Mendja kuranore dhe funksionet e saj

Home » Albanian (Shqip) » Veprat » Ideali për të jetësuar » Mendja kuranore dhe funksionet e saj

Mendja kuranore dhe funksionet e saj

Pyetje: Feja e qartë u drejtohet zotëruesve të mendjes dhe vendos si
kusht zotërimin e arsyes për të qenë të përgjegjshëm.
[79]Nga ana tjetër, vërehet se konceptet dhe shkollat që e shohin mendjen
sikur kjo të ishte gjithçka, përgjatë historisë, janë zvarritur në
devijime të ndryshme. Në këtë pikë, si duhet të jetë vështrimi i një
besimtari kundrejt mendjes dhe funksioneve të saj?

Përgjigje: Funksionet dhe kufizimet e mendjes janë një çështje që, në
botën islame, kanë qenë dhe mbeten objekt mendimesh e diskutimesh të
ndryshme që prej së shkuarës e gjer në ditët tona. Për shembull,
shkolla mutezile, që e shihte mendjen sikur të ishte gjithçka, i jepte
asaj vlerë të tepruar, duke i ngarkuar funksione përtej çdo mase.
[80]
Po kështu, në ditët tona mund të themi se ka individë dhe shkolla që
pranojnë mendime neo-mutezie, që pohojnë se të vërtetat e Islamit mund
t’i kuptojnë vetëm ithtarët e mendimit dhe se, po kështu, vetëm këta
mund t’i konceptojnë vlerat e vërteta të mendjes. Këta e kanë parë
mendjen gjithmonë, krahas shpalljes qiellore, si një burim të dytë që
bën pjesë në argumentet hyjnore dhe në këtë mënyrë, i kanë njohur asaj
një peshë më të madhe nga ç’i takon.

Nga ana tjetër, Imam Muhasibiu, duke shtuar shprehjen “kuranore”, ka
folur për “mendje kuranore” dhe kështu, ka hyrë në rrugën e përcaktimit
të disa kufijve për arsyen, çka përbën edhe më thelbësoren për mendjen.
Pra, pasi na janë dhënë në dorë disa kritere, mendjes i duhet dhënë
mundësia e vlerësimit dhe e interpretimit të tyre dhe kështu, asaj i
duhet ngarkuar barra e të çuarit tek e vërteta. Në rast të kundërt, ata
që ia lënë mendjes çështje si zbulimi i të vërtetave, mbërritja e së
vërtetës së të vërtetave, duke i ngarkuar, kështu, asaj një barrë që
ajo nuk e mban dot, atëherë ata nuk bëjnë tjetër pos tradhti, si ndaj
mendjes, ashtu edhe ndaj së vërtetës. Sepse mendja edhe nëse mund të
vërë në zbatim nga njëra anë disa funksione në vlerësimin e disa
çështjeve të jashtme, në paraqitjen e një numri mendimesh pozitiviste,
në shtjellimin e disa çështjeve brenda kornizës së natyralizmit, në
kuadrin e botës fizike, nga ana tjetër, nuk është e mundur që ajo të
shprehet e vetme për çështje që mbartin rëndësi të madhe për botën
metafizike të besimtarit, si e vërteta e emrave hyjnorë, e vërteta e
atributeve hyjnore, e vërteta hyjnore. Po kështu, në çështje si
tjetërsimi dhe shndërrimi i kësaj bote që, përmes ndryshimit, shfaqet
para njerëzve me pamje e forma të ndryshme, mendja mbetet e
pamjaftueshme për të kuptuar. Sepse në rendin e urdhrave krijues që
zotërojnë në gjithësi, pra në rendin e urdhrave të Allahut, për shkak
të vazhdimësisë së veprimit me natyrë hyjnore, mendja mund të
zhvendoset prej disa gjërave që i di, në disa gjëra që nuk i di.
Sikurse në zbatimin e metodës krahasuese në lëmin e ligjshmërisë
hyjnore (fikhut), duke ndërtuar analogji mbi ligjësitë ekzistuese, mund
të arrijë në përfundime të caktuara. Por gjithsesi, ka një pjesë të
vërtetash që nuk është e mundur të trajtohen brenda kritereve të kësaj
bote, si rruga që çon te Qenia e Patëmetë, Qenia Supreme, Qenia
Absolute (Qenia e Ekzistencës së Domosdoshme). Këto të vërteta nuk
është e mundur të shpjegohen vetëm përmes mendjes. Në këto çështje,
mendja mund të arrijë vetëm kuptimet abstrakte. Për shembull, njerëz si
ungji i Omerit të nderuar (r.a.), Zejd ibni Amri,
[81]
apo të tjerë që jetuan në kohën mes dy zbulesave hyjnore (fetaret),
[82]
i besuan Qenies që e krijoi këtë gjithësi, por ata nuk ishin në gjendje
t’u jepnin përgjigje pyetjeve si: “Kush është Ajo Qenie; cila është
fusha e Providencës së Saj; Si ushtrohet adhurimi ndaj Saj?”

Mendja aktive

Pa dyshim që Islami i ka njohur mendjes, sipas nivelit shpirtëror
përkatës, një vlerë të madhe. Në shumë raste, Kurani i Shenjtë i
referohet drejtpërdrejt mendjes.
[83]
Për shembull, në një rast, çështja është cekur me shprehjen
[84]
, përmes përdorimit të një mënyre që tregon edhe kohë të tashme, edhe
të ardhme. Pra, në kontekstin “Në të sotmen e në të nesërmen, a nuk
mendojnë, a nuk e përdorin mendjen?”, i është ngarkuar mendjes në
funksion dhe kështu, është tërhequr vëmendja në të mbajturit e mendjes
vazhdimisht në gjendje aktive. Dhe kjo është shprehje e e rëndësisë që
Zoti i jep përdorimit të mendjes.

Një tjetër pikë që tregon vlerën që i është dhënë mendjes, është edhe
llogaritja e saj si baza dhe thelbi i përgjegjshmërisë. Kështu, personi
që nuk ka mend,
[85]
që nuk di ç’bën, që nuk është në gjendje të dallojë e të kuptojë atë
çka e rrethon,
[86]
nuk është konsideruar përgjegjës për respektimin e kushteve të fesë. Të
gjendurit në pozitën e njeriut të përgjegjshëm është një çelës si për
një pjesë të të fshehtave të kësaj jete, ashtu edhe për të hapur dyert
e jetës së amshuar. E pra, të gjitha këto janë funksione dhe detyra
shumë të rëndësishme që i janë ngarkuar mendjes.

Vija e drejtë

Por në këtë pikë, me daljen në pah të instinkteve e të zemërimit, duhet
treguar udha për te forcat e mendjes e të arsyes dhe të
siratal-mustekimit apo të rrugës së drejtë.
[87]
Për shembull, nëse te njeriu nuk gjendet një ndjenjë e zemërimit, e
kundërvënies dhe e kryengritjes, atëherë përballë një shkeljeje të
truallit të intimitetit, në rast të shfaqjes ditën për diell të
dhunimeve e të përdhunimeve, ai nuk do të shpërfaqë asnjë përpjekje
njerëzore, fetare e morale. Po, po! Një njeri që e ka lëshuar veten dhe
që ka mbetur i zhveshur prej këtyre ndjesive, edhe nëse do të përballet
me shfaqjet më boheme përballë syve të vet, thjesht do të bëjë sikur
s’shikon e do të shpërfillë gjithçka. Prandaj, ndërsa disa nga njëra
anë vrapojnë pas epsheve të unit si fluturat që rendin pas zjarrit, nga
ana tjetër, të tjerë njerëz, duke ndenjur të heshtur përballë kësaj
tabloje, bien në gjendjen e një djalli gojëkyçur. Nga ky këndvështrim,
edhe forca e zemërimit ka një vend të caktuar në kuadrin e ligjeve që
ka përcaktuar Allahu i madhëruar. Në daçi, këtij mund t’i thoni edhe
“zemërim kuranor”. Kështu, Zoti i Gjithëfuqishëm në Kuranin e Shenjtë
urdhëron e thotë: “Allahu është zemëruar me ta, i ka mallkuar e u ka
përgatitur Xhehenemin. Sa vend i keq që është ai!”
[88]
Me këtë rast, Ai është shprehur duke pohuar të jetë zemëruar (duke bërë
atë çka kërkon zemërimi). Nga ky këndvështrim, mund të themi se
përballë mizorisë, dhunës e padrejtësive, ndjenja e zemërimit te njeriu
është pa dyshim e nevojshme në kuptimin e respektimit të një vullneti.

E pra, një njeri që zotëron atë ndjenjë të zemërimit të fuqishëm brenda
kornizës së asaj çka është pranuar prej Kuranit, di të ngrejë krye aty
ku duhet ngritur krye; di të mos përkulet aty ku duhet ndenjur
kryelartë; shprehet e flet aty ku duhet folur dhe nuk tregon kurrsesi
mangësi në respektin ndaj vlerave. Të gjitha këto janë hollësi që duhen
mbajtur parasysh në çështjen e zemërimit. Ndërsa një njeri që e lëshon
veten dhe nuk tregon kujdes ndaj këtyre përmasave, nuk ka ndryshim prej
një të vdekuri. Prandaj edhe Bediuzaman Said Nursiu thoshte: “O ju
fatkeqë, varre lëvizëse me dy këmbë, braktisës të Islamit që i jep
vlerë shpirtit të të dy jetëve! Mos rrini në derë të brezit që po vjen.
Ju pret varri, largohuni. Ashtu që të vijë ai brez i ri që ta shpalosë
e ta valëvisë në univers Islamin e vërtetë!”
[89]
Kështu, njerëzit e përmendur më sipër, ai i sheh si të vdekur. Po, po!
Njerëzit që nuk ngrenë krye aty ku duhet ngritur krye, që as edhe në
kuadrin e mendimit nuk japin shenja gjallërie, që nuk përgjigjen e nuk
reagojnë ndaj kurrgjëje, nuk ka ndonjë dallim nëse ekzistojnë apo jo.
Edhe i ndjeri Mehmet Akifi, gjendjen e këtyre njerëzve që e lëshojnë
veten dhe bien në një mediokritet të tillë të frikshëm, e ka përmendur
përmes këtyre vargjeve:

“ O xhenaze e gjallë, ‘dy duar për një kokë.’

Tundu… Duar e kokë janë tuat!

Pa ndjenjë, pa jetë e dhimbë… a meit je?

Krejt po më habit… Ti s’ishe kësodore.

Pse s’e ke më vullnet të çlirimit, nuk e di.

A ti vetë, a shpresa jote nuk ësht burrnore?”

Por ashtu sikurse rënia nën nivelin e nervit e të zemërimit të drejtë
ka pasoja, edhe teprimi me zemërimin ka ndërlikimet e koklavitjet e
veta. Të pushtuarit e menjëhershëm e i papritur prej zemërimit, të
vepruarit përmes ndjesish duke shpërfillur urdhërat e fesë dhe arsyen e
shëndoshë, përbën kapërcimin e masës dhe teprimin me zemërimin. Për
shembull, në ditët tona, lëshimi i bombave të gjalla mbi njerëzit e
pafajshëm është pasojë e teprimit në ndjenjat e zemërimit. Ndërkohë që
në fenë tonë, kundërvënia ndaj dhunës dhe padrejtësive, lufta kundër
tyre, kanë rregullat dhe ligjësitë e veta të përcaktuara. Mirëpo ja që
shihni se një individ i çfarëdoshëm ngrihet dhe me lehtësi të madhe
mund të shpallë edhe luftë. Natyrisht që pas tij, shpërthen një egërsi
e mizori e tillë, që përballë asaj tabloje zemrat na lotojnë gjak,
ndërsa fytyra e ndritur e Islamit nxihet. E pra, këto ndërlikime që i
shohim me kaq hidhërim, janë shfaqur si pasojë e teprimit me ndjenjën e
zemërimit. Përballë kësaj tabloje të dhimbshme, detyrë jona duhet duhet
të jetë që të mundohemi sa më shumë dhe të bëjmë të gjitha përpjekjet,
që feja jonë të njihet e të dihet me identitetin e saj të vërtetë. Po,
po! Është detyrë e çdo besimtari që t’u shpjegojë njerëzve të drejtën,
që t’u thotë “Islami nuk është ky!”, që në fenë tonë nuk ka vend
kurrsesi asnjë koncept si lëshimi i bombave të gjalla për të masakruar
njerëzit e pafajshëm.

Nga ana tjetër, edhe forca e epshit është një tjetër ndjesi e
rëndësishme që gjendet te njeriu. Sikurse Allahu (xh.xh.) e pohon në
Kuranin Fisnik këtë të vërtetë,
[90]
ashtu edhe Suneti i Pastër e përforcon atë. Për këtë arsye, shpërfillja
e plotë e kësaj ndjesie do të thotë impotencë dhe shterpësi, kështu që
një qasje e tillë është në kundërshtim me Kuranin dhe me Sunetin, sepse
Zotëria ynë, Profeti (alejhis’salatu ues’selam) urdhëron e thotë
kështu: “Martohuni, shumohuni, sepse unë, në ditën e gjykimit, do të
krenohem me numrin tuaj të madh.”
[91]
Ndaj edhe është shumë e rëndësishme që të mos mbyllet dera që ka hapur
Kurani dhe çështja të vlerësohet brenda disiplinave të trashëguara prej
Kuranit. Në daçi, kësaj mund t’i thoni edhe “epsh kuranor”. Në të
vërtetë, Imam Muhasibiu, që ka përdorur shprehjen “mendje kuranore”,
për këto forca nuk ka thënë asgjë. Megjithatë, përdorimi i shprehjeve
si “zemërim kuranor”, “epsh kuranor” apo edhe “ambicie kuranore”,
“konkurrim kuranor”, nuk duhet të përbëjë kurrfarë shqetësimi. Kështu,
Bediuzaman Said Nursiu, në lidhje me secilën prej ndjenjave që gjenden
te njeriu, bën fjalë për një “gajetu’l-gajat” (pikësynim të
pikësynimeve).
[92]
E pra, çështja thelbësore është që këto ndjenja, të vendosra në natyrën
e njeriut, të mund të orientohen drejt qëllimeve të fundme. Për
shembull, te njeriu ka një dëshirë për të jetuar në përjetësi dhe një
ndjenjë të dëshirës së pambarim. Ndërsa vendi ku duhen orientuar, në të
vërtetë, këto ndjenja është bota e ahiretit. Sepse kjo botë ku jetojmë
është e kufizuar. Kush vjen, shkon, kush mbërrin, ikën. Nga ky
këndvështrim, që dëshira e përjetësisë të gjejë përmbushje në një botë
kalimtare, nuk është e mundur. E pra, edhe mendja duhet trajtuar brenda
kësaj kategorie dhe pa rënë as në nënvlerësim e as në mbivlerësim,
duhet nxjerrë në pah ana e saj kuranore. Përtej kësaj, mendjes nuk i
duhet ngarkuar një barrë e përgjegjësi që i zë frymën e s’e mban dot.

Funksionet e mendjes dhe urtësia

Po ashtu, produktet dhe funksionet e tjera të mendjes, të trajtuara në
ajetet e ndryshme të Kuranit të Shenjtë, si përkujtimi (tedhek’kur),
[93]
mendimi (tefek’kur)
[94]
dhe thellimi (tedeb’bur),
[95]
duhen përdorur, gjithashtu, mirë dhe me efikasitet. Për shembull, të
ushtrosh thellimin në çështje të ndryshme, do të thotë që të bësh
veprimet e ecejakeve mes nisjes dhe fundit apo shkakut dhe pasojës së
diçkaje, të prekësh ingranazhin e nisjes dhe kështu, të mbërrish në një
rezultat, e kësodore të fitosh një produkt. Pra, të thellohesh do të
thotë që të shohësh kreun dhe fundin e diçkaje, më pas të ndërtosh
lidhje mes kreut e fundit dhe sipas kësaj, të mund të nxjerrësh një
punim dantelle. Në këtë aspekt, kjo përbën një funksion të rëndësishëm
të mendjes. E pra, këto aspekte dytësore kanë të tilla thellësi e
përmasa të ndryshme, që jo vetëm nuk bien në kundërshtim me konceptin e
nënshtrimit ndaj Zotit në fenë tonë, por përbëjnë edhe një urdhëresë të
kësaj feje.

Po, po! Kurani i jep vlerë mendjes. Pa të, nuk ka përgjegjshmëri. Pa
pasur mendjen, nuk mund të bëhet fjalë për përkujtim, për mendim e për
thellim. Hapësirat e lira për gjykim të lirë (ixhtihad) e për deduktim
(istinbat) mund të plotësohen vetëm nëpërmjet mendjes. Por nëse i
njihni mendjes një vendndodhje mbi të gjitha këto, atëherë nuk bëni
tjetër, veçse bini në pozita qesharake. Teksa dyzet herë në ditë, në
namazet tona përsërisim fjalët “Na udhëzo ne në rrugën e drejtë, në
rrugën që mbërrin tek Ti.”
[96]
, i lutemi Zotit të Madhëruar që të urdhërojë e të na udhëzojë në
rrugën e kthjelltësisë e të drejtësisë, duke përfshirë këtu edhe
shpëtimin prej rënies në teprim, qoftë në drejtim të mbivlerësimit,
qoftë të nënvlerësimit në çështjen e mendjes. Sepse mendja, që ndodhet
në pozitën e një mjeti për arritjen e Zotit dhe të së Vërtetës, sikurse
mund të përdoret në çështje pozitive si mendimi, përkujtimi e thellimi,
mund të shfrytëzohet edhe për demagogji e dialektikë. Nëse dikush thotë
diçka, përpjekja për t’i mbyllur sakaq gojën, për t’ia zënë fjalën në
grykë, për t’i vënë zinxhir në gojë e për t’i prerë fjalën, është
gjithashtu teprim me aftësitë e mendjes. Ndërsa ajo që duhet bërë është
që, duke qëndruar të lidhur fuqishëm me frymën kuranore, me respektin e
duhur ndaj njeriut, të dimë të ndalemi në vendin ku duhet ndalur. Nëse
dikush që ia ngul sytë një ofiqi a posti, që rend pas përfitimit të një
pozite të lartë ose që përpiqet të ruajë atë që ka shtënë në dorë,
përdor ndaj kundërshtarit të vet një arsenal dialektik fjalësh që
mbartin demagogji, kjo është rrjedhojë e shfrytëzimit të tepruar e të
skajshëm të mendjes.

Keqpërdorimi i mendjes, përdorimi i saj në gjëra negative dhe rënia në
teprim, nënkupton zhveshje të mendjes nga prodhimtaria. Ndërkohë që një
orë mendim e meditim, për besimtarin është në vlerën e një viti adhurim
ndaj Allahut.
[97]
Ndaj edhe mendimi është bërë njëri prej dy objektivave që i paraqiten
besimtarit. Pra, nëse në heshtjen e tij ka thellim, përkujtim e
meditim, në të folurit e tij ka urtësi. Urtësi do të thotë të vihet në
dukje e vërteta për sendet dhe pas sendeve. Në fund të fundit, një
njeri që në heshtjen e vet nuk ka thellim, përkujtim e meditim, që nuk
i lidh siç duhet sendet dhe ngjarjet, nuk e lexon siç duhet kohën në të
cilën jeton, pra, që nuk zotëron një proces sistematik dhe të
disiplinuar të të menduarit, nuk është e mundur që të shpërfaqë diçka
në emër të urtësisë. Nga ky këndvështrim, mendimet, thellimet,
përkujtimet, meditimet, janë të pazëvendësueshme në çështjen e gjetjes
së të vërtetës, të arritjes së interpretimeve të drejta dhe, në njëfarë
mënyre, të të qenit në krye të ideve të kohës. Edhe njerëzit e mëdhenj,
gjithmonë e kanë jetën e tyre sipas këtij koncepti, sepse ata, para se
të flisnin një herë, mendoheshin dhjetë herë. Dhe kështu, Zoti i
Madhëruar i ka lartësuar ata me urtësinë. Po, po! Ai urdhëron e thotë:
“Nëse një njeriu i është dhënë urtësia, pra, nëse është në gjendje të
lexojë të vërtetat përtej natyrës, nëse mund t’i ndërthurë sendet dhe
ngjarjet, nëse mund të gjejë rrugët e të ecë kah e vërteta e së të
vërtetave, atëherë kjo do të thotë se atij njeriu i është dhuruar një
mirësi shumë e rëndësishme.”
[98]


[79] Shih: Buhari, Hudud 22; Ebu Davud, Hudud 17; Ibn Maxhe, Talak 15.

[80] El-Xhuvejni, Et-Telhis 1/157-158, 3/471-472; El-Gazzali,
El-Mustasfa f. 45.

[81] Buhari, Menakib 24; En-Nesai, Es-Sunenu’l-kubra 5/54; El-Bezzar,
El-Musned 4/165.

[82] Për shembull, Uaraka ibni Neufeli është një ndër ta. Shih: Buhari,
Bed’u’l-Vahj 3, Tefsiru sure (96) 1, Tabir 1; Muslim, Iman 252.

[83] Shih: Bekare, 2/44, 73, 76, 242; Ali Imran, 3/65, 118; En’am, 6/32,
151…

[84] Ja Sin, 36/68.

[85] Shih: Buhari, Hudud 22; Ebu Davud, Hudud 17; Ibn Maxhe, Talak 15.

[86] Shih: Tirmidhi, Hudud 1; Ebu Davud, Hudud 17; Darimi, Hudud 1.

[87] Shih: Bediüzzaman, Shenjat e mrekullisë f. 21-22.

[88] Fet’h, 48/6.

[89] Bediüzzaman, Jetëshkrimi f. 82 (Fillimet e jetës).

[90] Shih: Nisa, 4/3, 25.

[91] Abdurrezzak, El-Musannef 6/173; El-Bejhaki, Ma’rifetu’s-suneni
ve’l-asar 5/220.

[92] Shih: Bediüzzaman, Hutbeja e Damaskut f. 181; Letrat f. 253-254
(Letra e Njëzetë, Parathënie).

[93] Shih: En’am, 6/80; Ra’d, 13/19; Ta Ha, 20/44; Sexhde, 32/4…

[94] Shih: Bekare, 2/219, 266; En’am, 6/50; Sebe, 34/46; Hashr, 59/21…

[95] Shih: Nisa, 4/82; Muhammed, 47/24.

[96] “Na udhëzo ne në rrugën e drejtë, në rrugën që mbërrin tek Ti.”
(Fatiha, 1/6)

[97] Shih: El-Gazzali, Ihyau ulumi’d-din 4/423; El-Kurtubi, El-Xhami’ li
ahkami’l-Kur’an 4/314.

[98] Bekare, 2/269.

Share:

More Posts

DIALOGU DHE SAKRIFICA

Pyetje: Transmetohet se imam Sharani i nderuar ka thënë: “Nëse qëndroj për një kohë të shkurtër pranë një njeriu që nuk fal namaz, nuk e ndiej namazin tim për dyzet ditë.” Mirëpo, për shkak të përgjegjësive tona shoqërore, ndodh shpesh që ne të jemi bashkë me njerëz nga më të ndryshmit. A ka ndikime negative…

Përmendja e Allahut dhe lutja

Miqtë e Zotit i kushtojnë shumë rëndësi përmendjes me uirde e dhikre të Allahut. (Lexojnë Kuran dhe lutje, përmendin Allahun) Ata thonë se leximi çdo ditë i një mase Kuran dhe përgjërimi Allahut me lutje janë tejet të rëndësishme për sa i përket lidhjes e marrëdhënies sonë me Allahun. “Çdo individ duhet të përcaktojë diçka…

Lutja

Të besosh te lutja
 
Te lutja thelbësore është të besosh te pranimi i saj dhe të kesh besim. Njeriu nuk duhet thjesht të hapë vetëm duart, por ai duhet të hapë edhe zemrën. Fjalitë që thuhen në lutjet që bëhen pas namazit të sabahut dhe atij të ikindisë janë të pranishme në Mexhmuatu’l-Ahdhab;[1] vetëm se janë…

Shpirti i vetëdedikimit

Sinqeriteti dhe vetëdedikimi
 
Ndryshe është mirësia e Allahut ndaj sinqeritetit. Njeriu duhet ta kalojë zemrën e tij në thjerrë çdo ditë, mandej t’u vihet punëve që ka për të bërë. Nuk duhet të përfshijë në punët e bëra për hir të kënaqësisë së Allahut asnjë punë tjetër, edhe në qoftë se ajo është e lejuar.
As të…

Brezi i Kuranit

Pyetje: Për kë është fjala, kur qëndrohet te ‘brezi i Kuranit’, që ndalemi herë-herë gjatë bisedave? Cilat janë detyrat e këtij brezi?
Brezi i Kuranit
Përgjigje: Brez të Kuranit quajmë atë brez që e ka kthyer dëshirën hyjnore mbi rruzullin tokësor në qëllim të vetëm, përfaqëson ashtu siç duhet çdo të vërtetë të Kuranit, i Cili do…

Detyra e arkitektëve të rizgjimit

Pas shumë prej problemeve të Islamit në ditët e sotme qëndrojnë myslimanët e formës, të cilët nuk e kanë fituar dot brenda vetes Islamin e vërtetë dhe nuk janë shkrirë dot me vetëdijen e sinqeritetit dhe mirësisë (ihsan[1]). Sjelljet e tyre, që bien ndesh me kriteret e vëna në pah nga Islami, mosnjohja e kufijve…

Ajo çfarë do Zoti është themelore

Njeriu që ka besim tek Allahu, përqafon fort vullnetin dhe bëhet njësh me urtësinë, nuk ka dyshim që në fund do të dalë medoemos fitimtar. Nëmos sot, nesër, nëse jo këtu, do të dalë fitimtar matanë. Mirëpo, ja që njeriu ka një natyrë të prirur nga ngutja dhe do që të gjitha gjërat e bukura…

Rruga e dobësisë dhe varfërisë

Si njerëz ne kemi punë dhe ngarkesa nga më të ndryshmet në përditshmërinë e jetës së tyre, bëjmë zgjedhje nga më të ndryshmet dhe nuk mund ta dimë nëse e kemi apo jo pëlqimin e Allahut të Madhërishëm në ato zgjedhje që bëjmë. Ndoshta, pa vetëdije ne mund të përfshijmë edhe egoizëm në mesin e…

Mesazhi i Fethullah Gylenit për fatkeqësinë e tërmetit në Turqi

Me shumë dhimbje mësova se shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë gjenden nën rrënoja, në pritje të shpëtimit, si pasojë e tërmetit me epiqendër në Kahramanmarash i shkallës 7.7 që ka prekur edhe qytetet tona të Hatajit, Adanasë, Gaziantepit, Mallatias, Kilisit, Adijamanit, Dijarbakërit, Shanllëurfas dhe Osmanijes, si dhe disa zona të Sirisë.  
 
U…

Llogaridhënia dhe kërkimi i faljes

Krenaria e Njerëzimit (s.a.s) thotë në një hadith të Tij: “Çdo njëri prej jush është bari dhe përgjegjës për të gjithë ata që ka nën kujdesin e tij.”[1] Sipas fjalëve të këtij hadithi, çdokush ka një hapësirë në të cilën është përgjegjës dhe do të japë llogari për përgjegjësitë e tij. Për shembull, ai që…

Send Us A Message