
Pyetje: Në një hadith pohohet se të ndash një çift nga
njëri-tjetri, duke i dhënë shkatërrimin kësisoj një çerdheje
familjare, është një nga punët më të parapëlqyera të djallit. Çfarë
na këshilloni, që bashkëshortët as të mos bien në një kurth të
këtillë, duke i dhënë fund martesës së tyre, që është edhe hallalli
më i shëmtuar pranë Zotit?
Përgjigje:
Shkaktari i të gjitha punëve të shëmtuara, dhe shkatërruesi i të gjitha
veprimeve të vyera është djalli. Siç pohohet edhe në Kuranin Fisnik, “Shejtani ua tregoi atyre të stolisura punët e pavlera.”
[55]
, apo “Shejtani i futi ata në dyshime të njëpasnjëshme”
[56]
, gjithçka e ligë apo e pahijshme ka si burim djallin.
Armik dinak dhe i paepur
Nga ana tjetër, e shohim se Kurani Famëlartë e përmend atë me cilësorin
“garur – 1. me krenari të tepruar; 2. që të bën të harrosh Allahun. ” Për
shembull, Allahu (xh.xh.), në një ajet fisnik shprehet kështu:
“Shejtani hileqar të mos ju mashtrojë për Allahun (me dije, besime dhe
qasje të rreme)”
[57]
. Ngase epiteti “garur” është në shkallën sipërore, në të vërtetë mbart
kuptimin “gënjen shumë”. Me një fjalë, kjo e shejtanit qenka një gënjeshtër
e madhe. Ai vazhdimisht zhytet në thellësi të qëllimeve dhe mendimeve të
qenies njerëzore, për t’u munduar mandej me mish e me shpirt, si e si ta
nxjerrë atë prej rrugës së drejtë, me intrigat e tij të panumërta dhe me
përpjekjet e tij që nuk dinë të mbaruar.
Në një tjetër ajet fisnik fjala shejtan cilësohet me fjalën “hannas”.
[58]
Sepse shejtani është shumë dinak, tërhiqet mënjanë për të gjetur rastin, që
me t’i ardhur në dorë një mundësi e mirë, të mund të vërsulet menjëherë,
drejt e në sulm. Vazhdimisht fshihet pas një veli gjoja të së drejtës, i
afrohet njeriut nga mendimet e tij më të mira, e ia tregon punët që mund të
jenë më të shëmtuarat dhe më të papëlqyeshmet si të hijshme, duke e nxitur
kësisoj si e si, që ai të ecë në një shteg ku ta ketë të pamundur ruajtjen
nga të rrëshqiturit rrokapjekthi. Me pak fjalë, është një krijesë mëse
dinake, së cilës nuk mund t’i zihet kurrsesi besë. Siç shprehet edhe
Bediuzaman Said Nursi, një prej mashtrimeve më të rënda të djallit është
t’ia bëjë njeriut të harrueshme ekzistencën e tij.
[59]
Asisoj që njeriu hyn në një gjendje të atillë që megjithëse hyn kryekreje
nën sundimin e tij, duke vepruar me armët e tij më përfaqësuese, por sakaq
fillon të mendojë me pohime të tilla si, “këtë e mendova unë, unë vendosa
për të, unë e pata planifikuar, unë e realizova.” Me pak fjalë, ai fillon
ta shohë veten si arkitektin dhe ndërtuesin e çdo gjëje.
Edhe egoja që i është dhënë strukturës së njeriut, kryen një detyrë prej
centrali për djallin. Me gjuhën e Kuranit ajo është egoja urdhëruese, e
cila nuk e lë asnjëherë të qetë njeriun, pasi vazhdimisht i rri e pëshpërit
në rrëzë të veshit, si e si, vetëm për të këqija.
[60]
Nëse do të na duhej ta ilustronim me një shembull, djalli vepron me trupin
e njeriut sikur nëpërmjet një kodi mors, që i dërgon vazhdimisht atij
sinjale nga më të ndryshmet. Edhe egoja mundohet t’i dekodojë këto mesazhe,
për t’ia diktuar ato mandej njeriut. Ndërkohë që njeriu, fillon t’i
përgjigjet ngacmimeve dhe urdhrave të ardhura nga shejtani dhe egoja
urdhëruese, duke u bërë njësh me to, madje edhe duke kryer çfarëdolloj
prapësie nën urdhrat e tyre. Edhe prishja e një çerdheje, ndarja e fëmijëve
nga prehri familjar, është një prapësi e tillë, e cila kurorëzohet me një
rrënim sa material aq edhe shpirtëror.
Rrezja e dëmit
Ashtu siç theksohet edhe në pyetjen e bërë, I Dërguari i Allahut paqja
qoftë mbi Të pohon se shejtani nuk kënaqet me asgjë tjetër, aq sa kënaqet
nga prishja e një çerdheje familjare. Tekstualisht, hadithi në fjalë është
kështu: Iblisi e ka të ngritur mbi ujë fronin e tij (nga kjo shprehje ne
mësojmë edhe se në cilat vende qëndrojnë djalli bashkë me ithtarët e tij më
së tepërmi, nga mundohen më të shumti t’i mashtrojnë njerëzit. Me pak
fjalë, cilat janë vendet ku shejtani ngre postblloqet e tij, të cilat janë
vise krejtësisht të hapura e të përshtatshme për çdo vepër të keqe e të
papëlqyeshme.), ndërsa punët i bën duke dërguar kasnecët e vet sa majtas
djathtas (Disa prej këtyre kasnecëve e dërgojnë atë të hajë prej kamatës,
një tjetër fillon të sundojë në syrin e tij, duke e detyruar të shohë nga
gjërat e ndaluara, kësodore ia nxit njeriut ndjenjat që të shpien në
bohemi, për ta bërë atë një rendës pas ndjenjave epshore; një tjetër e
detyron të gënjejë, të përflasë të tjerët kur ata nuk janë të pranishëm,
apo edhe të shpifë për çështje të ndryshme.) Në nivel, me të janë më afër
ata që fusin spica për grindjen më të madhe. Të gjithë mblidhen përreth
Iblisit, dhe fillojnë të rrëfejnë ato që kanë bërë: “Unë bëra këtë,
atë…”, ndërsa Iblisi i përgjigjet: “Gjë të madhe paske bërë!” (Në fakt,
djalli i pëlqen të gjitha llojet e gjynaheve. Sepse tek çdo gjynah fshihet
një shteg që të shpie kah kufri, mohimi. Çdo gjynah i kryer lë një njollë
si pikë të zezë në zemrën e njeriut. Njëkohësisht, dikush që kryen një
mëkat, largohet edhe një hap më shumë prej Allahut, vetëm se shejtani pret
më tepër prej ushtarëve të vet.) Pastaj vjen një tjetër dhe thotë: “Nuk iu
shqita filanit, derisa e ndava më në fund nga e shoqja.” Iblisi kënaqet aq
shumë prej këtyre fjalëve, sa e thërret menjëherë pranë, për t’i thënë: “Sa
fantastik je!”, e një lumë me komplimente të tjera.
[61]
(Ja tek e kemi këtu një shenjë për një çështje që përbën një prej
sëmundjeve dhe fatkeqësive më të mëdha shoqërore.)
Domethënë, aq e rëndësishme është për shejtanin shkatërrimi i një
familjeje, saqë vetë djalli i derdh komplimente ushtarit të tij që nxit
diçka të këtillë, të cilat nuk ia derdh një tjetri që mund të ketë nxitur
diç tjetër të ndaluar. Madje, edhe e shpërblen me ndonjë medalje. Mirëpo,
pse qenka kaq e rëndësishme për shejtanin kjo çështje? Sepse, ai duke
shkatërruar një familje, nuk rrënon vetëm jetën e dy njerëzve që përbëjnë
një çift, por edhe të fëmijëve, prindërve dhe të afërmve të tyre, kësodore
deri në një prizëm që mund të përfshijë gjithë shoqërinë. Sepse kur
shpërndahet familja, e cila është si një molekulë e shoqërisë, edhe në
shoqërinë si tërësi fillojnë të shfaqen plasaritje, e kështu shoqëria
fillon të pësojë deformime të njëpasnjëshme. Mandej, çifti i ndarë fillon
të përbëjë shembull të keq për të tjerët përreth, duke u shpërndarë si
virus edhe në familjet e të tjerëve. Në dukje, shejtani ngjan sikur kryen
vetëm një mashtrimth të vogël, por me të ai ia arrin që të rrënojë shumë
themele njëkohësisht.
Andaj, nuk duhet harruar asnjëherë se shejtani nuk ka për të pushuar kurrë
së nxituri burrin dhe gruan kundër njëri-tjetrit, që medoemos të ndahen,
për ta kthyer familjen, e cila është projektuar për të qenë një kopsht prej
parajse, në një gropë të errët prej ferrit. Veçanërisht, për të dalë i
suksesshëm në këtë synim të tijin, ai do të përdorë vazhdimisht njerëzit e
djallëzuar, të cilat ka kohë që i vërtit në majë të gishtave, si t’i dojë
qejfi. Pa dyshim, që ata që dalin më të humburit nga futja në një rrjet të
tillë grindjesh dhe mosmarrëveshjesh, do të jenë fëmijët. Sepse është e
pamundur që një fëmijë të rritet i shëndetshëm shpirtërisht i rrethuar nga
të katër anët nga zënkat, përçarja, sherri dhe shpifjet. Po, në një çerdhe
kur babai zihet pa reshtur me nënën, fëmija do të përjetojë përherë një
gjendje të dyzuar, e çdo fjalë e pahijshme e dalë prej gojës së prindërve
do të lërë ndikim e vet në ndërgjegjen e fëmijës, derisa ai të mos durojë
dot, e të thotë me vete: “Ç’paskan qenë ky babai dhe nëna ime?!” Kësisoj
ata do të jetojnë zhgënjim pas zhgënjimi, derisa ta humbin krejt besimin e
tyre te prindërit. Tani, mendoni pak, pse të mos marrë lodrën e të gëzojë
shejtani përballë një panorame të tillë?
Divorci duhet të jetë alternativa e fundit
I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të shprehet:
“Hallalli më i shëmtuar pranë Allahut është divorci.”
[62]
, duke treguar se sa e shëmtuar është për Krijuesin ndarja e një çifti.
Prandaj, ata që kanë paksa lidhje me këtë hadith, do të ishte mirë nëse
mirëinformoheshin fillimisht. Nëse do të më lihej mua në dorë, të gjithë
atyre që kanë planifikuar të martohen, nuk do t’ua lejoja që ta bënin diçka
të këtillë pa i dhënë më parë disa seminare, apo pa i dhënë disa libra të
domosdoshëm për t’i lexuar. Të paktën do t’i fusja ata në një program
edukimi një ose dy-mujor, ku do t’u shpjegoja “rëndësinë e martesës, të
drejtat dhe detyrat, si të burrit, ashtu edhe të gruas, lidhjet e tyre, por
edhe disa kritere mbi rritjen e fëmijëve.” Mirëinformimi i tyre në këtë
aspekt është i domosdoshëm. Sepse një njeri që nuk ia ka dijeninë
përgjegjësisë së të qenit burri i një familjeje, apo dikush që nuk e di
rëndësinë e të qenit zonjë e një shtëpie, nuk mund të mendohet se do të
mund të ngrenë në këmbë një familje të shëndoshë.
Nga ana tjetër, për të mos hyrë në një rrugë që të shpie te divorci, është
e rëndësishme që të përcaktohen më së miri parimet e një martese të denjë.
Martesa nuk i ka shumë qejf veprimet e nxituara që burojnë prej ndjenjave.
Andaj, krahas ndjenjave, që edhe ato janë tejet të rëndësishme, është e
nevojshme që edhe arsyeja të përdoret deri në detajin më të imët. Po, është
e pamundur, që martesat e ngritura mbi një shikim të parë të pamjes së
jashtme të jenë jetëgjata dhe me një atmosferë shpirtërore të rehatshme.
Sepse jeta martesore ka për t’u zhdukur bashkë me to. Andaj, megjithëse
ndjenjat janë të rëndësishme, e duhen marrë parasysh, arsyeja dhe logjika
nuk duhen braktisur në asnjë mënyrë, madje duhen përllogaritur imtësi për
imtësi, përpara se të kryhet lidhja përfundimtare. Madje, një person që
mendon të martohet, nuk duhet të mjaftohet vetëm me mendimet dhe bindjet e
veta. Ai duhet ta diskutojë këtë çështje me njerëzit përreth me më shumë
përvojë, e të përfitojë sa më shumë edhe prej mendimeve të tyre. Madje, do
thënë se edhe tradita jonë kombëtare e fejesës është një zakon i mirë,
sepse kësisoj do të ishte më e mundur, që nga ky bashkëqëndrim të kuptohet
më mirë nëse dy pretendentët për t’u martuar janë ose jo të përshtatshëm
për ta kryer diçka të këtillë.
Veç kësaj, ata duhet të përkushtohen me tërë fuqitë e tyre për t’i mbrojtur
parimet e fesë për ruajtjen e rregullit në martesë, duke treguar një kujdes
të veçantë në ato që quhen të fshehtat dhe sekretet e një familjeje. Për aq
kohë që kjo të kryhet denjësisht, shejtani bashkë me ushtarët e tij, do ta
kenë të pamundur që të depërtojnë në mes të çerdhes familjare për ta
gërryer atë dalëngadalë nga brenda. Andaj, përveç masave parandaluese,
qofshin ato materiale ose shpirtërore, është e një rëndësie të veçantë që
kështjella familjare të mbrohet edhe nga një parzmore lutjesh të
vazhdueshme për një mbarëvajtje familjare.
Mirëpo, megjithëse merren vazhdimisht masa parandaluese, dhe mendjes dhe
arsyes nuk i lihet asgjë mangët, në mes të një çifti mund të mos arrihet
dot një marrëdhënie e mirë, duke dalë vazhdimisht grindje nga më të
shumtat. Shejtani, bashkë me ithtarët e vet e përdor më së miri këtë
situatë për t’i vënë dinamitin asaj çerdheje. Dhe në fund të të gjitha
këtyre, martesa ngjan sikur nuk mund të qëndrojë në këmbë, nëse shihet në
dritën e kushteve të jashtme. Ja, në një situatë e tillë, kur asnjërës palë
nuk i ka ngelur besim për tjetrën, ku është e pamundur që të arrihet një
atmosferë mirëkuptimi e ndërsjellë, ndoshta edhe mund të mendohet për
divorcin si një zgjidhje e mundshme. Kurani Fisnik i ka ndarë kësaj
çështjeje një sasi të konsiderueshme faqesh, se si mund të dilet dhe cilat
janë rrugëzgjidhjet e çdo lloj situate të krijuar në kësi rastesh. Madje
njëra prej sureve, ka marrë emrin si Sureja Talak. Krenaria e Njerëzimit
paqja qoftë mbi Të, nëpërmjet haditheve të Tij, vetëm sa i ka bërë më të
kuptueshme ajetet, duke i plotësuar me interpretim. Mandej, kanë qenë
sahabët dhe dijetarët e shumtë të ditur, që kanë lodhur kokën mbi këtë
çështje, derisa kanë arritur në mendime dhe rrugëzgjidhje nga më të
bukurat. Nëse u qëndroka kaq shumë mbi një çështje si divorci, do të thotë
se ajo nuk është një çështje dosido, e që ka pika të sajat, të cilat duhet
të jenë përherë përpara syve për t’u analizuar. Andaj, pasi të jetë bërë
çdo orvatje e mundshme për ta shpëtuar një martesë, pasi është provuar çdo
alternativë, e prapëseprapë nuk shihet asnjë shenjë pozitive, mund të
mendohet mundësia e divorcit, brenda kornizës së ligjit dhe të së drejtës,
larg egoizmit dhe ndjenjave të verbra, por nën dritën e mendjes, arsyes dhe
gjykimit të drejtë të ndërgjegjes.
[55]
Nahl, 16/63.
[56]
A’raf, 7/20.
[57]
Lukman, 31/33.
[58]
Shih: Nas, 114/4.
[59]
Shih: Bediuzaman Said Nursi, Shkrepëtimat, fq. 103
(Shkreptima e Trembëdhjetë).
[60]
Shih: Jusuf, 12/53.
[61]
Muslim, munafikun, 67; Ahmed bin Hanbel, el-Musned, 3/314.
[62]
Ebu Daud, talak, 3; Ibni Maxhe, talak, 1;
el-Bejheki, es-Sunenu’l-kubra, 7/322.