Çdo ideal sublim dhe ide e lartë marrin jetë në një mendim sistematik dhe në
një plan të shëndoshë, gjejnë përkrahës dhe disa herë në ditë kthehen në një altar
që i buzëqesh fatit të të zotërve të tyre. Kurse mendimet dhe kauzat që nuk e gjejnë dot këtë mbështetje dhe konditë,
vdesin e shkojnë ende pa lindur mirë…
***
Kurrsesi nuk duhet ngritur ndonjë konkluzion ose çështje mbi baza, fuqi dhe alternativa
të paqëndrueshme, ekzistenca apo mosekzistenca, sendërtimi apo shkatërrimi i të
cilave nuk na përkasin neve. Ata që e kanë lidhur pas këtyre realizimin e idealeve të veta, gjithmonë janë
gënjyer, ata që e kanë ngritur të ardhmen mbi to, kanë mbetur nën gërmadhat e gjërave
të ngritura me dorën e vet, janë shtypur e kanë shkuar…
***
Në një kauzë, lartësia e idealit, saktësia e mendimit dhe planit, sinqeriteti
dhe principialiteti i individëve që e përfaqësojnë atë kauzë janë elementë shumë
të rëndësishëm. Ndërkaq, edhe zgjedhja e shkaqeve për një çfarëdo punë të projektuar dhe funksionimi i tyre sipas rezultatit
të pritur, janë të rëndësishëm po në të njëjtin nivel. Ata që nisen për udhë me
shkaqe të paprovuara se çojnë në përfundimin e kërkuar e të papërcaktuara nga një organ i lartë, jo vetëm do t'i lenë të zhgënjyer
ata që janë lidhur pas tyre, por edhe vetes do t'i bëjnë dëm!
***
E vërteta duhet mbështetur prapë në të vërtetën dhe duhet kërkuar në rrugët më
të drejta. Kërkimi i të vërtetës në kushte ku nuk njihet mendimi mbi të vërtetën,
është padituri, kurse ndjekja në atmosferën e shkaqeve të shtrembra është vetëmashtrim!..
***
Mbi mendimin negativ dhe mekanizma negative nuk mund të ngrihen gjëra pozitive.
Vendi i pozitives brenda negativiteteve duhet të jetë si ecja mes boshllëkut të
dyerve rrotulluese. Ecja nuk duhet të ndërpritet, duhet ecur e kaluar pa ngecur gjëkund!..
***
Të vërtetat eterne[1]
nuk lidhen pas gjërave kalimtare e të ndërrueshme. Ç'të jetë ndërtimi i ngrehinave
më jetësore mbi një ishull që noton e ikën, e njëjta gjë është edhe shërbimi duke u lidhur pas sistemeve, administrimi
dhe drejtimi i të cilave është në duar të forcave të ndryshme!
[1] Në origjinal: bâki (arab.),
i përjetshëm