Nivelet e Kadase dhe Kaderit

A) Kadaja dhe kaderi nga këndvështrimi i dijes hyj­nore.

Nga këndvështrimi i dijes hyjnore, kadaja dhe kaderi janë caktimi nga ana e Allahut i planeve dhe programeve të të gjitha pjesëve të materies dhe të dukurive dhe ngjarjeve që do të shfaqen dhe ndodhin gjer në kiamet, si dhe trupëzimi (kon­kretizimi) i tyre cilësor-sasior. Para se të krijohej universi (gjithë­sia), sipas shprehjes së hadithit, “Allahu ishte dhe asgjë tjetër nuk ekzistonte”. Kur ky univers krijimi dhe shkatërrimi nuk ishte krijuar ende, Allahu e caktoi çdo gjë me dijen e Tij gjithëpër­fshirëse dhe të pafundme. Ky akt ishte caktimi dhe konkludimi i çdo gjëje në dijen e Allahut. (Hixhr, 15:21)

Allahu është përtej çdo gjëje që mund të shkohet në mendje, Ai është krejt i ndryshëm nga ç’mund të mendohet, Ai nuk ka asnjë lloj ngjasimi me krijesat dhe robtë e Tij. Por, për ta shpje­guar kadanë dhe kaderin nga këndvështrimi i dijes hyjnore – mos bëfshim gabim – ndoshta mund të japim këtë shembull:

Kur njeriu dëshiron të bëjë diçka, në fillim e sajon, e për­fytyron dhe e projekton në mendje, pastaj kalon në etapën e dytë, e projekton në letër, pastaj vjen etapa e tretë, fillon zbati­min e saj në praktikë e, kështu, gjersa ta përfundojë plotësisht, gjëja e menduar prej tij merr formë konkrete, fiton përmasa cilësore e sasiore etapë pas etape. Ja, ky është trupëzimi (kon­kretizimi) cilësor dhe sasior në botën materiale i gjësë së men­duar si ide.

B) Kadaja dhe kaderi nga këndvështrimi i dokumen­timit.

Planet dhe projektet, përcaktimi i të cilave bëhet në planin informativ, shkruhen në Librin e qartë: “Edhe ai Kur’ani i nde­ruar është në Levhi Mahfudh.” (Buruxh, 85:22). Në Kur’an, këtij i jepen emra me pak ndryshime mes tyre, si Imami Mubin (Jasin, 36:12) dhe Kitabi Mubin (En’am, 6:59) dhe thuhet se në këtë libër është e shkruar gjithçka që ka për të na ndodhur (Tevbe, 9:51) dhe se në këtë libër s’është lënë asgjë pa u shkru­ar (En’am, 6:38). Ky është libër bazë dhe në gjërat e shkruara në të nuk ndodh asnjë ndryshim. Levhi Mahfudh që karakteri­zohet nga përkatësia e dijes hyjnore për krijesat, është si një regjistër themeltar dhe libër kryesor origjinal (Ra’d, 13:39). Si të thuash, duke u marrë për bazë ky libër, bëhen kopjime prej tij, reflektime të tij në tabela, fletore dhe libra të tjerë dhe nxirren shembuj.

Eshtë edhe libri i Allahut Tabela e Prishjes dhe Dëftimit (Levhi Mahv ve Isbat) (Ra’d, 13/39) ku bëhen fshirjet dhe ndry­shimet.

Shkrimi, kopjim-shumëfishimi dhe llojet e tyre

Allahu ka libra (shënime) të qarqeve të ndryshme. Tabelat, faqet, indekset e ekzemplarëve të marrë nga Libri Kryesor, ko­pjohen dhe shumëfishohen në fletore të vogla. Mos qoftë i ga­buar përngjasimi, për shembull, në zyrën e Gjendjes Civile ndo­dhet Regjistri Themeltar. Nga ky regjistër nxirret për çdo njeri një ekzemplar i posaçëm që ta fusë në xhep ose ta varë në qafë. Kështu, çdo njeri mban të varur në qafë një libër të vogël ku janë të kopjuara nga Libri Kryesor të gjitha ngjarjet e jetës së tij. Në lidhje me këtë, në Kur’an thuhet: “Pa dyshim, Ne shënonim ato që bënit ju!” (Xhathije, 45:29)

Mes librit të varur në qafë të njerëzve dhe librit të shkruar nga engjëjt shkrues, nuk ka ndryshim. Libri ose ekzemplari në qafë të njerëzve (Isra, 17:13) që është një ekzemplar i Librit Kryesor që ndodhet në Tabelën e Kujtesës, nuk ka ndonjë trup ose përbërje të veçantë, të jashtme, por vetëm një përbërje informative të padukshme. Në jetën e kësaj bote futet në ve­prim vullneti i njeriut dhe engjëjt i shkruajnë në formën e një libri sjelljet që janë pesha dhe përbërja e jashtme e vullnetit. Në këtë mënyrë, edhe ato që ka lënë pas njeriu, edhe ato që çon përpara, shkruhen një e nga një pa lënë asgjë. (Jasin, 36:12) Ja, pra, kur krahasohen këta dy libra me njëri-tjetrin, shihet se mes tyre nuk ka asnjë kontradiktë, por një ngjashmëri dhe ekuilibër të plotë. Po qe se engjëjt do të thonë, “këto janë të shkruarat tona, o Zot”, edhe Zoti do t’u tregojë se çfarë ka pasë shkruar dhe, ashtu si në ramazan që dëgjuesit ndjekin në tekst këndimin përmendësh nga hafizët të të njëjtave pjesë nga Kur’ani, do të vërehet se libri me përbërje informative i shkruar nga Allahu prej Levhi Mahfudhit (Tabelës së Kujtesës) përpu­thet plotësisht me librin “praktik” të shkruar nga engjëjt me shë­nimet për sjelljet dhe veprimet e njerëzve. Dhe kjo tregon se çdo gjë që ka të bëjë me jetën e njeriut në këtë botë është për­caktuar dhe shënuar qysh më parë në Tabelën e Kujtesës. Ndërkaq, duhet kuptuar shumë mirë kjo pikë e rëndësishme e çështjes së kaderit: njeriu nuk sillet ashtu sepse ashtu është shkruar qysh më parë për të, përkundrazi, dihen që më parë se ç’ka për të bërë ai në jetën e kësaj bote duke përdorur vullnetin e vet. Këtë mund ta shprehim me disa pohime të qarta:

– Allahu që me dijen e tij të pafundme, e di qysh më parë se ç’ka për të bërë njeriu, i ka shënuar bëmat e tij në Tabelën e Kujtesës dhe një kopje të tyre ia ka varur njeriut në qafë.

– Njeriu i kryen me vullnetin e vet ato që janë shkruar në librin që i është varur në qafë.

– Allahu i realizon ato që dëshiron dhe për të cilat tregon vu­llnet njeriu.

– Engjëjt shënojnë një nga një ato që bën njeriu.

– Engjëjt shënojnë sepse bëmat verbale, praktike dhe të vull­netshme të njeriut do t’i hapen parasysh si një libër në botën tjetër, atij do t’i thuhet “këndoje librin tënd” (Isra, 14:14) dhe njeriu do t’i thotë me gojën e vet ato që ka bërë, pa gjetur mundësi për të kundërshtuar!

Shënimi në ndërgjegje: Shkrimet e padukshme të këtij libri të shkruar nga Zoti ynë duke marrë fjalë prej nesh ndërsa ndodheshim në botën e shpirtrave apo në botën e molekulave, i shohim në ndërgjegje pothuajse me sytë e shpirtit dhe i ndjejmë. Ky shënim (Araf, 7:172) i regjistruar në ndërgjegjet, të cilave shpirti që na i komandonte të gjitha molekulat para se ne të kalonim në botën e spermës, iu përgjig në botën e tij duke dëgjuar me veshin e tij dhe duke folur me gjuhën e tij, është shënimi i ekzekutuar në botën “Elestu birabbikum? – Kalu Be­la!”[1]

Shënimi për fetusin: Në çastin kur njeriu fillon të for­mo­het në barkun e nënës, engjëjt bëjnë një shënim dhe kopjim të veçantë. Engjëjt shënojnë pjesën që i takon njeriut nga Tabela e Kujtesës, nëse ai do të bëhet zotëri apo i shërbëtor, etj. (Buhari, Muslim).

C) Kadaja dhe kaderi nga pikëpamja e dëshirës hyj­nore.

Kur dëshira hyjnore lidhet me diçka, ajo diçka menjëherë konkretizohet, pra, bëhet. Në dy çështje të trajtuara më sipër, ashtu siç caktimi i çdo gjëje nga Allahu në plan informativ dhe shënimi i saj në forma të ndryshme, ashtu dhe bërja-krijimi, pas kësaj, realizohen me anë të dëshirës së Tij.[2]

Në Kur’an dhe në gjithësi e shohim dhe e ndjejmë shumë hapur dëshirën hyjnore. Njëra prej fjalëve që përdoret më shu­më në Kur’an, është “shae” (56 herë) dhe forma tjetër e saj, “jeshau” (116 herë). Me anë të këtyre fjalëve pohohet “dëshiri­mi i drejtpërdrejtë” i Zotit si dhe fakti që të gjitha etapat e kri­jimit në gjithësi realizohen si rezultat i dëshirës së Tij! Edhe shprehja “inshaallah”, “në dashtë Allahu (Zoti)” që e përdorim për një të pritshme të afërme ose të largët me besimin se, në fund të fundit, realizimi i saj është në dorë të Zotit dhe me lutjen që Ai të na e realizojë në dëshiroftë, pra, në qoftë e dobishme për ne, ka në bazë fjalën “shae” që emërton një një trajtë gra­matikore të caktuar dëshirën hyjnore.

Siç e thamë edhe më lart, në Kur’an ka shumë ajete lidhur me dëshirën hyjnore, për shembull:

“Ai bën ç’të dëshirojë” (Buruxh, 85:16); “Pronësia e tokës dhe e qiejve dhe e çdo gjëje që ndodhet mes tyre është e Allahut, Ai krijon ç’të dëshirojë!” (Maide, 5:17); “Thuaj: Allahu im, i zoti i çdo prone dhe pasurie, Ti i jep pasuri kujt do dhe ia merr pasurinë kujt do, Ti e lartëson kë do dhe e poshtëron kë do!” (A. Imran, 3:26); “Kë dëshiron, e ndëshkon, kë dëshiron, e mëshiron!” (Ankebut, 29:21); “Ai e çorienton kë do dhe e orienton kë do” (Nahl, 16:93); “Po s’dëshiroi Allahu, ju s’mund të dëshironi!” (Insan, 76:30, Tekvir, 81:29).

Siç shihet, dëshira hyjnore e rrethon jetën nga të gjitha anët dhe e bën veten të ndjehet në të gjitha frontet dhe faqet e saj. Veçanërisht, edhe ajo që vëzhgohet në pohimet e të gjithë pro­fetëve dhe në shprehjet e Kur’anit, është gjithë po ajo e vërtetë. Edhe shprehjet që këndojmë në librin e gjithësisë, edhe kupti­met që gjen çdo njeri në botën subjektive dhe objektive, do­methënë, në veten e vet dhe në gjithësi, s’janë gjë tjetër veç kësaj. Siç do ta trajtojmë më poshtë, ashtu siç nuk mundemi të ndërhyjmë në lindjen dhe perëndimin e diellit, nuk ndërhyjmë dot as në rrahjet e zemrës sonë, as në lëvizjet e kapakëve të sy­ve tanë! Argumentet e mundësisë, akcidencës, rregullsisë, urtë­sisë, qëllimit final dhe artit që i trajtuam në fillim, duke mbësh­tetur njëri-tjetrin, na tregojnë neve po atë Dëshirë dhe Vullnet!

Dëshira dhe vullneti i Allahut ekzistojnë edhe te e qena, edhe te e paqena, me fjalë të tjera, ajo që dëshiron Allahu të bëhet e paqenë, bëhet e paqenë, kurse ajo që dëshiron Allahu të bëhet e qenë, bëhet e qenë. (Jasin, 36:82) Ashtu siç u shpje­gua te argumenti i mundësisë, qenia dhe mosqenia e gjithësisë dhe materies janë ekuivalente,[3] zgjedhja e qenies së tyre ndaj mosqenies si dhe, gjithashtu, zgjedhja e mosqenies së tyre ndaj qenies janë atribut i Dëshirës dhe Vullnetit të Allahut!

D) Kadaja dhe kaderi nga pikëpamja e krijimit.

Gjërat që kemi për të bërë, që kemi për të bërë në një të ardhme të afërt ose të largët, në fillim i dimë dhe i përfytyrojmë në kokë. Në etapën e dytë, nga përfytyrimet bëjmë plane dhe projekte, domethënë, përfytyrimet që kemi në mendje, i he­dhim në letër: bëjmë vizatime, plane, projekte, skica, grafiqe, etj., të cilat, po na u desh, edhe i kopjojmë dhe i shumëfi­shoj­më. Në etapën e tretë, planet dhe projektet i kthejmë në realite­te konkrete në formë sjelljesh, veprimesh dhe objektesh. Po s’vepruam kështu, përfytyrimet i lëmë siç janë, në planin e tyre informativ të përbërë prej të dhënash dhe treguesish të ndry­shëm, pa i kthyer në realitete konkrete, pa u veshur një formë dhe trajtë reale. Akti i krijimit i Allahut nuk është i tillë, përku­ndrazi krejt i ndryshëm nga ç’mund të mendojmë ne, ndërkaq, në dijen e Allahut ndodhet plani dhe projekti i çdo gjëje dhe këto Ai i ka caktuar në Levhi Mahfudh, Tabelën e Kujtesës. Dhe, kur vjen koha, i kalon këto, me anë të Dëshirës dhe Vu­llnetit, nga Dija, në Fuqi, nga mosqenia, në fushën e qenies, ndërsa nuk ekzistojnë, i bën të ekzistojnë dhe, sipas gjendjeve të tyre në Librin Kryesor, i kalon nga paracaktimi informativ në etapën e krijimit praktik.

Nisur nga kjo, për gjërat dhe ngjarjet e krijuara në periudha të ndryshme kohore që zgjaten në të shkuarën, themi se “kë­shtu paskan qenë përcaktuar në Tabelën e Kujtesës dhe kështu janë krijuar sipas atij paracaktimi!” Kurse, nga ana tjetër, edhe për periudhat kohore të së ardhmes te e cila sytë, përfytyrimi, mendimi dhe shpirti nuk na arrijnë dot dhe të cilën njohuritë tona nuk e kapërcejnë dot, themi: “Si të jetë caktuar dhe shkru­ar në Tabelën e Kujtesës, ashtu do të bëhet (krijohet)” ose, “Si të bëhet (krijohet), ashtu është caktuar dhe shkruar në Tabelën e Kujtesës!”

Në këtë pikë, ajo që duhet të thotë çdo musliman, madje çdo njeri, është kjo: “Ç’të kem thënë, ç’të kem bërë dhe si të jem sjellë gjer tani, që të gjitha kanë qenë identikisht në dijen e Allahut dhe në Librin e Madh. Çdo gjë që do të them dhe do të bëj në të ardhmen, edhe pse unë s’i di, janë të shënuara në Librin Kryesor. Meqë Allahu, me dijen e Tij të pafundme, i di të gjitha ç’kam bërë e ç’do të bëj me vullnetin tim, ka shkruar: “Me vullnetin e vet do të bëjë kështu e ashtu.” Unë nuk mund të dal jashtë këtij shkrimi, por ky shkrim nuk më detyron mua sepse unë s’e di se ç’përmban ai, prandaj çdo gjë e bëj me dë­shirën dhe vullnetin tim. Edhe Allahu kështu e ka shkruar këtë duke e ditur qysh në pafillim me dijen e Tij.”

Sipas kësaj, na dalin dy lloj kaderesh: krijim dhe urdhërim.

1. Kaderi i përgjithshëm dhe krijimi në gjithësi, ku vullneti i njeriut nuk ka asnjë funksion dhe nuk ushtron asnjë ndikim (urdhri universal dhe krijimi i detyruar). Kaderi i përgjithshëm dhe krijimi i takojnë Allahut. Allahu është i zoti i pronës dhe pasurisë dhe në pronën e tij vepron si të dojë. Ai është Autori i Madh që bën ç’të dojë (A. Imran, 3:40) dhe askush s’i kërkon dot llogari (Hud, 11:107).

Mirëpo Allahu është, në kuptim absolut, i drejtë dhe i gjy­kueshëm. Njerëzit që janë krijesat ose robtë e Tij, mund t’i bëjtë padrejtësi vetes së vet, kurse Allahu në asnjë mënyrë nuk u bën padrejtësi atyre. (Nisa, 4:40; junus, 10:44; Kehf, 18:49)

Në urdhrin dhe krijimin e Allahut në këtë mënyrë, jashtë vu­llnetit dhe ndërhyrjes sonë ka shumë urtësi, në këtë krijim shtrë­ngues, detyrues, ka shumë qëllime, synime dhe dobi. Rrotullimi i tokës nuk është në dorën tonë, megjithatë, është krejtësisht në dobinë tonë. Edhe sikur t’i themi diellit të mos na dërgojë dritë (rrezatim ndriçues, ngrohës dhe jetësor), ai do të vazhdojë të na dërgojë ndërkaq që ne s’i japim asgjë si shpërblim. Pra, dielli punon pa shpërblim vetëm për të mirën tonë. Ne pijmë ujë, kurse një dorë e detyruar i nxjerr jashtë me anë të veshkave mbeturinat dhe papastërtitë e formuara pas përdorimit të tij. A mos është kjo kundër interesit tonë? Nga 24 orëshi me vlerë ari që na është dhënë, ne i japim dhënësit vetëm ndonjë orë dhe marrim si shpërblim një karakter të pajisur me virtyte që do t’i bënin ziliqarë edhe engjëjt, kurse në jetën tjetër, pallate paraj­sore! Ç’favor i madh, ç’kader i bukur!

2. Urdhri dhe krijimi ku marrin pjesë edhe dëshira dhe vu­llneti i njeriut (urdhrat juridike-fetare), si namazi, agjërimi, lufta në rrugën e Allahut, shmangia nga prostitucioni, etj.

Dëshira dhe krijimi hyjnor lidhen me të dy llojet e kaderit dhe urdhrit. Edhe krijimin e ngjarjeve dhe dukurive që zhvillo­hen në gjithësi jashtë vullnetit tonë, edhe krijimin e ngjarjeve dhe dukurive të urdhëruara prej Tij duke marrë parasysh dëshi­rën dhe vullnetin e njeriut, si rezultat i veprimeve të vetë nje­rëzve, Allahu i dëshiron dhe i bën me anë të dëshirës së Tij. Ndërkaq, në lidhje me këtë llojin e dytë të krijimit (ku Allahu merr parasysh dëshirat dhe vullnetin e njerëzve dhe përdor ve­primin e tyre), Allahu mbetet i kënaqur nga disa akte që i krijoi, kurse mbetet i pakënaqur nga disa akte të tjera. për shembull, Allahu e urdhëron namazin, e dëshiron kryerjen e tij dhe, duke vepruar me anë të vullnetit të njeriut, e krijon aktin e namazit duke mbetur i kënaqur prej tij. Por Allahu nuk i do mohimin dhe mëkatin, por, kur njeriu priret me dëshirën dhe vullnetin e tij për të mohuar ose mëkatuar, edhe dëshira e Tij zhvillohet në atë drejtim dhe Allahu i krijon mohimin dhe mëkatin por pa mbetur i kënaqur prej tyre. Si kjo, bie fjala, Allahu nuk i do nga­tërresën dhe dhunën (Bakara, 2:205; A. Imran, 3:22-57), por kur njeriu me dëshirën dhe vullnetin e vet priret dhe vihet t’i kryejë ato, Allahu i krijon (mund t’i krijojë, nuk i krijon detyri­misht gjithmonë) ngatërresën dhe dhunën por pa kënaqësi. Prandaj themi se, krahas të mirës, Allahu është ai që i krijon gjërat e dukura të këqija në pamje të jashtme ose në të vërtetë!

Po, ashtu siç e shohim vetë dhe siç e kuptojmë nga ajetet e Kur’anit, Allahu është krijuesi i çdo gëje. Ndërkaq, që të mos e ndjejmë veten sikur na ka rrethuar nga të katër anët me një de­tyrim dhe shtrëngim të plotë, që të mos mbytemi përballë shka­qeve dhe rrjedhës dhe sulmit të ligjeve dhe ngjarjeve që zhvi­llohen e veprojnë jashtë vullnetit tonë dhe që ta ndjejmë se mund të dëshirojmë dhe veprojmë me vullnetin tonë, na ka lë­në një të çarë, një dritare të hapur, nuk na ka hedhur në hapë­sirë me duar e këmbë të lidhura, viktima e të pashpresë. Dhe kjo e çarë, kjo dritare e hapur që është si një buton me shtypjen e të cilit ne vëmë në veprime gjëra të mëdha, e ka emrin vullnet i pjesshëm!


[1] A jam unë Zoti juaj? Po, Ti je Zoti ynë!
[2] Nga ky shpjegim kuptohet sikur këtu kemi të bëjmë me veprime që pasojnë njëra-tjetrën në kohë, por nuk është kështu. Caktimi, shënimi dhe bërja-krijimi si akte hyjnore nuk kanë diferenca kohore me dëshirën hyjnore, ato janë realitet i vetë dëshirës hyjnore.
[3] Mundësia e qenies me mundësinë e mosqenies janë 50% me 50%.

Share:

More Posts

DIALOGU DHE SAKRIFICA

Pyetje: Transmetohet se imam Sharani i nderuar ka thënë: “Nëse qëndroj për një kohë të shkurtër pranë një njeriu që nuk fal namaz, nuk e ndiej namazin tim për dyzet ditë.” Mirëpo, për shkak të përgjegjësive tona shoqërore, ndodh shpesh që ne të jemi bashkë me njerëz nga më të ndryshmit. A ka ndikime negative…

Përmendja e Allahut dhe lutja

Miqtë e Zotit i kushtojnë shumë rëndësi përmendjes me uirde e dhikre të Allahut. (Lexojnë Kuran dhe lutje, përmendin Allahun) Ata thonë se leximi çdo ditë i një mase Kuran dhe përgjërimi Allahut me lutje janë tejet të rëndësishme për sa i përket lidhjes e marrëdhënies sonë me Allahun. “Çdo individ duhet të përcaktojë diçka…

Lutja

Të besosh te lutja
 
Te lutja thelbësore është të besosh te pranimi i saj dhe të kesh besim. Njeriu nuk duhet thjesht të hapë vetëm duart, por ai duhet të hapë edhe zemrën. Fjalitë që thuhen në lutjet që bëhen pas namazit të sabahut dhe atij të ikindisë janë të pranishme në Mexhmuatu’l-Ahdhab;[1] vetëm se janë…

Shpirti i vetëdedikimit

Sinqeriteti dhe vetëdedikimi
 
Ndryshe është mirësia e Allahut ndaj sinqeritetit. Njeriu duhet ta kalojë zemrën e tij në thjerrë çdo ditë, mandej t’u vihet punëve që ka për të bërë. Nuk duhet të përfshijë në punët e bëra për hir të kënaqësisë së Allahut asnjë punë tjetër, edhe në qoftë se ajo është e lejuar.
As të…

Brezi i Kuranit

Pyetje: Për kë është fjala, kur qëndrohet te ‘brezi i Kuranit’, që ndalemi herë-herë gjatë bisedave? Cilat janë detyrat e këtij brezi?
Brezi i Kuranit
Përgjigje: Brez të Kuranit quajmë atë brez që e ka kthyer dëshirën hyjnore mbi rruzullin tokësor në qëllim të vetëm, përfaqëson ashtu siç duhet çdo të vërtetë të Kuranit, i Cili do…

Detyra e arkitektëve të rizgjimit

Pas shumë prej problemeve të Islamit në ditët e sotme qëndrojnë myslimanët e formës, të cilët nuk e kanë fituar dot brenda vetes Islamin e vërtetë dhe nuk janë shkrirë dot me vetëdijen e sinqeritetit dhe mirësisë (ihsan[1]). Sjelljet e tyre, që bien ndesh me kriteret e vëna në pah nga Islami, mosnjohja e kufijve…

Ajo çfarë do Zoti është themelore

Njeriu që ka besim tek Allahu, përqafon fort vullnetin dhe bëhet njësh me urtësinë, nuk ka dyshim që në fund do të dalë medoemos fitimtar. Nëmos sot, nesër, nëse jo këtu, do të dalë fitimtar matanë. Mirëpo, ja që njeriu ka një natyrë të prirur nga ngutja dhe do që të gjitha gjërat e bukura…

Rruga e dobësisë dhe varfërisë

Si njerëz ne kemi punë dhe ngarkesa nga më të ndryshmet në përditshmërinë e jetës së tyre, bëjmë zgjedhje nga më të ndryshmet dhe nuk mund ta dimë nëse e kemi apo jo pëlqimin e Allahut të Madhërishëm në ato zgjedhje që bëjmë. Ndoshta, pa vetëdije ne mund të përfshijmë edhe egoizëm në mesin e…

Mesazhi i Fethullah Gylenit për fatkeqësinë e tërmetit në Turqi

Me shumë dhimbje mësova se shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë gjenden nën rrënoja, në pritje të shpëtimit, si pasojë e tërmetit me epiqendër në Kahramanmarash i shkallës 7.7 që ka prekur edhe qytetet tona të Hatajit, Adanasë, Gaziantepit, Mallatias, Kilisit, Adijamanit, Dijarbakërit, Shanllëurfas dhe Osmanijes, si dhe disa zona të Sirisë.  
 
U…

Llogaridhënia dhe kërkimi i faljes

Krenaria e Njerëzimit (s.a.s) thotë në një hadith të Tij: “Çdo njëri prej jush është bari dhe përgjegjës për të gjithë ata që ka nën kujdesin e tij.”[1] Sipas fjalëve të këtij hadithi, çdokush ka një hapësirë në të cilën është përgjegjës dhe do të japë llogari për përgjegjësitë e tij. Për shembull, ai që…

Send Us A Message