Ekzistenca, jeta, bota e gjallesave dhe, veçanërisht, njeriu, mes këtyre, kanë shumë anë të ndryshme që përbëjnë bazë për shkenca të ndryshme.
Kur e trajtojmë çështjen vetëm lidhur me njeriun, na dalin përballë morfologjia, fiziologjia, psikologjia, sociologjia, mjekësia, pedagogjia dhe një sërë shkencash të tjera. Secila prej këtyre përbën një tematikë të veçantë specialiteti dhe për çdo specialitet ka edhe specialistë përkatës. Por ç’e do që nuk ka një specialist të të gjithë universit, të gjallesave, madje s’ka një specialist të njeriut. Për rrjedhojë, me këto shkenca të specializuara është e pamundur si zgjidhja e problemeve të ardhura bashkë me ekzistencën dhe njeriun, ashtu edhe, natyrisht, thënia e diçkaje përfundimtare mbi këto shkenca. Nga këto, është nevoja e një vetëdijeje kolektive dhe e qendrave shkencore krejt të përsosura të cilat, vetëm për ta kuptuar njeriun dhe nxjerrë në shesh teknologjinë njerëzore, të mund të prodhojnë njohuri gjithëkonceptuese, të parashtrojnë mendimin e përgjithshëm dhe sinteza të plota si dhe të mund ta përfshijnë epokën me të gjithë ekzistencën e saj. Pandeh se në vitet e ardhshme, lidhur me këtë temë, do të shkruhen shumë libra, do të parashtrohen mendime alternative të panumërta dhe, duke hyrë në veprim qendra shkencore të përmasave botërore, do ta ushqejnë edhe më shumë këtë këndvështrim. E pikërisht atëherë, një sërë njerëzish fatmirë të mendimit e shkencës do ta shkruajnë përsëpari ecurinë e ekzistencës, do ta zbulojnë përsëpari çdo gjë, veçanërisht gjallesat dhe, mes tyre, njeriun dhe, duke i nxjerrë në shesh të vërtetat e gjerësisë së njeriut, do të mund të thonë gjëra më të qarta mbi çështjet që përbëjnë bazat e shkencave.
Megjithëkëtë, mund të themi se sot, në laboratoret moderne, i është hyrë analizës dhe njohjes së gjallesave në një mënyrë që s’ka qenë e mundur të arrihet gjer më sot. Lënda, molekula dhe qeliza janë bërë, në një masë të madhe, të njohshme e të dukshme pothuaj me të gjitha aspektet e tyre; në sajë të rrezeve X, është ekspozuar para syve forma dhe struktura e copëzave më të vogla të hyra në strukturën e lëngjeve dhe qelizave të trupit; në disa laboratore moderne dhe qendra kërkimore-studimore, janë sjellë në një masë të caktuar në gjendje të kuptueshme makropjesët përbërëse të proteinave që i përkasin një niveli më të lartë se përbërjet inorganike, funksionet e enzimave që i ndajnë dhe i bashkojnë këto, ligjet e marrëdhënieve të qelizave dhe indeve të përbëra prej tyre me mjedisin e brendshëm; lëngje të tilla si gjaku dhe tëmthi dhe marrëdhëniet e tyre me mjedisin kozmik, lidhjet e elementeve kimike me trupin dhe vetëdijen, të gjitha këto konsiderohet se janë qartësuar e kuptuar qoftë edhe relativisht.
Me gjithë këto zhvillime shkencore të denja për t’u vlerësuar, është e vështirë të thuhet se, veçanërisht në Turqinë pas Tanzimatit e gjer më sot, si në çdo fushë, edhe në katedrat dhe çerdhet shkencore, të jenë përjetuar të njëjtat zhvillime. Kjo periudhë në të cilën vendin e kërkimit, analizës dhe ndriçimit shkencor e zuri një imitim i verbër dhe vendin e mendimit shkencor, një shabllonizëm me çmim të lirë, do të kujtohet gjithë me keqardhje nga brezat e ardhshëm. Në këtë periudhë, ekzistenca u paraqit dhe u përshkrua pothuajse si një kaos, materia u pranua si copëra gjërash të hedhura dhe përplasura andej-këtej nga erërat e rastësisë, gjallesat u panë si një kafshatë e zakonshme që përtypej nën dhëmbët e pamëshirshëm të “seleksionit natyror”, kurse njeriu u poshtërua duke u vënë në rolin e një spektatori të pafat të ulur në tribunat e kësaj arene vdekjeje; e një spektatori të pafat, të dënuar për t’i soditur, dëgjuar dhe përjetuar të gjitha këto… Kurse, po të shihet nga një këndvështrim tjetër, do të kuptohet se e vërteta qëndron ndryshe, se mes të gjithë elementëve dhe të gjitha pjesëve të ekzistencës ka ndihmë reciproke dhe solidaritet, se gjithçka zhvillohet në rregullsi dhe harmoni të plotë, se “gjithçka është planifikuar sipas një qëllimi dhe synimi përfundimtar të caktuar” dhe se çdo gjë, e ekspozuar si një libër i shpalosur, karakterizohet nga një përmbajtje dhe cilësi marramendëse!
Unë nuk jam në gjendje ta gjykoj këtë këndvështrim të gabuar të ditëve të sotme dhe as t’i hulumtoj shkaqet e këtij shtrembërimi. Ndërkaq, është e dobishme që t’i theksojmë disa gjëra. Së pari, qe një kohë kur laboratorët tanë u shterpëzuan në atë mënyrë dhe u lidhën pas një orbite të vetme të tillë që, për fat të keq, qendrat tona kërkimore-shkencore si dhe sistemi ynë arsimor, në vend të shkencëtarëve dhe mendimtarëve të rangjeve botërore, përgatitën teknokratë që nuk qenë në gjendje t’u jepnin përgjigje pyetjeve “kush”, “si”, “pse” dhe “përse” që qëndronin me kokëfortësi para çdo dukurie!
Me të vërtetë, sa shkencëtarë përgatitëm ne që të mundnin të nxirrnin në dukje lajthitjet e shkencëtarëve perëndimorë, të kishin guximin që, duke përcaktuar, bie fjala, aspektet e mangëta, të gabuara e të shtrembëruara të darvinizmit, të thoshin se, sikurse teoritë e tjera, edhe darvinizmi mund të vihej në dyshim dhe diskutim si dhe të ripërtëritnin konsideratën se njeriu është, në thelb, një “qenie e nderuar, sublime” dhe jo groteske? Pra, sa qenë në gjendje të interpretonin ata se, krahas syve, trurit, hundës, veshëve, sistemeve të metabolizëm-katabolizmit, qarkullimit, frymëmarrjes, etj., që ekzistonin edhe te kafshët, njeriu zotëronte në mënyrë të privilegjuar aftësinë për të hyrë në marrëdhënie me qeniet e tjera, aftësinë për të zbuluar “anën tjetër” të gjërave dhe për të krijuar vlera si dhe, në përgjithësi, ta interpretonin njeriun në mjedisin e tij e të varur nga ai mjedis? Jo vetëm këto s’u bënë, por shkenca u shndërrua veçanërisht në një tabu të kundërvënë ndaj besimit dhe fesë, u sakrifikua për hir të këndvështrimeve dhe konsideratave ideologjike dhe nuk doli dot jashtë kufijve të pozitivizmit vulgar të shek. XIX, madje as të materializmit naiv!
Sa e hidhur është që, si rezultat i kësaj, biologjia na paraqitet sot si një fantazi e ngritur mbi teori të pavërtetuara, në krye të të cilave qëndron, pa asnjë dyshim, teoria e evolucionit! Ç’është e vërteta, nuk është puna ime ose e njerëzve si unë që merremi me një fushë tjetër, të flasim e shkruajmë për evolucionin, mirëpo kjo do të vazhdojë të bëhet për hir të së vërtetës gjersa të vijë dita që të mblidhen bashkë një gjenetist, një biokimist, një palenteolog dhe një teolog për ta nxjerrë të vërtetën në shesh jo për një vend apo shoqëri të caktuar a të kufizuar, por për të gjithë botën! Ndërkaq, sot, në emër të shkencës, çështja e evolucionit mbrohet si një dogmë kategorike më intransigjente se dogmat ideologjike, për çka dhe mendimi për ta vënë në diskutim atë, madje, konsiderohet faj!
Nga ana tjetër, duke e lënë mënjanë faktin se a kemi, më në fund, ne, teologë për ta diskutuar në mënyrë shterruese këtë çështje, na duhet të themi se sot na qëndron para si një e vërtetë e hidhur fakti që sistemi ynë arsimor teologjik nuk është në atë nivel që dëshirohet dhe që, prej disave, ka një shekull që ëndërrohet, si dhe nuk i përfshin shkencat e natyrës të paktën me parimet e tyre të përgjithshme. Ja, pra, mbi një truall të tillë, megjithëse shumica e specifikave që do të përpiqem t’i parashtroj këtu, nuk futen drejtpërdrejt në fushën me të cilën merrem unë, meqë parashtrimin dhe shqyrtimin, me sa ma lejon njohja ime, të kësaj çështjeje që qëndron pothuaj si një mur ndarës mes besimit dhe mohimit, e shoh si një detyrë, si një përgjegjësi, e kam krejtësisht të qartë se jam duke ia hyrë një pune tejet të vështirë për t’ia dalë në krye. Ç’është e vërteta, mendimi themelor që qëndron nën iniciativën për t’ia hyrë një pune të tillë me shpresën se do të më falin specialistët e çështjes në fjalë, s’është gjë tjetër veçse dëshira për t’u dhënë një shtytje kompetentëve të kësaj fushe. Dhe dëshiroj që ata ta marrin përsipër këtë barrë në mënyrë që kjo çështje t’u pohohet në tërë lakuriqësinë e saj brezave të plagosur, të cilëve ka që prej më shumë se një shekulli që po u zhbirohen trutë e po u grabitet besimi, dhe çdo gjë të vihet në shesh në tërë gjerësinë dhe thellësinë e saj!
Në fakt, më duhet të pohoj se, në vend të preokupimit me një temë të tillë, unë parapëlqej të flas për parimet bazë të Islamit që e besoj dhe që e përjetoj me emocion, të vë në pah vetitë e një brezi që do ta shpëtonte njerëzimin. Unë mendoj se të tregosh për vetitë konstruktive zgjon më shumë emocion në zemrat që besojnë. Kurse bëhem dëshmitar dhe mbetem pa mend para faktit që njerëz me shkollë e pa shkollë, universitarë e jo të tillë, madje një sërë dijetarësh dhe funksionarësh fetarë bëjnë pohime dhe deklarata kontradiktore në lidhje me çështjen e krijimit e cila është e mbështetur me ajete kur’anore, për rrjedhojë, i intereson besimit, si dhe bëjnë interpretime, sipas të cilave, ajetet e Kur’anit dhe thëniet brilante të derdhura nga buzët e bekuara të Profetit mund të shtjellohen me anë të darvinizmit!(?)
Dijetari Hysejin Xhisri ndaj të cilit ndjej shumë respekt, një shekull më parë, kur përballej me një pyetje rreth kësaj teme, thoshte: “Kjo çështje është ende një teori, por, nëse në të ardhmen na parashtrohet si një e vërtetë pozitive, atëherë edhe ne e përshtasim atë me ajetet e Kur’anit.” Sado respekt që të ndjej për këtë dijetar të madh, është e pamundur të bashkohem me opinionet përkatëse të tij dhe të shumë të tjerëve që mendojnë si ai mbi këtë temë. Sepse idetë e Darvinit mbi evolucionin dhe teoria e evolucionit kurrë nuk do të mund të përshtaten ose përputhen me ajetet-argumente të Kur’anit ngaqë ky nuk e interpreton jetën si rezultat imediat rastësor të një sërë shkaqesh rastësore. Dhënia e jetës dhe e vdekjes janë dy akte ekskluzivisht hyjnore, pra, që i përkasin, në mënyrë të padiskutueshme, Zotit. Edhe pse për të dyja, për momentin fillestar të tyre, bëhet fjalë për një sërë shkaqesh materiale, në mënyrë të posaçme jeta është krejtësisht mbishkakësore. Dhënia e jetës është një akt i thjeshtë, esencial, primar, i paparaprirë nga asnjë lloj shkaku, i Zotit. Prandaj, meqë jeta nuk do të mund të shpjegohej me asnjë lloj shkaku material-lëndor, jo vetëm ajo është një e vërtetë që qëndron përtej të qenit një teori darviniane, por edhe kjo teori nuk do të mund të interpretohet dhe përshtatet me anë të ajeteve-argumente kur’anore dhe të pohimeve të Traditës Profetike! Ja, pra, ky është edhe një nga motivet që më shtynë ta trajtoj këtë temë!
Darvinizmi është një teori që kurrë nuk do të mund t’i atribuohet një personi të vetëm, qoftë ky Lamarku ose Darvini. Veç atyre që e patën hedhur në shesh këtë teori shekullin e kaluar, sot janë neodarvinistët të cilët, kinse për ta provuar evolucionin, për ta mbështetur Darvinin në teorinë e tij, për t’i gjetur pajandra asaj, janë duke zhvilluar teorira që, sa herë që njëra prej tyre nuk zë, zëvendësohet nga tjetra! Mirëpo ec e shih se si kjo teori e pavërtetuar si dhe teorizimet e tjera ndihmëse u mësohen nxënësve e studentëve si të vërteta shkencore të provuara apo të provuara përfundimisht në të gjithë sistemin arsimor-edukativ nga shkolla tetëvjeçare në universitete! Me këtë rast, edhe pse këto që do të them nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me çështjen, dëshiroj t’i lutem Krijuesit Transcendental që brezat e lumtur të së ardhmes ta ndriçojnë edhe këtë çështje, si të tjerat, në të gjitha aspektet e saj për të mos i preokupuar shkollat dhe katedrat shkencore me teori të tilla të pamundura për t’u provuar dhe vërtetuar!
Ndërkaq, veçanërisht në shek. XX janë ata që e kanë bartur teorinë e evolucionit nëpër laboratore me qëllim për ta provuar me anë të mutacionit. Prandaj mendojmë ta trajtojmë këtë temë në kuadrin e darvinizmit, neodarvinizmit, mutacionizmit, si dhe të konkluzioneve kategorike të Kur’anit mbi krijimin dhe pohimeve autentike e të pandryshueshme të Profetit (mëshira dhe paqja e Allahut qofshin mbi Të!).