Profeti i Derguar si Meshire per Botet Agimi i Pritur

Home » Albanian (Shqip) » Veprat » Dritë e Pashuar » Dritë e Pashuar-1 » Profeti i Derguar si Meshire per Botet Agimi i Pritur

Një botë sterrë e zezë e mbarsur me dritë… Në horizont, jehona mbushur plot sihariqe për kohën e shkurtër të mbetur gjer në shfaqjen e Profetit… Aq i madh është ndikimi i tij nëpër ndërgjegje, sa shumë mekas tregojnë vazhdimisht për Profetin e Fundit që do të vijë. Dhe porosi: “Sapo të shfaqet, vraponi për tek ai dhe bëhuni një me shpirtin e tij!”(10)

Një popull i tërë me shpirtin në të dalë dhe shpresa e çdokujt te shpëtimtari që do të vijë. Nënat dhe baballarët duan që ky shpëtimtar të jetë nga brezi i tyre dhe disa ua vënë emrin Muhammed fëmijëve të porsalindur…(11)

Por ai e kishte të përcaktuar rrugën e tij: do të kalonte nëpër brezin e artë që përçohej nga Hz. Ibrahimi te Ismaili dhe, pastaj, nga Abdylmuttalibi te Abdullahu dhe zemrat prisnin dritën që do të vinte përmes këtij drejtimi.

Ngjarjet që kishin ndodhur e ndodhnin, për ardhjen e tij lajmëronin, kurse dendësimi i errësirës fliste për afrimin e agimit që do ta griste errësirën.

Njerëzimi i asaj dite ishte i privuar nga ideali dhe qëllimi që i japin kuptim jetës. E gjithë vepra njerëzore ishte “si ndjekja e një iluzioni optik në shkretëtirë. I eturi e pandeh për ujë atë, por, kur arrin në vend, nuk gjen gjë…” (Kur’ani, Nur: 39)

Edhe ndjenjat, mendimet dhe sjelljet e njerëzve nuk ndryshonin shumë nga kjo. Ato ishin “si errësira e dendur në një det të gjerë ku njerëzimin e kishin mbuluar dallgë mbi dallgë e sipër tyre re aq sa, po të nxirrte dorën jashtë, edhe atë nuk do ta shihte dot!” (Kur’ani, Nur: 40)

Emri i asaj periudhe është Injorancë. Por jo një injorancë si antonim i dijes; ajo ishte një injorancë – sinonim i mohimit, herezisë dhe blasfemisë që janë antonime dhe antagonistë të besimit.

Nuk dua që, duke ju ofruar shëmtitë e asaj periudhe në formën e një tabloje sterrë të zezë, të lëshoj, qoftë edhe përkohësisht, një perde të zezë mbi shpirtin tuaj!

Përshkrimet ekuivoke e të pasakta i çorientojnë mendjet dhe, sipas meje, preteksti për këtë është një mëkat. Por e shoh të dobishme që, për të mundur ta përshkruajmë atë periudhë, duhen prekur, qoftë edhe pak, disa prej zakoneve dhe traditave të atyre ditëve dhe vetëm duke bërë shenjë për to gjersa të kuptohet më mirë se Profeti u dërgua si mëshirë për të gjithë botën dhe se ç’favor hyjnor qe dërgimi i kësaj mëshire!

Ardhja e tij është për çdo njeri favori më i madh dhe mirësia më e gjerë e Zotit. Që kjo është kështu, na e thotë vetë Zoti ynë: “Allahu u ka bërë një favor të madh besimtarëve duke u dërguar nga mesi i tyre një pejgamber që t’u lexojë argumentet e Tij, t’i pastrojë (nga të këqijat, nga mëkatet) dhe t’ua mësojë Librin dhe urtësitë” (Kur’ani, Al-i Imran: 164).

Vini re bujarinë, ndihmën dhe favorin e Allahut që u dërgon njerëzve për profet njërin nga mesi i tyre, nga origjina e tyre, i cili ndan me ta të njëjtat ndjenja e mendime, i cili është udhëzues e prijës i tyre në rrugën që shkon te e Vërteta, i cili mund të dalë në krye të tyre nëse është nevoja për imam, i cili mund të hipë në minber nëse është nevoja për hatib, i cili mund të vejë vulën e të presë monedha nëse është nevoja për një drejtues shteti, i cili mund t’i komandojë ata në mënyrën më të përkryer sesa komandantët ushtarakë më të shkëlqyer nëse është nevoja për t’i komanduar.

Në kristianizëm ka një besim të gabuar. Kristianët bartin një besim të gabuar, sipas të cilit Zoti e sakrifikoi Hz.Isanë, birin e Vet (mos qoftë e thënë!), për të falur mëkatin e parë të njerëzimit. Hz. Isai u gozhdua në kryq dhe kështu u fal mëkati i parë i trashëguar nga njeriu i parë, Ademi, tek secili njeri tjetër që e ka sjellë me vete në mënyrë të bashkëlindur. Ky është i gabuar si besim dhe, sipas disa interpretimeve, në aspektet e dukshme të tij është një deviacion. Megjithatë, ekziston një nënkuptim i drejtë në këtë konsideratë që është dëshira e Zotit për t’ua falur mëkatet njerëzve e për t’i futur në rrugë të drejtë. Dhe ja, për këtë, Zoti e ka dërguar robin e Tij më të dashur, Hz. Muhammedin (s.a.v.), si profet për t’ua falur mëkatet njerëzve, për të mos i lënë ata të vetëm e pa mbështetje që të hutohen e të humbasin, por që të ngjiten në nivelin e njeriut të vërtetë e të bëhen të përsosur, që ta thellojnë në shpirtra besimin te Allahu e ta ndjejnë për çdo çast Atë dhe, siç thotë Ibrahim Hakiu, ta njohin Zotin e tyre duke e zbuluar në ndjesitë e tyre:

“Nuk më nxënë – tha Zoti – tokë e qiej”;
Në minierën e ndjesive i fshehur u zbulua…

Ndjesitë janë një burim i tillë thesaresh ku Zoti, të cilin nuk e nxënë botët, në çdo çast bën të ndihet prania e Tij si margaritari më i vyer.

Librat, mendjet, mendimet, filozofitë, shprehjet, qielli, toka dhe tërë qenia nuk mund ta përfshijnë Allahun brenda kufijve të tyre dhe asnjërës prej këtyre nuk i mjafton fuqia për ta shprehur Atë. Janë vetëm ndjesitë, është vetëm zemra ajo që, qoftë edhe pjesërisht, mund të bëhet interpretues i Tij. Po, zemra është një gjuhë e tillë që veshët nuk kanë dëgjuar gjer më sot një shprehje aq të shkëlqyer e të qartë sa shprehja e saj!

E nëse është kështu, njeriu duhet të përpiqet për të marrë udhë në zemrën e vet, për ta kërkuar pikërisht te ajo atë që kërkon dhe, duke arritur te Zoti, për të përfunduar tek Ai! Prandaj edhe e dërgoi Zoti mes nesh Hz. Muhammedin (s.a.v.)!

Po, pati ardhur ai mes njerëzve për t’u lexuar atyre ajetet e Allahut, për t’u shpalosur atyre pjesë-pjesë mrekullitë e Tij dhe për t’i mësuar njeriut vlerën e vet. Sigurisht, në sajë të tij njerëzimi, duke u pastruar nga fëlliqësitë e natyrës, do të purifikohej, duke shpëtuar nga vulgaritetet trupore, do të lartësohej në nivelin e formës së jetës së zemrës e të shpirtit dhe u lartësua… Sigurisht, ai do t’u mësonte dhe praktikonte njerëzve Librin dhe urtësitë, kurse njerëzit, duke gjetur veten në botën dritësore të Librit dhe urtësive, do të zgjoheshin në përjetësi dhe do të hynin në rrugën e përjetësimit, gjë që, në përfundim, ashtu ngjau…

Për ne ka ditë shumë të rëndësishme, prodhimtare e të mbushura plot begati. Disa nga këto konsiderohen edhe festa të besimtarëve. Këtë gëzim feste të përjetuar çdo javë ditën e xhuma (të premte), e përjetojmë në një dimension më të madh në festat e bajrameve të Ramazanit e të Kurbanit. Bajrami i Kurbanit është dita kur Hz. Ibrahimi bëri një sakrificë konkrete, ndërsa për muslimanët, dita kur, me plot sinqeritet, kërkojnë rrugë për faljen e mëkateve të tyre dhe, kushtuar këtij qëllimi, një pjesë shkojnë e vizitojnë Shtëpinë e Allahut, qëndrojnë në Arafat dhe luten e përgjërohen me shpirt Muhammedian. Kurse Ramazani është një festë e pasur, e gjatë dhe e begatshme, shprehje e afrimit te Zoti me anë të një muaji agjërimi, shprehje e ndarjes me të tjerët të gëzimit të jetës. Por është edhe një festë tjetër që konsiderohet festa e të gjithë njerëzimit, madje e të gjithë qenies, dita kur i Dërguari i Allahut na nderoi duke denjuar të vijë mes tonë, është Ditëlindja Muhammediane. Me fjalë të tjera, është dita kur Zoti, Dritën që e krijoi në cilësinë e një dielli, e zbriti si një kandil në qiellin e njerëzimit. Po, në saje të asaj Drite, të gjitha errësirat e injorancës u grisën dhe gjithësia u përfshi nga ndriçimi. Dhe kjo është ndihma më e madhe dhe favori më i madh i Zotit për xhindët e për njerëzit!


(10) Ibni Hisham, es-Siratu’n-Nebevijje 1/204.
(11) Muhammed b. Sa’d, et-Tabakatu’l-Kubra 1/169.

Share:

More Posts

DIALOGU DHE SAKRIFICA

Pyetje: Transmetohet se imam Sharani i nderuar ka thënë: “Nëse qëndroj për një kohë të shkurtër pranë një njeriu që nuk fal namaz, nuk e ndiej namazin tim për dyzet ditë.” Mirëpo, për shkak të përgjegjësive tona shoqërore, ndodh shpesh që ne të jemi bashkë me njerëz nga më të ndryshmit. A ka ndikime negative…

Përmendja e Allahut dhe lutja

Miqtë e Zotit i kushtojnë shumë rëndësi përmendjes me uirde e dhikre të Allahut. (Lexojnë Kuran dhe lutje, përmendin Allahun) Ata thonë se leximi çdo ditë i një mase Kuran dhe përgjërimi Allahut me lutje janë tejet të rëndësishme për sa i përket lidhjes e marrëdhënies sonë me Allahun. “Çdo individ duhet të përcaktojë diçka…

Lutja

Të besosh te lutja
 
Te lutja thelbësore është të besosh te pranimi i saj dhe të kesh besim. Njeriu nuk duhet thjesht të hapë vetëm duart, por ai duhet të hapë edhe zemrën. Fjalitë që thuhen në lutjet që bëhen pas namazit të sabahut dhe atij të ikindisë janë të pranishme në Mexhmuatu’l-Ahdhab;[1] vetëm se janë…

Shpirti i vetëdedikimit

Sinqeriteti dhe vetëdedikimi
 
Ndryshe është mirësia e Allahut ndaj sinqeritetit. Njeriu duhet ta kalojë zemrën e tij në thjerrë çdo ditë, mandej t’u vihet punëve që ka për të bërë. Nuk duhet të përfshijë në punët e bëra për hir të kënaqësisë së Allahut asnjë punë tjetër, edhe në qoftë se ajo është e lejuar.
As të…

Brezi i Kuranit

Pyetje: Për kë është fjala, kur qëndrohet te ‘brezi i Kuranit’, që ndalemi herë-herë gjatë bisedave? Cilat janë detyrat e këtij brezi?
Brezi i Kuranit
Përgjigje: Brez të Kuranit quajmë atë brez që e ka kthyer dëshirën hyjnore mbi rruzullin tokësor në qëllim të vetëm, përfaqëson ashtu siç duhet çdo të vërtetë të Kuranit, i Cili do…

Detyra e arkitektëve të rizgjimit

Pas shumë prej problemeve të Islamit në ditët e sotme qëndrojnë myslimanët e formës, të cilët nuk e kanë fituar dot brenda vetes Islamin e vërtetë dhe nuk janë shkrirë dot me vetëdijen e sinqeritetit dhe mirësisë (ihsan[1]). Sjelljet e tyre, që bien ndesh me kriteret e vëna në pah nga Islami, mosnjohja e kufijve…

Ajo çfarë do Zoti është themelore

Njeriu që ka besim tek Allahu, përqafon fort vullnetin dhe bëhet njësh me urtësinë, nuk ka dyshim që në fund do të dalë medoemos fitimtar. Nëmos sot, nesër, nëse jo këtu, do të dalë fitimtar matanë. Mirëpo, ja që njeriu ka një natyrë të prirur nga ngutja dhe do që të gjitha gjërat e bukura…

Rruga e dobësisë dhe varfërisë

Si njerëz ne kemi punë dhe ngarkesa nga më të ndryshmet në përditshmërinë e jetës së tyre, bëjmë zgjedhje nga më të ndryshmet dhe nuk mund ta dimë nëse e kemi apo jo pëlqimin e Allahut të Madhërishëm në ato zgjedhje që bëjmë. Ndoshta, pa vetëdije ne mund të përfshijmë edhe egoizëm në mesin e…

Mesazhi i Fethullah Gylenit për fatkeqësinë e tërmetit në Turqi

Me shumë dhimbje mësova se shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë gjenden nën rrënoja, në pritje të shpëtimit, si pasojë e tërmetit me epiqendër në Kahramanmarash i shkallës 7.7 që ka prekur edhe qytetet tona të Hatajit, Adanasë, Gaziantepit, Mallatias, Kilisit, Adijamanit, Dijarbakërit, Shanllëurfas dhe Osmanijes, si dhe disa zona të Sirisë.  
 
U…

Llogaridhënia dhe kërkimi i faljes

Krenaria e Njerëzimit (s.a.s) thotë në një hadith të Tij: “Çdo njëri prej jush është bari dhe përgjegjës për të gjithë ata që ka nën kujdesin e tij.”[1] Sipas fjalëve të këtij hadithi, çdokush ka një hapësirë në të cilën është përgjegjës dhe do të japë llogari për përgjegjësitë e tij. Për shembull, ai që…

Send Us A Message