Në këtë botë kënaqësinë e Allahut, në tjetrën përgëzimin

Home » Albanian (Shqip) » Veprat » Shtamba e Thyer » Në këtë botë kënaqësinë e Allahut, në tjetrën përgëzimin

Fethullah Gylen: Në këtë botë kënaqësinë e Allahut, në tjetrën përgëzimin

Pyetje: Cili është ndryshimi mes kënaqësisë dhe përgëzimit? Cilat mund të jenë disa prej shkaqeve më të mira, që të çojnë kah përgëzimi i Allahut?

Përgjigje: Kënaqësia është të qenët e njeriut i kënaqur prej Allahut dhe prej rregullave të dërguar prej Tij, që janë të përmbledhura në fenë e madhëruar të Islamit, që e ul kokën përballë çdo përcaktimi të bërë nga ana e Tij, duke i përballuar me bindje të gjitha të këqijat dhe fatkeqësitë me të cilat mund të jetë përballur. Profeti ynë Fisnik (s.a.s.), me fjalët e Tij “Jam i kënaqur prej Allahut si Zot, prej Islamit si fe dhe si Profet”[1] na ka tërhequr vëmendjen drejt horizontit të kënaqësisë.

Ndërsa përsa i përket besimtarëve, këto fjalë të bekuara të Profetit Muhamed (s.a.s.), ndërsa nga njëra anë thekson lidhjen e fortë mes robit dhe Zotit të tij, ndërsa nga ana tjetër shpërfaq dhe një horizont. Ndërsa në ajete të ndryshme të Kuranit Fisnik, si për shembull, “Allahu u kënaq prej tyre, dhe ata u kënaqën prej Allahut.[2] Allahu përpiqet të na tregoje se arritja e kësaj kënaqësie të ndërsjellë duhet të jetë ndoshta qëllimi më madhorë që duhet të synojë çdo besimtar.

Ndër të tjera, nëse një njeri kapet prej ndjesisë së kënaqësisë, duke e kryer çdo veprim të tijin dhe duke e kaluar çdo çast të jetës brenda këtij horizonti, pra synon vazhdimisht veç pëlqimin e Allahut duke u përpjekur me jetë për t’ia arritur, kjo, në të njëjtën kohë, është edhe një tregues, se edhe Allahu (xh.sh.) është i kënaqur prej tij. Sepse nëse Allahu (xh.xh.) nuk është i kënaqur prej një njeriu, atëherë as robit të Tij nuk ia mundëson shfaqjen e ndjesisë së kënaqësisë. Andaj, mund të themi, se nuk mund të bëhet fjalë për një kënaqësi në shkallën e Allahut për një njeri që nuk është i kënaqur prej Allahut (xh. xh.), që nuk tregon asnjë pëlqim ndaj përcaktimeve të Tij, që nuk i përballon me zemër të qetë ndodhitë e pakëndshme me të cilat has gjatë jetës.

Përgëzimi: Sihariqi i kënaqësisë së përjetshme

Kurse përgëzimi është çmimi në ahiret i përpjekjeve të bëra gjatë jetës së kësaj bote për të merituar kënaqjen e Allahut (xh.xh.) në këtë botë. Zaten, siç dihet, çdo adhurim i kryer këtu ka për t’u mishëruar në trajtën e një mirësie hyjnore në botën tjetër. Nëse do të shpreheshim me fjalët e Bediuzamanit, një njeri që artikulon fjalën “Subhanallah”, atje ka për t’u përballur me një frut prej frutave të Xhenetit.[3] Një njeri që qëndron pa ngrënë edhe pa pirë në këtë botë, duke agjëruar, padyshim që atje ka për të arritur Rej’janin, me një fjalë, atje njeriu ka për të arritur pranë një vendi ku do të pijë dhe nuk ka për t’u etur më asnjëherë.[4] Me pak fjalë, besimi dhe sjelljet e njeriut në këtë botë, në anën tjetër do të mvishen prej domethënies së tyre; nganjëherë me nga një mirësi të dukshme dhe të prekshme, nganjëherë duke ia rigjallëruar botën shpirtërore, sikur nëpërmjet dallgësh dhe erërash që i frymojnë fllade kënaqësie në thellësitë e ngrohta të shpirtit.

Nga ky këndvështrim, përgëzimi është diçka mjaft e ndryshme nga arritja e kësaj kënaqësie. Nëse kënaqësia është një mirësi kundrejt përdorimit të duhur të vullnetit nga ana e njeriut, përgëzimi është një mirësi e pafundme dhe e pashtershme, që Allahu ua formëson dhe ua nxjerr përballë robërve të Tij besimtarë. Me fjalë të tjera, përgëzimi është një mirësi e Allahut, e cila i kapërcen të gjitha aftësitë e imagjinatës, të cilën Ai ua fal robërve të Tij, duke ua futur thellë në shpirtrat e tyre, që ata të jetojnë të paqtë dhe më se të lumtur në atdheun e përjetshëm. Dhe një mirësi e atillë, që, besimtarët që do të mund ta arrijnë kanë për t’u kapluar prej një kënaqësie të atillë shpirtërore, sa edhe mirësitë e shumëllojshme të Xhenetit kanë për t’u dalë nga mendja.

Cila është mirësi më e madhe, përgëzimi apo nderimi me vështrimin e vetë Zotit?

Në këtë pikë, çdokujt mund t’i vijë në mendje pyetja, po mirë cila ështe mirësi më e madhe, vështrimi i vetë pamjes së paimagjinueshme të vetë Allahut, apo marrja e përgëzimit nga ana e Tij. Sepse, siç mund të na shkojë mendja lehtësisht, dijetarët e mëdhenj të interpretimit të fesë, mund të arrihet fare lehtë në përfundimin, se shikimi qoftë edhe për një çast të vetëm të Bukurisë Hyjnore është mirësia më e madhe me të cilën mund të shpërblehen robërit e saj. Për shembull, Siraxhed’din Ali ibni Osman el-Ushi, në një poezi, në të cilën përpiqet t’i japë zë besimit të Ehli Sunetit, e shpreh kësisoj këtë të vërtetë:

Besimtarët, atë pa pengesë shpirtëror’ a materiale e shohin,
E për këtë ilustrime nuk mund të ketë.
Se kur shohin Atë, harrojnë çdo mirësi tjetër, qoft’ e Xhenetit,
Kjo është humbja e njerëzve të devijimit.[5]

Që, thënë edhe me fjalët e Bediuzamanit, ashtu siç mijëra vite të jetuara në lumturinë e kësibotshme nuk mund të krahasohen me një orë nga jeta në Xhenet, poashtu edhe mijëra vite të jetuara në Xhenet nuk mund të barabiten me një minutë vështrimi të pamjes së paimagjinueshme të Allahut (xh.xh.).[6]

E nga këto fjalë mund të kutpohet fare mirë, se si vështrimi i Allahut është një mirësi hyjnore shumë shumë e lartë se mirësitë e falura në Xhenetin e amshuar. Njëkohësisht, ajo është një mirësi e atillë që do ta bënte të harrueshme edhe mirësinë e shprehur me fjalët e Allahut në Kuranin Fisnik: “Unë jam përjetësisht i kënaqur prej jush. Nuk kam për t’ju dënuar më asnjëherë!”[7] Kjo është një mirësi e atillë, që është e pamundur ta imagjinosh se ç’farë kënaqësie e lumturimi shpirtëror të fal. Zaten, që përgëzimi është mirësia më e madhe e Xhenetit që mund të arrijë një njeri, kjo është e dhënë me fjalë tejet të qarta edhe në suren Teube, në ajetin: “E më e mira e të mirave për ta është që Allahu të jetë i kënaqur prej Tyre.”[8]

Ata që kërkojnë kënaqësinë arrijnë dhe përgëzimin

Përsa i përket qëllimit, edhe pse kënaqësia dhe përgëzimi mund të duken si të vërteta të ndryshme, por janë mjaft të lidhura me njëra-tjetrën. Kjo lidhje mund të përngjasmohet edhe me marrëdhënien shkak-pasojë. Ju shprehni njëfarësoj kërkesën tuaj duke përdorur vullnetin tuaj në kahun e duhur, madje edhe tregoni përpjekje të vazhdueshme për këtë, ndëra Allahu (xh.xh.) ju përnderon ju për përpjekjen tuaj, duke ju përnderuar me përgëzimin e Tij. Vetëm se këtu ka një pikë e cila nuk do anashkaluar pa u ndalur mbi të për ta kuptuar; lidhja shkak-pasojë që ekziston mes kënaqësisë dhe përgëzimit nuk do ngatërruar me parimin e rrjedhojës. Sepse ju, kryeni vetëmse një pikë të vetme në këtë botë; mandej ajo pikë zë e avullon, rritet, zmadhohet, duke ju shfaqur juve në madhësinë e një oqeani. Ndërsa sipas parimit që gjërat janë rrjedhojë e njëra-tjetrës, është e pamundur që të presësh një oqean nga një pikël e vetme. Mirëpo, Allahu (xh.xh.) me mëshirën e Tij të pakufishme, kënaqësinë tuaj karshi Tij, që është në madhësinë e një pikle, jua kthen në trajtën e një oqeani në jetën e përtejme.

Dy krahë që të çojnë drejt përgëzimit: Përhapja e fjalës së Allahut dhe sinqeriteti

Ndërsa përsa i përket rrugëve që të çojnë tek kënaqësia dhe përgëzimi, një prej rrugëve më të shkurtra, por ndër më të mëdhatë, është përhapja e fjalës së Allahut (xh.xh.). Po, ta përçosh Emrin Madhështor të Allahut deri edhe në caqet më të errëta të rruzullit tokësor, të rendësh porsi kuajt që Shpirti i Rrjedhshëm i Muhamedit (s.a.s.) të çelë gonxhe në të katër anët e botës, është një ndër rrugët më të shpejta që e çojnë njeriun drejt kënaqjes së Allahut (xh.xh.) me të. Kështu që, sado që përhapja e fjalës së Allahut të paraqitet si një shkas që të çon drejt kënaqësisë së Allahut (xh.xh.), është me vend të thuhet, se bëhet fjalë për një shkas në rëndësinë e një qëllimi për jetën.

Prandaj, njeriu duhet ta jetojë çdo çast të jetës së tij veçse me mendimin e jetësimit, duhet të bëjë përpjekje të vazhdueshme për të mësuar edukatën dhe moralin e kërkuar prej Allahut (xh.xh.), duke u përpjekur në çdo çast që ta udhëzojë njerëzimin kah Allahu. Dhe aq shumë duhet të jepet pas një detyre të këtillë, saqë edhe jeta e vet t’i duket diçka fare e pavlerë përballë saj.

Patjetër, që dikush që kërkon të kryejë detyrën e përhapjes së fjalës së Allahut, duhet më së pari të jetë i sinqertë, në mënyrë që të mos dalë i humbur pikërisht aty ku pandeh se është duke fituar. I sinqertë është ai që përfaqëson sinqeritetin. Mirëpo, në këtë pikë, njeriu duhet të kapet asisoj prej sinqeritetit, saqë të mos ngopet as me sinqeritetin, por të pastrohet dhe kullohet aq sa të arrijë deri në shkallën e dedikimit të vetes. Kjo do të thotë, që zemra të të merret e të të pastrohet prej vetë Allahut (xh.xh.). E kjo është një veçori që u ka përkitur, më së pari Profetit tonë të Dashur, Muhamedit (s.a.s.), Ibrahimit (a.s.), Musait (a.s.), Idrisit (a.s.), e të tjerëve ndër “njerwzit mw tw mirw e mw tw zgjedhur”, siç e shpreh edhe ajeti kuranor në suren Sad.[9] Mirëpo, megjithëse përsa i përket përcaktimit thelbësor veç për këta njerëz, përsa i përket domethënies së tij, edhe besimtarët e thjeshtë duhet t’ia ngulin shikimin këtij synimi të epërm, duke ndjekur vazhdimisht veçse atë çfarë dëshiron Allahu (xh.sh.) prej nesh, duke i kryer të gjitha adhurimet me vetëdijen se kështu i ka urdhëruar Allahu, duke mos lidhur asnjë prej adhurimeve me ndofarë qëllimi të kësibotshëm, madje duke u larguar prej çdo lloj pritshmërie tjetër të tjetërbotshme, përveç arritjes së përgëzimit nga ana e Allahut, dhe duke ia lënë përfundimin e çdo gjëje në dorë vetëmse Allahut të Madhërishëm.

Karakteri i një njeriu, që arrin një vetëdije të këtillë, ka për të shfaqur menjëherë reagime karshi çdo situate që kalon caqet e domosdoshme të përcaktuara prej sinqeritetit. Bie fjala, një njeri i këtillë, nëse do të arrijë një sukses marramendës, që do të ishte zilia e të gjithëve, nëse me një të rënë të lapsit do të krijonte vargje magjepsëse, apo duke sjellë emocion në zemrat e bashkëbiseduesve me çdo fjalë që i dergjet nga goja, nuk mund të hyjë kurrsesi në pritshmërinë e duartrokitjeve të të tjerëve. Jo në mendime apo në ëndrra, por sikur edhe në imagjinatë t’i shfaqet ndonjë ide tjetër veç asaj të Zotit, ai tërhiqet menjëherë mënjanë, duke thënë: “Estag’firullah, se unë të bëra shok në krijim!” dhe sakaq zë ta godasë veten dhe gjykojë në mënyrën më të ashpër, e kësisoj, nëpërmjet kësaj pendese ai arrin gjithsesi edhe njëherë pastërtinë fillestare.

Një prej rrugëve më të sigurta, që të çojnë drejt përgëzimit hyjnor në jetën e përtejme është një botëkuptim i këtillë sinqeriteti. Nga ky këndvështrim, mund të thuhet, se sa më shumë të thellohet njeriu në sinqeritet, aq më të lehtë do ta ketë për t’ia arritur përgëzimit. Ndoshta, një njeri i tillë as që ka për ta parë tmerrin e botës së varrit, e nuk ka për t’u përballur me asnjë prej vështirësive të kësaj bote. Ai, me t’iu vendosur trupi në gropën e përcaktuar për të, ai me shpirtin e tij të trupëzuar prej Zotit ka për të fluruar drejt lartësive, ku do të shëtisë viseve të atyre horizonteve. Andaja, çdo besimtar duhet të jetë njëkohësisht vetë kërkues i detyrës së përhapjes së fjalës së Allahut, e përgjatë realizimit të kësaj detyre duhet të luftojë poende për të arritur sinqeritetin, të cilin pasi ta arrijë, duhet të tregohet po aq i kujdesshëm për ta ruajtur atë.

[1] Ebu Daud, edeb, 100, 101
[2] Maide, 5/119, etj.
[3] Bediuzaman Said Nursi, Fjalët, fq. 705 (Fjala e Tridhjetëedytë, Shkalla e tretë)
[4] Shih: Buhari, saum, 4; Muslim, zekat, 85.
[5] El-Ushi, Bed’ul-emali, fq. 50-54.
[6] Shih: Bediuzaman Said Nursi, Letrat, fq. 260. (Letra e Njëzetë, Mekami i Parë)
[7] Buhari, rikak, 51; Muslim, iman, 302.
[8] Teube, 9/72.
[9] Sad, 38/47.

Share:

More Posts

DIALOGU DHE SAKRIFICA

Pyetje: Transmetohet se imam Sharani i nderuar ka thënë: “Nëse qëndroj për një kohë të shkurtër pranë një njeriu që nuk fal namaz, nuk e ndiej namazin tim për dyzet ditë.” Mirëpo, për shkak të përgjegjësive tona shoqërore, ndodh shpesh që ne të jemi bashkë me njerëz nga më të ndryshmit. A ka ndikime negative…

Përmendja e Allahut dhe lutja

Miqtë e Zotit i kushtojnë shumë rëndësi përmendjes me uirde e dhikre të Allahut. (Lexojnë Kuran dhe lutje, përmendin Allahun) Ata thonë se leximi çdo ditë i një mase Kuran dhe përgjërimi Allahut me lutje janë tejet të rëndësishme për sa i përket lidhjes e marrëdhënies sonë me Allahun. “Çdo individ duhet të përcaktojë diçka…

Lutja

Të besosh te lutja
 
Te lutja thelbësore është të besosh te pranimi i saj dhe të kesh besim. Njeriu nuk duhet thjesht të hapë vetëm duart, por ai duhet të hapë edhe zemrën. Fjalitë që thuhen në lutjet që bëhen pas namazit të sabahut dhe atij të ikindisë janë të pranishme në Mexhmuatu’l-Ahdhab;[1] vetëm se janë…

Shpirti i vetëdedikimit

Sinqeriteti dhe vetëdedikimi
 
Ndryshe është mirësia e Allahut ndaj sinqeritetit. Njeriu duhet ta kalojë zemrën e tij në thjerrë çdo ditë, mandej t’u vihet punëve që ka për të bërë. Nuk duhet të përfshijë në punët e bëra për hir të kënaqësisë së Allahut asnjë punë tjetër, edhe në qoftë se ajo është e lejuar.
As të…

Brezi i Kuranit

Pyetje: Për kë është fjala, kur qëndrohet te ‘brezi i Kuranit’, që ndalemi herë-herë gjatë bisedave? Cilat janë detyrat e këtij brezi?
Brezi i Kuranit
Përgjigje: Brez të Kuranit quajmë atë brez që e ka kthyer dëshirën hyjnore mbi rruzullin tokësor në qëllim të vetëm, përfaqëson ashtu siç duhet çdo të vërtetë të Kuranit, i Cili do…

Detyra e arkitektëve të rizgjimit

Pas shumë prej problemeve të Islamit në ditët e sotme qëndrojnë myslimanët e formës, të cilët nuk e kanë fituar dot brenda vetes Islamin e vërtetë dhe nuk janë shkrirë dot me vetëdijen e sinqeritetit dhe mirësisë (ihsan[1]). Sjelljet e tyre, që bien ndesh me kriteret e vëna në pah nga Islami, mosnjohja e kufijve…

Ajo çfarë do Zoti është themelore

Njeriu që ka besim tek Allahu, përqafon fort vullnetin dhe bëhet njësh me urtësinë, nuk ka dyshim që në fund do të dalë medoemos fitimtar. Nëmos sot, nesër, nëse jo këtu, do të dalë fitimtar matanë. Mirëpo, ja që njeriu ka një natyrë të prirur nga ngutja dhe do që të gjitha gjërat e bukura…

Rruga e dobësisë dhe varfërisë

Si njerëz ne kemi punë dhe ngarkesa nga më të ndryshmet në përditshmërinë e jetës së tyre, bëjmë zgjedhje nga më të ndryshmet dhe nuk mund ta dimë nëse e kemi apo jo pëlqimin e Allahut të Madhërishëm në ato zgjedhje që bëjmë. Ndoshta, pa vetëdije ne mund të përfshijmë edhe egoizëm në mesin e…

Mesazhi i Fethullah Gylenit për fatkeqësinë e tërmetit në Turqi

Me shumë dhimbje mësova se shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë gjenden nën rrënoja, në pritje të shpëtimit, si pasojë e tërmetit me epiqendër në Kahramanmarash i shkallës 7.7 që ka prekur edhe qytetet tona të Hatajit, Adanasë, Gaziantepit, Mallatias, Kilisit, Adijamanit, Dijarbakërit, Shanllëurfas dhe Osmanijes, si dhe disa zona të Sirisë.  
 
U…

Llogaridhënia dhe kërkimi i faljes

Krenaria e Njerëzimit (s.a.s) thotë në një hadith të Tij: “Çdo njëri prej jush është bari dhe përgjegjës për të gjithë ata që ka nën kujdesin e tij.”[1] Sipas fjalëve të këtij hadithi, çdokush ka një hapësirë në të cilën është përgjegjës dhe do të japë llogari për përgjegjësitë e tij. Për shembull, ai që…

Send Us A Message