Lojërat e pista dhe burrëria e besimtarit

Home » Albanian (Shqip) » Veprat » Ideali për të jetësuar » Lojërat e pista dhe burrëria e besimtarit

Lojërat e pista dhe burrëria e besimtarit

Pyetje: Qoftë brenda vendit, qoftë jashtë, vihet re se, me pretekst të
ngjarjeve të dhunës e të terrorit, ekziston synimi, që myslimanët, me
një qasje kolektive, të vihen në pozitën e të dyshuarit. Si i vlerësoni
këto ngjarje dhe cili është qëndrimi që besimtari duhet të mbajë
kundrejt tyre?

Përgjigje: Së pari, po e pohoj sakaq, se unë nuk e kam besuar kurrë që
këto ngjarje t’i ketë përgatitur, planifikuar e vënë në jetë ndonjë
organizatë e përbërë prej myslimanësh. Kam bindjen se çdo njeri me
mendje e shëndoshë, që, në njëfarë mënyre, i analizon këto ngjarje në
tërësinë e tyre, nga fillimi e gjer në fund, me anën e tyre të dukshme
e të padukshme dhe me një gjykim të drejtë, do të jetë i të njëjtit
mendim me mua. Sepse nëse shihen figurantët e ngjarjeve të tilla, që
ndodhin nga Perëndimi në Lindje, nga Veriu në Jug dhe synohen të
tregohen si të lidhura me myslimanët, vërehet se figurantët në fjalë,
sado që të mbartin emra myslimanësh, nuk janë veçse vrasës gjakatarë,
të marrë me qira për një lojë shahu që luhet nga rrjetet e së keqes, të
qendrave të pushtetit e të shërbimeve që duan ta formësojnë botën sipas
mendësisë së tyre, ose thjesht shpirtra të robotizuar që ua kanë marrë
mendtë me ndonjë bar, që ua kanë hequr nga duart vullnetin e vet dhe që
ua kanë paralizuar mendimet.

Islami nuk e ligjëron kurrsesi terrorin

Për të ardhur te lidhja e çështjes me Islamin, duhet ditur mirë se që
në krye të punës, parimet themelore të Islamit nuk lejojnë që të
shkaktohen të tilla ngjarje. Po, po. Edhe një njeri me njohuri krejt
sipërfaqësore, që ka njëfarësoj informacion rreth Islamit, e di se
asnjë mysliman, nëse vendi i tij pushtohet apo i merret liria, nuk mund
të ngrihet e të shpallë luftë i vetëm, as nuk mundet që, në emër të
luftës për liri, të vërë në shënjestër njerëzit e pafajshëm. Një
mendësi të tillë, është e pamundur ta shpjegosh me logjikën e një
myslimani. Në fenë tonë, lufta mund të bëhet vetëm në përmasat e krejt
vendit, me organizimin e gjithë kombit dhe vetëm duke mos cenuar
rregulla të caktuara. Kurrkush nuk mund të paraqesë një formë luftimi
që bie në kundërshtim me parimet dhe disiplinat e vendosura prej fesë.
Nga ky këndvështrim, siç e kam shprehur shumë herë edhe më parë, me
lejen tuaj, po e përsëris edhe një herë: Terroristi nuk mund të jetë
mysliman dhe po kështu, myslimani nuk mund të jetë terrorist. Për ta
shprehur në mënyrën më absolute e më të plotë, duke thënë se
“terroristi mysliman e myslimani terrorist nuk mund të jetë”, duam të
shpjegojmë se një njeri që është i hapur ndaj shpirtit dhe thelbit të
Islamit nuk mund të bëjë kurrë diçka të tillë.

Nëse një njeri, edhe pse thotë të jetë mysliman, bën një punë të tillë,
atëherë në të qenët e tij mysliman ka një mangësi e boshllëk, që nuk
mund të shpjegohet në thelbin e në perspektivën e Islamit. Për ta
shprehur më mirë atë që kam në mendje, po ju sjell një hadith nga
Zotëria ynë, Profeti (s.a.s.), në lidhje me një tjetër çështje. Tabloja
e Krenarisë Njerëzore (alejhis’salatu ues’selam) urdhëron e thotë: “Ai
që bën imoralitet, kur është besimtar, nuk bën imoralitet; ai që pi,
kur është besimtar, nuk pi; dhe ai që vjedh, kur është besimtar, nuk
vjedh.”
[274]
Ky hadith shpjegon se një njeri që beson, kur është në vetëdijen e
besimit, nuk bën dot imoralitet, nuk vjedh dot, nuk pi dot alkool. Për
ta shprehur ndryshe, hadithi tërheq vëmendjen se ai që bën imoralitet,
që vjedh e që pi alkool, së paku gjatë kohës që i kryen këto mëkate,
nuk është besimtar i vërtetë.

Për ta shpjeguar këtë hadith, vërejmë se janë bërë disa interpretime të
rënda. Unë nuk do të hyj në to. Por sipas mendimit tim, çështjen mund
ta kuptojmë në këtë formë: Ai që i beson Allahut (xh.xh.) siç i duhet
besuar, që beson se në jetën tjetër do t’i japë llogari Allahut për
mëkatet e kryera, që pranon ringjalljen, Xhenetin dhe Xhehenemin, për
sa kohë që tek ai mbizotërojnë këto ndjenja, nuk mund të mendohet që të
bëjë mëkate. E pra, në këtë kuptim, një terrorist, në çastin që ushtron
terror, nuk është besimtar. Po, po. Një njeri, për sa khë që është
besimtar në kuptimin e pastër e të plotë, kurrsesi nuk përzihet, nuk
mund të përzihet me terrorizmin.

Prandaj edhe unë nuk e kam besuar kurrë që aktet e terrorit që ndodhin
andej këtej të jenë organizim i myslimanëve të vetëdijshëm. Madje edhe
për figurantët e frikshëm të këtyre ngjarjeve, jam i mendimit se ata
tani nuk janë në jetë. Sepse edhe disa emra që disa i nxehin e i nxehin
dhe na i servirin në pamje e në video nga interneti, as që e dimë nëse
tani ekzistojnë apo jo.

Papastërtia e informacionit dhe njerëzit naivë

Nga ana tjetër, si në të djeshmen, ashtu edhe në të sotshmen, rrjetet e
së keqes dhe vatrat e errësirës nëpër botë, veçanërisht ata që kanë një
qëndrim të qartë kundër Islamit, gjithmonë kanë përdorur të njëjtat
armë dhe kanë luajtur të njëjtën lojë. Këta, për të përballuar nevojat
e paranojës, në një atmosferë frike e paniku që krijojnë, nxisin tmerr
te njerëzit dhe bëjnë që ata të jetojnë me zemër të drithëruar. Le të
themi se ata bëjnë atë çka ua kërkon karakteri i tyre, por nga ana
tjetër, sa e hidhur është që edhe në vendin tonë ngjarjet nuk i
nënshtrohen shqyrtimit të kujdeshëm e të guximshëm dhe ka njerëz që
mund t’i quajmë naivë, të cilët i besojnë në çast lajmet dhe fjalët e
prodhuara prej vatrave e qendrave të caktuara të pushtetit nëpër botë.

Në të shkuarën, kur ndodhi një ngjarje e tillë, u pata thënë njerëzve
që kisha pranë: “Ndërsa ka qindra mundësi në lidhje me autorësinë e
ngjarjes, ndërsa ka një perde të thellë mjegulle në lidhje me mënyrën
se si është zhvilluar njgjarja, pse ndodh që disa njerëz e besojnë dhe
e vlerësojnë atë menjëherë siç është hedhur nëpër faqe internet apo në
gazeta dhe gjykojnë sipas kësaj? Për hir të Zotit, pse këta njerëz nuk
e çojnë farë nëpër mend se gjërat mund të kenë ndodhur edhe krejt
ndryshe?” Sepse në botën e njerëzve mizorë, nuk ka ndonjë standard
vlere veç forcës, fuqisë e interesit. Në jetën e tyre të mendimit e të
besimit nuk ekziston fare një koncept si gënjeshtra! Përkundrazi, ata i
shohin gënjeshtrën dhe mashtrimin si mençuri dhe e jetojnë jetën e tyre
sipas kësaj. Ne, si njerëz që besojmë, edhe kur themi në prani të një
grupi njerëzish, “ai njeri gënjen”, pra, kur shpjegojmë për gënjeshtrën
e tjetërkujt, ndiejmë turp; e nëse jemi të detyruar ta shpjegojmë këtë
situatë, themi duke kërkuar ndjesë: “Të më falni që një fjalë të
shëmtuar si gënjeshtra e përmenda në praninë tuaj.” Kjo buron prej
edukatës që na ka dhënë Islami dhe është nevojë e kulturës që buron
prej Islamit. Po, po. Duke qenë se në kulturën tonë është turp që një
njeriu që thotë, t’i thuhet drejtpërdrejt “gënjeshtar”, çështja
paraqitet duke thënë se ai “dëshmon në kundërshtim me ç’ka ndodhur”.
Por – të më ndjeni – përse i besojmë menjëherë asaj që thonë ata të
cilët gënjeshtrën dhe mashtrimin i kanë kthyer në stil jetese dhe përse
nuk e marrim parasysh që ata mund të na gënjejnë? Për shkak të
gënjeshtrave që këta njerëz kanë nxjerrë gjer më tash dhe për shkak të
atij karakteri që na kanë treguar gënjeshtrat e tyre, a nuk duhet ta
çojmë nëpër mend se gjithçka mund të jetë krejt ndryshe nga ç’pritet?
Por fatkeqësisht, fjalëve që thuhen, lajmeve që lexojmë, u besojmë
menjëherë dhe çështjet i interpretojmë e i vlerësojmë po sipas kësaj.
Nuk e harroj asnjëherë, kur një person që kishte qenë ambasador diku,
një a dy orë pas një ngjarjeje tragjike që kishte ndodhur, doli e tha
“këtë punë e bëri filani”. Ai person, megjithëse ishte aq i paditur në
atë fushë, saqë edhe emrin e njeriut që fajësonte, e shqiptonte gabim,
prapëseprapë nuk ngurronte fare që të jepte gjykimin e vet.

E pra, për shkak të papastërtisë së informacionit dhe të kequdhëzimit,
për fat të keq, në përfundim të çdo ngjarjeje, imazhi i dëlirë i
Islamit është përbaltur, në fytyrën e tij të ndritur është hedhur dhe
vazhdohet të hidhet katran. Sipas asaj fjalës që qarkullon ndër
njerëzit, “shpif, shpif, se diçka do të mbetet.” Sa e dhimbshme është
që në imazhin e myslimanit të ditëve tona është hedhur një baltë e
tillë dhe sa keq që gjurma që ka mbetur është e madhe!

Kjo është ajo që ka ndodhur. Përballë asaj që ka ndodhur, ajo çfarë
duhet bërë është që pavarësisht të gjitha keqinformimeve dhe shpifjeve,
të shpjegohen e të tregohen kudo, me përfaqësim të mirë e të bukur,
kuptimi dhe identiteti i vërtetë i Islamit. Duhet të përmendim pa u
lodhur se ngjarjet me autorësi të panjohur janë vepër e njerëzve që nuk
përfaqësojnë thelbin e Islamit. Duhet të tregojmë se një mysliman i
vërtetë ia zgjat dorën gjithkujt, ia hap zemrën gjithkujt. Thirrjen e
mëshirës së Islamit, që vjen prej paqes e shpëtimit, duhet t’ia
përçojmë mbarë njerëzimit nga Amerika në Evropë, nga Lindja e Largët në
Afrikë.

Urat e dialogut dhe largimi i frikës së pabazë

Llogarisni që përcjellja e kësaj të vërtete në të gjitha zemrat nuk
është punë që bëhet në çast, por është e lidhur me një proces që zgjat.
Ato çka kanë shkarravitur prej vitesh kundër Islamit qoftë një pjesë
prej pjesëtarëve të disa feve, qoftë prej orientalistëve, i ka
përbaltur aq frikshëm mendjet e gjykimet, saqë nuk mundeni ta fshini e
ta pastroni brenda menjëherë. Fundja edhe nëse ju i ekspozoni në çast
të gjitha bukuritë e Islamit si në një ekspozitë, njerëzit nuk i
asimilojnë dot ato në çast. Duhet t’u njihni atyre mundësinë që, teksa
qëndroni mes tyre, ata të mund t’ju njohin e të mësojnë. Pikëpyetjet që
kanë në kokë, si për shembull, “tani thonë kështu, por a do të thonë
vallë të njëjtat gjëra pasi të forcohen e të kenë në dorë disa gjëra?”,
duhet t’ua davarisni me veprat qëndrimet e me sjelljet tuaja konkrete.
Për dhjetë vite me radhë le të ndiejnë pulsin tuaj e të shohin se si
rreh zemra juaj. Le të kalojnë dhjetë vite e t’jua masin sërish pulsin,
të shohin se ai rreh njëlloj. Kështu, dhjetë, njëzet, tridhjetë vite do
t’ju vënë në provë. Nëse ju, gjatë këtij procesi, qëndroni në të
njëjtin vend, nuk ndryshoni asgjë nga mënyra e të shprehurit tuaj, ata
do ta shohin këtë dhe do të krijojnë një gjykim e qëndrim për ju në
përputhje me këtë.

Po, po. Nga njëra anë, do të shpjegoni thelbin dhe parimet e vërteta të
Islamit; nga ana tjetër, do t’u mundësoni atyre që t’ju dëgjojnë, t’ju
shikojnë e t’ju vënë në provë. Ndoshta do të vijnë në shtëpitë tuaja,
në institucionet tuaja, në vendet tuaja të punës, do t’ju njohin brenda
botës suaj dhe do të krijojnë, në këtë mënyrë, një mendim për ju. Nëse
mendoni që të largoni prej mendjeve të njerëzve një imazh që e kanë të
ngulitur apo ua kanë ngulitur në kokë, për mendimin tim, rruga që duhet
ndjekur është kjo.

Po ju jap një shembull: unë e kam shprehur sa e sa herë që nuk kam
vrarë as edhe një milingonë. Po, po. Në jetën tim, as edhe një
milingonë nuk kam vrarë. Madje një herë, një shok më fshiu nga rroba
një milingonë, me mendimin se ajo po më shqetësonte. Megjithëse kaluan
vite, nuk e harrova këtë ngjarje. Pyes veten se si ndodhi që vrau një
gjallesë. Në një rast tjetër, një shoku ynë, në një kamp, zuri një
gjarpër që po shkonte të pinte ujë dhe pasi e shkundi për bishti, e
këputi në mes. Atij s’i fola për dy a tre muaj me radhë. Çfarë të
drejte ke ti, që i heq atij të drejtën për të jetuar? Kafsha nuk po
vinte të të kafshonte, po shkonte të pinte ujë. Nëse do të hapte gojën
dhe do të të drejtohej si një kobër, atëherë do të ishte fjala për
vetëmbrojtje. Të mos flasim, pastaj, që unë edhe në një situatë të
tillë nuk do të zgjidhja ta vrisja, por të largohesha me vrap. Në fenë
tonë, vetëm nëse jemi të detyruar, na është lejuar që të vrasim një gjë
të gjallë, por nuk është thënë që kjo është diçka e shpërblyeshme.

Tani, një njeri, zemra e të cilit është e kyçur në të tilla mendime, a
është e mundur që t’i bëjë dëm një njeriu tjetër? Të mos keqkuptohemi,
nuk po rrekem të flas për veten time këtu, por vetëm po mundohem të
bëhem përkthyes i botës tuaj të ndjenjave, i ndjenjave dhe i mendimeve
të zemrave që besojnë. Por pavarësisht nga të gjitha këto, nëse disa
njerëz ende hyjnë në fantazi të ndryshme lidhru me ju, ajo që duhet
bërë përballë kësaj gjendjeje është që të bëhet durim brenda një
pritjeje aktive. Karakterin tuaj, ndërtimin tuaj shpirtëror, ndjesitë
tuaja, botën tuaj të brendshme, do t’i shfaqni e do t’i ekspozoni porsi
a në një “showroom”. Gjithkush do të vijë, do të hyjë, do të shëtisë,
do të shohë, do të vështrojë dhe do të çlirohet prej fantazive të
këqija për ju. Ju, ndoshta, as që do ta vini re këtë proces. Ata do të
vijnë, do t’ju vënë një sheshë dhe më pas, kur të vijnë sërish, do të
kontrollojnë nëse e keni apo jo atë shenjë në vendin e vet. Pastaj do
të vijnë prapë dhe do të shohin nëse i njëjti dizajn e e njëjta trajtë
është ende aty dhe kështu, do ta shohin qenien tuaj myslimane në
thellësinë e në gjerësinë e saj.

Si përfundim, largimi i një imazhi të keq që synohet të krijohet për
myslimanët e ditëve tona kërkon njëfarë kohe. Çështja duhet lidhur me
një kalendar dhe duhet rregulluar shumë mirë, duhen bërë përpjekje që
gjërat e pahijshme e të papëlqyeshme, me anë të një procesi vazhdimësie
e serioziteti, të largohen një nga një. Nëse zemrat besimtare të ditëve
të sotme veprojnë me gjallëri e durim në këtë proces që kërkon një kohë
të caktuar, nëse bëjnë mundime e përpjekje në përmasat e seriozitetit
të çështjes, do të vijë dita që edhe kundërshtarët e tyre do të thonë
për ta atë që thuhej për Tablonë e Krenarisë Njerëzore (alejhis’salatu
ues’selam) dhe për sahabët e tij të shquar: “Këta njerëz janë të besës,
janë përfaqësues të besimit e të sigurisë.”


[274] Buhari, Mezalim 30, Eshribe 1, Hudud 1, 6, 20; Muslim, Iman 100.

Share:

More Posts

DIALOGU DHE SAKRIFICA

Pyetje: Transmetohet se imam Sharani i nderuar ka thënë: “Nëse qëndroj për një kohë të shkurtër pranë një njeriu që nuk fal namaz, nuk e ndiej namazin tim për dyzet ditë.” Mirëpo, për shkak të përgjegjësive tona shoqërore, ndodh shpesh që ne të jemi bashkë me njerëz nga më të ndryshmit. A ka ndikime negative…

Përmendja e Allahut dhe lutja

Miqtë e Zotit i kushtojnë shumë rëndësi përmendjes me uirde e dhikre të Allahut. (Lexojnë Kuran dhe lutje, përmendin Allahun) Ata thonë se leximi çdo ditë i një mase Kuran dhe përgjërimi Allahut me lutje janë tejet të rëndësishme për sa i përket lidhjes e marrëdhënies sonë me Allahun. “Çdo individ duhet të përcaktojë diçka…

Lutja

Të besosh te lutja
 
Te lutja thelbësore është të besosh te pranimi i saj dhe të kesh besim. Njeriu nuk duhet thjesht të hapë vetëm duart, por ai duhet të hapë edhe zemrën. Fjalitë që thuhen në lutjet që bëhen pas namazit të sabahut dhe atij të ikindisë janë të pranishme në Mexhmuatu’l-Ahdhab;[1] vetëm se janë…

Shpirti i vetëdedikimit

Sinqeriteti dhe vetëdedikimi
 
Ndryshe është mirësia e Allahut ndaj sinqeritetit. Njeriu duhet ta kalojë zemrën e tij në thjerrë çdo ditë, mandej t’u vihet punëve që ka për të bërë. Nuk duhet të përfshijë në punët e bëra për hir të kënaqësisë së Allahut asnjë punë tjetër, edhe në qoftë se ajo është e lejuar.
As të…

Brezi i Kuranit

Pyetje: Për kë është fjala, kur qëndrohet te ‘brezi i Kuranit’, që ndalemi herë-herë gjatë bisedave? Cilat janë detyrat e këtij brezi?
Brezi i Kuranit
Përgjigje: Brez të Kuranit quajmë atë brez që e ka kthyer dëshirën hyjnore mbi rruzullin tokësor në qëllim të vetëm, përfaqëson ashtu siç duhet çdo të vërtetë të Kuranit, i Cili do…

Detyra e arkitektëve të rizgjimit

Pas shumë prej problemeve të Islamit në ditët e sotme qëndrojnë myslimanët e formës, të cilët nuk e kanë fituar dot brenda vetes Islamin e vërtetë dhe nuk janë shkrirë dot me vetëdijen e sinqeritetit dhe mirësisë (ihsan[1]). Sjelljet e tyre, që bien ndesh me kriteret e vëna në pah nga Islami, mosnjohja e kufijve…

Ajo çfarë do Zoti është themelore

Njeriu që ka besim tek Allahu, përqafon fort vullnetin dhe bëhet njësh me urtësinë, nuk ka dyshim që në fund do të dalë medoemos fitimtar. Nëmos sot, nesër, nëse jo këtu, do të dalë fitimtar matanë. Mirëpo, ja që njeriu ka një natyrë të prirur nga ngutja dhe do që të gjitha gjërat e bukura…

Rruga e dobësisë dhe varfërisë

Si njerëz ne kemi punë dhe ngarkesa nga më të ndryshmet në përditshmërinë e jetës së tyre, bëjmë zgjedhje nga më të ndryshmet dhe nuk mund ta dimë nëse e kemi apo jo pëlqimin e Allahut të Madhërishëm në ato zgjedhje që bëjmë. Ndoshta, pa vetëdije ne mund të përfshijmë edhe egoizëm në mesin e…

Mesazhi i Fethullah Gylenit për fatkeqësinë e tërmetit në Turqi

Me shumë dhimbje mësova se shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë gjenden nën rrënoja, në pritje të shpëtimit, si pasojë e tërmetit me epiqendër në Kahramanmarash i shkallës 7.7 që ka prekur edhe qytetet tona të Hatajit, Adanasë, Gaziantepit, Mallatias, Kilisit, Adijamanit, Dijarbakërit, Shanllëurfas dhe Osmanijes, si dhe disa zona të Sirisë.  
 
U…

Llogaridhënia dhe kërkimi i faljes

Krenaria e Njerëzimit (s.a.s) thotë në një hadith të Tij: “Çdo njëri prej jush është bari dhe përgjegjës për të gjithë ata që ka nën kujdesin e tij.”[1] Sipas fjalëve të këtij hadithi, çdokush ka një hapësirë në të cilën është përgjegjës dhe do të japë llogari për përgjegjësitë e tij. Për shembull, ai që…

Send Us A Message