
Pyetje: Në një ajet fisnik thuhet:
“O ju profetë! Hani dhe pini prej gjërave të lejuara dhe të pastra,
dhe kryeni vepra të mira! Sepse Unë di gjithçka që bëni ju.”
[207]
A mund të na i shpjegoni se çfarë lidhjeje ekziston mes mirëqenies së
lejuar dhe veprimit të pastër?
Përgjigje:
Kurani Fisnik dhe Suneti Profetik ka qëndruar mjaft imtësisht mbi çështjen
e të lejuarës dhe të ndaluarës; dijetarët islamë, që e njohin mirë Kuranin
dhe Sunetin e Profetit tonë të dashur (s.a.s.), ndërsa e kanë shprehur
rëndësinë e qenësishme të kësaj çështjeje, kanë thënë se të qenit mysliman
do të thotë të jetosh duke njohur mirë kufirin mes të lejuarës dhe të
ndaluarës. Më thuktazi, “Feja përbëhet prej veprimeve.” Omeri i nderuar
(r.a.) e ka shprehur rëndësinë e kësaj çështjeje me këto fjalë: “Mos shihni
vetëm nëse dikush fal namazin, ose agjëron; shihni nëse thotë të vërtetën
ndërsa flet, a e mban fjalën kur premton diçka, dhe a bën ndarje mes të
lejuarës dhe të ndaluarës në jetën e tij të përditshme.” (Bejhaki, Sunenu’l
Kubra, 288; Shuab, IV, 230,326). Medoemos që namazi, agjërimi, zekati dhe
haxhi janë adhurime me vlerë mjaft të madhe dhe të virtytshme për Allahun
(xh.xh.). E askush nuk mund t’i nënvlerësojë. Mirëpo, kujdesi i çdokujt për
çfarë ha e çfarë pi, poashtu për veshjen; ruajtja prej dëmsjelljes ndaj të
drejtës së të tjerëve, qoftë individualisht qoftë në rrafsh kolektiv; me
një fjalë duke jetuar veç brenda një udhe të së drejtës, është një prej
çështjeve më të qenësishme dhe të patjetërsueshme për një mysliman, dhe
mund të thuhet se realizimi i tyre është më i vështirë se çdo lloj adhurimi
individual. Kësisoj, për ta jetuar Islamin ashtu siç duhet, gjithsecili
duhet të ndjekë veç të lejuarën, duhet të dijë si të qëndrojë i patundur
përballë të ndaluarës, duke mos u lëkundur, dhe ciladoqoftë sakrifica, nuk
duhet të lejojë që prej gojës së tij të hyjë qoftë edhe një llokmë e vetme
ushqimi të ndaluar.
Nëse do të hedhim një sy në jetesën e njerëzve të mëdhenj, mund të shihet
se si ata kanë qenë udhërrëfyes për të tjerët në këtë lëmë. Ata kanë
vepruar me aq delikatesë, duke e përdorur vullnetin e tyre asisoj, që edhe
kur nuk kanë qenë në dijeni, janë mbrojtur prej Allahut (xh.sh.), në mënyrë
që të mos preken prej së ndaluarës. Po, në mesin e tyre ka pasur njerëz të
atillë, që me t’u afruar sadopak pa dijeni kah e ndaluara, e kanë kuptuar
se po i afrohen së ndaluarës vetëm nëpërmjet një dridhjeje të dorës, apo
shpeshtimit të rrahjeve të pulsit, duke e tërhequr dorën menjëherë pas. Po
njëlloj, disa të tjerë kur e kanë kuptuar se kanë futur në gojë një ushqim
të ndaluar, megjithëse kanë qenë duke e përtypur, nuk kanë mundur që ta
kalonin poshtë. Ndërsa disa të tjerë që e kanë kuptuar se kanë ngrënë apo
pirë diçka të ndaluar, janë përpjekur që ta vjellin, në mënyrë që të mos
ngelet asgjë sosh në trupin e tyre.
Si një shembull për rastin e fundit, mund të rikujtoni historitë e Ebu
Bekrit (r.a.)
[208]
që pati ngrënë diçka të prurë prej një gruaje, e cila e kishte siguruar
nëpërmjet parave që kishte fituar duke parashikuar me anë të fallit, apo të
Omerit (r.a.)
[209]
, i cili pati pirë njëherë prej qumështit të deveve të zekatit. Të dy, një
ta mësuar diçka të këtillë, i patën futur gishtat në grykë, në mënyrë që të
nxirrnin çdo gjë që kishin futur në gojë kësimënyre. Me sa duket, një
kujdes kaq i veçantë dhe qëndrim i patundur për të mos lejuar asnjë llokmë
ushqimi të ndaluar janë jashtë mase të rëndësishme për të qenë mysliman.
Shkas për më të madhin përparim shpirtëror
Nga ana tjetër, ruajtja me kujdes e kufirit mes të lejuarës dhe të
ndaluarës, është një prej mënyrave më të rëndësishme të shprehjes së
bindjes ndaj urdhrave të Allahut (xh.xh.), por edhe e respektit karshi Tij
njëherazi. Sidomos, që çdo përpjekje dhe mund i derdhur për të arritur të
lejuarën, apo për t’u larguar prej të ndaluarës, është njëfarë adhurimi për
çdo besimtar. Kundërvënia ndaj çdo gjëje të ndaluar prej besimtarit,
përballimi i turlifarë fatkeqësive me durim, ashtu siç quhet adhurim
nëpërmjet të kundërtës, edhe përpjekja e tij për të fituar një mirëqenie të
ngritur mbi të lejuarën ka për t’u quajtur adhurim i mirëfilltë. Këtë është
e mundur që ta lidhim gjithashtu me fjalën e shenjtë
“Fjala më e pastër dhe më e bukur shkon deri tek Ai. Dhe atë (fjalën) e
lartëson vepra e mirë.”
[210]
Këtu thuhet se fjalët e bekuara, si përlavdërimi, lartësimi, përmendja,
tekbiri dhe salavatet mund të ngjiten deri tek Allahu (xh.xh.), vetëm kur
bashkëshoqërohen edhe me veprime të mira. Me një fjalë, ashtu si namazi,
agjërimi apo zekati, që i përkasin anës pozitive, ashtu edhe përpjekjet
serioze për t’i bërë ballë gjërave të ndaluara, që i përkasin anës
negative, kryejnë funksionin e krahëve për fjalët e mira, në mënyrë që ato
të shkojnë pranë Allahut (xh.xh.). Kështu që, kjo çështje nuk duhet
anashkaluar kaq lehtësisht, përkundrazi, në çështjen e të lejuarës dhe të
ndaluarës duhet treguar një kujdes i veçantë.
Po, ndarja e të pastrës prej të ndoturës përsa i përket ushqimeve,
mospërzierja e ndonjë gjëje të pistë mes të pastrave, dhe mbi të gjitha
tregimi i kujdesit të vazhdueshëm, ka për t’i përftuar njeriut shpërblime
njësoj sikur të ishte duke kryer adhurime. Për shembull, shikimi i ilaçeve
me kujdes, se çfarë përmbajnë a nuk përmbajnë brenda tyre, apo nëse ka apo
jo ndonjë lëndë të palejuar nga feja brenda ushqimit që ble prej marketit,
apo nëse mishi i blerë prej mishtores është i prerë sipas metodave islame
apo jo, ashtu siç mund të jenë shkas që njeriu të provojë një përparim të
ndjeshëm shpirtëror, afërmendsh, nëse nuk e përdor vullnetin e tij, duke u
sjellë krejt shpërfillshëm e pa asfarë kujdesi, atëherë do ta rrënojë jetën
e tij shpirtërore, do t’i vrasë ndjenjat e tij më të holla, derisa të
përfundojë në një perëndim të plotë të botës së tij shpirtërore.
Në fjalën e bekuar, nëpërmjet fjalës
“(Ata), veç e shtojnë më tepër gënjeshtrën, dhe njëkohësisht veç hanë
prej gjërave të ndaluara.”
[211]
,
ngrënia e gjërave të ndaluara paraqitet si një prej gjendjeve më të pista
që mund të kaplojë një shoqëri. Ajo që në ajet shprehet me fjalën “suht” [1], alias ushqimi i ndaluar, për aq kohë sa qarkullon në
damarët e atij që e ka konsumuar, ka disa hadithe, të cilat mbartin
kuptimin se këtyre njerëzve nuk u pranohet as falja e as lutja. Për
shembull, në një hadith të transmetuar nga Profeti Muhamed (s.a.s.)
tërhiqet vëmendja kësodore:
“Kush ha një llokmë të vetme prej të ndaluarës, atij nuk i pranohen
dyzet namaze të natës dhe dyzet lutje të mëngjesit. Vendi më i
volitshëm për çdo trup të ushqyer e zhvilluar prej të ndaluarës është
veçse Xhehenemi. Do pasur mirë parasysh, se mishin e rrit dhe e
zhvillon edhe ai ushqim i ndaluar.”
[212]
Fundi i hidhur i atij që jeton mes së ndaluarës
Ndërsa në një hadith tjetër, të cilin Tirmidhiu na e transmeton prej Ebu
Hurejres, ndikimi negativ që mbart e ndaluara shpjegohet me këto fjalë: I
Dërguari i Allahut (s.a.s.) na e shpërfaq me këto fjalë gjendjen e një
njeriu që i ka zgjatur shumë udhëtimi, pluhurosur ngado, flokët shprishur,
që ngre duart dhe i drejtohet Zotit të tij, “O Zot! O Zot!”: “
Ajo që ha ky njeri është e ndaluar, e poashtu ajo që pi, e poashtu edhe
ajo që vesh. E si mund të pranohet lutja e këtij njeriu!
”
[213]
Në një tjetër hadith tregohet se si zërit të një haxhiu që niset për në
haxh me të ardhurat e tij të pastra, “Urdhëromë o Zot! Ja erdha… Ti na
thirre, e ja tek erdhëm, o Zot!..”, edhe një zëdhënës prej qiellit i
përgjigjet atij: “Mirëseerdhe o fatlum! Haxhi yt është i pranuar pa asnjë
lloj të mete, se ti do të ushqehesh me gjëra të lejuara, do të udhëtosh me
mjete të siguruara me rrugë të lejuara.”; ndërsa dikujt që niset për në
haxh me të ardhura të pista, të siguruara nëpërmjet rrugësh të ndaluara, që
gjithsesi thërret “Lebbejk”, nga qielli i vjen një tjetër përgjigje:
“Qofshin të tuat ato thirrje; ti nuk erdhe siç duhej, e as nuk prure
gëzim! Ajo që do të hash e do të pish ti, dhe haxhi yt gjithashtu nuk
janë të pranuara.”
[214]
Po, si mund t’i pranohet haxhi atij që ushqehet prej të ndaluarës, që është
i mbuluar ngado prej saj, që edhe veshjet e mjetet e transportit i ka të
përftuara prej të palejuarës! Si ka mundësi, që një njeriu të tillë të
mbërthyer kaq shumë prej të ndaluarës, të thotë, o Zot, unë erdha këtu duke
iu bindur urdhrit Tënd. Unë jam rob i urdhërave të Tu. Shpresoj shumë tek
mëshira dhe falja Jote. Veç prej mirësisë dhe bujarisë Sate pres! Edhe
sikur të thotë, a nuk do t’i përplaseshin sysh këto paçavure që do të
artikulonte? Prandaj, është mjaft e domosdoshme dhe e rëndësishme që të
jetohet dhe ushqehet brenda rrethit të së lejuarës, që edhe adhurimet të
mund të lartësohen drejt Allahut (xh.xh.). Kjo jepet qartë edhe në ajetin e
dhënë në pyetje, “O ju profetë! Hani dhe pini prej gjërave të lejuara dhe
të pastra, dhe kryeni vepra të mira! Sepse Unë di gjithçka që bëni ju.”
(Mu’minun, 23/51). Domethënë, ushqyerja e një njeriu me ushqime të lejuara
dhe të fituara me rrugë të lejuara ka një ndikim të madh në adhurimet që ai
kryen karshi Allahut (xh.xh.)
Mendoj se këtu do të ishte me rëndësi edhe prekja e një tjetër çështjeje.
Në shumë ajete të Kuranit Fisnik urdhërohet ushqyerja prej të ardhurash të
pastra dhe të lejuara.
[215]
E kjo, që në krye, është e lidhur drejtpërsëdrejti me vullnetin e tij për
të hulumtuar se cilat ç’është e lejuara. Sepse, ç’është e vërteta, ashtu
siç çdo gjë e ndaluar është thirrje për të tjera gjëra të ndaluara nga pas,
ashtu edhe çdo vepër e mirë është thirrje për shumë vepra të mira më pas.
Sepse çdo gjë thërret pas vetes po gjëra të natyrës së vet, që edhe ato t’i
ngjajnë po asaj, të kenë të njëjtin karakter, që të shkojnë mirë me
njëra-tjetrën. Njësoj si me njerëzit, edhe sjelljet, punët apo veprimet
tona rendin pas gjërave që kanë të njëjtën natyrë me to. Siç shenjohet edhe
në një ajet, njerëzit që janë të pistë për nga karakteri, po pas gjërave të
pista rendin; njerëzit e pastër nga karakteri rendin po pas gjërave të
pastra.
[216]
Por ju mund të thoni edhe kështu: Pastërtia, bukuria dhe mirësia janë
thirrje për të tjera gjëra të bukura; papastërtirë, shëmtia dhe gjërat e
këqija, janë veç ftesa për të tjera gjëra të pista. Kështu, kur njeriu
shkon pas të lejuarës, e për më tepër kur tregon përpjekje të vazhdueshme
në këtë aspekt, me kalimin e kohës rreth tij ndërtohet një rreth mirënor,
derisa edhe ai drejtohet që ta jetojë gjithë pjesën e mbetur të jetës
brenda këtij rrethi. Nga ky këndvështrim, dallimi mes së lejuarës dhe të
ndaluarës do bërë mirë që në fillim.
Përhapja gjerësisht e të ndaluarës nuk përbën justifikim
Fatkeqësisht është një e vërtetë e pandryshueshme, që jetojmë në një kohë
kur kanë humbur kufijtë mes së lejuarës dhe të ndaluarës, e për më tepër
kur kujdesi i njerëzve në këtë aspekt është dobësuar ndjeshëm. Mirëpo
gjithsecili duhet ta dijë mirë, se shpërfillja e askujt nuk mund t’i sjellë
kurrfarë dobie ndonjë tjetri. Siç shprehet edhe Said Nursiu në Fjalën e
Katërmbëdhjetë,
“Nëse të thuash se jemi bashkë me të tjerët në një fatkeqësi, përbën
ndofarë qetësimi, ai nuk përbën kurrfarë rëndësie përsa i përket jetës
së përtejme.”
[217]
Nga ky këndvështrim, megjithëse në këtë jetë mund të duket si qetësuese
nëse e mbështet gabimin tënd në faktin se edhe të tjerët hanë gjëra të
ndaluara, edhe të tjerët shohin gjëra të ndaluara, edhe ata llomotitin lart
e poshtë, në jetën e përtejme nuk do të përbëjnë kurrfarë dobie për të. Nuk
ia lehtëson askujt fatkeqësinë, fakti se gjendet bashkë me të tjerët në
këtë fatkeqësi. Atëherë, detyra që i takon çdo besimtari është ta llogarisë
mirë se nga ka ardhur çdo llokmë që fut në gojë, ku do të shkojë dhe cilat
do të jenë pasojat e saj.
Nuk do harruar, pakujdesia e njeriut në këtë çështje, duke jetuar në
padijeni të plotë, ka për t’i hapur jashtëzakonisht shumë probleme në botën
tjetër. Atje njeriut do t’i pyetet edhe një e shtata e elbit. Me të vërtetë
ne themi një e shtata e elbit, mirëpo Kurani Fisnik duke thënë:
“Kush bën edhe një grimcë të vetme të mirë, do ta gjejë atë, poashtu
kush bën qoftë edhe një grimcë të keqeje, do ta gjejë atë.”
[218]
, e lidh çështjen me peshën e atomit (grimcës). Asgjëmangët, çdokush që do
të bëjë një të mirë sa madhësia e një atomi, ka për ta gjetur atë, e
poashtu edhe ai që do të bëjë një të keqe sa madhësia e atomit, do ta gjejë
atë. Në botën tjetër do të jepet llogaria e çdo fjale të nxjerrë nga goja,
e çdo pijeje a ushqimi që të ka zbritur në stomak, e çdo fjale që të ka
hyrë në vesh e deri te çdo pamje në të cilën të ka ngelur shikimi. Nëse nuk
jetohet me përllogaritjet më të imta gjatë jetës së kësaj bote, atëherë në
Ahiret ato shtjellohen imtësishëm, dhe – Zoti na ruajtë! – e rrënojnë
krejtësisht njeriun. Andaj, ata që e kanë humbur kujdesin ndaj atyre që
hanë dhe pinë, duhet t’i llogarisin edhe njëherë ato që fitojnë dhe
harxhojnë, për t’u përballur edhe njëherë më shumë me vetveten.
Si një çështje të fundit, dua të shtoj se nuk është e domosdoshme që të
kthehet çështja në një tablo pesimiste vetëm duke u bazuar në veprimet
aspak serioze të disa njerëzve të zbërthyer. Veçanërisht, ata që gjenden në
krye kujdesen me merakun më të madh për këtë çështje, dhe nëse e vazhdojnë
jetën vetëm brenda një linje të këtillë, atëherë kjo sjellje e tyre do të
dallgëzojë, derisa me kalimin e kohës kjo do të kthehet në një ndërgjegje
kolektive të mbarë shoqërisë. Mjafton që ne të shpëtojmë prej të qenit
thjesht formalisht myslimanë, dhe krejt sipërfaqësorë, por të mendojmë, të
organizohemi, e duke u zhytur në thellësi, të gjendemi përherë me vullnetin
dhe vendosmërinë e plotë për t’i ndarë të bardhën nga e zeza, të lejuarën
nga e ndaluara dhe të bukurën nga e shëmtuara!
[207]
Mu’minun, 23/51.
[208]
Shih: Buhari, menakibu’l-ensar, 26; El-Bejheki, es-Sunenu’l-Kubra, 6/97.
[209]
Shih: Muuat’ta, zekat, 31; el-Bejheki, es-Sunenu’l-Kubra, 7/14.
[210]
Fatir, 35/10.
[211]
Maide, 5/42.
[212]
Ali el-Mutaki, Kenzu’l-Um’mal, 4/8.
[213]
Muslim, zekat, 65; Tirmidhi, (2) 37.
[214]
Et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-eusat, 5/251.
[215]
Shih: Bakara, 2/57, 60, 168, 172; En’am, 6/118; A’raf, 7/160;
Enfal, 8/69; Nahl, 16/114; Taha, 20/181; Haxh, 22/28, 36; Mu’minun,
23/51.
[216]
Shih: Nur, 24/26.
[217]
Bediuzaman Said Nursi, Fjalët, fq. 181 (Fjala e
Katërmbëdhjetë, Përmbyllje)
[218]
Zilzal, 99/7-8.