EGOJA, DJALLI DHE MIDISËSIT

Home » Albanian (Shqip) » Veprat » Udhëtim qëllimi të epërm » EGOJA, DJALLI DHE MIDISËSIT

EGOJA, DJALLI DHE MIDISËSIT



Pyetje: Në Kuranin Fisnik, flitet për një njeri, që megjithëse i
janë dhënë shpalljet për të gjetur rrugën e së drejtës dhe të
vërtetës, u kthen atyre shpinën për t’iu bindur djallit, derisa një
ditë kthehet në një prej të azdisurve, me pak fjalë një njeri
fatkeq.



[195]



Cilat mund të jenë shkaqet, që njeri, ndërsa është duke ecur në
rrugën e së drejtës, të përfundojë në një gjendje kaq të
pikëllueshme?

Përgjigje:
Një prej shkaqeve kryesore që një njeri devijon në një tjetër anë prej
rrugës së drejtë është harresa e të qenit të kësaj jete një vend provimi,
dhe të çdo ngjarjeje me të cilën përballesh, një sprovë; përveç harresës,
me kalimin e kohës të mashtrohet prej gënjeshtrave të djallit. Njeriu është
gjithnjë përballë djallit, i cili nga njëra anë gjendet përherë me ne
nëpërmjet mekanizmit të egos, e nga ana tjetër ne nuk e dimë se si, ku dhe
në ç’kohë do të na shfaqet për të na mashtruar. Në më të shumtën e kohës,
këta armiq të njeriut, u afrohen atij me pamjen e një miku të përdëllyer,
duke ia treguar të drejtën të shtrembër, të shëmtuarën të bukur, dhe atë më
kalimtaren dhe të pavërtetën si të vërtetë të pandryshueshme, derisa në
fund mund ta mashtrojnë përfundimisht. Njeriu, në mënyrë që të mos bjerë
pre e këtyre mashtrimeve, duhet të jetë përherë i zgjuar karshi tyre. Në të
kundërt, edhe një çast i kaluar në topitje, mund ta shpjerë njeriun drejt
hapësirash të atilla, që e kanë rikthimin mbrapsht të pamundur.

Ndërsa, përsa i përket anës së egos dhe trupores sonë, të gjitha bukuritë
tërheqëse të kësaj bote, mund t’i shihni si materiale, të cilat djalli
mashtrues na i shpërfaq në trajtën e iluzioneve. Po, djalli, porsi një
armik i paepur dhe mashtrues, ia tregon njeriut si të pranueshme dhe të
pëlqyeshme edhe gjërat më të pamundura dhe të papëlqyeshme. Mirëpo, ç’e do
se, sipas ajetit

“ka aq shumë gjëra që ju nuk i pëlqeni, por që për ju mund të jenë të
hairit. Dhe ka aq shumë gjëra që i vlerësoni si të hairit, por për ju
mund të jenë të këqija. Allahu i di, kurse ju nuk e dini.”

[196]


, disa gjëra që mund të na vijnë qejfit, për nga pasojat dhe përfundimet
mund të jenë vetë helmi. Me fjalë të tjera, mjaltin e helmatisur që ndërsa
në fillim hidhet në gojë mund të na duket si gjëja më e ëmbël, nga pas e
ndjek një dhimbje e tmerrshme barku. Njëkohësisht ka disa gjëra me të cilat
përballen njerëzit, që në pamje të jashtme duken të hidhura dhe
shqetësimndjellëse, mirëpo kur e përballoni vuajtjen dhe hidhërimin e tyre,
arrini jo vetëm t’i përballoni, por edhe të gjeni prehje në to. Për
shembull, djalli përpiqet që t’jua tregojë juve si shumë të thellë një hauz
ujërash të freskëta që mund të gjenden pranë shtëpisë tuaj. Mirëpo ju, kur
e shihni të tërë çështjen me një zemër, mendje dhe ndjenja të qeta; e pasi
ta shihni dhe të hyni brenda saj, do të shihni se uji nuk ju mbulon as
këmbën plotësisht; përkundrazi, me atë thellësi që ka vetëm sa ju pastron,
duke ju shërbyer sakaq vetëm për mirë. Ndërsa nga njëra anë djalli mundohet
t’ju tërheqë juve brenda gjërave negative me gjithfarë iluzionesh negative,
nga ana tjetër, mundohet t’ju pengojë për të kryer punë të mira, me
iluzione që në pamje të jashtme ngjajnë të jenë pozitive. Sepse ai, me
fjalët e Kuranit, është zbukurues

[197]

dhe stolisës

[198]

i të gjitha gjërave të shëmtuara, derisa t’i kthen ato në gjëra të dashura.
Me një fjalë, ai rreket që t’ua tregojë njerëzve të gjitha mëkatet si të
bukura.

Ai gjurmon çdo rast të volitshëm për t’iu afruar njeriut

Po, djalli, i cili është armiku më i paepur për njeriun, rrëmon përherë për
të gjetur mangësitë e njeriut, duke bërë të gjitha përllogaritjet se nga
cila pikë do të jetë më e përshtatshme për ta goditur; i përdor më së miri
dobësitë, si të llojit të epshit, frikës, dëshirës për post, rehatisë dhe
turlifarë rendjesh pas interesave personale, dhe me të gjetur çastin e
volitshëm, i pengon ata që të rrëzohen rrokapjekthi.

Kurani Fisnik e shpreh me këto fjalë urrejtjen dhe mllefin që djalli ndjen
karshi njeriut:

“Ngase Ti më nxore nga vetja e më bëre të ngre krye, atëherë edhe unë
do të mundohem përherë vetëm si e si të mashtroj robërit e Tu; do t’u
ngre atyre prita, e pastaj, njëherë nga e djathta, njëherë nga e majta,
njëherë nga pas, dhe ndonjëherë nga para, do të mundohem që t’u hyj në
mes tyre, kështu që Ti shumicën e tyre do t’i shohësh si
jofalënderues.”

[199]

Ponjësoj, edhe në suren Sad, me fjalët,

“Betohem në krenarinë Tënde që unë do t’i nxjerr ata prej rrugës së
drejtë.”

[200]


, shprehet urrejtja dhe haseti i pakufishëm që ndjen djalli karshi njeriut.
Dhe duke i pasur parasysh edhe shprehjet e tjera të Kuranit në lidhje me
këtë çështje, mund të themi, se të gjitha këto ndotje, rrëshqitje dhe rënie
të njeriut, që e bëjnë atë të vërvitet sa andej këndej, me sjellje krejt të
pahijshme karshi Allahut, kanë nga pas tyre shtysat dhe mashtrimet e
djallit.

Ai që mjaftohet me të pranishmen, vetëmashtrohet
.

Padyshim, i gjendur përballë një armiku kaq të paepur, njeriu duhet të
gjendet përherë nën mbrojtjen dhe ombrellën e mbrojtjes së Allahut, në
mënyrë që ta mbajë të palëkundur kështjellën e tij të besimit, dhe për të
mos mbetur midisës, por edhe për t’u bërë pjesë e atyre që u drejtohet
sihariqi, u duhet që t’i përforcojë mendimet, arsyetimet dhe logjikën e tij
nën dritën e fjalëve kuranore,

“Në fakt, ata që i kanë besuar Allahut, dhe janë mbështetur tek Ai, nuk
kanë mundësi se si të sulmohen prej djallit.”

[201]


Me fjalë të tjera, ai që mjaftohet me ato që i përfton mjedisi i tij
kulturor përreth, e që nuk i kthen në pjesë të natyrës së tij vlerat në të
cilat beson, asisoj që nuk mund ta kthejë dot besimin e tij në atë të
vërtetin mandej, është e pamundur që të mos ndikohet prej kurtheve të
djallit. Ja, ajo që shprehet edhe në pyetje, këta njerëz që nuk e kanë të
mirëpërcaktuar, mbartin një gjendje, e cila në fjalët e Kuranit Fisnik,
shprehet kësimënyre:

“Tregoju atyre edhe rrëfenjën për atë të paturpin që ne ia bëmë të
ditura urdhrat tona; tregoja që pavarësisht dijes që zotëronte, ai doli
jashtë rrethit të kuptimit të shpalljeve. Sakaq, djalli e bëri atë si
veten, duke e bërë t’i bindej fjalëve të tij. E ai i shkoi nga pas,
duke u bërë një prej kryengritësve.”

[202]

Kurani tregon këtu pikërisht aventurën e jetës së njeriut, që duhet marrë
si mësim prej të gjithëve. Asisoj, që do ta bëjë njeriun që t’i hapë mirë
sytë dhe veshët, që do ta bëjë gjuhën t’i flasë drejtë, e kësodore,
megjithë mrekullitë dhe thagmat që mund t’i jenë falur atij, ai sërish
qëndron i larguar prej tyre. Domethënë, se ky njeri i ngratë, megjithëse
mund të ketë arritur shumë gjëra, prapëseprapë nuk e ka përcaktuar dot
pozicionin e tij, duke mos i ngulur dot këmbët mirë në tokë, për të thënë
mandej se nuk ka shpëtuar dot prej rolit të midisësit. Me pak fjalë, ai,
megjithëse mund të ketë lindur në një vend pozitiv, ato pjesë të kulturës
që i janë dhënë prej mjedisit përreth, ai nuk ka arritur t’i ktheje në
natyrë të tij. Ky njeri që mund të quhet edhe bjerrës i trashëgimisë së tij
kulturore, nuk e ka përforcuar me përpjekjet dhe orvatjet e tij, ndonjëherë
duke mos vuajtur ashtu siç duhet mbi to, e ndonjëherë tjetër duke mos e
përdorur siç duhet vullnetin e tij, ngelet në rrugë të madhe, për të mos
thënë pastaj që bëhet nga humbësit. Sipas fjalëve të disa komentuesve, që
atyre njerëzve, as njohja e emrave të mëdhenj dhe sekreteve të lartësisë
dhe zotërimit të Allahut nuk i kanë vlejtur. Sepse, ngase këto dije nuk
kishin zënë vend siç duhej në të, nuk mund t’i përkisnin atij. Nga ky
këndvështrim, nëse një njeri nuk i restauron mendimet që i kanë buruar prej
të parëve të tij, për ta kontrolluar edhe njëherë vlefshmërinë e dijeve dhe
mendimeve që ai zotëron, atëherë djalli ka për t’i hedhur atij përherë
shigjeta të mashtrimit dhe dyshimit; ka për t’i hedhur derisa t’ia ndotë si
mendimet, ashtu edhe mendjen.

Pareshtur bisedë e përshpirtshme

Kurani Fisnik e shpreh kështu mandej gjendjen e atij njeriut që nuk ka
shpëtuar dot prej të qenit midisës.

“Nëse do të donim, Ne e nxirrnim atë prej vendit ku gjendej, sajë
shpalljeve Tona. Mirëpo ai u zhyt në tokë, duke iu bindur dëshirave të
tij.”

[203]


Kështu që, ai, duke rendur pas dëshirave, epsheve, dëshirës për post, për
rehati e për gjithfarë gjërash të ngjashme, harroi se ç’kishte mbi vete
ishin prej Allahut. Dhe, pasi harroi të gjitha këto, u bë edhe vetë prej të
harruarve.

Ndërsa, më tej, thuhet kështu:

“Gjendja e tij ngjan kryekëput me gjendjen e qenit: Edhe po t’i shkosh
pas, nxjerr gjuhën dhe jargavitet; edhe po ta lësh në kokë të vet,
prapë gjuhën nxjerr dhe jargavitet!”

[204]


Ndërsa, disa ajete më tutje, ngase thuhet,

“…ata janë si kafshët, madje edhe më të çoroditur.”

[205]

,

kjo tregon se gjendja e tyre është diçka më poshtë edhe se kafshët.

Siç e vini re, njeriu që është krijuar si një krijesë krejt fisnike, e që
është pretendente për të arritur veç ndër maja, që nganjëherë vjen në një
gjendje ku edhe engjëjt i zilosen, kur rrëzohet, nuk rrëzohet thjesht mbi
një sipërfaqet të rrafshët, por në një hon që nuk i duket fundi. Me pak
fjalë, kur kthehet në një rob të dëshirave të tij, duke u kthyer në një
gjendje më poshtë se kafshët. Dhe ndërsa shprehet gjendja e këtij njeriu në
fjalën e Allahut, në Kuran, për shkak të stilit të fisëm të ligjërimit
kuranor, gjuha tërhiqet një hap pas, aq sa gjendja e këtij njeriu vetëm sa
gjasmohet me gjendjen e kafshës.

Si rrjedhojë, nëse njeriu nuk ecën i vendosur në rrugën në të cilën është
duke ecur, duke mos i përgatitur të gjitha pajisjet e tij për një ecje në
këtë rrugë; nëse nuk gjendet gjithnjë në përpjekje të vullnetshme për ta
përmirësuar dhe rifreskuar veten e tij, duke mos e përfreskuar gjendjen e
tij me fjalën

“Përfreskojeni besimin tuaj duke thënë “La ilahe il’lallah!””

[206]


(Shih: Tirmidhiu, el-Hakim, Neuadiru’l usul, 2/204), ka gjasa që të
pengohet përfundimisht në njërën prej këtyre pengesave. Kësimënyre, njeriu,
në mënyrë që t’i kapërcejë të gjitha këto pengesa, e për të mbërritur
paqtazi në synimin e tij, duhet ta shtojë vullnetshëm përpjekjen për ta
përforcuar besimin, duke thurur rreth tij mure me bedena të pamposhtshme,
të cilat ngrihen nëpërmjet punëve të mira, e bisedave të përshpirtshme, të
pandërprera asnjëherë, në mënyrë që të ushqejnë shpirtin dhe zemrën në
mënyrë të pareshtur.


[195]

Shih: A’raf, 7/175.


[196]

Bakara, 2/216.


[197]

Shih: Muhamed, 47/25.


[198]

Shih: En’am, 6/43; Enfal, 8/48; Nahl, 16/63; Neml, 27/24; Ankebut,
29/38.


[199]

A’raf, 7/16-17.


[200]

Sad, 38/82.


[201]

Nahl, 16/99.


[202]

A’raf, 7/175.


[203]

Po aty, 176.


[204]

Po aty.


[205]

Po aty.


[206]

El-Hakim et-Tirmidhi, Neuadiru’l-usul, 2/204. Veç këtyre,
për hadithe të tjera, po me të njëjtën përmbajtje, shih: Ahmed bin
Hanbel, el-Musned, 2/359; Abd ibn Humejd, el-Musned, 1/417.

Share:

More Posts

DIALOGU DHE SAKRIFICA

Pyetje: Transmetohet se imam Sharani i nderuar ka thënë: “Nëse qëndroj për një kohë të shkurtër pranë një njeriu që nuk fal namaz, nuk e ndiej namazin tim për dyzet ditë.” Mirëpo, për shkak të përgjegjësive tona shoqërore, ndodh shpesh që ne të jemi bashkë me njerëz nga më të ndryshmit. A ka ndikime negative…

Përmendja e Allahut dhe lutja

Miqtë e Zotit i kushtojnë shumë rëndësi përmendjes me uirde e dhikre të Allahut. (Lexojnë Kuran dhe lutje, përmendin Allahun) Ata thonë se leximi çdo ditë i një mase Kuran dhe përgjërimi Allahut me lutje janë tejet të rëndësishme për sa i përket lidhjes e marrëdhënies sonë me Allahun. “Çdo individ duhet të përcaktojë diçka…

Lutja

Të besosh te lutja
 
Te lutja thelbësore është të besosh te pranimi i saj dhe të kesh besim. Njeriu nuk duhet thjesht të hapë vetëm duart, por ai duhet të hapë edhe zemrën. Fjalitë që thuhen në lutjet që bëhen pas namazit të sabahut dhe atij të ikindisë janë të pranishme në Mexhmuatu’l-Ahdhab;[1] vetëm se janë…

Shpirti i vetëdedikimit

Sinqeriteti dhe vetëdedikimi
 
Ndryshe është mirësia e Allahut ndaj sinqeritetit. Njeriu duhet ta kalojë zemrën e tij në thjerrë çdo ditë, mandej t’u vihet punëve që ka për të bërë. Nuk duhet të përfshijë në punët e bëra për hir të kënaqësisë së Allahut asnjë punë tjetër, edhe në qoftë se ajo është e lejuar.
As të…

Brezi i Kuranit

Pyetje: Për kë është fjala, kur qëndrohet te ‘brezi i Kuranit’, që ndalemi herë-herë gjatë bisedave? Cilat janë detyrat e këtij brezi?
Brezi i Kuranit
Përgjigje: Brez të Kuranit quajmë atë brez që e ka kthyer dëshirën hyjnore mbi rruzullin tokësor në qëllim të vetëm, përfaqëson ashtu siç duhet çdo të vërtetë të Kuranit, i Cili do…

Detyra e arkitektëve të rizgjimit

Pas shumë prej problemeve të Islamit në ditët e sotme qëndrojnë myslimanët e formës, të cilët nuk e kanë fituar dot brenda vetes Islamin e vërtetë dhe nuk janë shkrirë dot me vetëdijen e sinqeritetit dhe mirësisë (ihsan[1]). Sjelljet e tyre, që bien ndesh me kriteret e vëna në pah nga Islami, mosnjohja e kufijve…

Ajo çfarë do Zoti është themelore

Njeriu që ka besim tek Allahu, përqafon fort vullnetin dhe bëhet njësh me urtësinë, nuk ka dyshim që në fund do të dalë medoemos fitimtar. Nëmos sot, nesër, nëse jo këtu, do të dalë fitimtar matanë. Mirëpo, ja që njeriu ka një natyrë të prirur nga ngutja dhe do që të gjitha gjërat e bukura…

Rruga e dobësisë dhe varfërisë

Si njerëz ne kemi punë dhe ngarkesa nga më të ndryshmet në përditshmërinë e jetës së tyre, bëjmë zgjedhje nga më të ndryshmet dhe nuk mund ta dimë nëse e kemi apo jo pëlqimin e Allahut të Madhërishëm në ato zgjedhje që bëjmë. Ndoshta, pa vetëdije ne mund të përfshijmë edhe egoizëm në mesin e…

Mesazhi i Fethullah Gylenit për fatkeqësinë e tërmetit në Turqi

Me shumë dhimbje mësova se shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë gjenden nën rrënoja, në pritje të shpëtimit, si pasojë e tërmetit me epiqendër në Kahramanmarash i shkallës 7.7 që ka prekur edhe qytetet tona të Hatajit, Adanasë, Gaziantepit, Mallatias, Kilisit, Adijamanit, Dijarbakërit, Shanllëurfas dhe Osmanijes, si dhe disa zona të Sirisë.  
 
U…

Llogaridhënia dhe kërkimi i faljes

Krenaria e Njerëzimit (s.a.s) thotë në një hadith të Tij: “Çdo njëri prej jush është bari dhe përgjegjës për të gjithë ata që ka nën kujdesin e tij.”[1] Sipas fjalëve të këtij hadithi, çdokush ka një hapësirë në të cilën është përgjegjës dhe do të japë llogari për përgjegjësitë e tij. Për shembull, ai që…

Send Us A Message