
Pyetje: Cila është rëndësia e njerëzve intelektualë në ekzistencën dhe
në ringjalljen e një shoqërie? Çfarë duhet bërë për përgatitjen e
njerëzve në një nivel të tillë?
Përgjigje: Intelektual quajmë atë rrugëtar të së vërtetës, i cili, një
çështje që merr në duar e hulumton në thellësi e me dashuri për dijen
dhe për të vërtetën, që zotëron dije të gjera dhe që dijet e fituara
është në gjendje t’i shprehë e t’i paraqesë me guxim qytetar. E pra, në
këtë kuptim, zhvillimi i një klase intelektuale mbart një rëndësi
jetike për ringjalljen e një kombi, ndaj edhe sado gjatë që të
diskutohet për këtë, ia vlen. Por nuk duhet harruar asnjëherë se një
çështje kaq e rëndësishme nuk është një punë aq e thjeshtë. Për
shembull, në shoqërinë tonë, e cila ka përjetuar dëmtime shumë të rënda
njëri pas tjetrit, madje në një shkallë shumë serioze, prej disa
shekujsh, jo vetëm përgatitja e një kuadri intelektual të këtij niveli,
por edhe reforma shoqërore për përgatitjen e njerëzve të zakonshëm që
të jenë të çliruar në botën e tyre të ndjenjave e të mendimit nga
devijimet dhe shformimet, është shumë i vështirë dhe ka nevojë për një
kohë vërtet të gjatë. Nëse nuk fryn një erë e kundërt, nëse nuk
përballemi me një kundërshtim shumë serioz, nëse dikush nuk ngrihet të
trazojë të korrat, të shkelë bereqetin e ta shpërdorojë atë, qoftë edhe
në këto kushte, realizimi i një reforme të tillë ndoshta mund të
kërkojë të paktën pesëdhjetë vjet. Ndaj edhe kjo çështje, më së pari,
duhet trajtuar dhe vlerësuar në mënyrë racionale. Natyrisht që me
mirësi e bekime edhe më të mëdha prej Zotit të Madhëruar, gjithmonë
është e mundshme që kombi ynë të përfitojë një institucion të tillë të
inteligjencies edhe përtej asaj çka mund të pritet. Por ne, që jemi të
ngarkuar me përgjegjësinë e ndjekjes së shkaqeve e të pasojave, duke e
trajtuar çështjen në fjalë, para së gjithash, duhet ta vlerësojmë atë
nga ky këndvështrim.
Pas një ndarjeje të gjatë
Disa e shohin prapambetjen tonë të nisë me periudhën e Tanzimatit.
Mirëpo Tanzimati është vetëm emri i asaj periudhe, në të cilën edhe ne
vetë e ndiem se ramë si në një gjendje nokauti. Në të vërtetë,
stanjacioni dhe ngecja mendore mund të shkojë shumë më prapa në kohë.
Për shembull, nëse do ta shohim në qasjen e Mësuesit të Nderuar, qysh
në çlirimin e Stambollit, ndërsa nga njëra anë na hapeshin dyert e
ngadhënjimit, nga ana tjetër duket sikur në jetën tonë, dyert e hapura
ndaj mendimit dhe dijes mbylleshin.
[188]
Madje, ai, duke e çuar çështjen edhe më tutje në kohë, e lidh historinë
e nisjes së mbylljes së dyerve të dijes e të mendimit në jetën tonë
qysh me shekullin e pestë të hixhrit.
[189]
Po, po. Nëse e shohim çështjen në një këndvështrim të përgjithshëm,
duket sikur deri në shekullin e pestë, ne kemi vënë krejt pasurinë tonë
si në fushën e shkencave pozitive si fizika, kimia, biologjia,
mjekësia, si në dijet teologjike si interpretimi, hadithi, fikhu,
metodologjia e fikhut etj.. Nëse na lejohet të shprehemi kështu, duket
sikur sa vezë kishim mundësi e fuqi të bënim, i kemi lëshuar e zbrazur
të gjitha në qymez. Ndërsa pas asaj kohe, jemi mjaftuar duke vlerësuar
veprat e zgjedhura, të shkruara prej të vjetërve, veç duke u shtuar
atyre shënime e komente. Dhe natyrisht që duke u marrë vetëm me këtë, i
premë rrugën mendimit e gjykimit të thellë. Gjer më tash, nuk kemi
pasur qendra kërkimore e laboratore tonat, të ngritura në vendin tonë,
ndaj edhe analiza dhe hulumtime serioze për të kapërcyer këtë ngecje
nuk ka qenë e mundur të bëheshin.
Ndërkohë që, qysh në kohën e abasidëve janë bërë punime për të
vërtetuar rrumbullakësinë e rruzullit tokësor dhe në lidhje me këtë
temë, dijet e ditëve tona kanë mbërritur në përfundime të përafërta me
ta. Po kështu, në një kohë të hershme, në shekullin e katërt të
hixhrit, shkencëtarët myslimanë janë shprehur se eklipset e diellit e
të hënës janë periodike dhe në lidhje me këtë kanë paraqitur
konstatimet më të drejta.
[190]
Mund t’i shtojmë edhe më shembujt. Sepse po t’i shohim këta shekuj për
nga historia e shkencës, shihet se jo vetëm në fushën e astronomisë,
por edhe në degë të dijes si matematika, mjekësia, kimia etj., janë
arritur zhvillime të mëdha shkencore që do të shërbenin për të ndriçuar
shekujt që do të pasonin.
E pra, pas kësaj periudhe të artë, ndodhën ato që ndodhën dhe duket
sikur që nga shekulli i pestë e këtej, në këto veprimtari shkencore
nisi një periudhë stanjacioni serioz. Medreseja, nga njëra anë nisi t’u
mbyllte dyert shkencave pozitive dhe nga ana tjetër filloi të mbante
qëndrim kundër horizontit të zemrës e të shpirtit. Në përfundim, teqeja
dhe medreseja u shkëputën prej njëra-tjetrës, shkencat pozitive, dijet
fetare dhe jeta e zemrës dhe e shpirtit u larguan nga njëra-tjetra dhe
secila prej tyre u mënjanua. Ndërkohë që këto janë si tri anët e një
njësie të vetme. Nëse i qasni të tria së bashku, dhjetë bukuri dalin në
pah dhe nëse ato i zhvilloni në harmoni të plotë me njëra-tjetrën,
mbërrini në njëqind bukuri.
Në pesë shekujt e parë të hixhrit, njerëzit e asaj kohe, të mbushur
plot e për plot me dashuri për hulumtimin dhe për të vërtetën, me të
vërtetë që e shtjelluan çështjen shtresë pas shtrese, duke e shpërfaqur
atë në thellësitë e saj të ndryshme. Por më pas, dyert dalëngadalë u
mbyllën dhe perdet u ulën. Paskëtaj, krahas botës metafizike e psikike
dhe kundrejt ligjësive natyrore, ndodhi një divorc përmes ndarjes së
tri shkencave. Kuptimi i saj është që ato nuk do të ishin më kurrë
bashkë. Por, nëse do ta shprehim çështjen përmes një shakaje, pas
divorcit me mendimin sistematik, me dashurinë për të vërtetën dhe me
pasionin për kërkim shkencor, për t’i arritur këto edhe njëherë do të
duhej një tjetër martesë. Pasi i ndamë këto, duke qenë se u gjendëm në
gjerdek me mendimet e huaja, edhe ky kusht u vu në vend. Prandaj, duke
i qëndruar shakasë, mund të themi se tashmë, ka ardhur sërish stina e
një gjerdeku të ri për mendjen dhe për zemrën.
Trualli për zhvillim intelektual
Ndërkohë, duhet pohuar edhe se, krahas këtyre konstatimeve, nuk duhet
çuar nëpër mend që po i marrim lehtë edhe sa e sa përpjekje të mëdha që
janë bërë në të shkuarën. Sepse ne dimë dhe besojmë se etërit tanë,
ndër shekuj, kanë qenë flamurtarë të Islamit dhe njëkohësisht kanë
mbrojtur krenarinë, nderin dhe dinjitetin e tij. Me leje të Allahut, me
këto gradë të arritura, kanë mundësinë të jenë së bashku nën flamurin e
Zotërisë sonë, Profetit (s.a.s.). Por krahas vlerësimit që na takon të
bëjmë për këto cilësi të bukura që ata kanë pasur, çështja duhet parë
në një vështrim më të plotë dhe më tërësor. Pa dyshim që ne, duke qenë
se nuk jemi kronikanë që i lexojmë ndodhitë duke u gjendur në brendi të
ngjarjeve e duke i jetuar vetë ato dhe duke qenë se nuk i njohim
plotësisht kushtet dhe rrethanat e kohës në të cilën ata njerëz kanë
jetuar, ndoshta mund të arrijmë në disa gjykime të gabuara. Por krahas
kësaj, nuk mund të rrimë, në fakt, pa ngritur disa pikëpyetje mbi disa
çështje. Për shembull, nuk mund të mos ia bëjmë vetes këto pyetje:
Përse vallë gjer në kohën e Abdylhamidit II nuk u ngritën institucione
të tilla si një “Mühendishane-i Hümâyûn” (Shkolla e
Lartë e Inxhinierisë) apo një “Tıbbiye-i Şahane”(Shkolla e Lartë e Mjekësisë)? Përse pati kaq vonesë për hapjen e
këtyre institucioneve, që mbartin një rëndësi jetike në shoqëri? Krahas
sukseseve tona në fusha të tjera, përse nuk funksionuan në të njëjtën
masë laboratorët dhe qendrat tona kërkimore? Disa çështje që kanë të
bëjnë me shkencat pozitive, pse nuk u trajtuan më herët? Pyetjet mund
t’i shtoni edhe më. Por më këto pyetje, çështja thelbësore, tek e cila
duam të tërheqim vëmendjen, është kjo: Pas një ngecjeje të gjatë që
pësuam, rruga për të përgatitur një klasë elitare dhe intelektuale
është shumë e ashpër dhe e vështirë. Por pavarësisht të gjitha këtyre
rrethanave të vështira e negative, për rilindjen e kombit tonë, për
ringritjen e përmendores së shpirtit tonë, kemi nevojë për njerëz që i
dinë saktë ato çka janë të nevojshme të dihen, që ato çka i dinë saktë
janë në gjendje t’i përçojnë me zë buçitës në mjediset e duhura, pra,
që kur është e nevojshme oshëtijnë si retë dhe që kur oshëtijnë,
zbrazin plot bereqet shirat e bekuara. Për shembull, një njeri që është
i angazhuar në fushën e shkencave të fesë, duhet t’i njohë drejtimet
themelore të shkencave islame si interpretimi, hadithi, jurisprudenca,
retorika, metodologjia juridike… dhe atë që di, duhet të jetë në
gjendje t’ua përcjellë me shumë lehtësi bashkëbiseduesve të vet. Së
paku, duhet të zotërojë një informacion në nivel enciklopedik. Pra, një
çështje me të cilën përballet, duhet të dijë se ku mund ta gjejë, duhet
të mund të thotë: “Kjo çështje shprehej në këtë kontekst në akcil
burim. Mbështetja, qëndrimi ishte ky.” Nëse do të duhej të paraqisnim
një standard, për shembull, një njeri që merret me hadithin, së paku,
në lidhje me një hadith që has, duhet të mund të thotë: “Mua ky hadith
nuk më kujtohet ta kem parë në Kutub-u Sitte. Por mund ta kem
parë në Zeuaid”; dhe për këtë hadith që po trajton, duhet të
jetë në gjendje të thotë nëse gjendet në Mustedrekun e Hakimit
apo në Sunenin e Darakutniut apo në veprat e hartuara më vonë.
Ja pra, për të përgatitur një klasë të tillë intelektualësh, edhe nëse
mobilizohen mijëra njerëz, them se ia vlen.
Ndoshta kur unë ju shpjegoj këto gjëra, mendja mund t’ju shkojë të
thoni: “Në ditët e sotme, duke qenë se teksti i haditheve instalohet në
kompjuter, mjafton që të shtypësh një tastë dhe hadithi i kërkuar na
shfaqet menjëherë para syve.” Por le ta pohojmë sakaq se kjo nuk është
shkencë. Po, po. Të klikosh diku e të marrësh një çështje, ta printosh
atë, pastaj çështjet e printuara t’i hedhësh në libra, pastaj ato libra
t’ua paraqesësh jurive, në kuptimin e vërtetë, kjo nuk është shkencë.
Puna është që të jesh në gjendje që temat e trajtuara të mund t’i
zotërosh në thelbin e në frymën e tyre, në një nivel të tillë që të
mund t’i shtjellosh sipas vlerësimit të të parëve tanë të mirë.
Nga ky këndvështrim, ata njerëz të rrallë, që u rritën në shekullin e
tretë të hixhrit, unë gjithmonë i kam parë si njerëz të mrekullueshëm,
që Zoti i Madhëruar i pati krijuar veçanërisht për Islamin. Po, po.
Njerëz si Imam Buhariu, Imam Muslimi, Ebu Davud Sixhistani, Imam
Tirmidhiu, Imam Nesaiu, Ibni Maxhe, për mendimin tim, janë njerëz që
Allahu i krijoi me një karakter të veçantë. Edhe nëse disa përpiqen ta
lënë si pa u vënë re, në të vërtetë, edhe i nderuari Imam Tahavi nuk
mbetet pas këtyre. Madje përkufizimet dhe kriteret që ai paraqiti në
çështjen e tekstit të hadithit janë një hap përpara edhe në krahasim me
Imam Buhariun. Shkurt, duke parë veprat dhe punimet e kryera prej atyre
personaliteteve të jashtëzakonshme, do të shihet se ata thuajse janë
krijuar qëllimisht me cilësi të veçanta.
E pra, në një periudhë kur jetuan personalitete madhështore si Buhariu
apo Ebu Hanifja, ndërsa njerëzit që ndiqnin mektebin e tyre ishin me
mijëra, ndër ata mijëra përgatiteshin vetëm njëzet a tridhjetë, të
cilët mund t’i quajmë intelektualë. Nga ky këndvështrim, nëse i viheni
udhës për të arritur një synim kaq të lartë e madhështor, me sa më
shumë njerëz që të niseni, aq më shumë përparësi do të keni në kthim
dhe do të mund të lini pas një truall, prej të cilit kombi do të
përfitojë po në ato masa.
Në çështjen e përgatitjes së një klase intelektuale dhe të një elite që
do të mund të bëhet shkak për ringjalljen dhe zhvillimin e kombit tonë,
një tjetër hollësi e rëndësishme që kam vënë re është edhe rishikimi po
sipas këtij pikëvështrimi i programeve mësimore që nga shkollat fillore
e të mesme dhe deri tek karriera akademike në universitete. Sepse me
programin aktual mësimor, duke përjashtuar sukseset e arritura prej
punimeve në nivel privat, duket shumë e vështirë që të përgatisim një
klasë intelektuale. Po, po. Sado e hidhur që të jetë, duhet ta pohojmë
se tani për tani, as gjimnazet tona nuk janë në gjendje të përgatisin
njerëz që do të ishin kandidatë për të qenë pjesë e një elite
intelektuale dhe as universitetet nuk kanë mundësi të përgatisin njerëz
cilësorë e të kualifikuar në këtë drejtim. Me këto fjalë, nuk duam të
themi se “me konceptin arsimor që kemi tani nuk mund të arrihet asnjë
përfundim pozitiv dhe asnjë fryt.” Por duhet vënë re, se sukseset dhe
arrijet e mundësuara, janë të lidhura më tepër me përpjekje të veçanta.
Në këtë mënyrë, disa suksese e arritje të veçuara nuk ndihmojnë për të
dhënë një mendim për arsimin dhe nivelin e tij në përgjithësi. Ju, në
një shkollë, mund të zgjidhni disa nxënës të aftë, të punonin natë e
ditë me ta dhe ata, në përfundim të kësaj pune, mund të arrijnë sa të
marrin pjesë në olimpiadat e organizuara në vende të ndryshme të botës,
të arrijnë suksese, duke fituar edhe medalje. Por kjo gjendje nuk
tregon se në kuptim të përgjithshëm, niveli mësimor e kulturor në
vendin tonë është i lartë. Nëse suksesi shtrihet e përhapet, atëherë
mund të thoni se në vendin tuaj cilësia e arsimit është e lartë dhe me
nivel. Pra, pa dashur ta zhvlerësojmë të tashmen, ka një të vërtetë të
padiskutueshme se sot, në punën me arsimin, kemi nevojë për një reformë
serioze në gjimnaze, në universitete dhe në qendrat kërkimore.
Në lidhe me këtë çështje, një tjetër hollësi tek e cila duhet ndalur
është edhe që në punët kërkimore të kryera, të merren si bazë vlerat
themelore të kombit tonë. Nëse ne do të vlerësojmë përfundimet e
arritura prej të tjerëve përmes mendimesh natyraliste, pozitiviste dhe,
në njëfarë mënyre, materialiste dhe pastaj do të mundohemi të arrijmë
një përfundim sipas vlerave tona, duhet ta dimë se në këtë rrugë nuk
është e mundur t’ia arrijmë qëllimit. Nga kjo pikëpamje, të gjitha
rrugët, metodat dhe metodologjitë që bien në kundërshtim me vlerat tona
themelore duhet t’i përballim me kritikën dhe t’i filtrojmë. Ndaj edhe,
si shoqëri, sikurse ngritët vetë laboratorin, edhe hulumtimin nga
fillimi gjer në fund do ta bëni vetë; duhet ta bëni vetë dhe ta shihni
me sytë tuaj nga fillimi gjer në fund, ta testoni gjithçka me duart
tuaja dhe në atë mënyrë duhet t’ia arrini qëllimit.
Mundi e përpjekjet nuk duhen lënë pa shpërblyer
Në lidhje me këtë temë, një tjetër hollësi është edhe kjo: kur mendoni
të zhvilloni elita apo intelektualë, duhet të merrni parasysh e të
respektoni edhe realitetin e shprehjes që përdoret shpesh në ditët
tona: “Talenti kërkon vlerësim.” Është e vërtetë se shpirtrat e
përkushtuara e të kyçura në dëlirësi nuk veprojnë/nuk duhet të veprojnë
për hir të vlerësimit. Ndoshta për ta, shprehja e sipërpërmendur duhet
ndryshuar e duhet thënë: “Vlerësimi kërkon talent.” Pra, nëse ju
tregoni talent e zotësi, bota mbarë në dashtë le t’ju vlerësojë e në
dashtë le të mos ju vlerësojë, ju kurrsesi nuk bini në pritshmëri të
tilla. Por duhet ditur se ajo që na përket neve, është që të sillemi me
objektivitet dhe të mos e shpërfillim këtë realitet njerëzor.
Kur shihni punimet e bëra në Perëndim, vëreni se ata, me punë e
përpjekje të mëdha, e kanë zbërthyer gjer në hollësi Librin e
Universit. Për shembull, njëri thotë: “Unë kam plot njëzet vjet që
jetoj në këtë pyll enkas për të bërë një kërkim shkencor mbi kobrat.”
Më pas, në dokumentarin e transmetuar, shihin se meshkujt e kobrave e
dinë se janë helmues dhe për të mos u kafshuar me njëri-tjetrin,
thuajse bien në një marrëveshje. Nëse njëri i shtyp kryet tjetrit,
atëherë ai vjen e bëhet sundimtari i zonës, ndërsa i munduri e braktis
atë vend dhe shkon tjetërkund.
Një tjetër bën një hulumtim për akrepat. Kërkuesi kap sinjalet që ata
përdorin për të komunikuar me njëri-tjetrin. Kur unë e pashë këtë për
herë të parë, u çudita jashtëzakonisht shumë. Kërkuesi kishte zbuluar
sinjalin e akrepave. Më pas, me një pajisje, kishte nisur ta
transmetonte këtë sinjal dhe akrepat, të gjendur nën gurë të ndryshëm,
drejtonin bishtat e reagonin duke kërcyer. Tani, pavarësisht masës në
të cilën ky hulumtim ka gjetur pranim si e vërtetë shkencore, nuk është
e mundur që të mos e vlerësosh këtë vepër për nga mundi dhe përpjekja e
bërë.
E pra, këta njerëz kanë rendur nga njëzet vjet kush pas akrepit, kush
pas kobrave, kush pas antilopave. Në Perëndim, një njeri që bën një
kërkim të tillë, mendon kështu: “Nëse unë robtohem këtu njëzet vjet me
këtë punë, ky shërbim nuk do të mbetet pa u vlerësuar. Do të shihet e
do të njihet, do të vlerësohet me çmim dhe prej punimeve të mia do të
jem edhe unë që do të kem përfitimin tim.” Dhe vërtet, ashtu ndodh.
Shkencëtarët dhe kërkuesit shkencorë vlerësohen me një shpërblim që u
mundëson që të jetojnë e ta mbyllin jetën më së miri. Ka edhe njerëz si
Ajnshatjni apo Edisoni, të dhënë aq shumë pas kërkimit, që kanë vepruar
me pasion e dëshirë në hulumtime e në shkencë. Këta janë njerëz që janë
ndarë nga kjo botë pa e marrë vlerësimin dhe shpërblimin që meritonin
për përpjekjet dhe punët e tyre. Madje edhe për njeriun që shpiku
kinemanë, thuhet se në mbrëmjen gala të organizuar për të, vdiq prej
urisë. Por në përgjithësi, mund të thuhet se punimet e kryera janë
shpërblyer dhe nuk kanë mbetur pa u vlerësuar. Tani, përballë kësaj
gjendjeje, se si duhet të rendim e ç’sakrifica duhet të bëjmë ne për
hir të dashurisë për të vërtetën që na ka urdhëruar feja jonë, po ua lë
mendimit dhe ndërgjegjes tuaj që ta gjykojnë vetë dhe po vijoj më tej.
Për këtë arsye, sipas mendimit tim, çdo mund, punë e përpjekje e
treguar në garimin në fushën e shkencës duhet çmuar e vlerësuar dhe
askush nuk duhet kthyer mbrapsht me duart bosh. Për shembull, në një
olimpiadë të shkencës apo të gjuhës organizohet një konkurs. Atij që
fiton çmimin e parë i jepni medalje ari, të dytit argjendi, të tretit
bronzi, ndërsa të katërtit një vlerësim nderi për pjesëmarrjen e tij.
Sipas meje, në vlerësim, duhen gjetur cilësime të tjera dhe gjithsecili
duhet të vlerësohet për mundin dhe përpjekjen e tij. Unë vetë, kur më
vijnë këta shokë që kanë marrë pjesë me sukses në të tilla konkurse,
mund të them se përpiqem e synoj t’i vlerësoj pa tjetër, me çfarë të
kem në dorë. Po, po. Për arsye të sukseseve të arritura, pse të mos i
përqafoni e kështu, t’i lumturoni këta njerëz sipas mundësive! Për
shembull, përse të mos i stimulosh duke u thënë: “Shko në këtë
universitet me emër në botë, regjistrohu. Po të duash bëj një studim
pasuniversitar, po të duash një doktoraturë. Unë do të të siguroj
bursën.” Me vlerësime të tilla apo të ngjashme, ata duhet t’i vlerësoni
vazhdimisht dhe kështu, duhet t’u përgatisnin terrenin që ata t’i
shpërfaqin talentet e zotësitë e tyre. Kam bindjen se në përgatitjen e
një klase elitare e intelektuale në nivelin e duhur, një ndër hollësitë
që çalon në çerdhet e vatrat e arsimit e të edukimit është kjo. Për
këtë arsye, duhen përpunuar dinamikat e vlerësimit, të shpërblimit e të
nxitjes dhe kështu, kjo çështje, që është lënë pas dore prej kaq e kaq
vitesh, duhet vënë në vend.
[188] Shih: Bediuzaman, Gjykimet f. 66 (Thelbi i së vërtetës, Hyrja e
tetë).
[189] Shih: Bediuzaman, Gjykimet f. 66 (Thelbi i së vërtetës, Hyrja e
tetë).
[190] Shih: Fuat Sezgin, Shkenca dhe teknika në Islam 1/15.