KURANI DHE ZBULIMET SHKENCORE

Home » Albanian (Shqip) » Veprat » Udhëtim qëllimi të epërm » KURANI DHE ZBULIMET SHKENCORE

KURANI DHE ZBULIMET SHKENCORE



Pyetje: Gjithnjë, pas ndonjë zbulimi shkencor apo shpikjeje thuhet
se i janë gjetur shenjat edhe në Kuran. Sipas këtyre fjalëve, cila
duhet të jetë qasja e studiuesve përballë shprehjes së këtyre të
vërtetave shkencore edhe në Kuran? Cilat janë mesazhet që këto
ajete japin, sidomos atyre që merren me kërkim shkencor?

Përgjigje:
Kurani dhe universi janë secili nga një libër më vete i Allahut. Kështu që
nuk ka se si të mendohet që ata mund të jenë në kundërshti me
njëri-tjetrin. Po, ashtu si Shprehja Mrekulli, Kurani Fisnik, që buron prej
cilësisë së shprehjes që zotëron Allahu, është një interpret i përhershëm,
një shpjegues i pastër dhe një argument i plotë i librit të madh të
universit, i cili është edhe tregues i cilësisë së forcës së Tij. Kurani
interpreton universin, e universi fiton dritë në saje të Kuranit. Me pak
fjalë, Kurani Fisnik shpreh ligjet e universit, të fshehtat hyjnore, bashkë
me mënyrën e kontrollit që ka Allahu mbi tërë gjithësinë.

Pikërisht, ngase interpreton dhe shpjegon universin, në të gjenden një sërë
ndodhish të kësaj bote, të cilat mandej shërbejnë si shenja kah disa
studime shkencore mbi to. Kështu, që në kohët e para, krahas ajeteve që
kishin të bënin drejtpërsëdrejti me çështjet e besimit, si adhurimi apo
morali, u është dhënë vëmendje edhe ajeteve që shenjojnë fakte shkencore
duke u marrë me interpretimin dhe sqarimin e këtyre ajeteve. Për shembull,
nëse do të shihen ato që ka thënë Ibni Xherir et-Taberi për disa ajete të
tilla, do të shihet se ato shpjegime a interpretime janë shumë të ngjashme
me studimet e ndërmarra ditëve të sotme. Megjithëse ka jetuar afro njëmijë
vjet më parë, ky interpretues i mrekullueshëm i Kuranit, është gjetur në
disa vlerësime që qëndrojnë shumë e shumë më tepër mbi ato të kohës. Për
shembull, ai e interpreton ajetin

“Ne i dërguam erërat për pjalmim.”

[83]


si tregues se erërat janë ato që ndihmojnë në pjalmimin e bimëve. Shiheni
se si në një kohë kur ende nuk ishte zbuluar se retë ishin të ngarkuara
pozitivisht ose negativisht, ai tregon se si erërat luanë rol madje edhe në
procesin e reshjeve të shiut.

[84]

Dhe jo vetëm Ibni Xheriri, por edhe shumë interpretues të tjerë janë
shprehur për shumë ajete të cilat tregojnë shumë për ndodhitë që rrethojnë
gjithësinë. Por ç’e do se në këto dy shekujt e fundit, kjo nuk është parë
më si një çështje e qenësishme, por as e përshtatshme për studime të
mëvetshme.

Kur i afrohemi epokës në të cilën jetojmë, shohim se ka filluar të
qëndrohet më së tepërmi mbi çështjet e shkencës parë në Kuran – ndoshta kjo
e lidhur paksa edhe me botëkuptimin pozitivist që e karakterizon. Për
shembull, Muhamed Abduh, i cili ka përgatitur pesëmbëdhjetë vëllime me
interpretim të Kuranit, deri në suren Jusuf, ka bërë disa interpretime
tejet moderne për disa çështje të shkencës. Reshit Riza-i, njëri prej
epigoneve të tij më të mirë, i ka qartësuar paksa disa prej pikave të këtij
interpretimi, madje edhe duke i plotësuar interpretimet e ngelura të
mangëta që prej ku i ka lënë mësuesi i tij. Mirëpo aty gjenden edhe disa
komente të cilat dalin pak në kundërshtim me ato që mirëpranojnë dijetarët
e ehli Sunetit. Për shembull teksa interpretohet ajeti

“Sakaq, i ktheu ata menjëherë si byk i ngrënë.”

[85]


, është afruar më tepër kah një interpretim se njerëzit e Ebrehesë vdiqën
të shkatërruar prej sëmundjes së lules (xhuderi), e cila u shkaktua prej
mikrobit që mbartnin gurët e rrëzuar prej kthetrave të zogjve.

[86]

Ndërsa, në fakt, këtu shfaqet me anë të një metonimie, ku tregohet se me
gurët që hodhën zogjtë, ushtarët u bënë vrima vrima, njësoj siç bëhen
gjethet e ngrëna prej kandrrave.

Pak kohë pas shkrimit të këtij interpretimi, Tantaui Xhevheriu, shkroi një
interpretim që u quajt “el – Xhevahir” (Guri i çmuar), ku ajetet që janë të
lidhura me gjithësinë shihen nga një pikëvështrim më afër zhvillimeve që ka
treguar fusha e njohjes dhe shkencës. Megjithëse në disa vende nuk është
ruajtur thellësia e pritur, Xhevheriu është rrekur që t’i interpretojë në
bazë të të dhënave shkencore moderne. Vetëm se komentuesit e interpretimit
të tij e kanë parë atë përherë më tepër si një enciklopedi. Nuk kanë qenë
të pakta as përpjekjet e të ndjerit Said Havasë në këtë lëmë. Si përfundim,
pas orvatjeve të shumta të shumë dijetarëve, në fushën e interpretimeve sa
më shkencore ka nisur një frymë e re, ku si te ne, ashtu edhe në botën
arabe, ka filluar të vërehet ndjeshëm rritja e interpretimeve të Kuranit.
Për shembull, mund të përmendim Zaglulu Nexharin, i cili është një dijetar
tejet i nderuar i Arabisë Saudite, e që ka bërë një sërë kërkimesh për këtë
fushë. Ky dijetar i nderuar, jo vetëm që është një njohës shumë i mirë i
Kuranit, por është një njeri që mund të flasë lehtësisht për fushën e tij,
që i trajton çështjet në imtësi. Me pak fjalë, një akademik poliedrik.

Ndërsa, kur vijmë te Said Nursiu, mund të themi se ai nuk është thelluar
shumë kësaj rruge. Ai është mjaftuar vetëm me disa ajete, siç janë ajetet
që rrëfejnë goditjen e gurit me shkopin e tij prej Profetit Musa të nderuar
(a.s.)

[87]

, apo prurja e fronit të Belkisit prej Profetit Sulejman (a.s.)

[88]

. Por ai e ka treguar aq qartazi rëndësinë dhe përmbajtjen shkencore në
zbardhjen e të vërtetave që zotërojnë mrekullitë profetike, saqë vetëm ky
element ia vlen që të studiohet veçmas imtësisht.

Pozicioni i zbulimeve shkencore në qëllimet e përgjithshme të Kuranit

Përsa i përket faktit se çfarë vendi zënë zbulimet dhe shpikjet shkencore
me Kuranin Fisnik, duhet parë fillimisht se cili është vendi që zënë këto
zbulime në qëllimet e përgjithshme të Kuranit Fisnik, e aq do të jetë edhe
shkalla e përfshirjes së tyre brenda përmbajtjes së ajeteve kuranore.

[89]

Po të shihet Kurani me një sy të lirë, vërehet se Ai i jep përparësi
çështjeve të lidhura drejtpërsëdrejti me kriteret e besimit dhe të Islamit,
të cilat i tregojnë njeriut rrugën që të çon kah lumturia në jetën e
mbrame. Njëkohësisht, Ai i tregon njeriut disa prej parimeve që duhen
ndjekur në jetën individuale, familjare, por edhe shoqërore, për ta mësuar
atë si të përftojë lumturinë gjatë jetës në këtë botë. Kësisoj, ne mund të
themi se Kurani i jep përparësi lumturisë së njeriut si në këtë botë dhe në
atëbotë. Andaj, nëse do ta shohim çështjen pikërisht nga ky këndvështrim,
do të shohim se zbulimet shkencore, bashkë me shfaqjet e tyre në
përmbajtjen e ajeteve kuranore, zënë një vend më dytësor, sesa ato çështje
që janë të lidhura drejtpërsëdrejti me jetën e njeriut. Pastaj, Kurani nuk
është vetëm një libër që flet për llojet e shkencave. Ai i drejtohet
drejtpërsëdrejti tërësisë njerëzore. Kësisoj, duke iu drejtuar tërësisë
njerëzore përsa i përket përmbajtjes, edhe stili i përdorur është sipas
botëkuptimit të përgjithshëm. Nëse Kurani Fisnik do t’i qasej çështjeve
sipas këndvështrimit të rangut të shkencëtarëve që nuk përbëjnë as pesë
përqind, nëntëdhjetë e pesë përqind e njerëzve nuk do të mund të përfitonin
prej tij.

Kompleksi i inferioritetit dhe komente artificiale

Nga ana tjetër, ndërsa komentojmë disa prej ajeteve të cilat mbartin
informacione për disa arritje të shkencës, duke hyrë në disa qasje
artificiale, apo rendur pas ndonjë luksi të veçantë, madje edhe duke
devijuar nëpër fantazi të ndryshme, nuk është aspak sjellje e hijshme që të
themi, “ore po do t’i bëj një koment shkencor filan ajeti unë”, për të parë
pastaj se i ke bashkëngjitur diçka të pahijshme Kuranit. Nga ana tjetër, të
ngrihesh e ta provosh Kuranin, nëpërmjet të dhënash shkencore pozitiviste,
është një paturpësi që mund të bëhet karshi Fjalës së Allahut (xh.xh.). Po,
sikur këto çështje të lidhura me shkencën, të ngrihesh e t’i interpretosh
medoemos nëpërmjet ajeteve, madje ndonjëherë edhe duke e tejkaluar kufirin
e interpretimit (të Kuranit dhe Hadithit), duke e marrë si të mirëqenë çdo
zhvillim a arritje shkencore dhe duke e përdorur ajetin si mbështetje
kryesore për, është qasja më e paturpshme që mund të bëhet karshi Fjalës së
Allahut.

Veç kësaj, lidhja e Kuranit Fisnik me disa çështje të ndryshme të shkencës
ka ngjarë si pasojë e vetë stilit të veçantë të Tij. Ai ka përdorur një
stil aq të veçantë, saqë ka marrë parasysh jo vetëm bashkëbiseduesin e
atyre ditëve, por edhe bashkëbiseduesit e këtyre ditëve, ku shkenca ka
njohur goxha arritje. Me fjalë të tjera, nuk mund të gjendet asnjë
kundërthënie apo lajthitje logjike nëpërmjet mesazhit që i zbriste marrësit
të atij mesazhi gjatë asaj kohe, dhe arritjeve të shkencave, që
karakterizojnë epokën tonë. Për shembull, në suret Haxh, Muminun dhe
Murselat, flitet qartë për fazat që ndjek embrioni për t’u bërë fëmijë, në
barkun e nënës. Aty mund të shihet qartë se këto ajete, ashtu siç janë
kuptuar në njëfarë mënyre prej dëgjuesit a lexuesit të asaj kohe, sot ai
perceptohet habitshëm dhe mahnitshëm njëkohësisht prej kaq e aq
gjinekologësh specialistë të fushës së tyre.

Gjithashtu, një çështje tjetër që është e domosdoshme që të tregohet kujdes
janë komentimi dhe interpretimi i zhvillimeve dhe arritjeve të shkencave në
dritën e ajeteve dhe haditheve, por duke i paraqitur çështjet në mënyrë
alternative, duke mos e harruar asnjëherë se ai nuk është i vetmi kuptim që
buron prej tyre, për t’i lënë përherë të hapura portat e mundësive. Nuk
duhet të dalin fjali të hedhura ashtu, shkurt dhe preraz. Sidomos, nëse
është duke u bërë një shqyrtim në një lëmë krejt të re, kur pikat e saj
ende nuk e kanë vërtetuar ekzistencën e prerë, të japësh gjykime a
interpretime të lidhura me ajetet apo hadithet, mund të shpjerë në probleme
serioze. Fillimisht duhet të studiohen edhe punimet e bëra gjer më tani, të
cilat mund të kenë lidhje me çështjen në kundrim, si dhe duhet pasur edhe
dijeni se ç’thonë burimet kryesore për çështjen mbi të cilën ne po
përqendrohemi.

Këtu do qe e vlefshme të ceknim një çështje tjetër: Një teolog i cili po
merret me interpretimin e Kuranit, fillimisht duhet të zotërojë mjaft mirë
fushën e tij. Për shembull, duhet ta dijë mjaft mirë gjuhën arabe, me të
gjitha aspektet e saj, madje edhe të njohë tefsirin, fikhun, hadithet,
metodologjinë e interpretimit apo të fesë. E sakaq, krahas tyre duhet edhe
një njohuri e mirë edhe në disiplinat e tjera shkencore. Po ashtu, edhe një
studiues që merret me shkencat pozitiviste, duhet të ketë një njohje të
konsiderueshme të dijeve fetare. Fatkeqësisht, në ditët tona, këto dy fusha
janë duke përparuar të ndara nga njëra-tjetra. Të ndodh të shohësh, një
specialist i një disipline të caktuar shkencore ka përparuar aq shumë në
disiplinën e tij, por nuk di asgjë në lidhje me fenë. Teksa them “Nuk di
asgjë”, kam parasysh faktin se të kesh njohuri të mjaftueshme ilmihali, nuk
do të thotë të dish fenë. Madje, sikur një njeri të mësonte përmendësh
gjithë Buhariun, prapë nuk mund të thuash që e njeh mirë fenë. Edhe të ketë
mësuar të gjithë Kuranin përmendësh, nuk do të thotë kushedi se çfarë.
Sepse, krahas mësimit përmendësh të Kuranit dhe Hadithit, duhen përkapur
edhe bazat shkencore, në mënyrë që të kuptohen më mirë qëllimet hyjnore.

Zemra besimtare të pasionuara pas zbulimit

Sot, Perëndimi është duke e zbërthyer fije për pe ekzistencën dhe ngjarjet
e ndryshme nëpërmjet kërkimeve që po bën në disiplinat pozitiviste. Është e
pamundur të mos befasoshesh teksa shikon guximin dhe përpjekjet e tyre në
fushën e kërkimit. Por, ngase nuk njohin Allahun (xh.xh.) dhe Profetin
Muhamed (alejhis’salatu ues’selam), ata e komentojnë çdo gjë të kufizuar
brenda disa kallëpesh shumë të ngushta. Saora, sistemet e tyre shkojnë e
mbështeten veç pas ndonjë pozitivizmi, materializmi apo te natyralizmi. Me
fjalë të tjera, këto sisteme që e shohin materialen si çdo gjë, sa më shumë
të këmbëngulin në pikëvështrimin e tyre, aq më të ngushtë fillojnë që ta
kenë horizontin.

Ashtu siç këmbëngulin edhe shkencëtarët dhe historianët e filozofisë,
dijetarët myslimanë kanë arritur shumë zbulime marramendëse në lëmin e
dijeve dhe të shkencës, deri në Rilindjen e tyre, e cila ka ndodhur në
shekullin e pestë sipas kalendarit hënor (hixhri). Po, myslimanët patën
kryer shumë zbulime serioze në fusha si mjekësia, gjeometria, apo
astronomia. Por sa keq që pas shekullit të pestë, prej afro dhjetë shekujsh
e lamë këtë punë aty ku ishte, ndërkohë që flamurin e mori për ta çuar më
tej Perëndimi. E duke qenë kështu, ata i vendosin barrikada sistemit të
tyre, duke qenë të vetmit që mbushnin statistikat shkencore. E ngaqë e
ndërtuan vetëm sistemin për vete, filluan t’i gjykojnë dhe interpretojnë
gjërat sipas mendimit të tyre. Por ç’e do se arsyetimi abstrakt ka një kufi
në përkapjen e të vërtetës absolute. Me anë të arsyetimit njeriu mund të
arrijë deri në një pikë të caktuar dhe mund të japë sqarime të deridikushme
për çështjet që hulumton. Ka çështje të atilla që nuk mund kuptohen pa
kaluar nga prova e revelatës hyjnore; në atë fushë fjala e fundit i përket
asaj.

Atëherë sot, krahas fizikës duhet hulumtuar edhe shpirti dhe metafizika, me
qëllim ngritjen e një sistemi studimi dhe shkencor të baraspeshuar. Vetëm
atëherë mund ta shihni ekzistencën nëpërmjet mikroskopit, teleskopit apo
rrezeve X, për ta parë më qartë, asisoj që ta vlerësoni më drejtë. Këto
fjalë nuk duan assesi të thonë, se “ajo që ka arritur Perëndimi është e
gabuar.” Sepse, ngase edhe mendja ka urtësinë e saj të krijimit, ka shumë
të vërteta që janë arritur sajë saj. Mirëpo, të gjitha teoritë e hedhura
këto shekujt e fundit, duke qenë të bazuara vetëm nga aspekti materialist,
duhen rishikuar edhe njëherë, duke ndarë ato që ishin të sakta nga të
gabuarat. E kjo është e lidhur me faktin që ne t’i shohim edhe njëherë
shkencat ekzakte të kalojnë përmes boshtit të Kuranit dhe perimetrit të
besimit tonë. Gjë të cilës mund t’ia arrijnë vetëm ata që e kuptojnë si
duhet Kuranin.

Në disa rrethe flitet për transferimin dhe islamizimin e dijes. Për
mendimin tim, kjo qasje është sikur t’i veshësh dikujt një këmishë të lënë
amanet, kësodore një ndërhyrje që nuk të nxjerr në kurrfarë përfundimi.
Përkundrazi, çështjet duhen parë bashkë me dinamikat e tyre themelore, për
t’i kaluar nëpër duar dijet e kohës, nën dritën e një mendjeje të
shëndoshë, ndjenjash të qeta, dhe të sa më shumë dëshmive të besueshme,
derisa në fund të kemi thënë të vërtetat tona mbi to. Dhe kjo e gjitha
varet nga përpjekja jonë për të përgatitur njerëz të pasionuar pas dijes
dhe zbulimit të së vërtetës.

Nëse kërkohet shkrimi i një interpretimi të vërtetë të Kuranit që i
drejtohet kuptimit të njeriut të sotëm, fillimisht duhet ngritur një ekip
të përbërë prej njerëzish specialistë, të cilët zotërojnë dije të thellë në
të gjitha disiplinat. Pasi ky ekip t’i ketë diskutuar çështjet fillimisht
mes vedi, duhet të përcaktojë sipas bazës së fesë dhe metodologjisë së
interpretimit të Kuranit se ç’është e saktë dhe ç’është e gabuar, dhe vetëm
pasi të jetë marrë miratimi i një vetëdije të tillë kolektive interpretimet
duhet të regjistrohen. Kështu që, vetëm pasi të jetë ngritur një këshill i
tillë specialistësh si në disiplinat ekzakte, ashtu edhe fetare, me lejen
dhe ndihmesën e Allahut, nuk ka për t’u përçartur në lukse dhe kuturisje
interpretuese, e as në komente artificiale dhe të paprekshme nga asnjë anë.
Shpresa dhe pritshmëria jonë është që njerëzit e ditur e të mbushur me
besim të ditëve tona t’i mbledhin në kundrim të gjitha interpretimet, për
të thënë atë që duhet thënë mbi interpretimin e jetës, që edhe ne,
myslimanët e ditëve të sotme, të mund ta tregojmë edhe njëherë, për një
çast, besnikërinë dhe mirënjohjen tonë karshi Kuranit Fisnik.


[83]

Hixhr, 15/22.


[84]

Shih: et-Taberi, Xhamiu’l-bejan, 14/20.


[85]

Fil, 105/5.


[86]

Shih: Muhamed Abduh, el-A’malu’l-kamile, 5/504.


[87]

Shih: Bediuzaman Said Nursi, Fjalët, fq. 271 (Fjala e
Njëzetë, Mekami i dytë).


[88]

Shih: Po aty, fq. 272-273.


[89]

Shih: Bediuzaman Said Nursi, Fjalët, fq. 268 (Fjala e
Njëzetë, Mekami i dytë).

Share:

More Posts

DIALOGU DHE SAKRIFICA

Pyetje: Transmetohet se imam Sharani i nderuar ka thënë: “Nëse qëndroj për një kohë të shkurtër pranë një njeriu që nuk fal namaz, nuk e ndiej namazin tim për dyzet ditë.” Mirëpo, për shkak të përgjegjësive tona shoqërore, ndodh shpesh që ne të jemi bashkë me njerëz nga më të ndryshmit. A ka ndikime negative…

Përmendja e Allahut dhe lutja

Miqtë e Zotit i kushtojnë shumë rëndësi përmendjes me uirde e dhikre të Allahut. (Lexojnë Kuran dhe lutje, përmendin Allahun) Ata thonë se leximi çdo ditë i një mase Kuran dhe përgjërimi Allahut me lutje janë tejet të rëndësishme për sa i përket lidhjes e marrëdhënies sonë me Allahun. “Çdo individ duhet të përcaktojë diçka…

Lutja

Të besosh te lutja
 
Te lutja thelbësore është të besosh te pranimi i saj dhe të kesh besim. Njeriu nuk duhet thjesht të hapë vetëm duart, por ai duhet të hapë edhe zemrën. Fjalitë që thuhen në lutjet që bëhen pas namazit të sabahut dhe atij të ikindisë janë të pranishme në Mexhmuatu’l-Ahdhab;[1] vetëm se janë…

Shpirti i vetëdedikimit

Sinqeriteti dhe vetëdedikimi
 
Ndryshe është mirësia e Allahut ndaj sinqeritetit. Njeriu duhet ta kalojë zemrën e tij në thjerrë çdo ditë, mandej t’u vihet punëve që ka për të bërë. Nuk duhet të përfshijë në punët e bëra për hir të kënaqësisë së Allahut asnjë punë tjetër, edhe në qoftë se ajo është e lejuar.
As të…

Brezi i Kuranit

Pyetje: Për kë është fjala, kur qëndrohet te ‘brezi i Kuranit’, që ndalemi herë-herë gjatë bisedave? Cilat janë detyrat e këtij brezi?
Brezi i Kuranit
Përgjigje: Brez të Kuranit quajmë atë brez që e ka kthyer dëshirën hyjnore mbi rruzullin tokësor në qëllim të vetëm, përfaqëson ashtu siç duhet çdo të vërtetë të Kuranit, i Cili do…

Detyra e arkitektëve të rizgjimit

Pas shumë prej problemeve të Islamit në ditët e sotme qëndrojnë myslimanët e formës, të cilët nuk e kanë fituar dot brenda vetes Islamin e vërtetë dhe nuk janë shkrirë dot me vetëdijen e sinqeritetit dhe mirësisë (ihsan[1]). Sjelljet e tyre, që bien ndesh me kriteret e vëna në pah nga Islami, mosnjohja e kufijve…

Ajo çfarë do Zoti është themelore

Njeriu që ka besim tek Allahu, përqafon fort vullnetin dhe bëhet njësh me urtësinë, nuk ka dyshim që në fund do të dalë medoemos fitimtar. Nëmos sot, nesër, nëse jo këtu, do të dalë fitimtar matanë. Mirëpo, ja që njeriu ka një natyrë të prirur nga ngutja dhe do që të gjitha gjërat e bukura…

Rruga e dobësisë dhe varfërisë

Si njerëz ne kemi punë dhe ngarkesa nga më të ndryshmet në përditshmërinë e jetës së tyre, bëjmë zgjedhje nga më të ndryshmet dhe nuk mund ta dimë nëse e kemi apo jo pëlqimin e Allahut të Madhërishëm në ato zgjedhje që bëjmë. Ndoshta, pa vetëdije ne mund të përfshijmë edhe egoizëm në mesin e…

Mesazhi i Fethullah Gylenit për fatkeqësinë e tërmetit në Turqi

Me shumë dhimbje mësova se shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë gjenden nën rrënoja, në pritje të shpëtimit, si pasojë e tërmetit me epiqendër në Kahramanmarash i shkallës 7.7 që ka prekur edhe qytetet tona të Hatajit, Adanasë, Gaziantepit, Mallatias, Kilisit, Adijamanit, Dijarbakërit, Shanllëurfas dhe Osmanijes, si dhe disa zona të Sirisë.  
 
U…

Llogaridhënia dhe kërkimi i faljes

Krenaria e Njerëzimit (s.a.s) thotë në një hadith të Tij: “Çdo njëri prej jush është bari dhe përgjegjës për të gjithë ata që ka nën kujdesin e tij.”[1] Sipas fjalëve të këtij hadithi, çdokush ka një hapësirë në të cilën është përgjegjës dhe do të japë llogari për përgjegjësitë e tij. Për shembull, ai që…

Send Us A Message