atë shpirt të lartësuar që ishte i drejtuar
veç nga Allahu (xh.sh.) në çdo grimëçast të jetës së Tij, edhe pse këtë
mund ta bëjmë veçse me disa fjali.

Ai nuk e pati bujtur dhe nuk e pati lejuar kurrë gabimin, as në imagjinatën
dhe ëndrrat e Tij. Sepse ky shpirt i veçantë i dashuruar pas Allahut, që
është më i Drejti, edhe kur shtrihej për të pushuar në gjumë, i cili është
edhe vëllai i vdekjes në njëfarë mënyre – se edhe gjumin Ai e kishte që
flinte me zemrën të zgjuar e vetëm sa mbyllte qepallat e syve. – i hapte
velat drejt asaj bote duke përsëritur këto ajete dhe sure të Kuranit,
përkthimin e fjalëpërfjalshëm të të cilave po e japim këtu: “O Zoti ynë!
Nëse kemi gabuar – se çfarë quante gabim Ai! – mos na mbaj mëri e mos na
ndëshko. O Zoti ynë! Mos na ngarko edhe ne barrë të rënda si ato që u
ngarkove atyre që erdhën para nesh. Zoti ynë! E mos na mbaj përgjegjës për
ato gjëra që ne e kemi të vështirë që t’i përballojmë!.. Falna ne dhe të
metat tona – nuk e di se ç’quante të metë Ai! – Ti je Zoti ynë; vetëm Ti
mund të na vish në ndihmë, ndaj ndihmona ne kundër mosbesimtarëve!”

[1]

O Shpirt i Lartë dhe i Qashtër! Nëse kjo qasje dhe lutje e tillë është për
t’u tërhequr vëmendjen mendjemëdhenjve të kapluar nga megalomania, ne do të
të themi “të dëgjojmë dhe të bindemi!”, do t’i quajmë udhëzime
këto vuajtje të Tuat dhe t’i përulemi ekzistencës sate të shndritshme sa
hëna. Por nëse ato janë thënë për Ty, atëherë nuk na mbetet asgjë tjetër
pos mbylljes së syve dhe të veshëve dhe le të zhytemi në përballjen e
heshtur me veten; zhytemi sepse Ty të quanin “Besniku” edhe armiqtë më të
paepur që vlonin nga mllefi dhe urrejtja karshi Teje; e mbanin gojën, duke
i vënë kyçin gjuhës, kur flitej për ndershmërinë, ndrojtjen dhe pastërtinë
tënde dhe edhe pse për pak çaste u reshtnin së dali hungërima nga gojët. A
sikur të mund të më arrinte zëri deri aty ku gjendesh Ti, o Prijës i denjë
– më pengon egoja që t’ia dal mbanë – o i Dashuri ynë! Na thuaj, për hir të
dashurisë për Allahun (xh.xh.), ç’janë këto vajtime dhe përgjërime të
matura më shumë se maturia, mister që i përket vetëm atyre që janë më afër
se afërsia me Krijuesin tonë, apo ndonjë urdhëresë e tërthortë për ne, që
të tregohemi shumë të kujdesshëm?!.

Nuk e di, ç’fshihet pas delikatesës dhe ndjeshmërisë kaq të thellë të Tij;
a ishte vallë një qasje e Allahut (xh.xh.) e tipit “ Ti nuk je i tillë, por Unë e thashë çfarë kisha për të thënë! kur
i thoshte:

“Ne ta zbritëm ty këtë libër si vetë e vërteta, që të veprosh dhe të
vendosësh mbi njerëzit ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe të mos u
dalësh në mbrojtje atyre që kanë tradhtuar; andaj eja kërko falje prej
Allahut, sepse Ai është Falës, Mëshirues.”

[2]


Apo mos ka qenë që “ po i them atij, në mënyrë që ju pas tij; ju të tjerët ta dini!”
Mirëpo ky zë pati jehuar si një fyell në shpirtin e Tij më delikat edhe se
vetë delikatesa. Nuk kish dyshim se shpirti i bekuar i Tij kishte ndierë e
kishte kuptuar të njëjtat gjëra që i kishin pushtuar shpirtin kur thoshte “ Mua më plaku sureja Hud.” apo kur dëgjojnë fjalën e patëmetë që e
urdhëronte: “Ji më se i drejtë, siç të është urdhëruar!”

[3]

O Shpirt i Lartësuar! Që gjithë shpirtrat tona të qofshin falë!.. Gjithë
jetën e pate jetuar me një modesti dhe respekt që qëndronte shumë shkallë
më lart se drejtësia; mirëpo Ti ia mveshe vetes atë urdhër hyjnor, ndaj
edhe ngashëreheshe në lot aq shumë. Kur ato fjalë ishin për ne; por ne nuk
i kuptuam dot dhe nuk u dogjëm dot ashtu siç u dogje Ti. Ah sikur të mund
ta kishim kuptuar, qoftë edhe njëherë të vetme, se edhe ne jemi përgjegjës
dhe të ngarkuar për t’iu bindur atyre gjërave që dukej sikur të
urdhëroheshin Ty! Është shumë e hidhur; e çuam gjithë jetën të mbytur në
përhumbje, duke mos i përdorur asnjëherë pozitat tona në të njëjtën
rezonancë me qëllimin e krijimit të tyre.

O Nderi i qenies njerëzore dhe Krijesa më e vyer e gjithësisë! Na fal!
Gjithë jetën pandehëm se ecnim pas Teje, mirëpo veçse qenkemi përpjekur më
kot këmbadorazi, duke e çuar jetën dëm shumë larg Teje. Kur t’i drejtohesh
mihrabit Tënd të përjetshëm, përgjëroju Allahut (xh.sh.) edhe njëherë për
këto shpirtra të ngrata, duke iu lutur Atij që t’ua mbushë zemrat me Islam
edhe këtyre të hutuarve që kanë humbur rrugën!.. Lutju, që Allahu të na
bëjë edhe ne prej njerëzve të vërtetë!..




[1]

Bakara, 2/286.


[2]

Nisa, 4/105-106.


[3]

Hud, 11/112.

Share:

More Posts

DIALOGU DHE SAKRIFICA

Pyetje: Transmetohet se imam Sharani i nderuar ka thënë: “Nëse qëndroj për një kohë të shkurtër pranë një njeriu që nuk fal namaz, nuk e ndiej namazin tim për dyzet ditë.” Mirëpo, për shkak të përgjegjësive tona shoqërore, ndodh shpesh që ne të jemi bashkë me njerëz nga më të ndryshmit. A ka ndikime negative…

Përmendja e Allahut dhe lutja

Miqtë e Zotit i kushtojnë shumë rëndësi përmendjes me uirde e dhikre të Allahut. (Lexojnë Kuran dhe lutje, përmendin Allahun) Ata thonë se leximi çdo ditë i një mase Kuran dhe përgjërimi Allahut me lutje janë tejet të rëndësishme për sa i përket lidhjes e marrëdhënies sonë me Allahun. “Çdo individ duhet të përcaktojë diçka…

Lutja

Të besosh te lutja
 
Te lutja thelbësore është të besosh te pranimi i saj dhe të kesh besim. Njeriu nuk duhet thjesht të hapë vetëm duart, por ai duhet të hapë edhe zemrën. Fjalitë që thuhen në lutjet që bëhen pas namazit të sabahut dhe atij të ikindisë janë të pranishme në Mexhmuatu’l-Ahdhab;[1] vetëm se janë…

Shpirti i vetëdedikimit

Sinqeriteti dhe vetëdedikimi
 
Ndryshe është mirësia e Allahut ndaj sinqeritetit. Njeriu duhet ta kalojë zemrën e tij në thjerrë çdo ditë, mandej t’u vihet punëve që ka për të bërë. Nuk duhet të përfshijë në punët e bëra për hir të kënaqësisë së Allahut asnjë punë tjetër, edhe në qoftë se ajo është e lejuar.
As të…

Brezi i Kuranit

Pyetje: Për kë është fjala, kur qëndrohet te ‘brezi i Kuranit’, që ndalemi herë-herë gjatë bisedave? Cilat janë detyrat e këtij brezi?
Brezi i Kuranit
Përgjigje: Brez të Kuranit quajmë atë brez që e ka kthyer dëshirën hyjnore mbi rruzullin tokësor në qëllim të vetëm, përfaqëson ashtu siç duhet çdo të vërtetë të Kuranit, i Cili do…

Detyra e arkitektëve të rizgjimit

Pas shumë prej problemeve të Islamit në ditët e sotme qëndrojnë myslimanët e formës, të cilët nuk e kanë fituar dot brenda vetes Islamin e vërtetë dhe nuk janë shkrirë dot me vetëdijen e sinqeritetit dhe mirësisë (ihsan[1]). Sjelljet e tyre, që bien ndesh me kriteret e vëna në pah nga Islami, mosnjohja e kufijve…

Ajo çfarë do Zoti është themelore

Njeriu që ka besim tek Allahu, përqafon fort vullnetin dhe bëhet njësh me urtësinë, nuk ka dyshim që në fund do të dalë medoemos fitimtar. Nëmos sot, nesër, nëse jo këtu, do të dalë fitimtar matanë. Mirëpo, ja që njeriu ka një natyrë të prirur nga ngutja dhe do që të gjitha gjërat e bukura…

Rruga e dobësisë dhe varfërisë

Si njerëz ne kemi punë dhe ngarkesa nga më të ndryshmet në përditshmërinë e jetës së tyre, bëjmë zgjedhje nga më të ndryshmet dhe nuk mund ta dimë nëse e kemi apo jo pëlqimin e Allahut të Madhërishëm në ato zgjedhje që bëjmë. Ndoshta, pa vetëdije ne mund të përfshijmë edhe egoizëm në mesin e…

Mesazhi i Fethullah Gylenit për fatkeqësinë e tërmetit në Turqi

Me shumë dhimbje mësova se shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë gjenden nën rrënoja, në pritje të shpëtimit, si pasojë e tërmetit me epiqendër në Kahramanmarash i shkallës 7.7 që ka prekur edhe qytetet tona të Hatajit, Adanasë, Gaziantepit, Mallatias, Kilisit, Adijamanit, Dijarbakërit, Shanllëurfas dhe Osmanijes, si dhe disa zona të Sirisë.  
 
U…

Llogaridhënia dhe kërkimi i faljes

Krenaria e Njerëzimit (s.a.s) thotë në një hadith të Tij: “Çdo njëri prej jush është bari dhe përgjegjës për të gjithë ata që ka nën kujdesin e tij.”[1] Sipas fjalëve të këtij hadithi, çdokush ka një hapësirë në të cilën është përgjegjës dhe do të japë llogari për përgjegjësitë e tij. Për shembull, ai që…

Send Us A Message