
Pyetje: Është një e vërtetë, që për njeriun ka shumë gjëra që e
sprovojnë. Cilat janë ato që jo mendoni se i sprovojnë më keqazi
zemrat që besojnë në këto ditë tonat?
Përgjigje:
Allahu i sprovon vazhdimisht njerëzit gjatë jetës së tyre sipas ligjeve të
Tij hyjnorë. Kështu që, ashtu siç ndahet qymyri prej smeraldit, apo ari
prej dheut dhe gurit, edhe Ai ndan prej tyre të pjekurit nga të papjekurit,
e të pastrën nga jo e tilla. Njëkohësisht, çdo sprovë më vete është një
përvojë ku ne mund të tregojmë veten. Domethënë, Allahu i Lartësuar, që e
njeh vlerën tonë që në krye të herës, kërkon njëfarësoj që të na sprovojë
se deri ku do të përballojmë, cili do të jetë reagimi ynë përballë
fatkeqësive që mund t’ia behin, ku do të durojmë e ku do të devijojmë, ku
do të shtrëngojmë dhëmbët për të duruar, e ku do të shfaqim sjellje të
natyrës kritikuese ndaj kaderit. Kësisoj, sprovat që na dalin përballë,
janë nga një fare “ja sheshi, ja mejdani! Tregoni gjithsecili vlerën tuaj.”
Edhe Junus Emre e ka thënë: “Kjo rrugë është e largët, me fusha shumë, e pa
një shteg, por me ujëra të thella.”, e me këto fjalë ka shprehur të
vërtetën e padyshimtë, se njerëzit do të heqin paksa nga kjo botë, do të
kalojnë nëpër pengesa nga më të ndryshmet, derisa të shkrihen siç shkrihet
hekuri në furrënalta.
Vështirësia e sprovimit sipas madhësisë së synimeve
Në suren Bakara thuhet:
“Me të vërtetë që Ne ju sprovojmë juve me pak frikë, uri, pakësim të
pasurisë, të njerëzve dhe të prodhimeve për t’ju provuar. (O Profet)
jepu sihariq durimtarëve.”
[188]
, duke u shprehur e vërteta se njeriu do të përballet me shumë sprova gjatë
jetës së tij, por për t’u dhënë sihariq, janë ata që do të durojnë. Sipas
kësaj, ashtu siç adhurimet ia ngrenë gradën njeriut, edhe sprovat që mund
të quhen nga një lloj adhurimi i pësuar, e pastrojnë njeriun prej mëkateve,
për ta ngritur mandej drejt majave më të larta dhe madhështore. Kësodore,
detyra që i bie mbi supe çdo besimtari përballë sprovimeve të vazhdueshme
nga ana e Allahut, është që të bëjë durim; përpos kësaj, duhet ta shohë
këtë si një mundësi për t’u përballur me veten, në mënyrë që të bëjë
përllogaritjet nëse ka treguar apo jo një gjendje të mirë.
Meqë edhe vështirësia apo vuajtja qenkan po aq të rëndësishme sa edhe
shpërblimi dhe mirësitë, edhe sprovimi i një personi që kërkon të ngjitet
majave më të larta, poaq i vështirë ka për të qenë, gjithnjë në raport me
vlerën dhe madhështinë e synimit. Për shembull, të biesh dëshmor duke
fluturuar drejt një tjetër horizonti jete, është një arritje shumë e madhe.
Mirëpo, një arritje e tillë është e lidhur me luftimin, plagosjen, e
nganjëherë edhe me sakrifikimin e jetës në rrugën e Allahut. Kështu që, një
njeri që i ka vendosur vetes një synim të këtillë, duke u përpjekur që t’i
realizojë një më një të gjitha kërkesat që të parashtron kjo lloj rruge,
cilatdo qofshin fatkeqësitë apo vuajtjet që mund t’i dalin përballë, ai
duhet të dijë si të durojë; të mund të jetojë pavarësisht vetvetes.
Nëse doni, në këtë pikë mund t’i vini pak veshin fjalëve të të nderuarit
Said Nursi, i cili shprehet:
“Përgjatë tetëdhjetë viteve të jetës time nuk di të kem jetuar asgjë në
emër të kënaqësive të kësaj bote; jeta më ka kaluar veç në fushat e
betejës, qelitë e burgimit e në shumë vende të tjera vuajtjesh. Nuk
ngeli më dhimbje pa jetuar, e as ashpërsi pa provuar. Nga gjyqet
ushtarake pashë veç sjellje torturuese; u internova trevë më trevë
sikur të isha një rrugaç. E në të gjitha vendet e internimit m’u ndalua
të takoja edhe njerëzit. Më helmuan disa herë, e gjithaq më fyen. Pati
herë të atilla, që më tepër desha të vdisja se të jetoja. E nëse nuk do
të ishte feja ime që më pengonte prej vetëvrasjes, ndoshta sot Saidi do
të ishte duke u tretur nën dhe.”
[189]
Derisa ky njeri kaq i lartë ka pasur të këtilla vuajtje, atëherë edhe
Allahu duhet ta ketë ngritur deri në shkallët e përsosmërisë njerëzore. E
ne nuk mund ta dimë, nëse Allahu, me vuajtjet dhe me durimin që ai tregoi,
me lejen, mirësinë, bujarinë dhe dashurinë e Tij, të ketë dashur që të na i
lërë atë neve si një dritë prijëse.
Ka edhe nga ata që ngelen në rrugë…
Njeriu që e ka të gjithë jetën të mbushur veç me sprova të vendosura në
zinxhir njëra pas tjetrës, nuk sprovohet vetëm nëpërmjet problemeve apo
fatkeqësive. Atij mund t’i ndodhë diç e atillë edhe duke iu falur
vazhdimisht suksese apo mirësi, të cilat mund të jenë si materiale ashtu
edhe shpirtërore. Po, njeriu gjatë jetës së tij, do të kalojë nëpër vende
dhe hapësira të atilla, që disa syresh mund ta bëjnë që t’i vijë mendja
vërdallë, disa poste apo pozicione, – Zot na ruaj – do ta bëjnë atë, që
ndoshta t’i rrëshqasë këmba, e kësodore, të gjitha viruset apo mikrobet e
këtilla, do të vihen në radhë që t’i sulmojnë botën shpirtërore. Kjo do të
thotë, se njeriu andejpari, ndonjëherë do të sprovohet nëpërmjet rehatisë,
ndonjëherë me famën, e diku me postin apo pozitën, apo edhe me veç
duartrokitjet.
Imam Gazaliu, i rrëfen me një shembull të gjitha këto lloje sprovash:
Njeriu niset me një vendosmëri të pashoqe për të mbërritur në Xhenet.
Kërkon të shkojë, sepse që më parë, atij i kanë folur për bukuritë
marramendëse të atij vendi. Mirëpo, ndërsa gjatë rrugëtimit sheh ujërat që
rrjedhin me atë zhurmërimën e tyre të ëmbël, e gjethet e pemëve duke
shushuritur, cicërimat e zogjve dhe freskinë e mundshme, që është formuar
gjithaq, ai vendos që të qëndrojë aty, duke e harruar fare vendin për ku
ishte nisur. Saora, ndërton aty një kolibe të vogël, pasi ka vendosur që të
jetojë aty.
Në fakt, ky shembull e shpreh në mënyrën më të qartë aventurën e rrugëtimit
jetësor të qenies njerëzore. Ju mund t’i mendoni edhe me trajta të tjera
ato bukuritë që mund të tërheqin vëmendjen e njeriut. Domethënë, njeriu,
përveç egoizmit apo prirjes për të jetuar një jetë të zhytur veç në rehati,
mund të mbërthehet edhe prej shumë gjërave të tjera tërheqëse. Mirëpo, pa u
kapërcyer këto vende, nuk mund të mbërrihet në Xhenet, apo tek Allahu.
Ambicia për pasuri
Njëra prej sprovave më të rëndësishme, me të cilën mund të përballet njeriu
është edhe dëshira për pasuri dhe zotërim. Madje, mund të thuhet, se kjo ka
qenë edhe mashtrimi më i madh që mund të ketë rënë pre njeriu. I Dërguari i
Allahut (s.a.s.), në një hadith shprehet:
“Edhe sikur një luginë të tërë me flori të kishte i biri i Ademit,
prapë do të kërkonte edhe një të dytë, pasi gojën e tij nuk mund ta
ngopë asgjë tjetër veç dheut. Vetëm se e vërteta është se Allahu e
pranon pendesën e atyre që pendohen.”
[190]
Të kërkosh sa vjen e më shumë me një ambicie të pashtershme, duke u
përpjekur për të zotëruar biznese dhe korporata të mëdha, madje edhe të
marrësh edhe atë që i përket një tjetri është një çështje që përbën dobësi
për shumë prej njerëzish. Madje, në shumicën e ngatërresave dhe problemeve
që ngjasin mes njerëzve lindin prej një rivaliteti të tillë interesash.
Muhjidin ibni Arabiu, njëherë, kur pati rënë pre i sulmeve në Siri, godet
me këmbë në tokë, duke u thënë disave: “Ja, shihni se si e kam marrë nën
këmbët e mia hyjninë që ju aq shumë e adhuroni.” Nganjëherë, këto fjalë
janë munduar t’ia interpretojnë edhe si njëfarë devijimi mohues. Mirëpo,
shpirti i lartë e dinte se bashkëbiseduesit e tij ishin dhënë pas parasë
porsi Karuni, madje edhe kishin filluar që ta adhuronin atë. Ndërsa, se ajo
që po shkel ai me këmbë është toka, e cila fsheh një thesar tejet të madh.
Fatkeqësisht, që sot është një e vërtetë, shumë e shumë njerëz vdesin për
hir të kësaj gjëje. Mund të gjeni pafund njerëz të dhënë pas parasë, e cila
u nis me një “sa të ble një shtëpi”, e pastaj shkon drejt “t’i blej edhe
djalit një shtëpi, pastaj edhe një për vajzën, por edhe nipi/mbesa duhet të
ketë një vilë të bukur…” Madje mund të njihni edhe njerëz përkushtuar
shërbimit, të cilat janë kapur mandej pas pasurisë deri në nivel përuljeje
para saj. Asisoj prej këtyre, që edhe rrogën që u jepet nuk e shohin si të
mjaftueshme, por lënë pas dore shërbime jetësore për të ardhmen e kombit
dhe shtetit të tij, e sakaq largohen prej rrugës së të parëve të tyre, për
të hyrë në rrugën e njerëzve të kësaj bote.
Varësia prej epshit
Një tjetër sprovë e vështirë e kohëve tona është edhe varësia prej epshit.
Një bela si kjo, përveç se ka qenë një sprovë tejet e vështirë gjatë gjithë
historisë, sot është kthyer një ndër problemet më serioze.
Mevlana tregon një rrëfenjë në lidhje me dobësinë e epshit, ku vendos
djallin, i cili i drejtohet dhe i flet Allahut (xh.xh.) me një gjuhë që nuk
i ka aspak hije. Në Kuran dhe Sunet jepen disa prej shprehjeve të pahijshme
dhe demagogjike që përdor djalli. Mirëpo, ndryshe prej tyre, Mevlana këtu
tregon diçka tjetër: Djalli, i drejtohet Allahut duke i thënë se Ai e ka
poshtëruar, duke e çuar drejt humbjes së hidhur. Aty për aty i kërkon Atij
që të paktën të mund ta përdorë kundër njerëzve, pasi ai do të mund t’i
nxjerrë ata prej rrugës, nëse Ai do t’u jepte disa mundësi. Allahu i jep
atij pasurinë, postin dhe famën. Mirëpo ai nuk kënaqet me asnjërën prej
tyre. Atëherë Allahu (xh.xh.) i thotë se mund t’i japë mundësinë që të
përdorë mashkullin për femrën, e femrën për mashkullin, gjë e cila e kënaq
jashtë mase djallin, duke e bërë që të fluturojë prej gëzimit.
[191]
Megjithëse mund të mos gjendet në burimet kryesore, më e rëndësishmja për
ne është e vërteta që shpreh kjo histori. Po, për disa natyra njerëzore,
epshi është sprova më e vështirë. Kjo e vërtetë mund të lidhet edhe me një
hadith:
“Xhehenemi është i mbështjellë prej epshit, ndërsa Xheneti me
vështirësi dhe gjëra që nuk i pëlqejnë egos së njeriut.”
[192]
(Buhari, rikak, 8; Muslim, xhenet, 1) Po, përkundër Xhenetit, që për të
shkuar tek ai ka rrugë të gjata, me fusha pa fund, ujëra të pakapërcyeshëm,
rruga e Xhehenemit është e mbushur me të ngrëna, të pira dhe rehati prej
dembelësh, duke plotësuar çdo kërkesë të egos. Njeriu që mbërthehet prej
këtyre, pa e kuptuar asfare, fillon të zvarritet sa vjen e më poshtë.
Dëshira për famë
Të rendësh pas pozitave, posteve dhe gradave, duke i lidhur të gjitha punët
e kryera me vlerësimin e tyre, janë disa prej sprovave që shumë prej
njerëzve i kanë humbur. Ajo që Said Nursiu në veprën “Gjashtë sulmet e
djallit” e cilëson si dashuria për famë
[193]
, e në veprën “Mesnevi Nuriye” e përngjason me mjaltin e helmatisur
[194]
, është një prej dobësive ku mund të pengohet çdo person, ku nuk duhet
harruar asnjëherë, se një njeri që mendon se do ta mbartë deri matanë
budallallëkun e famës (atë të llojit në varrimin tim të ketë sa më shumë
pjesëmarrës), mund të bëjë çdo gjë në këtë botë derisa t’ia arrijë dëshirës
së tij për famë.
Zoti na mbrojttë prej rënies në një boshllëk të këtillë vrasës, e na bëftë
të mundur që të ecim drejt botës tjetër me vizën e besimit dhe me një
vetëdije të thellë besimi se cilido qoftë veprimi ynë, duhet kryer duke
menduar se aty është edhe Allahu, e nëse nuk e shohim ne Allahun, Ai është
duke na parë ne.
[188]
Bakara, 2/155.
[189]
Bediuzaman Said Nursi, Jetëshkrimi, fq. 610 (Analizat).
[190]
Buhari, rikak, 10; Muslim, zekat, 116, 119.
[191]
Shih: Mevlana, Mesnevi, 5/47.
[192]
Buhari, rikak, 28; Muslim, xhenet, 1.
[193]
Shih: Bediuzaman Said Nursi, Letrat, fq. 465 (Letra e
Njëzetenëntë, Gjashtë sulmet e mëdha).
[194]
Shih: Bediuzaman Said Nursi, Mesnevi e dritës, fq. 73
(Shtojca e piklës).