Paria e shoqërisë dhe pushtimi i zemrave

Home » Albanian (Shqip) » Veprat » Ideali për të jetësuar » Paria e shoqërisë dhe pushtimi i zemrave

Paria e shoqërisë dhe pushtimi i zemrave

Pyetje: Çfarë rruge e mënyre komunikimi duhet ndjekur për t’u përçuar
vlerat njerëzore atyre bashkëbiseduesve që, duke marrë parasysh hollësi
si vendin ku jetojnë, ushqimin që konsumojnë, automjetin që përdorin
etj., e shohin veten në një pozitë më të ndryshme e më të lartë?

Përgjigje: Edhe në vendin tonë, sikurse ndodh rëndom në çdo skaj të
botës, ekziston një mendësi që vlerëson duke marrë si bazë fuqitë dhe
mundësitë materiale, që nuk sheh kurrkënd tjetër veç vetvetes, që synon
ta skicojë botën sipas ëndjeve e dëshirave egoiste dhe që i sheh të
tjerët me një sy nënvlerësues e qesëndisës. Kjo mendësi, madje, e ka
ruajtur gjithmonë ekzistencën e saj thuajse në çdo kohë në rrjedhën e
historisë dhe, me shumë gjasë, edhe në të ardhmen do të vazhdojë të
ekzistojë. Por krahas kësaj, duhet të dimë se ky koncept, që mund ta
quajmë sistem kaste, jo gjithmonë ka sunduar fatin e njerëzimit dhe në
periudha të caktuara është rrudhur e ka humbur forcë, duke u kufizuar
në një hapësirë të ngushtë; ndaj edhe nuk ka mundur ta shfrytëzojë e ta
robërojë shoqërinë në vargonj. Dhe duke qenë se nuk ka gjetur hapësirë,
një mendësi e tillë nuk ka infektuar apo nuk ka mundur të infektojë çdo
anë të shoqërisë.

Ndërkohë, duhet pohuar se këtyre anëve negative që shfaqen, nuk duhet
t’u krijojmë mundësinë që, kundrejt zvetënimeve e zemëratave të
mendësisë oligarkike, të çojnë në mizori e në përdorim të dhunës dhe
që, sapo t’u krijohet mundësia, të shtienë në dorë të gjitha hapësirat.
Nga njëra anë, duhet ta pranojmë si një të vërtetë të hidhur se
njerëzit që duhej t’i dilnin për zot së vërtetës kanë rënë në
shkujdesje, shkarje, mungesë të llogaridhënies e të planifikimit dhe
kjo ka shkaktuar një përfundim të tillë. Sepse pa e merituar e pa e
pasur hak, kurrkush nuk shtypet nën sundimin e atyre mizorëve.
Ligjërimi i Mrekullueshëm i Kuranit urdhëron e thotë: “Dhe çfarëdo
fatkeqësi që t’u bjerë mbi krye, vjen prej asaj çfarë kanë bërë duart
tuaja.”
[262]
Pra, jemi njoftuar se edhe fatkeqësitë që na ndodhin, e kanë burimin te
punët e te veprat tona. Pra, në njëfarë kuptimi, Kurani na thotë se
“ato çfarë ju tjerrin mendjet, ato hile e intriga, viktimë e të cilave
keni rënë, i keni bërë me duart tuaja.” Po a i bën keq njeriu vetvetes
me duart e veta? Po, i bën. Sepse nëse njeriu bie në dashurinë për egon
dhe e harron qëllimin për të cilin është krijuar, nëse bie në një
shkujdesje që nuk i lejon të shohë as të sotmen e as të nesërmen, ahere
i bën keq vetes me duart e veta. Ndaj edhe një çështje e tillë negative
nuk mund t’i ngarkohet kurrsesi paracaktimit hyjnor, por vetëm neve
vetë. Nëse, pavarësisht gjithë këtyre lënieve pas dore e shkujdesjeve,
mbetet ndonjë bukuri a mirësi, ajo është prej Allahut. Jam i mendimit
se çështjen duhet ta konstatojmë që nga fillimi e ta trajtojmë në këtë
mënyrë.

Heronjtë e vullnetit që thonë: “Nuk e jap të drejtën time”

Nëse do t’i kthehemi çështjes sonë fillestare, është e vërtetë se sot,
në shumë vende të botës, ju përballeni me të njëjtën tablo. Domethënë,
ato klasa e grupe shoqërore që mbajnë në duar kapitalin, që kanë shtënë
në dorë pushtetin, që i shohin të tjerët me vështrim përçmues e
nënvlerësues, ndërsa veten e shohin plot krenari e mendjemadhësi, sikur
të kishin kapur qiellin, duket sikur kanë në dorë fatin e shoqërive. E
kundrejt kësaj tabloje të hidhur, ajo që duhet bërë është që udhëtarët
e së drejtës e të së vërtetës, me largpamësi e guxim, t’i njohin të
drejtën e t’i japin hakun vullnetin të tyre kundrejt padrejtësive. I
ndjeri Mehmet Akifi nga Peja shkruan diku se ai që thotë: “Nuk e jap të
drejtën time”, po tërheq vëmendjen që ka në zotërim një të drejtë. Kjo
nuk do të thotë që kundrejt padrejtësive të bërtasim e të ulërasim.
Sepse të gërthiturit e të bërtiturit i vetmuar, në drejtim të kthimit
të së drejtës, nuk ka kurrfarë domethënieje. Ajo çka duhet bërë që në
krye të punës është që njeriu, në çështje të ruajtjes së të drejtës së
vet, të mbajë një qëndrim të zgjuar, syçelë e të vendosur. Nëse
pavarësisht gjithçkaje, individit ia rrëmbejnë të tjerët të drejtën,
atëherë ai, në përpjekjen për të rifituar atë që i takon, duhet të
marrë parasysh çdo sakrificë, me largpamësi e guxim, brenda kufijve të
drejtësisë e duke respektuar ligjin, dhe në mënyrë të vendosur, duhet
të bëjë përpjekjet e veta për të rimarrë të drejtën që i takon.

Veç kësaj, në këtë çështje, kurrsesi nuk duhet të biem në humbje të
shpresës. Sepse nëse merret parasysh historia e njerëzimit, do të
vërehet se grupimet që kanë jetuar në kurriz të njerëzve të tjerë nuk e
kanë ruajtur dot përgjithmonë pozitën e tyre dhe se gjithnjë ka ardhur
dita që udhëtarët e së drejtës e të së vërtetës, pas shembujsh të bukur
të përfaqësimit, e kanë kuptuar se ku kanë gabuar dhe kështu, janë
rikthyer prej rrugës së gabuar e ia kanë dorëzuar vetveten drejtësisë
dhe të vërtetës. Për shembull, nëse vështrojmë kohën e Profetit tonë të
nderuar, bëhemi dëshmitarë të ndryshimeve e të shndërrimeve të tilla.
Siç e dini, mes njerëzve të parë që i besuan të Dërguarit të Dy Botëve
(s.a.s.), kishte njerëz si Bilal Habeshiu, Zejd ibni Harithe, Ammar
ibni Jasiri, që prej shoqërisë së kohës nënvlerësoheshin e fyheshin.
Veç kësaj, Abdullah ibni Mesudi, që mund ta cilësojmë si themelues të
Mektebit të Kufës, prej të cilit kanë mësuar e përfituar imamë të
shquar të tabiinëve si Ibrahim en-Nehai, Eused ibn Jezid, Akame ibni
Kajsi, kur u njoh me Islamin, e siguronte jetesën duke punuar si çoban.
[263]
Edhe Aliu (r.a.), që ishte ndër besimtarët e parë,
[264]
ishte një njeri ndër më të varfrit.
[265]
Edhe gjendja e Xhafer ibn Ebi Talibit (radijallahu anh) nuk ishte e
ndryshme nga ajo e Aliut (r.a.). Siç shihet, brenda asaj radhe të parë
të njerëzve që i besuan që në fillim të Dërguarit të Allahut, kishte
plot njerëz që jetonin në varfëri, që shtypeshin e dëboheshin.

Po kështu, siç tregohet në librat e hadithit e të Sijerit, kur Herakliu
shkoi në Antioki, i Dashuri ynë e Kreu i Krijesave (alejhi elfu elfi
salatin ues’selam) dërgoi tek ai në emër të vet Dihjen e nderuar
(r.a.). Në atë kohë, atje ndodhej Ebu Sufjani. Herakliu i bëri shumë
pyetje Ebu Sufjanit në lidhje me Zotërinë tonë, të Dërguarin Fisnik.
Njëra prej këtyre pyetjeve ishte edhe se kush ishin ata që i besonin të
Dërguarit të Allahut. Ebu Sufjani iu përgjigj kësaj pyetjeje me fjalët:
“Me të bashkohen të varfrit e popullit.”
[266]
Ebu Sufjani, që ishte prej fisit të Beni Umejes, në atë kohë ishte
armiku i betuar i të Dërguarit të Allahtu (s.a.s.). Por pavarësisht
kësaj, Ebu Sufjani iu përgjigj drejt e pa gënjeshtra pyetjeve që i bëri
Herakliu.

Prijësit si Kozroi dhe zemrat që zbuten

Por siç do të shihet me kalimin e kohës, ata që kanë qëndruar pa u
tutur, sado të varfër të ketë qenë në fillim, ka ardhur dita dhe kanë
nisur të formojnë parinë e shoqërisë, individët që ne i kemi cilësuar
si heronj, duke filluar të grumbullohen në rrethin e ngushtë të Kreut
të Krijesave (alejhi elfu elfi salatin ues’selam). Për shembull, një
njeri shumë i nderuar si Hamzai (r.a.), një ditë, kundrejt fjalëve të
pahijshme e të pavend që thuheshin kundër Zotërisë sonë, Profetit, u
ndez në zellin e tij njerëzor dhe, në një mënyrë, ngriti krye kundër
padrejtësisë.
[267]
Kjo do të thotë se një prirje e tillë ekzistonte në natyrën e në
shpirtin e tij prej xhevahiri. Ndoshta kishte përjetuar një ngurrim të
përkohshëm. Por kur erdhi koha, u lidh në një mënyrë të tillë pas
çështjes së Allahut, saqë ju e dini se si fluturonte ai në Betejën e
Uhudit. Ashtu që Zotëria ynë, Profeti (s.a.s.), na bën të ditur se emri
i tij në qiej është shkruar si “Luani i Allahut”.
[268]
Madje edhe Ebu Sufjani, që deri në çlirimin e Mekës jetoi gjatë gjithë
kohës në perversitet, pas asaj dite zuri vendin e tij pranë të
Dërguarit të Allahut.
[269]
Edhe bijtë dhe nipat e tij, po kështu, i dolën zot çështjes së Islamit.

Nga ky këndvështrim, brenda asaj pakice oligarkike që e sheh veten në
shkallën më të lartë të sistemit të kastës dhe që sillet sikur të ishte
e drejta e saj që të shkelë të drejtën e të tjerëve, do të dalin “sa e
sa shpirtra të dëlira, sa e sa mbretër me fytyrë të trëndafiltë, sa e
sa prijës si Kozroi”, të cilët do t’i vënë shpatullat çështjes së
njerëzimit. Edhe në ditët tona, në raste nga më të ndryshmet, mund t’i
shihni shenjat e kësaj dukurie. Ndoshta edhe në mos qoftë si shi, një
pikël vese e rënë mbi gjethnajë mund të shihen si shenja të tilla. Për
shembull, edhe ju keni qenë dëshmitarë se si disa individë nga shtresat
më të larta të shoqërisë, duke e vlerësuar lëvizjen e arsimit, të nisur
prej njerëzve të Anadollit, kanë ofruar ndihmesën e tyre duke thënë:
“Nëse më lejoni, do të doja edhe unë të hap diku një shkollë që t’i
shkojë për shtat kërkesave të kohës!”

Po, po. Hidhuni një sy qyteteve si Stambolli, Ankaraja, Izmiri, shkoni
në Gaziantep, që andej në Ankara e pastaj në Antalja, në viset e
ndryshme të vendit tonë, dhe do të shihni se njerëz nga shtresa nga më
të ndryshmet u kanë dalë për zot njerëzve të vënë në shërbim të
arsimit. Për shembull, pak kohë më parë, shokët tanë, në një vend diku
në zonën e Mesdheut, më kishin thënë se një person kishte hapur i vetëm
një universitet dhe një tjetër individ që e kishte parë atë, kishte
ofruar ndihmesën e tij duke thënë: “Edhe unë dua të hap një
universitet.” Me sa duket, njerëz që kishin parë se çështjes së
arsimit, gjer më sot, nuk i ishte dalë për zot në mënyrë serioze, kanë
vërejtur se në ditët tona, investimet e bëra në arsim janë përdorur siç
duhet, nuk janë shpërdoruar, se me to është rritur një brez i ri si
xhevahir, plot dashuri e tolerancë, i pajisur me dije e me edukim të
mirë, ndaj edhe kanë krijuar bindjen për vlerën e kësaj pune dhe kanë
lidhur zemrat me të.

Qëllimi se pse i them të gjitha këto, është ky: mbartja e paragjykimeve
negative për njerëzit që kanë pasuri tokësore dhe janë të rrethuar nga
të mirat materiale dhe, për këtë shkak, shmangia e vendosjes së
lidhjeve me ta, nuk janë produkt i një këndvështrimi të drejtë. Për ta
thënë ndryshe, është e gabuar që në një çështje që i intereson gjithë
shoqërisë, siç është arsimi, t’i kërkohet ndihmesë vetëm fukarasë së
Anadollit apo njerëzve të shtresës së mesme. Ndoshta në një kohë të
caktuar, ky ishte një orientim i domosdoshëm. Ashtu ishte e nevojshme
atëherë. Ata të varfër që u kemi thënë “njeriu i Anadollit”, në krye të
punëve, bënë çdo sakrificë e vullnetarizëm; në fillim, ata e pëlqyen e
i dolën për zot lëvizjes së dijes e të edukimit. Por sot, për mendimin
tim, duhet të lartësojmë edhe më përpjekjen dhe duhet të bëjmë që
çështja e arsimit, që mund ta cilësojmë si çështjen kryesore të kombit,
të mbërrijë te gjithkush.

Në mos Ebu Xhehli, shpëtoi Ikrimja

Për ta përmendur si shembull, po them: Tabloja e Krenarisë Njerëzore
(alejhi elfu elfi salatin ues’selam), kush e di sa herë ka trokitur në
derë të “Atit të Injorancës”, siç i kemi thënë Ebu Xhehlit, dhe
pavarësisht të gjitha të këqijave, sa e sa herë ia ka paraqitur atij
mesazhin e vet. Sepse Ebu Xhehli i përkiste parisë së Beni Mahzumit.
[270]
Nëse ndodhte që ai të pranonte Islamin, i gjithë fisi do ta ndiqte atë
nga pas. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut (alejhi ekmelut’tehaja),
në emër të idealit që mbartte, nuk u thye kurrë përpara tij dhe
politeistëve të tjerë, punoi me mish e me shpirt dhe duke vlerësuar çdo
rast që i jepej, shfaqej vazhdimisht në prag të derës së tyre. Po, po.
Ai sulltan i botëve, Prijësi i Dy Botëve, që yjet do t’i shtroheshin si
gurë kalldrëmi nën këmbë, vente e vinte për t’u përcjellë atyre
mesazhin. Po edhe pse nuk ishte e shkruar që Ebu Xhehli të fitonte
besimin, Zotëria i Zotërinjve (alejhi salauatullahu ues’selamuh), me
mirësjelljen, dashamirësinë dhe dhembshurinë e tij, ndikoi te biri i
tij, Ikrimja, dhe ky i fundit një ditë besoi.
[271]
Pastaj deshi të vinte në vend atë burrëri, që në kohën e vet nuk kishte
mundur ta përmbushte. Si për t’i fshirë të gjitha gjurmët e
papastërtisë së të shkuarës, shpërfaqi një guxim e trimëri të tillë
duke marrë, ndoshta, pesëdhjetë plagë gjersa në Betejën e Jermukut ra
dëshmor.
[272]
Unë habitem se si është e mundur që një njeri, brenda dy a tri vitesh,
të arrijë një përsosje të tillë njerëzore? Siç e dini, përpara se të
ndërronte jetë, Ikrimen e plagosur e mbartën në çadër dhe e shtrinë
aty. Mbi krye i qëndroi nusja e tij, që qe bërë shkak për pranimin e
Islamit prej tij dhe pastaj e kishte marrë për dore e e kishte dorëzuar
te Zotëria ynë, I Dërguari Fisnik. Për një çast, Ikrimja (r.a.) e
drejtoi pak trupin, ngriti kryet dhe tha: “Ti erdhe, o i Dërguar i
Allahut? A e kreva detyrën?” Sepse ai, kur ishte dorëzuar bashkë me
shpatën e vet te Zotëria ynë, Profeti (salallahu alejhi ues’sel’lem), i
kishte dhënë Atij fjalën se do t’ia jepte shpatës hakun.

Pranimi i Islamit prej asaj parie njerëzish që mund t’u themi heronj,
pati ndikim edhe te njerëzit e tjerë dhe kjo gjendje u bë shkak që ata
të hyjnë turma turma në Islam. Kështu, pas çlirimit të Mekës, kur i
panë krejt grupimet e fiset të bashkohen në mënyrë të veçantë rreth
Kreut të Krijimit (alejhi efdalut’tahij’jat ue ekmelut’teslimat), edhe
fiset më të largëta thanë: “Meqë paria e Mekës, udhërrëfyesit, krerët e
pishtarët tanë kanë pranuar Islamin, atëherë edhe neve na ka ardhur
radha të hyjmë në Islam.” Dhe kështu, u bënë myslimanë.
[273]
Nga ky këndvështrim, individi mysliman e ka për detyrë që t’i vlerësojë
të gjitha mundësitë, të ecë me shumë alternativa dhe pa u mërzitur, pa
u zhgënjyer, pa u hidhëruar e pa u ndier keq, të ndalet e të trokasë në
portën e gjithkujt. Ndoshta kur ju ta bëni këtë, dikush mund t’ju quajë
të prapambetur apo fanatikë, apo ndoshta edhe me fyerje të tjera. Por
kjo është një çështje e tillë, që ka të bëjë drejtpërdrejt me të
fituarit apo me humbjen e jetës së përjetshme prej njerëzve.

E pra, nëse mesazhi juaj është një shkak i fshehtë i i magjishëm, një
çelës që ata të fitojnë jetën e Parajsës, në mënyrë që ta vëmë këtë
çelës në duart e tyre, për mendimin tim, ia vlen edhe që të puthen
pesëdhjetë herë duar e kinde rrobash. Nga kjo pikëpamje, shërbëtorët e
Kuranit, duke u sjellë “pa duar ndaj atij që i godet, pa gjuhë e pa
zemër ndaj atij që i fyen”, nuk duhet të kapen pas këtyre gjërave. Nuk
mund të mendohet që zemrat që kanë besuar të mos ndihen keq kur shahen
Allahu apo Zotëria i Zotërinjve (alejhis’salatu ues’selam). Por për t’i
shkulur kësi lloj negativitetesh, kësi lloj sharjesh nga zemrat e atyre
njerëzve që nuk i njohin Allahun dhe të Dërguarin e Tij, duhen
përpjekje e mundime të mëdha dhe lipset të qëndrojmë të vendosur. Ju,
pa ditur të zhgënjeheni e të mërziteni, duhet të tregoheni aq
këmbëngulës në këtë çështjes, saqë ndoshta bashkëbiseduesit tuaj të
mund të thonë: “Prapë ju?” Dhe ju, duke buzëqeshur, do të thoni: “Po,
prapë erdhëm ne!” Gjithmonë do të trokisni në dyert e tyre me diçka të
re. Në paçi shkuar një herë me një pjatë supë, për së dyti të shkoni me
një tas hashure. Një tjetër herë trokituni në derë me një enë me byrek.
E një tjetër herë shkoni e u thoni: “Dëgjova diçka të bukur për ty.
Erdha të ta them që të të gëzojë zemra.” Shkurt, duke përdorur
gjithmonë nganjë argument të ri, për t’u bërë shkak për shpëtimin e
atyre njerëzve dhe në këtë mënyrë, për të fituar kënaqësinë dhe
dashamirësinë e Zotit të Madhëruar, pa u mërzitur, pa u zhgynjyer, do
të vijoni të trokisni.


[262] Shura, 42/30.

[263] Ahmed ibn Hanbel, El-Musned 1/379; Ibn Hibban, Es-Sahih 15-536.

[264] Tirmidhi, Menakib 20; El-Bezzar, El-Musned 9/322; Ibn Ishak,
Es-Sire 2/118.

[265] Shih: Et-Taberani, El-Mu’xhemu’l-kebir 7/174.

[266] Buhari, Bed’u’l-vahj 6; Muslim, Xhihad 74.

[267] Shih: Ibn Ishak, Es-Sire 2/151-152; Ibn Hisham,
Es-Siratu’n-nebeviyye 2/129.

[268] Et-Taberani, El-Mu’xhemu’l-kebir 3/149; el-Hâkim, El-Mustedrek
3/149.

[269] Shih: El-Bejhaki, Delailu’n-nubuvve 5/102; Ibn Asakir, Tarihu
Dimashk 23/458.

[270] Shih: Ibn Ishak, Es-Sire 4/191; Ibn Ebi Shejbe, El-Musannef
7/255-256.

[271] Shih: Ibn Asakir, Tarihu Dimashk 41/55-56.

[272] Shih: Ibn Ebi Shejbe, El-Musannef 4/227; El-Hakim, El-Mustedrek
3/270; Ibn Abdilberr, el-Istiab 3/1084.

[273] Shih: Ibn Hisham, Es-Siratu’n-nebevijje 5/248-249; Ibnu’l-Esir,
El-Kamil fi’t-tarih 2/157-161.

Share:

More Posts

DIALOGU DHE SAKRIFICA

Pyetje: Transmetohet se imam Sharani i nderuar ka thënë: “Nëse qëndroj për një kohë të shkurtër pranë një njeriu që nuk fal namaz, nuk e ndiej namazin tim për dyzet ditë.” Mirëpo, për shkak të përgjegjësive tona shoqërore, ndodh shpesh që ne të jemi bashkë me njerëz nga më të ndryshmit. A ka ndikime negative…

Përmendja e Allahut dhe lutja

Miqtë e Zotit i kushtojnë shumë rëndësi përmendjes me uirde e dhikre të Allahut. (Lexojnë Kuran dhe lutje, përmendin Allahun) Ata thonë se leximi çdo ditë i një mase Kuran dhe përgjërimi Allahut me lutje janë tejet të rëndësishme për sa i përket lidhjes e marrëdhënies sonë me Allahun. “Çdo individ duhet të përcaktojë diçka…

Lutja

Të besosh te lutja
 
Te lutja thelbësore është të besosh te pranimi i saj dhe të kesh besim. Njeriu nuk duhet thjesht të hapë vetëm duart, por ai duhet të hapë edhe zemrën. Fjalitë që thuhen në lutjet që bëhen pas namazit të sabahut dhe atij të ikindisë janë të pranishme në Mexhmuatu’l-Ahdhab;[1] vetëm se janë…

Shpirti i vetëdedikimit

Sinqeriteti dhe vetëdedikimi
 
Ndryshe është mirësia e Allahut ndaj sinqeritetit. Njeriu duhet ta kalojë zemrën e tij në thjerrë çdo ditë, mandej t’u vihet punëve që ka për të bërë. Nuk duhet të përfshijë në punët e bëra për hir të kënaqësisë së Allahut asnjë punë tjetër, edhe në qoftë se ajo është e lejuar.
As të…

Brezi i Kuranit

Pyetje: Për kë është fjala, kur qëndrohet te ‘brezi i Kuranit’, që ndalemi herë-herë gjatë bisedave? Cilat janë detyrat e këtij brezi?
Brezi i Kuranit
Përgjigje: Brez të Kuranit quajmë atë brez që e ka kthyer dëshirën hyjnore mbi rruzullin tokësor në qëllim të vetëm, përfaqëson ashtu siç duhet çdo të vërtetë të Kuranit, i Cili do…

Detyra e arkitektëve të rizgjimit

Pas shumë prej problemeve të Islamit në ditët e sotme qëndrojnë myslimanët e formës, të cilët nuk e kanë fituar dot brenda vetes Islamin e vërtetë dhe nuk janë shkrirë dot me vetëdijen e sinqeritetit dhe mirësisë (ihsan[1]). Sjelljet e tyre, që bien ndesh me kriteret e vëna në pah nga Islami, mosnjohja e kufijve…

Ajo çfarë do Zoti është themelore

Njeriu që ka besim tek Allahu, përqafon fort vullnetin dhe bëhet njësh me urtësinë, nuk ka dyshim që në fund do të dalë medoemos fitimtar. Nëmos sot, nesër, nëse jo këtu, do të dalë fitimtar matanë. Mirëpo, ja që njeriu ka një natyrë të prirur nga ngutja dhe do që të gjitha gjërat e bukura…

Rruga e dobësisë dhe varfërisë

Si njerëz ne kemi punë dhe ngarkesa nga më të ndryshmet në përditshmërinë e jetës së tyre, bëjmë zgjedhje nga më të ndryshmet dhe nuk mund ta dimë nëse e kemi apo jo pëlqimin e Allahut të Madhërishëm në ato zgjedhje që bëjmë. Ndoshta, pa vetëdije ne mund të përfshijmë edhe egoizëm në mesin e…

Mesazhi i Fethullah Gylenit për fatkeqësinë e tërmetit në Turqi

Me shumë dhimbje mësova se shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë gjenden nën rrënoja, në pritje të shpëtimit, si pasojë e tërmetit me epiqendër në Kahramanmarash i shkallës 7.7 që ka prekur edhe qytetet tona të Hatajit, Adanasë, Gaziantepit, Mallatias, Kilisit, Adijamanit, Dijarbakërit, Shanllëurfas dhe Osmanijes, si dhe disa zona të Sirisë.  
 
U…

Llogaridhënia dhe kërkimi i faljes

Krenaria e Njerëzimit (s.a.s) thotë në një hadith të Tij: “Çdo njëri prej jush është bari dhe përgjegjës për të gjithë ata që ka nën kujdesin e tij.”[1] Sipas fjalëve të këtij hadithi, çdokush ka një hapësirë në të cilën është përgjegjës dhe do të japë llogari për përgjegjësitë e tij. Për shembull, ai që…

Send Us A Message