Fethullah Gyleni dhe edukimi

Home » Albanian (Shqip) » Veprat » Ese, perspektiva, opinione » Fethullah Gyleni dhe edukimi

Fethullah Gylen është një edukator. Ai është një edukator jo vetëm për
mendjen, por edhe për zemrën dhe shpirtin. Figura e tij është vlerësuar në
mënyrë të veçantë për përpjekjet për të hapur institucionet edukative si në
Turqi, ashtu dhe jashtë saj. Në këtë kapitull ju do të gjeni pikëpamjen e
tij për edukimin dhe aktivitetet edukative të sipërmarrësve turq jashtë
vendit të tyre.

Edukimi nga djepi gjer në varr

[34]

Hyrje

Detyra dhe qëllimi kryesor i jetës njerëzore është të kërkojë kuptimin e
saj. Përpjekja për ta arritur këtë, e njohur si edukim, është një proces
përsosjeje përmes së cilës ne fitojmë në dimensionet shpirtërore,
intelektuale dhe fizike të qenies sonë, pozitën e caktuar për ne si modeli
perfekt i krijimit. Në lindje, nisja e fazës tokësore të udhëtimit tonë
prej botës së shpirtrave në përjetësi, ne jemi plotësisht të pafuqishëm dhe
në mënyrë të skajshme nevojtarë. Në të kundërt, shumica e kafshëve vijnë në
këtë botë si të maturuar ose sikur janë perfeksionuar më parë. Brenda pak
orëve, ditëve ose muajve, ata mësojnë gjithçka të nevojshme për mbijetesën
e tyre, ashtu edhe si të vendosin lidhje me mjedisin dhe me krijesat e
tjera. Për shembull, zogjve ose bletëve për të fituar pjekurinë dhe të
gjithë aftësitë fizike dhe sociale u nevojiten njëzet ditë, ndërsa ne na
nevojiten njëzet vjet apo më shumë për të arritur një nivel të krahasueshëm
pjekurie.

Ne kemi lindur të pafuqishëm si edhe të paditur për ligjet e jetës dhe
duhet të këlthasim për të marrë ndihmën që na nevojitet. Pas një viti apo
më shumë, ne mund të qëndrojmë në këmbët tona dhe të ecim nga pak. Kur ne
jemi rreth të pesëmbëdhjetave, shpresojmë të kemi kuptuar ndryshimin midis
të mirës dhe të keqes, të dobishmes dhe të dëmshmes. Megjithatë, e tërë
jeta jonë do të shkojë në kërkim të përsosjes intelektuale dhe shpirtërore.
Detyra jonë kryesore në jetë është të fitojmë përsosjen dhe pastërtinë në
mendimin, këndvështrimin dhe besimin tonë. Nga përmbushja e detyrimit tonë
si shërbëtorë të Krijuesit, Ushqyesit dhe Kujdestarit, dhe nga depërtimi në
të fshehtën e krijimit përmes mundësive dhe aftësive tona, ne kërkojmë të
arrijmë në pozitën e krijesës njerëzore të vërtetë dhe të bëhemi të denjë
për një lumturi, që është jeta e amshuar në botën tjetër të lartësuar.

Natyra jonë njerëzore është drejtpërsëdrejti në përpjestim me pastërtinë e
emocioneve tona. Megjithëse ata që janë plot me ndjenja negative dhe
shpirtrat e të cilëve janë ndikuar nga egoizmi, shfaqen si krijesa
njerëzore, është e dyshimtë nëse ata janë me të vërtetë njerëz. Pothuajse
çdo njeri mund ta drejtojë trupin e tij, por pak mund t’i edukojnë mendjet
dhe ndjenjat e tyre. E para krijon një trup të shëndoshë, ndërsa e dyta
krijon njeriun spiritual.

Aftësitë Tona të Bashkëlindura dhe Edukimi

Prej kohës së Ibn Miskavajhit, aftësitë njerëzore ose “energjitë” kanë qenë
ndarë në tri kategori: arsyeja, zemërimi dhe lakmia

[35]

. Arsyeja përfshin kapacitetet tona të perceptimit, kuptimit, imagjinatës,
kalkulimit, kujtesës, mësimit e kështu me radhë. Zemërimi mbulon mundësinë
tonë për vetëmbrojtje, të cilën jurisprudenca islame e përcakton si diçka
të nevojshme për mbrojtjen e besimit dhe fesë tonë, urtësisë, pasurive,
jetës, familjes dhe vlerave të tjera të shenjta. Kurse lakmia emërton
forcën e orekseve tona shtazore:

“Njerëzve u është hijeshuar dashuria për gjërat e këndshme: për gratë,
fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat
e liruara. Këto janë kënaqësi të kësaj bote…” ( Kuran, 3:14)

Këto dhunti gjenden tek çdo krijesë. Megjithatë, nëse në dëshirat,
inteligjencën, ose vendosmërinë e tyre për të mbrojtur jetën dhe
territorin, këto dhunti janë të kufizuara për të gjithë krijesat, nuk është
e njëjta gjë për natyrën njerëzore. Çdonjëri prej nesh është pajisur veçmas
me vullnet të lirë dhe obligim konsekuent për të disiplinuar fuqitë e veta.
Kjo luftë për disiplinim përcakton natyrën tonë njerëzore. Në bashkim me
njëra-tjetrën dhe në përputhje me rrethanat, aftësitë tona janë shpesh të
shprehura përmes xhelozisë, urrejtjes, armiqësisë, hipokrizisë dhe
mburrjes. Gjithashtu këto duhet të jenë disiplinuara.

Ne nuk jemi të krijuar vetëm nga trupi dhe mendja. Çdo njëri prej nesh ka
një shpirt që është e nevojshme të ndjejë kënaqësi. Pa këtë, ne nuk mund të
gjejmë lumturinë dhe përsosjen e vërtetë. Kënaqësia shpirtërore është e
mundur vetëm përmes dijeve për Zotin dhe besimit tek Ai. Të kufizuar me
botën fizike, vetja jonë trupore e veçantë, koha dhe hapësira mund të
ndjehen si një burg. Ne mund t’i përvidhemi këtij burgimi përmes besimit
dhe adhurimit të rregullt dhe duke u përmbajtur nga ekstremet ndërsa
shfrytëzojmë aftësitë dhe kapacitetet tona. Ne nuk duhet të kërkojmë të
shkatërrojmë dhuntitë tona, por të përdorim vullnetin tonë të lirë për t’i
përmbajtur dhe pastruar ato, për t’i adresuar në drejtim të virtytit. Për
shembull, ne nuk shpresojmë të eliminojmë epshin, por ta përmbushim atë në
mënyrë të ligjshme nëpërmjet riprodhimit. Lumturia mbështetet në kufizimin
e epshit tonë në kufijtë e ligjshëm të turpit dhe pastërtisë morale dhe jo
në tërheqjen e shthurjes dhe çoroditjes.

Në të njëjtën mënyrë, xhelozia mund të jetë kanalizuar në rivalitetin e
lirë të zilisë pozitive që na frymëzon ne për t’u matur me ata që shquhen
për mirësi dhe vepra të lavdërueshme, duke u disiplinuar atje ku duhet për
të arsyetuar rezultatet tona në fitimin e njohurive dhe, në fund fare, për
mirëkuptimin dhe urtësinë. Pastrimi dhe trajnimi i zemërimit çon në bindje
dhe vetëpërmbajtje. Disiplinimi i pasionit dhe i dëshirave tona i jep udhë
pastërtisë sonë morale.

Nëse çdo virtyt është menduar të jetë në qendër të një rrethi dhe çdo
veprim jashtë qendrës është menduar të jetë një ves, atëherë vesi bëhet i
madh nëse ne lëvizim shumë larg prej qendrës. Çdo virtyt si pasojë ka vese
të mundshme të panumërta meqë aty është vetëm qendra e një rrethi, por me
numër të pakufizuar pikash rreth tij. Është e parëndësishme në cilin
drejtim ndodh shmangia, por shmangia nga qendra në çfarëdo drejtimi qoftë
është një ves.

Dy janë ekstremet në lidhje me çdo virtyt moral: dobësia ose tepria
(deficenca ose eksesi). Dy ekstremet lidhur me urtësinë janë budallallëku
dhe finokëria. Për guximin janë burracakëria dhe nxitimi dhe, për
pastërtinë morale, janë plogështia dhe zilia e pakontrolluar. Ndaj,
përsosmëria e një personi, qëllimi themelor i ekzistencës sonë, mbështetet
në mbajtjen e kushteve të balancës dhe maturisë mes dy ekstremeve në lidhje
me çdo virtyt. Ali ibn Ebu Talibi ka thënë:


Zoti i ka dalluar engjëjt nga intelekti pa dëshira seksuale, pasione
apo zemërim, dhe kafshët me zemërim dhe dëshira pa intelekt. Ai i ka
lartësuar krijesat njerëzore duke u falur atyre të gjitha këto cilësi.
Prandaj, nëse intelekti i një personi mbizotëron dëshirat dhe egërsinë
e tij, ai ngrihet në një pozitë mbi engjëjt, sepse kjo pozitë është
arritur nga një krijesë njerëzore me gjithë ekzistencën e pengesave që
nuk i shqetësojnë engjëjt.


Përparimi i një komuniteti është i mundur vetëm nga ngritja e
gjeneratës së re në nivelin e natyrës njerëzore, jo nga asgjësimi i
atyre që janë në udhë të gabuar. Përveç farës të krijuar me besim,
traditë dhe vetëdije historike dhe të mbjellë anembanë vendit, atje ku
nuk çrrënjoset e keqja, do të shfaqen dhe rriten edhe elementët e rinj
të këqij.

Kuptimi dhe Vlera e Vërtetë e Edukimit

Edukimi nëpërmjet mësimit dhe drejtimi në një rrugë të lavdërueshme të
jetës është një detyrë sublime që është tregues i emrit hyjnor Rabb (Zot, Edukator dhe Kujdestar). Nga përmbushja e kësaj detyre,
ne arrijmë pozitën e natyrës së vërtetë njerëzore dhe bëhemi një element i
dobishëm për shoqërinë.

Edukimi është jetik për shoqërinë dhe për individët. Së pari, natyra jonë
njerëzore është në proporcion të drejtë me pastërtinë e emocioneve tona.
Ndonëse ata që janë mbushur me ndjenja të këqija dhe shpirtrat e të cilëve
janë ndikuar nga egoizmi, ngjajnë të jenë krijesa njerëzore, është e
diskutueshme nëse janë vërtet të tillë. Pothuajse çdo njeri mund të jetë i
suksesshëm në përgatitjen e trupit të tij, por të paktë janë ata që mund të
edukojnë mendjet dhe ndjenja e tyre. Së dyti, përparimi i një komuniteti
është i mundur vetëm nga ngritja e brezave që vijnë, në rangun e natyrës
njerëzore, jo nga zhdukja e të këqijve. Përveç farërave të fesë, vlerave
tradicionale dhe vetëdijes historike që janë mbjellë anembanë vendit,
elementët e rinj negativë do të rriten pashmangshmërisht atje ku nuk është
çrrënjosur e keqja.

E ardhmja e një kombi varet në rininë e tij. Çdo popull që dëshiron të
sigurojë të ardhmen e tij, ashtu siç përkushtohet ndaj fushave të tjera,
duhet të harxhojë sa më shumë energji për të rritur brezin e ri. Një komb
që lë pas dore rininë e tij, që i braktis ata për hir të ndikimeve
kulturore të huaja, vë në rrezik identitetin dhe është subjekt i
paqëndrueshmërisë politike dhe kulturore.

Arsyet e shthurjes së vëzhguar në gjeneratën e sotme si edhe paaftësisë së
disa administratorëve dhe vështirësive të tjera mbarëkombëtare, mund të
gjenden në rrethanat mbizotëruese dhe në elitën qeverisëse të 25 viteve
përpara. Gjithashtu, ata që janë kujdesur për edukimin e brezit të ri në
ditët e sotme, do të jenë përgjegjës për veset dhe virtytet që do të
shfaqen në 25 vitet e ardhshme. Ata që duan të parashikojnë të ardhmen e
një kombi, mund ta arrijnë këtë gjë me përpikëri duke i dhënë arsimim dhe
edukim të plotë brezit të ri. Jeta “e vërtetë” është e mundur vetëm
nëpërmjet dijeve. Prandaj, ata që lënë pas dore arsimimin dhe dituritë,
duhet të vlerësohen si krijesa të “vdekura,” edhe nëse janë në jetë, sepse
ne jemi krijuar për të mësuar dhe për të shprehur me të tjerët çfarë kemi
përvetësuar.

Marrja e vendimeve të drejta është e kushtëzuar në zotërimin e një mendjeje
të shëndoshë dhe në të qenët i aftë për mendimin e pakontestueshëm. Shkenca
dhe njohuritë ndriçojnë dhe zhvillojnë mendjen. Për këtë arsye, një mendje
e privuar nga shkenca dhe dijet nuk mund të marrë vendime të drejta, ajo
është gjithmonë e ekspozuar ndaj gabimit dhe subjekt për të qenë e
mashtruar.

Ne jemi krijesa njerëzore të vërteta vetëm nëse mësojmë, edukohemi dhe
frymëzojmë të tjerët. Është e vështirë që t’i vlerësosh si njerëz të
vërtetë ata që janë injorantë dhe nuk kanë asnjë dëshirë për të mësuar.
Gjithashtu është e diskutueshme nëse janë krijesa njerëzore të vërteta
njerëzit e shkolluar që nuk përtërijnë dhe reformojnë veten me qëllim që të
sjellin një shembull për të tjerët. Statusi shoqëror dhe meritat e fituara
përmes dijeve dhe shkencës lartësohen dhe bëhen më të qëndrueshme nga ato
që arrihen nëpërmjet rrugëve të tjera.

Duke i dhënë një rëndësi të madhe mësimit dhe diturive, ne duhet të
përcaktojmë se çfarë është për t’u mësuar dhe ditur, kur dhe si duhet ta
bëjmë këtë. Ndonëse dituria është një vlerë në vetvete, qëllimi i të
mësuarit është për t’i bërë dijet udhërrëfyese të jetës dhe për të ndriçuar
rrugën e përsosjes njerëzore. Prandaj, çdo njohuri që nuk përvetësohet,
është një përgjegjësi për atë që mëson, dhe një shkencë që nuk e drejton
njeriun drejt qëllimeve të larta është një mashtrim.

Por dija e fituar për një qëllim legjitim është një burim i pashterueshëm
bekimesh për atë që mëson. Ata që posedojnë një burim të tillë, zbulohen
gjithmonë nga njerëzit si një burim me ujë të ëmbël, dhe e drejtojnë
popullin për te e mira. Dija e kufizuar me teori boshe dhe pjesë të
papërvetësueshme për t’u mësuar, e cila zgjon dyshime në mendje dhe errëson
zemrat, është një “grumbull plehrash” rreth së cilës zhgërryen shpirtrat e
dëshpëruar dhe të çoroditur. Prandaj, shkenca dhe dijet duhet të kërkojnë
zbulimin e natyrës njerëzore dhe misteret e krijimit. Çdo njohuri, edhe
“shkencore,” është e vërtetë vetëm nëse hedh dritë mbi misteret e natyrës
njerëzore dhe ndriçon hapësirat e errëta të ekzistencës.


E ardhmja e çdo individi është e lidhur ngushtë me impresionet dhe
ndikimet e përjetuara në fëmijëri dhe rini. Nëse fëmijët dhe të rinjtë
janë rritur në një klimë ku entuziazmi është stimuluar me ndjenja të
larta, ata do të jenë të fuqishëm mendërisht dhe do të manifestojnë
moral dhe virtyte të lavdërueshme.


Megjithëse është fundamentale që vajzat të jenë rritur me delikatesë si
lulet dhe të jenë edukatore të dhembshura dhe të buta për fëmijët,
duhet të jetë treguar kujdesi i duhur që ato të jenë bërë mbrojtëse të
paepura të së vërtetës. Përndryshe, ne i kemi transformuar në qenie të
pafuqishme dhe të varfra për hir të delikatesës dhe brishtësisë. Ne nuk
duhet të harrojmë që luaneshat janë përsëri luanesha!

Familja, Shkolla dhe Mjedisi

Njerëzit që duan të garantojnë të ardhmen, nuk mund të jenë indiferentë për
edukimin e fëmijëve të tyre. Familja, shkolla, mjedisi dhe mjetet e
komunikimit masiv duhet të bashkëpunojnë të gjithë për të siguruar
rezultatin e dëshiruar. Kundërshtimi i tendencave midis këtyre
institucioneve jetike do t’i kushtëzojë të rinjtë në influencat
kontradiktore që do t’i shpërqendrojnë dhe shpërhapin energjitë e tyre. Në
veçanti, mjetet e komunikimit masiv duhet të kontribuojnë në edukimin e
brezit të ri duke ndjekur edukimin politik të miratuar nga komuniteti.
Shkolla duhet të jetë sa më e përsosur në respekt të programit mësimor të
saj, të standardeve morale dhe shkencore të mësuesve dhe të kushteve të saj
fizike. Një familje duhet të krijojë atmosferën dhe ngrohtësinë e nevojshme
në të cilën rriten fëmijët.

Në shekujt e parë të Islamit, mendjet, zemrat dhe shpirtrat përpiqeshin të
kuptonin se çfarë miratonte Zoti i qiejve dhe tokës. Çdo kuvendim,
diskutim, marrëdhënie dhe eventualitet ishte drejtuar në këtë qëllim. Dhe
si rezultat, kushdo që i përmbahej kësaj rruge, merrte vlerësime të drejta
dhe energji nga mjedisi që e rrethonte. Dukej sikur gjithçka ishte si një
mësues që duhej të përgatiste mendjet dhe shpirtrat e individëve dhe të
zhvillonte aftësitë e tij ose të saj për të arritur një nivel të lartë në
shkencën islame. Shkolla e parë në të cilën ne marrim edukimin e nevojshëm
për të qenë të përsosur, është vatra familjare.

Vatra familjare ka një rëndësi jetike për rritjen e një gjenerate të
shëndetshme dhe sigurimin e një sistemi shoqëror ose të një strukture të
shëndoshë. Kjo përgjegjësi vazhdon gjatë gjithë jetës. Impresionet që
marrim nga familjet tona nuk mund të fshihen deri në fund të jetës sonë.
Për më tepër, mbikëqyrja e familjes mbi fëmijën në shtëpi, lidhur me
fëmijët e një barku tjetër dhe lodrat, vazhdon në shkollë në lidhje me
shokët e fëmijës, librat dhe vendet e vizituara. Prindërit duhet t’i
ushqejnë mendjet e fëmijëve të tyre me njohuri dhe shkencë përpara se ato
t’u jenë pushtuar nga gjërat e padobishme, sepse shpirtrat pa të vërteta
dhe dije, janë fusha në të cilat rriten dhe kultivohen mendimet dhe idetë e
këqija.

Fëmijët mund të marrin një edukatë të mirë në shtëpi vetëm nëse jeta
familjare është e shëndoshë. Prandaj, bashkëshortët duhet të marrin
përsipër ndërtimin e një vatre familjare të ngrohtë dhe kështu t’i
kontribuojnë qëndrueshmërisë së kombit të tyre në veçanti dhe njerëzimit në
përgjithësi. Paqja, lumturia dhe siguria në vatrën familjare vendosen me
bashkëpunimin reciprok të bashkëshortëve në mendim, moral dhe besim. Çiftet
që vendosin të martohen, duhet ta njohin mirë njëri-tjetrin dhe të
respektojnë më shumë pastërtinë e ndjenjave, dëlirësinë, ndershmërinë dhe
virtytet, sesa pasurinë dhe bukurinë fizike. Djallëzia dhe paturpësia e
fëmijëve reflekton atmosferën në të cilën ata janë rritur. Jeta e një
familjeje jofunksionale pasqyrohet gjithnjë e më shumë në shpirtrat e
fëmijëve dhe, për pasojë, në shoqëri.

Në familje, anëtarët më të rritur duhet t’i trajtojnë më të vegjlit me
dhembshuri dhe të rinjtë nga ana e tyre të tregojnë respekt për më të
moshuarit. Prindërit duhet të duan dhe respektojnë njëri-tjetrin dhe të
sillen ndaj fëmijëve të tyre me dhembshuri duke marrë në konsideratë
ndjenjat e tyre. Ata duhet t’i trajtojnë të gjithë fëmijët në të njëjtën
mënyrë pa diskriminuar asnjërin prej tyre. Nëse prindërit i inkurajojnë
fëmijët të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të jenë të dobishëm për veten dhe
komunitetin, atëherë ata i kanë dhënë kombit një mbështetje të re të
fuqishme. Nëse ata nuk kultivojnë ndjenjat e duhura tek fëmijët e tyre, ata
lëshojnë akrepa në komunitet.


Mirësjellja është një virtyt dhe një vlerësim i madh tek kushdo që
gjendet. Ata që janë të mirësjellshëm janë të pëlqyeshëm edhe nëse janë
të pashkolluar. Komunitetet pa kulturë dhe arsimim janë si individët e
paqytetëruar ku askush nuk mund të gjejë tek ta devotshmëri në shoqëri
ose qëndrueshmëri në armiqësi. Ata që besojnë në njerëz të tillë, janë
gjithmonë të zhgënjyer dhe ata që varen tek ta, janë lënë, herët ose
vonë, pa mbështetje.

Shkolla dhe Mësuesi

Një shkollë mund të konsiderohet një laborator që ofron një eliksir që mund
të pengojë ose të shërojë sëmundjet e jetës. Ata që kanë njohuritë dhe
mençurinë për të përgatitur dhe administruar këtë eliksir, janë mësuesit.

Shkolla është vendi për t’u arsimuar, ku mësohet gjithçka në lidhje me këtë
botë dhe me tjetrën. Ajo mund të hedhë dritë në idetë dhe evenimentet
jetike dhe u mundëson studentëve të kuptojnë natyrën e tyre dhe faktorin
njerëzor. Një shkollë gjithashtu mund të hapë shpejt rrugën për të zbuluar
domethënien e gjërave dhe të ngjarjeve, si rrjedhim e drejton studentin tek
mendimi dhe shqyrtimi tërësor. Në thelb, një shkollë është një vend
adhurimi ku “njerëzit e shenjtë” janë mësuesit.

Mësuesit e vërtetë mbjellin farën e pastër dhe e ruajnë atë. Ata e okupojnë
veten me çfarë është e mirë dhe e moralshme, dhe i drejtojnë dhe udhëheqin
fëmijët në jetë dhe në çdo ngjarje që mund të përfshihen. Që një shkollë të
jetë një institucion i vërtetë edukimi, studentët duhet së pari të jenë të
pajisur me një ideal, me një dashuri për gjuhën e tyre dhe të dinë se si ta
përdorin atë në mënyrë sa më efektive, me një moral të shëndoshë dhe me
vlera humane të përhershme. Identiteti i tyre shoqëror duhet të ndërtohet
në këto themele.

Edukimi është i ndryshëm nga shkollimi. Shumë njerëz mund të mësojnë, por
vetëm shumë pak mund të edukohen. Komunitetet e krijuara me njerëz pa një
ideal të lartë, mirësjellje dhe vlera njerëzore, janë si individët e
paqytetëruar që nuk kanë besnikëri në miqësi ose qëndrueshmëri në armiqësi.
Ata që u besojnë atyre janë gjithmonë të zhgënjyer dhe ata që mbështeten
tek ta, herët ose vonë, do të gjenden pa këtë mbështetje. Rruga më e mirë
për ta pajisur veten me vlera të vërteta, është një edukim fetar i
shëndoshë.

Mbijetesa e një komuniteti varet në idealizmin dhe moralin e pastër, si
edhe në arritjen e nivelit të nevojshëm në progresin shkencor dhe
teknologjik. Për këtë arsye, duhet të përvetësohen mjeshtëria dhe
profesioni, duke filluar së paku në nivelin elementar. Një shkollë e mirë
nuk është një ndërtesë ku është dhënë vetëm teori, por një institucion ose
laborator ku nxënësit janë përgatitur për jetën.

Durimi dhe këmbëngulja kanë një rëndësi të madhe në edukim. Edukimi i
njerëzve është misioni më i shenjtë, por, gjithashtu, dhe më i vështiri në
jetë. Përveçse të japin një shembull të mirë personal, mësuesit duhet të
jenë mjaft të duruar për të arritur rezultatet e dëshiruara. Ata duhet t’i
njohin mirë studentët dhe t’i drejtojnë intelektet, zemrat, shpirtrat dhe
ndjenjat e tyre. Rruga më e mirë për t’i edukuar njerëzit është të tregosh
një lidhje të veçantë me çdo individ, pa harruar se çdo individ është një
“botë” e ndryshme.

Shkolla i përgatit nxënësit që të mund të lexojnë, mendojnë dhe flasin si
brenda, ashtu dhe jashtë saj. Për këtë arsye, ndonëse duket sikur ka zënë
vetëm një pjesë të jetës, në të vërtetë shkolla dominon të gjitha kohët dhe
ngjarjet. Për pjesën tjetër të jetës së tyre, nxënësit ripërsërisin çfarë
kanë mësuar në shkollë dhe vazhdojnë të ndikohen nga kjo eksperiencë.
Mësuesit duhet të jenë të aftë të gjejnë një rrugë për zemrat e studentëve
dhe të lënë gjurmë të pashlyeshme në mendjen e tyre. Ata duhet të
verifikojnë informacionin që ka kaluar tek studentët nga përpunimi në
mendjen e tyre dhe nga prizmi i zemrave të tyre. Një mësim i mirë është më
shumë se një informacion i dobishëm apo një aftësi praktike. Ai duhet t’u
jepet nxënësve në praninë e së panjohurës. Kjo u mundëson studentëve të
fitojnë një vizion të thellë për realitetin e gjërave dhe ta shohin çdo
ngjarje si një shenjë të botës së padukshme.

Shërbimet Edukative Janë Shpërndarë në të Gjithë Botën

Shumë është folur dhe shkruar rreth edukimit. Ne do ta propozojmë këtë
subjekt nga tre këndvështrime të ndërsjella: human-psikologjik,
nacional-social dhe universal.

Ne jemi nën ndikimin serioz të mendimit perëndimor bashkëkohor, i cili, pa
dyshim, për disa shekuj është superior në shumë aspekte. Ndonëse brenda
këtij mendimi ka gjithashtu disa defekte që burojnë në veçanti nga
periudhat historike përmes së cilave ka kaluar dhe nga kushtet specifike të
krijuara prej tyre. Në mesjetë, kur Europa ishte duke jetuar në një rend
shoqëror teokratik të drejtuar nga kisha ose nga monarkët e emëruar nga
kisha, mendimi perëndimor takohej me botën islame veçanërisht përmes
Andaluzisë dhe kryqëzatave. Përveç faktorëve të tjerë, ishte kjo pikë
takimi që hapi dyert për lëvizjet reformuese dhe periudhën e rilindjes. Së
bashku me faktorët e tjerë, siç janë mungesa e hapësirave, varfëria, rrugët
për të plotësuar nevojat gjithmonë në rritje, fakti që disa shtete ishuj si
Anglia ishin të prirura për transportin detar, gjithashtu çuan në zbulimet
gjeografike përtej detit.

Stimuli i parë për të gjitha këto zhvillime ishte plotësimi i nevojave
materiale. Këto zhvillime të shoqëruara me studime shkencore në kundërshtim
me kishën dhe pedantizmin e krishterë mesjetar, krijuan një konflikt për
europianët mes fesë dhe shkencës.

[36]

Kjo shkaktoi përçarjen midis fesë dhe shkencës dhe shkëputjen e lidhjeve
mes shumë njerëzve dhe fesë. Ky zhvillim, në fund të fundit, çoi në
evoluimin e materializmit dhe komunizmit. Në gjeografinë sociale, njerëzimi
u përball me elementët më dramatikë të historisë perëndimore, siç ishin
shfrytëzimi global, konfliktet pa fund bazuar në interesa, dy luftërat
botërore dhe ndarja e botës në blloqe politike dhe ekonomike.

Perëndimi e ka mbajtur botën nën kontrollin ekonomik dhe ushtarak për disa
shekuj. Në shekujt e fundit, konflikti midis fesë dhe shkencës ka pushtuar
shumë qarqe intelektuale. Lëvizjet iluministe që filluan në shekullin e
tetëmbëdhjetë i shihnin krijesat njerëzore vetëm nga mendja. Në ndjekje të
saj, lëvizjet materialiste dhe pozitiviste i shihnin njerëzit vetëm si
entitet material apo fizik. Dhe si rezultat, krizat shpirtërore ndiqnin
njëra-tjetrën. Nuk e ekzagjerojmë nëse themi që këto kriza dhe mungesa e
kënaqësisë shpirtërore ishin faktori kryesor prapa konfliktit të interesave
që pushtoi dy shekujt e fundit dhe arriti kulmin e tij në dy luftërat
botërore.

Si posedues të një sistemi besimi me një histori dhe esencë të ndryshme, ne
kemi disa gjëra themelore për t’i dhënë Perëndimit, me të cilin kemi lidhje
të thella ekonomike, sociale, madje edhe ushtarake, dhe po ashtu
njerëzimit. Në krye të këtyre qëndron kuptimi dhe pikëpamja jonë për
natyrën njerëzore. Ky këndvështrim nuk është ekskluziviteti ynë, por nuk
është as subjektiv, më saktë është një këndvështrim objektiv që tregon
çfarë ne jemi realisht.

Ne jemi krijesa të krijuara jo vetëm nga trupi apo mendja, nga ndjenjat apo
shpirti. Më drejt, ne jemi një kompozim harmonik i të gjithë këtyre
elementëve. Çdonjëri prej nesh është një trup që përpëlitet në një rrjet
nevojash si dhe një mendje që ka nevoja më të ndjeshme dhe vitale se trupi
dhe është shtyrë nga shqetësimi rreth së kaluarës dhe së ardhmes t’u japë
përgjigje pyetjeve të tilla si, “Ç’jam unë? Ç’është kjo botë? Çfarë duan
nga unë jeta dhe vdekja? Kush më solli mua në këtë botë dhe cili është
qëllimi? Ku jam duke shkuar dhe cili është qëllimi i jetës? Kush është
drejtuesi im në këtë udhëtim tokësor?”

Për më tepër, çdo person është një krijesë me ndjenja që nuk mund të
plotësohet nga mendja dhe një krijesë me shpirt përmes të cilit ne fitojmë
identitetin esencial human. Çdo individ është i përbërë nga të gjitha këto
aspekte. Kur një mashkull ose femër rreth të cilit sillen të gjitha metodat
dhe përpjekjet, është konsideruar dhe vlerësuar si një krijesë me të gjitha
këto aspekte dhe kur të gjitha nevojat i janë përmbushur, ne do të arrijmë
lumturinë e vërtetë. Në këtë pikë, përparimi dhe zhvillimi i vërtetë
njerëzor në lidhje me qenien tonë esenciale është i mundur vetëm përmes
edukimit.

Për ta kuptuar rëndësinë e edukimit, nevojitet që vetëm të vështrojmë një
ndryshim midis nesh dhe kafshëve. Në fillim të udhëtimit nga bota e
shpirtrave që shtrihet në përjetësi, në vendqëndrimin tokësor, ne jemi të
pafuqishëm, në nevojë dhe në pozicionin e mjerueshëm në pritje të
gjithçkaje nga të tjerët.

Kafshët megjithatë vijnë ose janë sjellë në këtë botë si të kenë arritur
perfeksionin në një botë tjetër. Brenda dy orëve, dy ditëve ose pas dy
muajve nga lindja e tyre, ato mësojnë gjithçka është e nevojshme për t’u
ditur për marrëdhëniet me universin dhe ligjet e jetës dhe posedojnë
zotësi. Fuqia për të jetuar dhe aftësia për të punuar që na merr ne 20 vjet
për ta përftuar, është arritur nga një zog ose bletë në 20 ditë. Më saktë,
ata kanë lindur me këto aftësi. Kjo do të thotë që detyra thelbësore për
një kafshë nuk është të bëhet e përsosur përmes mësimit dhe evoluimit nga
fitimi i njohurive apo duke kërkuar ndihmë nëpërmjet shfaqjes së dobësisë
së saj. Detyra e saj është të punojë në përputhje me aftësitë natyrore dhe
kështu aktivisht t’i shërbejë Krijuesit.

Në anën tjetër, ne njerëzit, duhet të mësojmë gjithçka kur vijmë në këtë
botë, sepse jemi të paditur rreth rregullave të jetës. Në fakt, në njëzet
vjet apo gjatë gjithë jetës sonë, ne nuk mund ta mësojmë plotësisht natyrën
dhe domethënien e normave dhe kushteve të jetës, ose lidhjen tonë me
universin. Ne jemi sjellë në këtë botë të dobët dhe të pafuqishëm. Për
shembull, ne mund të qëndrojmë në këmbët tona vetëm pas një apo dy viteve.
Përveç kësaj, tërë jeta jonë shkon për të mësuar se çfarë është vërtet në
interesin tonë dhe çfarë nuk është. Vetëm me ndihmën e një jete shoqërore
mund të kthehemi drejt interesave tona dhe të shmangim rrezikun.

Kjo do të thotë që detyra jonë esenciale, si një krijesë që ka ardhur në
këtë bujtinë kalimtare me një natyrë të pastër, është të arrijmë
qëndrueshmëri dhe qartësi në mendim, imagjinatë dhe besim me qëllim që ne
të mund të fitojmë një “natyrë të dytë” dhe të aftësohemi për të vazhduar
jetën tonë në “tjetrën, në botë shumë më të lartësuara.” Për më tepër, duke
kryer detyrat tona si shërbëtorë, ne duhet të aktivizojmë zemrat, shpirtrat
dhe të gjitha aftësitë tona të brendshme. Nga përqafimi i botëve tona të
brendshme dhe të jashtme, ku qëndrojnë misteret dhe enigmat e panumërta, ne
duhet të kuptojmë sekretin e ekzistencës dhe kështu të ngrihemi në rangun e
një krijese njerëzore të vërtetë.

Konflikti mes fesë dhe shkencës dhe produkti i tij, materializmi, e ka
vështruar natyrën, si dhe krijesën njerëzore, si një akumulim material
krijuar vetëm për të përmbushur nevojat fizike. Si rezultat, ne jemi duke
përjetuar katastrofën e përgjithshme të mjedisit.

Le të analizojmë. Një libër është një manifestim material, në formën e
fjalëve, i një ekzistence “shpirtërore” në mendjen e shkrimtarit. Nuk ka
një konflikt midis këtyre dy mënyrave për të shprehur të njëjtat vërtetësi
dhe ide në dy “botë” të ndryshme. Gjithashtu, një ndërtesë ka një
ekzistencë shpirtërore në mendjen e arkitektit, “fatin ose paracaktimin” në
formën e një plani, dhe një ndërtim në formën e ekzistencës materiale. Nuk
ka një konflikt në mes rrugëve të tri botëve të ndryshme për të shprehur të
njëjtin kuptim, përmbajtje dhe vërtetësi. Të vështrosh për konflikt këtu
nuk është asgjë më shumë se një përpjekje e dështuar.

Në të njëjtën mënyrë, nuk ka një konflikt ndërmjet Kuranit, shkrimeve
hyjnore, (që vijnë nga atributi i të folurit i Zotit), universit (që vjen
nga atributet e Tij për fuqi dhe vullnet) dhe shkencës që i ekzaminon ato.
Universi është një libër i shenjtë (Kurani) madhështor që rrjedh nga
atributet e Zotit për fuqi dhe vullnet. Me fjalë të tjera, nëse
terminologjia është e përshtatshme, universi është një Kuran i madh i
krijuar. Në përgjigje, duke qenë një shprehje e ligjeve të universit në një
formë të ndryshme, Kurani është një univers që ka qenë kodifikuar dhe
shkruar në letër. Në domethënien e saj të vërtetë, feja nuk kundërshton apo
kufizon shkencën dhe studimin shkencor.

Feja i orienton shkencat, përcakton qëllimin e tyre të vërtetë dhe vendos
moralin dhe vlerat njerëzore universale para tyre si udhërrëfyes. Nëse kjo
e vërtetë ka qenë kuptuar në Perëndim dhe nëse është zbuluar kjo lidhje
midis fesë dhe dijeve, gjërat nuk kanë shumë ndryshim. Shkenca nuk duhet të
ketë bërë më shumë të këqija se të mira dhe as të ketë hapur rrugën për
prodhimin e bombave dhe të armëve të tjera vdekjeprurëse.

Sot, pretendohet që feja është përçarëse dhe hap rrugën për vrasjen e të
tjerëve. Ndonëse nuk mund të mohohet që feja, posaçërisht Islami, nuk ka
udhëhequr shfrytëzimin e pamëshirshëm të njeriut në shekujt e fundit,
veçanërisht luftërat dhe revolucionet e shekullit të njëzetë që vranë
miliona njerëz, që lanë prapa edhe më shumë të pastrehë, të veja, jetimë
dhe të gjymtuar. Materializmi shkencor është një pikëpamje mbi jetën dhe
botën që e ka ndarë vetveten nga feja dhe një përplasje interesash që
shkaktuan këtë shfrytëzim.

Gjithashtu, ndotja mjedisore, për shkak të materializmit shkencor, është
një tipar dallues i mendimit modern perëndimor. Në themel të kërcënimit
global të ndotjes është koncepti, shkaktuar nga mosbesimi shkencor, që
natyra është një akumulim i gjërave që nuk kanë vlera të tjera veç
pikëtakimit me nevojat fizike. Në fakt, natyra është më shumë se një
grumbull material apo një akumulim objektesh, ajo ka një shenjtëri të
përcaktuar, sepse është arena në të cilën janë manifestuar Emrat e Bukur të
Zotit.

Natyra është një demonstrim i bukurisë dhe qëllimit që manifeston
domethëniet e thella dhe të gjera në formën e pemëve që zënë rrënjë, luleve
që çelin, frutave që japin shije dhe aromë, shiut, rrëkeve të ujit që
rrjedhin, ajrit që thithim dhe nxjerrim dhe plehut që ushqen krijesat e
panumërta. Prandaj ajo e bën mendjen dhe zemrën e një njeriu si një hoje me
nektarin që ka dhuruar për të, që shtegton si një bletë me gjykimin dhe
aftësinë për përsiatje. Vetëm mjalti i besimit, virtytit, dashurisë për
njerëzimin dhe për të gjitha krijesat për hir të Krijuesit, ndihmës për të
tjerët, vetësakrifikimi në atë shkallë që i paraprin pasionit të jetës me
qëllim që të tjerët të mund të jetojnë dhe shërbimi për të gjithë krijesat
rrjedh nga kjo hoje.

Siç është shprehur Bediuzzamani, është në domethënien e edukimit ta shohë
ndriçimin e mendjes tek shkenca dhe dijet, dhe dritën e zemrës tek besimi
dhe virtyti. Kjo domethënie, që i bën studentët të fluturojnë me dy krahë
në qiejt e njerëzimit dhe ta kërkojnë pëlqimin e Zotit përmes shërbimit për
të tjerët, ka shumë gjëra për të ofruar. Ajo e çliron shkencën nga
materializmi, nga të qenit një faktor i dëmshëm, në faktor të dobishëm nga
perspektiva materiale dhe shpirtërore dhe, nga të qenit një armë
vdekjeprurëse. Një domethënie e tillë, me fjalët e Ajnshtajnit, nuk do ta
lejojë fenë të qëndrojë e paralizuar, ose nuk do të lejojë që feja të jetë
perceptuar si diçka e shkëputur nga inteligjenca, jeta dhe të vërtetat
shkencore dhe si një institucion fanatik që ndërton mure ndarës midis
individëve dhe kombeve.

Duke i Shërbyer Njerëzores Përmes Edukimit

Për shkak të zhvillimeve të shpejta në transport dhe telekomunikacion, bota
është bërë një fshat global. Kombet janë ekzaktësisht si fqinjët që gjenden
në derën tjetër. Ndonëse ne mund të kujtojmë që në një botë si kjo,
ekzistenca e kombeve mund të jetë siguruar vetëm nga mbrojtja e
karakteristikave specifike të tyre. Në një mozaik të unifikuar të kombeve
dhe shteteve, ata që nuk do të mund t’i mbrojnë cilësitë e veçanta,
“modelet dhe konstruksionet” do të zhduken. Si në të gjithë kombet e tjerë,
karakteristikat tona esenciale janë feja dhe gjuha, historia dhe mëmëdheu.
Ajo që Jahja Kemal, një poet dhe shkrimtar i famshëm turk, shprehte me
emocion të madh në Rajonet pa një thirrje për lutje, ishte kultura
dhe qytetërimi ynë ardhur nga Islami dhe Azia Qendrore dhe mbrujtur për
shekuj në Anadoll, Europë dhe madje në Afrikë.

Një çështje në lidhje me këtë është në vijim. Midis njerëzve ekziston
shprehja: “Njeriu ka nevojë për hirin e fqinjit të tij!” Nëse ju nuk keni
hirin e duhur për të tjerët, askush nuk do të godasë ndonjë vlerë tek ju.
Siç u përmend edhe më sipër, ne kemi më shumë për t’i dhënë njerëzimit se
ç’kemi për t’i marrë. Sot, organizatat vullnetare ose joqeveritare kanë
krijuar kompani dhe fondacione dhe janë duke u shërbyer me entuziazëm të
tjerëve. Pranimi në shkallë të gjerë i institucioneve edukative që janë
shpërndarë në të gjithë botën, pavarësisht nga vështirësitë e mëdha
financiare me të cilat janë përballur, dhe faktit që ato janë konkurruese
dhe shpesh lënë pas për një kohë shumë të shkurtër institucionet homologe
në perëndim, duhet të provojë që çfarë kemi thënë, nuk mund të mohohet.

Ashtu si populli turk, ne kemi akumuluar shumë probleme nga shekujt e
kaluar. Në themel të këtyre problemeve qëndron gabimi ynë i përmbledhur në
pamjen e jashtme të Islamit dhe në shpërfilljen e margaritarëve të tij të
brendshëm. Pastaj ne filluam të imitojmë të tjerët dhe hamendësuam që
ekzistonte një konflikt midis Islamit dhe shkencave të natyrës. Ne arritëm
në këtë konkluzion pavarësisht nga fakti që tek e fundit, shkenca nuk është
më shumë se zbulimi i ligjeve hyjnore që manifestojnë atributet e Zotit për
fuqi dhe vullnet, dhe shprehje e ndryshme e Kuranit që rrjedh nga atributi
i të folurit i Zotit. Kjo shpërfillje, për pasojë, çon në despotizmin e
dijeve, mendimit dhe qeverisjes, në një drejtim të pashpresë ku kaosi
përfshin të gjithë individët dhe institucionet, në punën tonë është i
pranishëm konfuzioni dhe nuk tregohet kujdes për ndasitë e punëtorisë.

Më shkurt, tre armiqtë tanë më të mëdhenj janë injoranca, varfëria dhe
përçarja e brendshme. Dijet, kapitali i punës dhe bashkimi mund të luftojnë
kundër tyre. Paditurisë që është problemi më serioz, duhet t’i kundërvihemi
me arsimim, që ka qenë gjithmonë rruga më e drejtë për t’i shërbyer vendit
tonë. Tani që ne jetojmë në një botë globale, edukimi është mënyra më e
mirë për t’i shërbyer njerëzimit dhe për të vendosur një dialog me
qytetërimet e tjera.

Para së gjithash, edukimi është një shërbim human, sepse ne jemi sjellë në
këtë botë për të mësuar dhe për t’u përsosur përmes arsimimit. Bediuzzamani
tregon kujdes për zgjidhjet dhe të ardhmen duke thënë: “Qëndrimi i vjetër
ndaj çështjeve është i pamundur. Ose një qëndrim i ri ose asgjësim.” Duke u
shprehur që “çështjet polemizuese nuk duhet të diskutohen me udhëheqësit
shpirtërorë të krishterë,” ai hapte dialogun me anëtarët e feve të tjera.
Si Mevlana Xhelaledin Rumi i cili pati thënë: “Një nga këmbët e mia është
në qendër dhe tjetra është në shtatëdhjetë e dy botët (popujt e të gjithë
kombeve), si një kompas, ai bënte një rreth të gjerë që përfshinte të
gjithë monoteistët. Duke lënë të kuptohet se ditët e terrorit janë përtej,
Bediuzzamani thoshte: “Fitorja ndaj njerëzve të qytetëruar është përmes
bindjes” dhe në këtë mënyrë vinte në dukje që dialogu, bindja dhe diskutimi
bazuar në prova janë thelbësore për ata që kërkojnë t’i shërbejnë fesë.
Duke deklaruar që, “Në të ardhmen, njerëzimi do t’i kthehet dijes dhe
shkencës dhe do të qeverisin arsyeja dhe fjalët”, ai inkurajonte njohuritë
dhe dialogun. Përfundimisht, duke lënë mënjanë politikën dhe angazhimin e
drejtpërdrejtë në politikë, ai piketoi linjat bazë për besimin e vërtetë
dhe shërbimin kombëtar në këtë kohë dhe në të ardhmen.

Nën dritën e parimeve të tilla, unë i kam inkurajuar njerëzit që përmes
arsimimit t’i shërbejnë vendit në veçanti dhe njerëzimit në përgjithësi.
Unë u kam bërë thirrje atyre ta ndihmojnë popullin për t’u arsimuar dhe
zhvilluar duke hapur shkolla të reja. Padituria mund të jetë mposhtur
përmes arsimimit, varfëria përmes punës dhe kapitalit dhe përçarja e
brendshme, përmes bashkimit, dialogut dhe tolerancës. Ashtu si zgjidhja e
çdo problemi në këtë jetë varet plotësisht nga vetë krijesa njerëzore,
edukimi është mjeti më efektiv për këtë, pa i kushtuar vëmendje nëse ne
kemi një sistem politik dhe shoqëror të paralizuar apo që funksionon si
zembereku i orës.

Shkollat

Pasi qeveria dha leje për hapjen e shkollave private, shumë njerëz zgjodhën
vullnetarisht të kontribuonin me kursimet e tyre në shërbim të vendit, në
vend që të kalonin në botën tjetër pas një ekzistence të zbrazët. Në fakt,
njerëzit e kanë realizuar këtë me entuziazmin e adhurimit. Është e pamundur
për mua t’i njoh të gjitha shkollat që janë hapur këtu dhe jashtë vendit.
Meqenëse unë vetëm kam propozuar dhe nxitur aksione të tilla, nuk mund të
di madje dhe emrat e shoqërive që hapën shkolla ose vendet ku janë hapur
shkollat.

Megjithatë, unë e kam ndjekur këtë çështje me një shtrirje të qartë në
shtyp dhe në serinë e shkrimeve të shkruara nga gazetarë të shquar, si Ali
Bajramogllu, Shahin Allpaj dhe Atëllgan Bajar. Shkollat janë hapur me radhë
nga Azerbajxhani në Filipine, nga Petërburgu (kryeqyteti i Rusisë cariste)
në Moskë (kryeqyteti i Rusisë komuniste) dhe, me ndihmën dhe kompetencën e
bashkëqytetarit dhe biznesmenit të suksesshëm hebre Yzeir Garih, në
Jakutsk. Këto shkolla janë hapur pothuajse në të gjitha vendet, përjashtuar
vendet si Irani, ku nuk është dhënë leje.

Shkrimtarët dhe dijetarët që kanë vizituar shkollat, konfirmojnë që ato
janë financuar nga organizata vullnetare në Turqi. Në shumë ose në të
gjitha ato, bursat e studentëve janë një pjesë e rëndësishme e këtij
financimi. Administratorët lokalë japin një kontribut të rëndësishëm duke
siguruar ndërtesat, drejtuesit dhe mësuesit kur është e nevojshme.
Mësuesit, të cilët i janë përkushtuar shërbimit për vendin, kombin e tyre
dhe njerëzimin, duke gjetur kuptimin e jetës në shërbim të të tjerëve,
punojnë me entuziazëm me një rrogë të vogël.

Në fillim, disa nga funksionarët tanë të marrëdhënieve me jashtë hezitonin
për të dhënë mbështetjen e tyre, por ata nuk e kuptonin se çfarë ishin duke
bërë. Megjithatë, sot, shumë prej tyre u japin mbështetje shkollave. Përveç
kësaj, dy presidentët e fundit turq, të nderuarit Turgut Ozal dhe Sulejman
Demirel, si edhe ish-kryetari i parlamentit, Mustafa Kalemli dhe
ish-ministri i jashtëm, Hikmet Çetin, kanë dhënë mbështetjen e tyre për
këto përpjekje duke vizituar posaçërisht shkollat.

Këtu ka vend për të treguar vëzhgimet e Ali Bajramogllu, që është një
gazetar i cili ka vizituar shumë nga këto shkolla. Ai është shprehur:


Këto shkolla nuk japin ashtu siç mendohet edukim fetar ose të
përfshijnë aktivitete edukative në një mjedis fetar. Ato janë krijuar
në bazë të modelit të shkollave të larta të Anadollit, me pajisje
teknike dhe laboratorë të një cilësie të lartë. Mësimet jepen brenda
programit mësimor të përgatitur nga Ministria e Arsimit. Subjektet
fetare madje nuk janë mësuar. Në fakt, gazetari Ali Bulaç që i ka
vizituar këto shkolla, i referohet përshtypjeve të tij që tualetet me
qëllim nuk mbaheshin shumë të pastra për të shmangur idenë që lutjet
mund të ndjekin pastërtinë. Aktivitetet zhvilloheshin brenda strukturës
së ligjeve aktuale të çdo vendi dhe filozofisë edukative. Për shembull,
në Uzbekistan, pasi studentët mësonin turqisht dhe anglisht në klasat
përgatitore, studionin shkencë në anglisht nga mësues turq dhe lëndët
sociale në gjuhën uzbeke nga mësues uzbekë. Nuk është një qëllim në
vetvete dhënia e njohurive fetare ose edukimi fetar.

Administratorët lokalë janë të vetëdijshëm për laicizmin aq sa edhe qeveria
turke, ose madje edhe më shumë. Kjo shpjegohet nga gazetarët si Shahin
Allpaj, Atëllgan Bajar dhe shumë të tjerë, në një mënyrë të përafërt me
vëzhgimin e Ali Bajramogllu, që këto vende, nuk kanë një interes të
papërfillshëm në lidhje me këto shkolla për të ardhmen. Në fakt, duke folur
në ceremoninë e hapjes së shkollës në Moskë, kryetari i zyrës për edukimin
kombëtar tha: “Dy janë ngjarjet më të rëndësishme në historinë aktuale të
Rusisë. Njëra, udhëtimi i Gagarinit në hënë dhe tjetra, hapja e shkollës
turke këtu!” Ai e përshkroi këtë si një ngjarje historike.

Për disa, kjo jetë konsiston në pak ditë të kaluara në këtë bujtinë
tokësore në kërkim të përmbushjes së dëshirave të egos. Njerëzit e tjerë
kanë një pikëpamje të ndryshme dhe kështu i japin jetës një kuptim të
ndryshëm. Për mua, kjo jetë përbëhet nga disa frymëmarrje në udhëtimin që
fillon në botën e shpirtrave dhe vazhdon përjetësisht ose në parajsë, ose
mos e dhëntë Zoti, në ferr.

Kjo jetë është shumë e rëndësishme, sipas saj përcaktohet jeta jonë e
përtejme. Prandaj, ne duhet ta përshkojmë atë në rrugët e përcaktuara për
të fituar jetën e amshuar në parajsë dhe për të arritur pëlqimin e
Dhuruesit të Jetës. Kjo udhë kalon përmes dimensionit të pashmangshëm të
shërbëtorit të Zotit, me anë të shërbimit, para së gjithash, për familjet
tona, të afërmit dhe fqinjët dhe më pastaj për vendin dhe kombin tonë dhe,
në fund, për njerëzimin dhe krijesat që janë objekt i përpjekjeve tona. Ky
shërbim është e drejta jonë, përçimi tek të tjerët është përgjegjësia jonë.



[34]

Ky artikull është nxjerrë nga shkrimet e Gylenit të publikuara në
revistën Sizinti, mars 1981-qershor 1982, nr. 26-41.


[35]

Ibn Miskavajh (930-1030), moralist, filozof dhe historian mysliman.
Vepra e tij moraliste, Tahdhib el-Ahlak, ka qenë e ndikuar
nga Aristoteli.


[36]

Kjo kundërvënie dhe ky konflikt u nxitën kryesisht nga dy faktorë:
nga refuzimi i kishës katolike ndaj zhvillimeve shkencore,
konceptualizmit dhe terminologjisë së tyre, dhe nga kërkesa e
shtresës së mesme për t’u çliruar nga rregullat dhe disiplina e
fesë.

Share:

More Posts

DIALOGU DHE SAKRIFICA

Pyetje: Transmetohet se imam Sharani i nderuar ka thënë: “Nëse qëndroj për një kohë të shkurtër pranë një njeriu që nuk fal namaz, nuk e ndiej namazin tim për dyzet ditë.” Mirëpo, për shkak të përgjegjësive tona shoqërore, ndodh shpesh që ne të jemi bashkë me njerëz nga më të ndryshmit. A ka ndikime negative…

Përmendja e Allahut dhe lutja

Miqtë e Zotit i kushtojnë shumë rëndësi përmendjes me uirde e dhikre të Allahut. (Lexojnë Kuran dhe lutje, përmendin Allahun) Ata thonë se leximi çdo ditë i një mase Kuran dhe përgjërimi Allahut me lutje janë tejet të rëndësishme për sa i përket lidhjes e marrëdhënies sonë me Allahun. “Çdo individ duhet të përcaktojë diçka…

Lutja

Të besosh te lutja
 
Te lutja thelbësore është të besosh te pranimi i saj dhe të kesh besim. Njeriu nuk duhet thjesht të hapë vetëm duart, por ai duhet të hapë edhe zemrën. Fjalitë që thuhen në lutjet që bëhen pas namazit të sabahut dhe atij të ikindisë janë të pranishme në Mexhmuatu’l-Ahdhab;[1] vetëm se janë…

Shpirti i vetëdedikimit

Sinqeriteti dhe vetëdedikimi
 
Ndryshe është mirësia e Allahut ndaj sinqeritetit. Njeriu duhet ta kalojë zemrën e tij në thjerrë çdo ditë, mandej t’u vihet punëve që ka për të bërë. Nuk duhet të përfshijë në punët e bëra për hir të kënaqësisë së Allahut asnjë punë tjetër, edhe në qoftë se ajo është e lejuar.
As të…

Brezi i Kuranit

Pyetje: Për kë është fjala, kur qëndrohet te ‘brezi i Kuranit’, që ndalemi herë-herë gjatë bisedave? Cilat janë detyrat e këtij brezi?
Brezi i Kuranit
Përgjigje: Brez të Kuranit quajmë atë brez që e ka kthyer dëshirën hyjnore mbi rruzullin tokësor në qëllim të vetëm, përfaqëson ashtu siç duhet çdo të vërtetë të Kuranit, i Cili do…

Detyra e arkitektëve të rizgjimit

Pas shumë prej problemeve të Islamit në ditët e sotme qëndrojnë myslimanët e formës, të cilët nuk e kanë fituar dot brenda vetes Islamin e vërtetë dhe nuk janë shkrirë dot me vetëdijen e sinqeritetit dhe mirësisë (ihsan[1]). Sjelljet e tyre, që bien ndesh me kriteret e vëna në pah nga Islami, mosnjohja e kufijve…

Ajo çfarë do Zoti është themelore

Njeriu që ka besim tek Allahu, përqafon fort vullnetin dhe bëhet njësh me urtësinë, nuk ka dyshim që në fund do të dalë medoemos fitimtar. Nëmos sot, nesër, nëse jo këtu, do të dalë fitimtar matanë. Mirëpo, ja që njeriu ka një natyrë të prirur nga ngutja dhe do që të gjitha gjërat e bukura…

Rruga e dobësisë dhe varfërisë

Si njerëz ne kemi punë dhe ngarkesa nga më të ndryshmet në përditshmërinë e jetës së tyre, bëjmë zgjedhje nga më të ndryshmet dhe nuk mund ta dimë nëse e kemi apo jo pëlqimin e Allahut të Madhërishëm në ato zgjedhje që bëjmë. Ndoshta, pa vetëdije ne mund të përfshijmë edhe egoizëm në mesin e…

Mesazhi i Fethullah Gylenit për fatkeqësinë e tërmetit në Turqi

Me shumë dhimbje mësova se shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë gjenden nën rrënoja, në pritje të shpëtimit, si pasojë e tërmetit me epiqendër në Kahramanmarash i shkallës 7.7 që ka prekur edhe qytetet tona të Hatajit, Adanasë, Gaziantepit, Mallatias, Kilisit, Adijamanit, Dijarbakërit, Shanllëurfas dhe Osmanijes, si dhe disa zona të Sirisë.  
 
U…

Llogaridhënia dhe kërkimi i faljes

Krenaria e Njerëzimit (s.a.s) thotë në një hadith të Tij: “Çdo njëri prej jush është bari dhe përgjegjës për të gjithë ata që ka nën kujdesin e tij.”[1] Sipas fjalëve të këtij hadithi, çdokush ka një hapësirë në të cilën është përgjegjës dhe do të japë llogari për përgjegjësitë e tij. Për shembull, ai që…

Send Us A Message