Krijimi ne Kur’an dhe ne Hadithet Profetike

Home » Albanian (Shqip) » Veprat » E Vërteta e Krijimit dhe Evolucioni » Krijimi ne Kur’an dhe ne Hadithet Profetike

Karakteri mrekullor i Kur’anit

Para se të parashtroj ajetet kur’anore lidhur me krijimin, dëshiroj të prek disa ajete të caktuara për të treguar se ç’karakter mrekullor ka Kur’ani. Deklarata-mrekulli Kur’an është ajo që e thotë fjalën e fundit, ajo që u vë vulën gjërave!

1. “Edhe te kafshët ka mësim për ju. Nga gjëja që kanë në barkun e tyre, Ne ju japim të pini qumësht të pastër e të shijshëm të kulluar mes ushqimit dhe gjakut…” (Nahl, 16:66)

Një nga shenjat dhe provat që argumentojnë ekzistencën dhe unitetin e Allahut, janë kafshët e qumështit. Qumështin e shijshëm e të ushqyeshëm që e pimë ne, Allahu e nxjerr nga tretësira ushqimore në zorrët e kafshëve (që konsiderohet si jashtëqitje meqë pas thithjes së lëndëve ushqimore prej saj, del jashtë si feçe) pas kullimit në gjak. Shkenca e sotme e ka bërë të qartë se në fillim lëndët ushqimore thithen nga qimet thithëse të zorrëve dhe kalojnë në gjak, nga i cili, në indet e tjera lëshohen si ushqim, kurse në gjëndrrat e qumështit, kthehen në qumësht. Me shprehjen “min bejni fersin ve demin”, “prej mes feçeve dhe gjakut”, në Kur’an tregohet se qumështi kalon dy procese filtrimi: i pari, nga feçet (lënda ushqimore e tretur në zorrë) në gjak dhe, i dyti, nga gjaku në qumësht. Profeti Muhammed, i cili e lajmëronte një gjë të tillë 14 shekuj më parë, pa dyshim që personalisht nuk mund t’i dinte këto gjëra. Ato ia kishte mësuar Allahu me anë të Kur’anit!

2. “Atij që dëshiron ta udhëzojë, Allahu ia zgjeron zemrën ndaj Islamit, kurse atij që dëshiron ta lërë të humbur, ia shtrëngon gjoksin sikur të ishte duke u ngjitur në qiell…” (En’am, 6:125)

A e dini se kujt i përngjet gjendja e njeriut që nuk beson? Atij që ngjitet në lartësi ku oksigjeni rrallohet aq sa ta bëjë gjithnjë e më shumë të pamundur frymëmarrjen gjer në vdekje. Në kushtet e pamjaftueshmërisë së oksigjenit, personi ndjen shtrëngim në gjoks. Sa më lart të ngjitet njeriu, aq më i rrallë bëhet oksigjeni dhe aq më e fortë dhimbja në gjoks. Këtu kemi një paralelizëm figurativ të mbështetur në një fakt shkencor të njohur shumë shumë vonë, por të paralajmëruar nga Kur’ani 14 shekuj më parë!

3. “Ne i lëshojmë erërat mbarështuese dhe nga qielli lëshojmë shi për ju…” (Hixhr, 15:22)

Disa komentues të vjetër nuk e kanë kuptuar si duhet cilësimin e erërave si mbarështuese. Kurse kur e kanë pyetur Ibni Abbasin 11 shekuj më parë mbi kuptimin e këtij ajeti, ka thënë: “Erërat bëjnë mbarështimin e bimëve, pastaj edhe të reve…”[1] Megjithëkëtë, edhe komentuesit pas tij nuk e kanë kuptuar dot rolin mbarështues të erës për retë. Siç dihet, retë ngarkohen me elektricitet duke lëvizur e duke u fërkuar me ajrin, gjë të cilën ua siguron era. Ndërkaq, duhet theksuar se si tek mbarështimi i bimëve, ashtu dhe te i reve, kemi dukurinë e bashkimit të gjërave çift ose me ngarkesa të kundërta. Në lidhje me këtë, në ajete të tjerë Kur’ani bën fjalë mbi krijimin çift (Jasin, 36:36; Dharijat, 51:49). Dhe kjo është një mrekulli tjetër e Kur’anit.

4. “Shihni se si i shtyn Allahu retë, pastaj i bashkon, i bën grumbull dhe ju shihni se si rrjedh prej tyre shi. Ai lëshon nga retë e mëdha si kodra edhe breshër, me të cilin godet kë të dojë e nga i cili mbron kë të dojë. Shkëlqimi i dritës së vetëtimës sa s’të merr sytë!” (Nur, 24:43)

Qysh atëherë kur nuk njihej fare përbërja e reve, Kur’ani bënte përshkrime të sakta që u zbuluan vetë 14 shekuj më vonë.

5. “Ne e ngritëm qiellin me dorën tonë dhe Ne e zgjerojmë atë pa pushim.” (Dharijat, 51:47)

Në vitet 1920, Hubble i bëri një dhuratë botës astronomike. Me anë të një gjetjeje matematike që u quajt me emrin e tij, Koeficienti i Hubbles, ai zbuloi se disa galaktika largoheshin pa pushim prej nesh. Më pas, matematikani belgjian, Lamaitre e përcaktoi këtë dukuri si “zgjerim i hapësirës”. Pastaj kjo dukuri u pranua edhe nga shkencëtarë të tjerë si dhe nga Ajnshtajni.

E vërteta e krijimit në Kur’an

Nga ajetet kur’anore në lidhje me krijimin, do të shqyrtojmë katër prej tyre.

1. “Dhe i thamë: “O Adem, ti dhe bashkëshortja jote banoni në xhennet dhe hani sa të doni nga të mirat që ka atje, vetëm atë pemë mos e prekni se, ndryshe, do të bëheni dhunues e të padrejtë.” (Bakara, 2:35)

Kur’ani e fillon rrëfimin mbi krijimin njerëzor me njeriun e parë dhe bashkëshorten e tij dhe nuk bën fjalë aspak për evolucionin.

2. “Për Allahun, gjendja e Isait është si gjendja e Ademit. Allahu e krijoi Ademin prej dheu. Ai i tha Ademit “bëhu” dhe ai u bë!” (Al-i Imran, 3:59)

Kur njerëzit ranë në dyshim në lidhje me krijimin e Hz. Isait dhe nisën të gjykojnë se si mund të lindte njeriu pa baba, iu erdhi në ndihmë Kur’ani që sqaronte se në lindjen e tij pa baba nuk kishte gjë për t’u çuditur, pasi lindja e tij ishte një mrekulli si dhe krijimi i Hz. Ademit, ndërkaq që ky s’kishte patur as nënë. Kjo do të thotë se Allahu ka mundësi për çdo gjë dhe bën gjithçka që dëshiron. Ndërkaq, me qëllim që ne ta kuptojmë veprimtarinë e Tij, Allahu e mbulon atë me anë të shkaqeve dhe pasojave që janë të kuptueshme për ne dhe na duken të natyrshme e të zakonshme. Kurse disa herë Allahu e heq mbulesën e shkaqeve me qëllime dhe urtësi të caktuara dhe, atëherë, aktet e tij na duken të jashtëzakonshme e të pashpjegueshme, prandaj i quajmë mrekulli. Kështu, edhe krijimi i Ademit, edhe krijimi i Isait janë sa të mundshme për Allahun, aq dhe të pamundshme për ne kur i gjykojmë ato në kuadrin e shkaqeve dhe pasojave dhe me kriteret me të cilat gjykojmë ngjarjet e tjera të ashtuquajtura të zakonshme.

3. “Dhe u tha Zoti yt engjëjve: “Unë krijova një njeri prej balte dhe i fryva nga fryma ime, prandaj bini në gjunjë para tij…” (Hixhr, 15:28-29)

Këto ajete tregojnë se njeriu i parë, Ademi, u krijua prej dheu dhe atij iu dha frymë hyjnore. Sot dihet se njeriu formohet në mitrën amësore nga zhvillimi në etapa të caktuara i vezës së fekonduar nga spermatozoidi, pra, duke pasur për bazë një koncentrat dhe jo me anë të ndonjë farë evolucioni. Sipas përshkrimit të Kur’anit, edhe njeriu i parë pati për bazë një koncentrat të përbërë nga elementët e tokës dhe uji, i cili u zhvillua në kushte të caktuara që cilësohen si urdhri “bëhu” i Zotit. Mes bazës dhe krijimit të njeriut të parë dhe njeriut të zakonshëm sot nuk ka asnjë ndryshim. Koncentrati është po ai, kurse mjedisi i krijimit, ndërsa për njeriun e sotëm është mitra, për njeriun e parë është përsëri një “mitër”, por e panjohur për ne, e cilësuar vetëm si urdhri “bëhu” i Zotit dhe fryma hyjnore. Në të dy llojet e krijimit nuk ka asgjë të përbashkët me evolucionin.

4. “O njerëz! Ruhuni prej Zotit tuaj që ju krijoi juve prej një fryme të vetme, që krijoi për ju shoqe nga vetja juaj dhe nga dy të parët krijoi meshkuj e femra!” (Nisa, 4:1)

Duke e quajtur atin e parë të të gjithë njerëzve, “një frymë të vetme”, Kur’ani kundërshton dhe hedh poshtë vargun e etërve të njeriut që pretendon evolucioni. Sipas Kur’anit, njeriu i parë bart dhe përfaqëson “frymën e vetme”, nga e cila, pastaj u krijua çifti i parë dhe prej të dyve, gjithë njerëzimi. Kështu, as “fryma e vetme”, as dhe çifti i vet që bartte të njëjtin entitet njerëzor, nuk ishin hallkë e një zinxhiri evolucioni. Njeriu ose fryma e parë është ati i një lloji qeniesh më vete, po ashtu, çifti i tij, nëna e po atij lloji qeniesh më vete!

Kuptimi i disa ajeteve të tjera kur’anore që kanë lidhje me krijimin

  • Betohem se Ne e krijuam njeriun prej një esence prej balte. (Muminun, 23:12)
  • Ne, çdo gjë të gjallë e krijuam prej uji. (Enbija, 21:30)
  • Dhe Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej balte dhe, pasi t’i jap formë e t’i fryj prej frymës sime, ju bini në gjunjë para tij!” Të gjithë engjëjt ranë në gjunjë para tij, kurse Iblisi, djalli, jo! Ai u mbajt më të madh e u bë mohues! (Sad, 38:71-74)
  • Ai është që e krijoi njeriun prej një pike uji dhe e bëri fis të lidhur me lidhje martese. Zoti yt ka mundësi për gjithçka! (Furkan, 25:54)
  • Allahu ju krijoi ju prej dheu, pastaj prej uji. Pastaj ju bëri çift. (Fatir, 35:11)
  • Ai është që ju krijoi ju prej një balte dhe që pastaj ju caktoi një jetëgjatësi dhe vdekje. Gjithashtu, te Ai ka një vendim të parashkruar. Akoma po dyshoni? (En’am, 6:2)
  • Ai është që ju bëri ju prej një fryme të vetme. Pastaj për ju ka një vend ku të rrini dhe, si amanet, një vend për të qëndruar. Ne i bëmë të ditura ajetet tona hapur për ata që kuptojnë. (En’am, 6:98)
  • Allahu që e ka krijuar çdo gjë të bukur dhe të përsosur, krijimin e njeriut e nisi nga balta. Pastaj, brezin e tij e riprodhoi prej një esence uji (spermë). Pastaj i dha atij formën më të bukur, i fryu nga fryma e vet dhe krijoi për ju veshë, sy dhe zemra. Por sa pak që falenderoni! (Sexhde, 32:7-9)
  • Allahu e krijoi njeriun nga argjila e pjekur. (Rahman, 55:14)

Krijimi në hadithet profetike

1. Buhariu dhe Muslimi përcjellin njëzëri prej Ebu Hurejres se në një pjesë të një hadithi të gjatë ku tregonte për krijimin e gruas, Profeti ka thënë: “Këshillojini gratë për të mirë dhe silluni mirë me to. Ato janë krijuar prej një brinje!”[2]
Siç duket hapur nga hadithi, Profeti nuk e lidh krijimin e gruas me evolucionin.[3]

2. Në një hadith tjetër të quajtur autentik nga Ibn Ebi Hatimi dhe të përcjellë nga Ibni Asakiri me pak ndryshime, Profeti thotë kështu: “Ati juaj, Ademi, e kishte shtatin si një dru hurmaje, 60 zira të gjatë.”[4]
I Dërguari i Allahut e paraqet Ademin si atin e parë të njerëzimit në një mënyrë aq të qartë e të prerë, sa s’lë vend për interpretim.

3. Ahmed b. Hanbel, Ebu Davud dhe Tirmidhi përcjellin këtë hadith prej Ebu Musa el-Esh’ariut: “Allahu mori prej gjithë faqes së tokës një grusht dhé dhe e krijoi Ademin.”[5]
Edhe nga ky hadith kuptohet se baza e Hz. Ademit është një koncentrat i tërë dherave të tokës. Allahu e ka krijuar atë nga sinteza e këtij koncentrati.

4. Në një hadith tjetër të përcjellë nga Ahmed b. Hanbel prej Hz. Enesit thuhet: “Pasi e krijoi Ademin, Allahu e la për një farë kohe aq sa deshi. Iblisi e shihte Ademin dhe filloi të thurë iluzione rreth tij. Dhe kur e pa bosh, e kuptoi se nuk do të bëhej një krijesë zotëruese e vetvetes.”[6]

5. Ibn Hibban dhe Bezzari, autori i një Musnedi, përcjellin këtë hadith nga Hz. Enesi: “Kur Allahu i fryu Ademit nga fryma e tij, Ademi teshtiu dhe tha pas teshtitjes, “Elhamdulil’lahi Rabbilalemin!”, “Lavdi Allahut, Zotit të botëve!” Kurse Allahu ia ktheu: “Jerhamukellah”, “Allahu të dhëntë shëndet!”[7]
Te Buhariu lexojmë këtë rivajet: “Allahu i Lartë e krijoi Ademin sipas fytyrës së Tij (si qendër të shfaqjes së të gjithë emrave të Tij) dhe me shtat 60 zira…”[8]

6. Ahmed b. Hanbel përcjell këtë hadith prej Ebu Hurejres: “Njerëzit do të hyjnë në xhennet në gjendjen e Hz. Ademit kur u krijua. Ai ishte lakuriq, pa qime, i ri, lëkurëbardhë, me sy të shkruar, me shtatin 60 zira dhe gjerësinë e shpatullave 7 zira.”[9]

Krijimi në Librin e Shenjtë

Le të flasim dy fjalë edhe për kapitullin mbi gjenezën te Libri i Shenjtë. “Zoti e krijoi Adamin prej baltës së tokës, i fryu në hundë dhe ai u bë njeri i gjallë.”[10] Kurse krijimi i Havasë përshkruhet kështu: “Dhe Zoti i dha Adamit një gjumë të thellë, pastaj i mori një brinjë dhe ia mbushi vendin me mish. Pastaj prej asaj brinje bëri një gura dhe ia solli Adamit!”[11]

Si Kur’ani, edhe Libri i Shenjtë dhe të gjithë librat e tjerë hyjnorë bëjnë të ditur se njeriu i parë është krijuar nga Zoti prej elementëve të dheut dhe kështu besojnë të gjithë anëtarët e feve. Pra, s’është ashtu siç thonë Darvini dhe evolucionistët. Njeriu nuk e ka marrë formën e sotme duke evoluar.

Perfundim

E vërteta që u përpoqa ta parashtroj nga kreu gjer këtu, është kjo:

Sado me kujdes që të ketë qarkulluar teoria e evolucionit dje e sot e që mund të qarkullojë nesër në disa katedra shkencore, në librat e disa shkencëtarëve e në gojët e tyre, nuk ka një bazë të shëndoshë, nuk ka një argument bindës që të mund ta mbështesë evolucionin. Nuk janë gjetur dot fosile që ta lidhin njeriun me majmunin. Në disa fosile janë bërë falsifikime, disa të tjera i kanë formuar duke i mbledhur pjesët andej-këtej dhe pjesët e mangëta i kanë montuar sipas imagjinatës. Gjenetika e kundërshton këtë!

Struktura e DNA-së që kërkon dituri dhe fuqi të jashtëzakonshme, i lë krejtësisht jashtë mundësie të gjitha llojet e rastësive dhe ndërhyrjeve të pavetëdijshme. Gjërat e pretenduara gjer tani si argumente, ose janë hipoteza, ose interpretime të sforcuara dhe të gjitha boshllëqet teorike janë mbushur e mbushen me skenare të fantazuara. Kurse pretendimet e mbrojtura duke u nisur nga një sërë ngjashmërish, janë vlerësime që i japin prioritet strukturës pa parë funksionet dhe detyrat jetësore dhe asnjëri prej tyre s’vlen si argument.

Momenti vital i çështjes është se ata që thonë “i gjetëm”, ata që i parashtrojnë “gjetjet” si argumente, janë mjediset që i besojnë plotësisht evolucionit, kurse të gjitha të ashtuquajturat argumente të tyre kanë nevojë për shqyrtim. Ashtu si rastësitë nuk kanë as vendin më të vogël në ekzistencë, në të njëjtën mënyrë, është e pamundur që një qenie e gjallë të ekzistojë vetvetiu nga hiçi. Ashtu si eksperimentet e Pastërit, edhe eksperimentet më të gjera, më të thella të bëra rreth kësaj çështjeje, e hedhin poshtë krijimin (ekzistencën) vetvetiu. Edhe nëse te një qenie e gjallë ndodhin disa ndryshime të pjesshme për shkak të disa kushteve të caktuara, këto ndryshime jo vetëm që s’mund të bëhen kurrë bazë për ndryshim lloji, jo vetëm që një ndodhi e tillë nuk është hasur gjer më sot, por ato kanë ndodhur sepse e ka lejuar përbërja e asaj qenieje. Edhe faktorë të tillë si struktura e gjallesave, kromozomet, imuniteti i qelizës dhe kundërshtimi i ndërhyrjeve nga jashtë, në fakt, në asnjë mënyrë s’i hapin portë mundësisë së shndërrimit të llojit. Veç kësaj, të gjitha fetë e kaluara, të gjithë profetët, të gjithë librat e shenjtë e shprehin hapur se çdo gjë, përfshi edhe njeriun, është krijuar nga Zoti (Allahu) duke ia mbyllur të gjitha dyert evolucionit!

Jo vetëm që kjo çështje nuk është fusha ime, por dhe unë u përpoqa ta shpjegoj një çështje që shpesh mund të shpjegohet në mënyrë të shumanshme e të thellë, vetëm në vijat e saj kryesore dhe bashkë me disa specifika që shpëtojnë nga shikimi. Duke u justifikuar me dobësinë dhe paaftësinë time, megjithatë, duke e theksuar rëndësinë e çështjes, i lutem Zotit që dijetarët e zellshëm e të lidhur pas të vërtetës ta kryejnë detyrën që u takon për ta shqyrtuar këtë çështje gjerë e gjatë dhe për ta shpëtuar brezin e ri nga mashtrimi me anë të dogmës së evolucionit që mbahet në rend të ditës në emër të mohimit të hyjnitetit. Unë mendoj se ka ardhur e ka kaluar koha që, në vend të librave të shkruar në Perëndim dhe nga ana e mjediseve përkrahëse të evolucionit, të shkruhen libra që mbështeten te e vërteta dhe thonë të vërtetën!


[1] Taberi, Xhamiul Bejan, vëll. 14, f. 19-22.
[2] Buhari, Enbija, 1; Muslim, Rada, 61-62; Darimi, Nikah, 35; Musned, 5/88.
[3] Për kuptimin e krijimit të Hz. Havasë prej brinjës së Hz. Ademit, shih F.Gylen, Lëkundjet që solli shekulli, përkthimi shqip.
[4] Ibni Asakir, Tarihi Dimeshk, 7/404-405. Veçanërisht shih Buhari, Istizam, 1. Në një periudhë kur sipërfaqja e tokës ishte e mbuluar me pyje dhe kur nuk ishte formuar ende popullsia njerëzore, është normale që shtati i njeriut të ketë qenë i tillë. Në gjatësinë e shtatit të njeriut ndikojnë si klima dhe kushtet e sipërfaqes, ashtu dhe dendësia e popullsisë, e cila shkakton shkurtimin e shtatit. Ndërkaq, për ta mbajtur të gjerë kuadrin e kuptimit të çështjes, është mirë të mbahet parasysh edhe interpretimi i Ibni Haldunit, i cili thotë se Ademi mund të ketë pasur këtë shtat kur ka qenë në xhennet. Allahu e di se ç’është më e drejtë! 2. Njësia e gjatësisë zira diku merret sa gjatësia e parakrahut (rreth 40 cm.), diku identifikohet me njësinë e quajtur arshin, diku me gjatësinë 70-90 cm.
[5] Tirmidhi, Tefsiru sure, 1-2; Ebu Davud, Sunnet, 16; Musned, 4/400-406.
[6] Musned, 3/152.
[7] Hejsemi, Mevaridu’z-Zem’an, I/508; Ibn Hibban, Sahih, 14/37, 41.
[8] Buhari, Isti’zan, 1; Enbija, 1; Muslim, Xhennet, 28; Tirmidhi, Tefsiru’l-Kur’an, 94; Mustedrek, 1/132.
[9] Musned, 2/295, 343, 415.
[10] Gjeneza, 2:7.
[11] Gjeneza, 2:18, 21-22.

Share:

More Posts

DIALOGU DHE SAKRIFICA

Pyetje: Transmetohet se imam Sharani i nderuar ka thënë: “Nëse qëndroj për një kohë të shkurtër pranë një njeriu që nuk fal namaz, nuk e ndiej namazin tim për dyzet ditë.” Mirëpo, për shkak të përgjegjësive tona shoqërore, ndodh shpesh që ne të jemi bashkë me njerëz nga më të ndryshmit. A ka ndikime negative…

Përmendja e Allahut dhe lutja

Miqtë e Zotit i kushtojnë shumë rëndësi përmendjes me uirde e dhikre të Allahut. (Lexojnë Kuran dhe lutje, përmendin Allahun) Ata thonë se leximi çdo ditë i një mase Kuran dhe përgjërimi Allahut me lutje janë tejet të rëndësishme për sa i përket lidhjes e marrëdhënies sonë me Allahun. “Çdo individ duhet të përcaktojë diçka…

Lutja

Të besosh te lutja
 
Te lutja thelbësore është të besosh te pranimi i saj dhe të kesh besim. Njeriu nuk duhet thjesht të hapë vetëm duart, por ai duhet të hapë edhe zemrën. Fjalitë që thuhen në lutjet që bëhen pas namazit të sabahut dhe atij të ikindisë janë të pranishme në Mexhmuatu’l-Ahdhab;[1] vetëm se janë…

Shpirti i vetëdedikimit

Sinqeriteti dhe vetëdedikimi
 
Ndryshe është mirësia e Allahut ndaj sinqeritetit. Njeriu duhet ta kalojë zemrën e tij në thjerrë çdo ditë, mandej t’u vihet punëve që ka për të bërë. Nuk duhet të përfshijë në punët e bëra për hir të kënaqësisë së Allahut asnjë punë tjetër, edhe në qoftë se ajo është e lejuar.
As të…

Brezi i Kuranit

Pyetje: Për kë është fjala, kur qëndrohet te ‘brezi i Kuranit’, që ndalemi herë-herë gjatë bisedave? Cilat janë detyrat e këtij brezi?
Brezi i Kuranit
Përgjigje: Brez të Kuranit quajmë atë brez që e ka kthyer dëshirën hyjnore mbi rruzullin tokësor në qëllim të vetëm, përfaqëson ashtu siç duhet çdo të vërtetë të Kuranit, i Cili do…

Detyra e arkitektëve të rizgjimit

Pas shumë prej problemeve të Islamit në ditët e sotme qëndrojnë myslimanët e formës, të cilët nuk e kanë fituar dot brenda vetes Islamin e vërtetë dhe nuk janë shkrirë dot me vetëdijen e sinqeritetit dhe mirësisë (ihsan[1]). Sjelljet e tyre, që bien ndesh me kriteret e vëna në pah nga Islami, mosnjohja e kufijve…

Ajo çfarë do Zoti është themelore

Njeriu që ka besim tek Allahu, përqafon fort vullnetin dhe bëhet njësh me urtësinë, nuk ka dyshim që në fund do të dalë medoemos fitimtar. Nëmos sot, nesër, nëse jo këtu, do të dalë fitimtar matanë. Mirëpo, ja që njeriu ka një natyrë të prirur nga ngutja dhe do që të gjitha gjërat e bukura…

Rruga e dobësisë dhe varfërisë

Si njerëz ne kemi punë dhe ngarkesa nga më të ndryshmet në përditshmërinë e jetës së tyre, bëjmë zgjedhje nga më të ndryshmet dhe nuk mund ta dimë nëse e kemi apo jo pëlqimin e Allahut të Madhërishëm në ato zgjedhje që bëjmë. Ndoshta, pa vetëdije ne mund të përfshijmë edhe egoizëm në mesin e…

Mesazhi i Fethullah Gylenit për fatkeqësinë e tërmetit në Turqi

Me shumë dhimbje mësova se shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë gjenden nën rrënoja, në pritje të shpëtimit, si pasojë e tërmetit me epiqendër në Kahramanmarash i shkallës 7.7 që ka prekur edhe qytetet tona të Hatajit, Adanasë, Gaziantepit, Mallatias, Kilisit, Adijamanit, Dijarbakërit, Shanllëurfas dhe Osmanijes, si dhe disa zona të Sirisë.  
 
U…

Llogaridhënia dhe kërkimi i faljes

Krenaria e Njerëzimit (s.a.s) thotë në një hadith të Tij: “Çdo njëri prej jush është bari dhe përgjegjës për të gjithë ata që ka nën kujdesin e tij.”[1] Sipas fjalëve të këtij hadithi, çdokush ka një hapësirë në të cilën është përgjegjës dhe do të japë llogari për përgjegjësitë e tij. Për shembull, ai që…

Send Us A Message