
Pyetje: Në intervista dhe shkrime të ndryshme keni pohuar se admirimi i
njerëzve ndaj zotërisë suaj është një gabim në gjykim, që gjithsesi, në
këndvështrimin tuaj, përbën një shkak sprove për ju, që ju përpiqeni ta
shfrytëzoni si një kredi për të orientuar njerëzit drejt së mirës. A
mund të na i shpjegoni kuptimet që i ngarkoni “kredisë së admirimit”,
por edhe mënyrën si e përdorni atë?
Përgjigje: Njerëzit e dhënë pas kësaj bote e burgosin vetveten
veçanërisht në egoizëm e në egocentrizëm duke ngarendur gjithmonë pas
përpjekjes për të fituar admirim e duartrokitje. Në këtë kategori mund
të përfshini edhe disa zotërues të arteve e të dijeve dhe një pjesë të
politikanëve. Pra, ndjenja dhe mendimi mbizotërues për këta njerëz
është pritshmëria e admirimit të të tjerëve. Madje në ditët tona, edhe
njerëzit që syrgjynosjen e vetvetes e pranojnë si një disiplinë
themelore, në sjjellet dhe qëndrimet e tyre nganjëherë tregojnë se janë
të ndikuar prej kësaj mendësie. Ndërkohë që nëse hedhim një sy kah
historia jonë, vërejmë se besimtarët e vërtetë që thelloheshin në
besim, përpiqeshin gjithmonë që të qëndronin larg këtyre qëndrimeve e
sjelljeve. Për shembull, ashtu sikurse çliruesit e Stambollit nuk
kishin kurrfarë pritshmërie për duartrokitje prej atij suksesi të madh,
edhe ata që u kthyen me fitore nga Beogradi nuk prisnin brohoritje.
Javuzi i nderuar (aljehir’rahmetu uel-gufran), kur u kthye në Yskydar
pas fushatave të Merxhidabikut e të Ridanijes, për t’iu shmangur
brohoritjeve të popullit, qëndroi në Yskydar gjer në mesnatë dhe vetë
pasi njerëzia kishin rënë në gjumë, pas mesnate, u nis e shkoi pa u
ndier për në Sarajet e Topkapisë. Po kështu, teksa Kanuniu kthehej prej
një beteje madhështore, zgjodhi ta kalonte natën duke fjetur në një
vend të rëndomtë e me lagështi, ponjësoj Tarik ibni Zijadi, pasi
ngadhënjeu në Spanjë, ra të flinte në një korridor të thjeshtë. Të
gjitha këto ngjarje të mëdha historike duhen parë me vëmendje e duhen
kuptuar po në këtë këndvështrim.
Shqetësimi për admirim e lartësim
Në terma të mistikës, këto qëndrime të shpërfaqura kundrejt egos së vet
nga ana e këtyre personaliteteve të mëdha, quhen sundim i egos. Do të
thotë që, , në çfarëdolloj pozite që të gjendet një besimtar, çfarëdo
suksesi që të arrijë, nisur nga të drejtat e egos së tij, ai duhet ta
mbajë atë nën kontroll dhe të dijë si ta nënshtrojë atë. Kësimënyre,
egoja kthehet nga urdhëruese në kritikuese, mandej nga kritikuese në
frymëzuese, nga frymëzuese në qetësuese dhe së andejmi në këndellëse e
në burim kënaqësie, madje sipas aftësive e zotësive të individit, ajo
mund ta lartësojë atë në shkallët e pastërtisë e të dëlirësisë duke
bërë që t’i lërë pas edhe engjëjt. Por e gjithë kjo kalon më së pari
nga rruga e të nënshtruarit të plotë të egos. E pra, një prej rrugëve
të zotërimit të nefsit është të shmangurit prej admirimit të njerëzve.
Edhe në qoftë se gjendemi pa dashje në një gjendje të tillë të
admirimit, ajo duhet pritur me shqetësimin e lartësimit. Për këtë
arsye, njeriu që ka marrë një edukatë të mirë shpirtërore, nuk e do dhe
nuk e pret kurrë admirimin e njerëzve. Ndërsa kur mbetet ballë për
ballë me rrethana që mund të përbëjnë një admirim të tillë, duke i
hapur duart dhe zemrën Allahut, madje nganjëherë edhe pa rënë në sy me
hapjen e duarve, gjatë një sexhdeje a rukuje apo gjatë tesbihëve, lutet
me fjalët: “Të lutem, o Zoti im! Qoftë edhe një çast të vetëm mos më
lër ballë për ballë me vetveten! Hiqma e largoma këtë ndjesi të
pritshmërisë për admirim!”
Të shtypurit nën peshën e duartrokitjes
Kundrejt mundimeve dhe përpjekjeve të përbashkëta njerëzve që besojnë
në drejtim të kënaqësisë së Zotit, kundrejt veprimit të tyre si një
trup i vetëm, mund të ndodhë që prej Zotit të Madhëruar vijnë mirësi,
ndihmë e admirim. Për shembull, mund të themi, se si pasojë e kësaj
ndihme e admirimi, prej njerëzve të Anadollit janë mundësuar shërbime
aq të mëdha në të katër anët e botës. I ndjeri Bylent Exhevit (qoftë i
Xhenetit!), në lidhje me këto shërbime të kryera, kishte një mendim të
tillë: “Shteti Osman, sipas standardeve botërore, ishte një shtet i
madh për nga përmasat. Ai ishte në një pozitë që i lejonte t’u
imponohej të gjitha shteteve. Por as edhe në atë periudhë nuk ka pasur
një hapje kaq të madhe, të këtyre përmasave.” Kështu, përballë një
shtrirjeje kaq të madhe, njerëzve mund t’u lindë një admirim i madh
kundrejt njerëzve që gjenden pas kësaj hapjeje, kundrejt atyre që janë
arkitektët e këtij mendimi, dhe në këtë mënyrë ata mund të nisin e t’i
zmadhojnë ata në sytë e tyre. Madje nganjëherë ky admirim mund të
shumëfishohet. Pikërisht në këtë rast, nëse një njeri nuk e ka sunduar
dot egon e tij, nëse nuk i vendos punët në vendin e vet, nëse nuk arrin
ta shohë mirësinë dhe ndihmën e Zotit të Gjithëfuqishëm pas shërbimeve
të kryera, si dhe pas dinamikave si bashkërendimi, bashkëveprimi,
marrëveshja, arsyetimi, atëherë mund të ndodhë që përballë të tralliset
prej vlerësimeve dhe dashamirësisë së treguar prej njerëzve.
Prandaj edhe nga këndvështrimi juaj, “mospranimi i admirimit” duhet të
jetë thelbësor për ju. Po, po! Çfarëdo suksesi që të arrihet në këtë
rrugë, sikurse çdo mirësi e bukuri, begati e sukses, i duhet atribuuar
veç Allahut dhe këtë s’duhet ta heqim asnjëherë nga mendja. Përndryshe,
do të thyheni përballë admirimit, duartrokitjeve e brohoritjeve të
njerëzve, duke mbetur nën peshën e këso vlerësimeve admiruese e
lëvdatave ndjekëse të njëra-tjetrës. Siç mund t’ju kujtohet, kur dikush
lëvdoi dikë tjetër për shkak të sukseseve në prani të të Dërguarit të
Allahtu (s.a.s.), Krenaria e Njerëzimit (alejhis’salatu ues’selam)
urdhëroi e i tha: “Ia theve shpinën vëllait tënd!”
[54]
Sepse ndoshta bashkëbiseduesi nuk është në gjendje ta mbajë atë
ngarkesë. Po ja që s’keni ç’bëni dhe njerëzit nuk i pengoni dot prej
këtyre lëvdatave dhe duartrokitjeve. Veç të shihni dhe krejt plaçkën e
luftës që është fituar prej ushtrive e gaborreve shkojnë e ia vënë
përpara një njeriu të vetëm; ia vënë përpara e thonë fjalë si: “filani
çliroi, filani krijoi, filani është yll e dritë e botës, është
përmendore e paqes dhe e bashkimit.” Dhe ai i mjerë, edhe pse është në
gjendje ta kuptojë se nuk i meriton të gjitha këto lavde, i pranon
menjëherë të gjitha ç’thuhen. E pra, për këtë arsye themi se, me sa të
kemi në dorë, duhet ta thyejmë admirimin e njerëzisë dhe duhet të jemi
gjithmonë të vetëdijshëm për pozitën tonë prej robi e shërbëtori.
Për shembull ju, në një kohë kur janë shfaqur kërcënueshëm armët më të
frikshme e më shkatërrimtare, po mundoheni e po përpiqeni që të hyni në
çdo zemër, për të zbutur çdo shpirt, për të pajtuar njerëzit, duke u
kthyer në shkak të paqes mes mbarë njerëzimit. Mund të ndodhë që Zoti i
Gjithëfuqishëm t’jua mundësojë suksesin në një punë kaq të bukur. Prej
kësaj, njerëzit shprehin admirimin e tyre ndaj jush dhe thonë “ai e
bëri”, “ai e realizoi”, apo ca më keq, sipas një shprehjeje të gabuar
të ditëve tona, “ai e krijoi”. Përballë gjithë këtyre mendimeve, njeriu
duhet ta veçojë e ta përjashtojë veten duke mos i pranuar assesi këto
lëvdata. Sepse të gjitha këto arritje janë veçse nganjë mirësi e
Allahut, e dhuruar prej Tij për shkak të shprehjes së vullnetit tonë në
rrethanat e pozitës sonë të ulët e të pafuqishme. Madje edhe vullneti
ynë, i shprehur në nisje të punës, mund të na jetë dërguar prej Tij.
Admirimin ktheje në shërbim!
Por pavarësisht të gjitha këtyre, nganjëherë nuk jeni në gjendje ta
shmangni admirimin e të tjerëve. Në kushte të tilla, duke pranuar dëmin
më të vogël kundrejt një më të madhi dhe duke u kënaqur me të mirën më
të vogël në pamundësi për të arritur të mirën më të madhe, duhet gjetur
një mënyrë që edhe kjo të përdoret në të mirë të shërbimit. Domethënë,
kur të tjerët shprehin admirim ndaj jush, nëse keni mundësi, ju duhet
ta shndërroni atë admirim në kuptimin e tij të vërtetë dhe të mund ta
meritoni vërtet atë. Për këtë arsye, në paçi në dorë një penel dhe
teksa punoni me të nxirrni në pah një tablo mahnitëse, sërish duhet të
jeni në gjendje të thoni me lehtësinë më të madhe: “Për Zotin e Madh!
Këto i bën Allahu. Unë nuk kam as aftësinë, as përvojën e as horizontin
e duhur për të nxjerrë në dritë një punë të tillë të përsosur.” Për
shembull, Bediuzaman Said Nursiu, dashamirësve të vet që donin të vinin
pranë tij për ta parë e vizituar, u thoshte fjalë të tilla, si: “Po pse
të shpenzoni kot së koti aq parà rrugëve për të mbërritur tek unë! Më
mirë uluni e rrini në një vend dhe lexoni veprat.”
[55]
Në këtë mënyrë, ai mundohej t’i largonte sytë e njerëzve prej atij vetë
duke u munduar t’u tërheqë vëmendjen atyre në tjetër anë.
E pra, nëse njerëzit janë mbledhur rreth jush plot me admirim, nëse i
dëgjojnë këshillat tuaja dhe ju nuk keni asnjë mundësi që ta shmangni
këtë admirim të tyre, atëherë kjo dashamirësi e ky vlerësim, që vijnë
si rrjedhim i një gjykimi të gabuar – ndërsa gabimet në gjykime, nëse
bëhen prej vullnetit të mirë, mund të bëhen shkak edhe për të fituar
shpërblime hyjnore – ju mund t’i vlerësoni duke i drejtuar për te punët
që janë të nevojshme për t’u kryer. Natyrisht që njeriu që admirohet në
rrethana të tilla është shumë e rëndësishme që të ketë një lidhje shumë
të fuqishme me Allahun në mënyrë që të mos rrezikojë të thyhet përballë
kësaj gjendjeje.
Në të njëjtën mënyrë, besimi dhe mbështetja e fuqishme te një ideal
përmes një lidhjeje të thellë me të, përbën një kredi shumë të
rëndësishme. E pra, kjo kredi duhet vlerësuar në të mirë të kombit tonë
e të mbarë njerëzimit në mënyrën më fitimprurëse të mundshme. Për
shembull, admiruesve tuaj mund t’u thoni kështu: “Institucionet e
arsimit dhe mjediset kulturore kanë një rëndësi jetike për kombin tonë
dhe për mbarë njerëzimin. Për këtë arsye, hapni shkolla në çdo vend,
ngrini mjedise të kulturës. Nëse nuk e bëni dot të vetëm këtë, atëherë
bashkojini kontributet tuaja, vlerësojini së bashku mundësitë që keni
dhe kështu, nxisni punë e shërbime më të mëdha dhe në vendet e ndryshme
të botës hidhni themele e ndërtoni platforma për të zbrazur në zemra
frymëzimet e shpirtit tuaj!”
Përndryshe, duartrokitjet e njerëzve për ju, fakti se ata ju vlerësojnë
e ju ngrenë në qiell, nuk kanë asnjë dobi në llogarinë tuaj për jetën e
amshuar. Po, po! Këto për ju nuk përbëjnë kurrfarë përfitimi, por vetëm
përmbushin ndjenja të egos suaj. Madje këtë, më tepër sesa një
përmbushje, do të ishte mirë ta cilësonim si një stres e shtrëngesë të
vazhdueshme që e shtyn njeriun përherë në të tilla pritshmëri. Po! Një
pritshmëri e tillë nuk shërben për asgjë tjetër përveçse ta bëjë
njeriun edhe më të uritur për admirim dhe duartrokitje. Një njeri që ka
mbërritur gjer në majën e administrimit të shtetit, kur sheh një
kortezh prej njëqindmijë njerëzish tek shoqërojnë funeralin e një
tjetër personaliteti si ai, e pyet veten: “Vallë, kur të vdes unë, a do
të ketë kaq shumë njerëz që të më përcjellin?” More, po nëse ti vdes në
kuptimin e vërtetë të fjalës, domethënë nëse je në jetë, por vret
shpirtin dhe jetën e zemrës, atëherë edhe në ardhshin dhjetëfishi i
asaj mase njerëzish në funeralin tënd dhe nëse të gjithë falin xhenazen
tënde, ç’dobi do të kesh prej tyre?! Sepse gjithçka, gjer në derë të
varrit të shoqëron. Pas asaj pike, ajo që ka vërtet rëndësi është
lidhja jote me Allahun. Sa ishe në jetë, e ç’përmasave ishte
marrëdhënia jote me Allahun? Me sa dashamirësi hyjnore ushqeheshe? A
thoshe, “O Allahu im, të lutem të jesh i kënaqur prej meje!”? A kishe
ndonjë lutje si: “O Allahu im! Më çliro mua prej burgut të egos dhe bëj
që të mbërrij tek Ti. Më bëj krejt të afërt me Ty! Bëj që të mbërrij
miqësinë Tënde!” Nëse nuk je lutur për diçka të tillë, atëherë edhe në
të ardhshin në funeral me miliona njerëz, kjo nuk të bën ty kurrfarë
dobie!
Për ta përmbledhur, nga njëra anë duhet të punoni për të shmangur
admirimet e njerëzve ndaj jush, nga ana tjetër duhet që ato admirime,
në një mënyrë apo në një tjetër, të përpiqeni t’i bëni të frytshme.
Pra, kundrejt lidhjes së njerëzve pas jush, kundrejt mendimeve të tyre
të mira për ju dhe pranimit prej tyre të këshillave tuaja, edhe ju
duhet të ecni rrugës së pasurimit e të dhënies vlera për jetën e tyre
në botën e përjetshme. Për shembull, nëse unë do të isha inxhinier
agrar, atyre që do të më shihnin me besim në dritë të syrit do t’u
shpjegoja rrugët e të qenit profesionist në bujqësi. Apo nëse do të
isha një kimist i mirë, do t’u shpjegoja rrugët e të përfituarit të
dobisë nga anë e drejtime të ndryshme të kimisë. E pra, edhe nga
këndvështrimi i profesionit tonë, orientimi i njerëzve te më e mira
është një përpjekje e ngjashme. Kredia e admirimit duhet vlerësuar
pikërisht në këtë mënyrë. Nëse kjo arrihet të realizohet, edhe ju
shpëtoni prej së keqes, edhe ata nuk vuajnë pasojat e gjykimit të
gabuar prej qëllimit të mirë, por marrin shpërblim e mirësi prej kësaj.
Por duhet pohuar edhe, se të presësh një sjellje të tilë nga
gjithsecili, sidomos në ditët tona, është tejet e vështirë, sepse fama
i ngjan asaj mjaltës së helmuar. Siç mund ta mbani mend, Ustadi i
Nderuar, duke dashur të shprehet për këtë çështje, thotë: “Fama është
pasqyrë e dyfytyrësisë, si një mjaltë i helmatisur që e vret zemrën. Ai
e bën njeriun rob e skllav të njerëzve… Në rënsh në atë të ligë e
fatkeqësi, thuaj: “Ne i përkasim Allahut dhe kur të vijë koha, pa
dyshim që tek Ai do të kthehemi.”
[56]
dhe shpëto prej të keqes…”
[57]
Me këto fjalë, ai na tregon edhe për të keqen e famës, edhe për rrugën
e çlirimit prej saj. Nga ky këndvështrim, nuk është e drejtë të mëtohet
që me një lëvizje, me një frymë, njerëzit të ndryshojnë për mirë në
brendinë e tyre, ta shkelin me këmbë, ta vënë në zotërim e ta
kapërcejnë ndjesinë e famës. Nëse hyni në një pritshmëri të tillë, do
të bini në zhgënjim. Përfundimi i duhur në këtë çështje mund të arrihet
vetëm dalëngadalë, hap pas hapi dhe duke i përmirësuar njerëzit me
durim.
[54] Buhari, Shehadat 16, Edeb 54, 95; Muslim, Zuhd 65.
[55] Shih: Bediuzaman, Shënimet e Kastamonusë, f. 20; Shënimet e
Emirdag-ut-2 f. 169, 173, 194.
[56] “Ne i përkasim Allahut dhe kur të vijë koha, pa dyshim që tek Ai do
të kthehemi.” (Bekare, 2/156)
[57] Bediuzaman, Mesnevia e dritës f. 73 (Shtojcë e piklës).