Kur’ani

Kur’ani është manuali më i mrekullueshëm i mesazheve dhe ligjeve hyjnore i lindur në horizontin e njeriut duke zbritur nga lartësia e lartësive në masën e vlerës së njeriut dhe duke marrë parasysh unitetin trup-mendje-shpirt të tij!

***

Kur’ani, pas të cilit janë lidhur sot afërsisht një miliard njerëz, me parimet e tij hyjnore përjetësisht të pandryshueshme, është teksti i vetëm dhe unikal si treguesi i rrugës më të shkurtër e më të ndriçuar që çon te lumturia e tërë njerëzimit!

***

Kur’ani është libri burim drite i bashkësive më të shkëlqyera e më dritëplote të historisë njerëzore, mes të cilave ndodhen edhe miliona dijetarë, mijra filozofë dhe mendimtarë, i bashkësive të cilat kanë vendosur për fatin e planetit! Në këtë kuptim, ai është i pashoq edhe në mbretërimin e tij!

***

Qysh nga dita e zbritjes e gjer më sot, Kur’ani as është kundërshtuar e as është kritikuar, megjithatë, kundër tij janë ngritur gjyqe që kanë përfunduar që të gjitha me “pafajësinë” e tij dhe betejat janë vulosur që të gjitha me fitoren e tij!

***

Kur’ani është një dritë që kristalizohet në zemra, një burim ndriçimi që u bën dritë shpirtrave dhe fund e krye një ekspozitë të vërtetash. Me fytyrën e tij të vërtetë, Kur’anin munden ta njohin e kuptojnë vetëm shpirtrat që munden t’i dallojnë të gjitha bukuritë e gjithësisë në një lule, që munden ta vëzhgojnë furtunën në një pikë ujë!

***

Kur’ani ka një të tillë stil shprehjeje që oratorët arabë dhe persianë kanë vënë ballin në tokë kur kanë dëgjuar ajetet e tij, kurse letrarët njohës të së vërtetës që kanë ndjerë dhe kuptuar bukuritë e përmbajtjes së tij, para Mbretit të Fjalës janë përthyer më dysh me nderim të thellë!..

***

Muslimanët kanë mundur të arrijnë unitetin mes tyre vetëm me anë të besimit dhe besnikërisë ndaj Kur’anit dhe kështu ka për të ndodhur edhe në të ardhmen. Ata që nuk i qëndrojnë besnikë Kur’anit, jo vetëm që s’mund të jenë muslimanë, por edhe as që mund të ngrenë një unitet të qëndrueshëm mes tyre!

***

Të thuash se “besimi është çështje ndërgjegjeje”, do të thotë të pohosh se i pranon dhe vërteton Allahun, Profetin dhe Kur’anin jo vetëm me gojë, por edhe me ndërgjegje. Kurse adhurimi, me të gjitha llojet e tij, i lidhur pas kësaj mendësie, është shfaqja e detyrueshme e këtij vërtetimi të shëndoshë!

***

Vetëm një herë ka ndodhur ai transformimi më i madh, shembullin e të cilit historia nuk ka mundur ta përsërisë edhe një herë tjetër: shpërthimi në formë tufani drite në një periudhë kur njerëzimi vërtitej mes vedi në vorbullën e egërsisë së injorancës dhe mohimit dhe mbytja në dritë e botës në një hop, gjë që është realizuar me Kur’anin! Historia mjafton si dëshmitare për këtë!..

***

Kur’ani është libri që i mëson njeriut, me ekuilibret më të imta, kuptimin dhe esencën e njeriut, të vërtetën dhe urtësinë, individualitetin, atributet dhe emrat e Zotit dhe në këtë fushë është e pamundur të tregosh një libër të dytë të njëvlershëm me të. Edhe ti vetë do ta kuptosh këtë gjë nëse u hedh sytë urtësisë së të urtëve dhe filozofisë së filozofëve vërtetëdashës!..

***

Kur’ani është i vetmi libër që urdhëron drejtësinë e vërtetë, lirinë e vërtetë, barazinë e drejtpeshuar, dobinë, nderin, virtytin, dhembshurinë ndaj të gjitha qenieve, gjer te kafshët, që ndalon hapur dhunën, politeizmin, padrejtësinë, injorancën, mitën, fajden, gënjeshtrën, dëshminë e rreme…

***

Përsëri është vetëm Kur’ani libri që, duke marrë nën mbrojtje bonjakun, të varfërin dhe viktimën, i ul në të njëjtën karrige mbretin me skllavin, komandantin me ushtarin, akuzuesin me të akuzuarin dhe i gjykon…

***

Ta tregosh Kur’anin si burim të miteve e bestytnive, s’është gjë tjetër veç ca përçartjeve të pathemelta të të pafeve të sotëm të trashëguara prej arabëve injorantë të katërmbëdhjetë shekujve më parë. Me një mendësi të tillë vihen në tallje urtësia dhe filozofia e vërtetë!..

***

A nuk do të duhej që ata që bëjnë fjalë për Kur’anin dhe kontributin e tij, të thoshin ca fjalë, qoftë edhe me vlerë të përkohshme, mbi rregullin, harmoninë, qetësinë dhe sigurinë e njeriut? Ç’është e drejta, kur e vë përballë Kur’anin me hallakatjen dhe shkatërrimin e qytetërimeve të tjera, me rënkimin e pashpresë të zemrave të privuara nga drita e tij, është mjaft e vështirë ta kuptosh këtë keqdashje dhe inat kundër tij!..

***

Jeta më e rregullt për njeriun është jeta ku merr frymë Kur’ani, ashtu që mund të themi pa u druajtur se një sërë bukurish të qytetërimit, të cilat sot përmenden e duartrokiten në të katër anët e botës, janë po ato gjëra që Kur’ani i pati inkurajuar qindra vite më parë. E kush është gabim dhe kush ka faj në këtë mes?..

***

Tek ne, ata që qysh prej kohësh hedhin e presin në adresë të Kur’anit e që e kanë bërë si profesion të merren me të, përgjithësisht kanë qenë dhe janë injorantët që nuk e dinë se s’dinë. Sa e hidhur është që këta të mjerë as kanë bërë ndonjë hulumtim mbi librin që i janë kundërvënë, as kanë lexuar ndonjë gjë mbi të. Në të vërtetë, nuk ka ndonjë ndryshim të madh mes pretendimeve të këtyre dhe pretendimeve të injorantëve që tregojnë keqdashje ndaj shkencave eksperimentale, mirëpo do të duhet pritur edhe ca kohë që populli të zgjohet për t’i rrokur të vërtetat…

***

Kush e beson Kur’anin, quhet se e beson edhe Hz. Muhammedin dhe kush e beson Hz. Muhammedin, quhet se e ka besuar edhe Allahun. Kush nuk e beson Kur’anin, nuk quhet se e beson Hz. Muhammedin dhe kush nuk e beson Hz. Muhammedin, nuk quhet se e ka besuar Allahun. Ja, pra, përmasat e muslimanit të vërtetë!..

***

Në saje të Kur’anit, njeriu është ngjitur në kulmin e pozitave siç është ajo e bashkëbiseduesit të Zotit. Njeriu i vetëdijshëm se ndodhet në një pozitë të tillë, e dëgjon Zotin në gjuhën e Vet të Kur’anit, bisedon me Zotin dhe, nuk quhet gënjeshtar në betim nëse betohet se ka folur me Të!

***

Në klimën e ndritshme të Kur’anit, njeriut i bëhet sikur kalon nëpër varr ndërsa ndodhet ende gjallë në botë, sheh ringjalljen dhe Siratin, rrëqethet nën tmerrin e ferrit dhe ndien se po shëtit në majat e gëzuara të parajsës…

***

Ata që i pengojnë muslimanët për ta kuptuar Kur’anin e për t’u thelluar në të, i largojnë ata, për rrjedhojë, nga fryma e fesë së tyre dhe thelbi i islamit!

***

Pandeh se në një kohë shumë të afërt, kur, nën shikimet plot miratim dhe mahnitje të njerëzimit, ujëvarat e shkencave të ndryshme, e teknikës dhe artit, duke rrjedhur drejt oqeanit kur’anor, të derdhen në burimin e tyre të origjinës e të bëhen një me të, dijetarët, hulumtuesit shkencorë dhe artistët do ta gjejnë edhe një herë veten brenda atij deti të paanë…

***

E ardhmja nuk duhet parë shumë si periudhë e Kur’anit sepse ai është fjala e Individualitetit që i sheh dhe i njeh të shkuarën me të sotmen dhe të sotmen me të ardhmen si një e tërë e pandarë…

Share:

More Posts

DIALOGU DHE SAKRIFICA

Pyetje: Transmetohet se imam Sharani i nderuar ka thënë: “Nëse qëndroj për një kohë të shkurtër pranë një njeriu që nuk fal namaz, nuk e ndiej namazin tim për dyzet ditë.” Mirëpo, për shkak të përgjegjësive tona shoqërore, ndodh shpesh që ne të jemi bashkë me njerëz nga më të ndryshmit. A ka ndikime negative…

Përmendja e Allahut dhe lutja

Miqtë e Zotit i kushtojnë shumë rëndësi përmendjes me uirde e dhikre të Allahut. (Lexojnë Kuran dhe lutje, përmendin Allahun) Ata thonë se leximi çdo ditë i një mase Kuran dhe përgjërimi Allahut me lutje janë tejet të rëndësishme për sa i përket lidhjes e marrëdhënies sonë me Allahun. “Çdo individ duhet të përcaktojë diçka…

Lutja

Të besosh te lutja
 
Te lutja thelbësore është të besosh te pranimi i saj dhe të kesh besim. Njeriu nuk duhet thjesht të hapë vetëm duart, por ai duhet të hapë edhe zemrën. Fjalitë që thuhen në lutjet që bëhen pas namazit të sabahut dhe atij të ikindisë janë të pranishme në Mexhmuatu’l-Ahdhab;[1] vetëm se janë…

Shpirti i vetëdedikimit

Sinqeriteti dhe vetëdedikimi
 
Ndryshe është mirësia e Allahut ndaj sinqeritetit. Njeriu duhet ta kalojë zemrën e tij në thjerrë çdo ditë, mandej t’u vihet punëve që ka për të bërë. Nuk duhet të përfshijë në punët e bëra për hir të kënaqësisë së Allahut asnjë punë tjetër, edhe në qoftë se ajo është e lejuar.
As të…

Brezi i Kuranit

Pyetje: Për kë është fjala, kur qëndrohet te ‘brezi i Kuranit’, që ndalemi herë-herë gjatë bisedave? Cilat janë detyrat e këtij brezi?
Brezi i Kuranit
Përgjigje: Brez të Kuranit quajmë atë brez që e ka kthyer dëshirën hyjnore mbi rruzullin tokësor në qëllim të vetëm, përfaqëson ashtu siç duhet çdo të vërtetë të Kuranit, i Cili do…

Detyra e arkitektëve të rizgjimit

Pas shumë prej problemeve të Islamit në ditët e sotme qëndrojnë myslimanët e formës, të cilët nuk e kanë fituar dot brenda vetes Islamin e vërtetë dhe nuk janë shkrirë dot me vetëdijen e sinqeritetit dhe mirësisë (ihsan[1]). Sjelljet e tyre, që bien ndesh me kriteret e vëna në pah nga Islami, mosnjohja e kufijve…

Ajo çfarë do Zoti është themelore

Njeriu që ka besim tek Allahu, përqafon fort vullnetin dhe bëhet njësh me urtësinë, nuk ka dyshim që në fund do të dalë medoemos fitimtar. Nëmos sot, nesër, nëse jo këtu, do të dalë fitimtar matanë. Mirëpo, ja që njeriu ka një natyrë të prirur nga ngutja dhe do që të gjitha gjërat e bukura…

Rruga e dobësisë dhe varfërisë

Si njerëz ne kemi punë dhe ngarkesa nga më të ndryshmet në përditshmërinë e jetës së tyre, bëjmë zgjedhje nga më të ndryshmet dhe nuk mund ta dimë nëse e kemi apo jo pëlqimin e Allahut të Madhërishëm në ato zgjedhje që bëjmë. Ndoshta, pa vetëdije ne mund të përfshijmë edhe egoizëm në mesin e…

Mesazhi i Fethullah Gylenit për fatkeqësinë e tërmetit në Turqi

Me shumë dhimbje mësova se shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë gjenden nën rrënoja, në pritje të shpëtimit, si pasojë e tërmetit me epiqendër në Kahramanmarash i shkallës 7.7 që ka prekur edhe qytetet tona të Hatajit, Adanasë, Gaziantepit, Mallatias, Kilisit, Adijamanit, Dijarbakërit, Shanllëurfas dhe Osmanijes, si dhe disa zona të Sirisë.  
 
U…

Llogaridhënia dhe kërkimi i faljes

Krenaria e Njerëzimit (s.a.s) thotë në një hadith të Tij: “Çdo njëri prej jush është bari dhe përgjegjës për të gjithë ata që ka nën kujdesin e tij.”[1] Sipas fjalëve të këtij hadithi, çdokush ka një hapësirë në të cilën është përgjegjës dhe do të japë llogari për përgjegjësitë e tij. Për shembull, ai që…

Send Us A Message